Seritë e tetë vegimeve, dhënë për të nxitur popullin që të rindërtojë tempullin (Zakaria 1:7-6:8)

Zakaria e fillon librin e vet me një panoramë profetike nga koha e vet deri te Mbretëria Mijëvjeçare.
A. Njeriu që ngiste një kalë të kuq (1:7-17)
Domethënia: Perëndia është i zemëruar me paganët që jetojnë në prehje ndërsa populli i Tij vuan. Ai do të ndëshkojë kombet dhe do të përtërijë popullin e Tij. 1:7-11 Në vargun 7 profeti fillon serinë e tij të tetë vegimeve. Në vegimin e parë Zoti shihet (burri një kalë të kuq, krahasoni “Engjëlli i Zotit“, v. 11) me agjentët e Tij (mbase engjëjt), që patrullojnë dheun me kuaj të kuq, të kuqërremë dhe të bardhë. Shkurret e mërsinave apo vendi i ulët përfaqëson Izraelin nën sundimin pagan. Kur profeti kërkon domethënien e kalorësve, një engjëll interpretues i premton t’i shpjegojë, por Zoti (burri që qëndronte midis shkurreve të mërsinave) i përgjigjet se funksioni i tyre është të patrullojnë dheun. Patrullat i bëjnë të ditur Zotit se gjithë dheu është në pushim dhe i qetë, mbase do të thotë se kombet pagane, sidomos Babilonia, janë në qetësi ndërsa populli i Perëndisë sundohet. 1:12-17 Engjëlli i Zotit ndërmjetëson te Zoti i ushtrive për Jerusalemin dhe Judën, që janë shkretuar për shtatëdhjetë vjet. Duke dhënë një përgjigje zemërdhënëse, engjëlli interpretues i thotë profetit të fliste se Perëndia do të ndërhyjë për popullin e Tij. Kombet kanë nxitur zemërimin e Perëndisë me anë të mizorisë së tyre ndaj Judës. Perëndia do të kthehet në Jerusalem dhe tempulli do të ndërtohet përsëri. Litari këtu flet për rindërtimin, ndërsa tek 2 i Mbreterve 21:13 nënkupton shkatërrim… Profeti duhet t’i thoshte popullit se Perëndia do të begatonte qytetet e Judës, do të ngushëllojë akoma Sionin dhe do të zgjedhë akoma Jerusalemin.
B. Katër brirët dhe katër kovaçët (1:18-21)
Domethënia: Shkatërrimi i katër perandorive botërore pagane. Përmbushja e plotë e këtij vegimi të dytë i përket ende së ardhmes. Katër brirët njëjtësohen si katër kombe që kanë shpërndarë Judën, Izraelin dhe Jerusalemin – me fjalë të tjera, katër perandoritë botërore pagane: Babilonia, Medo-Persia, Greqia dhe Roma [1]. Katër kovaçët nuk njëjtësohen, por janë pa dyshim agjenci të ngritura nga Perëndia për të shkatërruar fuqitë pagane që kanë shpërndarë Judën. Koleman Laku (G. Coleman Luck) shpjegon: Çfarë janë këta katër agjentë të Perëndisë? Është hedhur ideja se mund të përfaqësojnë katër gjykimet e Perëndisë të përmendura tek Ezekieli 14:21 dhe Zbulesa 6:1-8, duke qenë lufta, zia, kafshët e egra dhe murtaja. Një ide tjetër, që duket më e mundshme, është se ato përfaqësojnë katër fuqi të njëpasnjëshme që përmbysin katër perandoritë e paraqitura në vegimin e mëparshëm: pra, Medo-Persia përmbysi Babiloninë, Greqia Medo-Persinë, Roma Greqinë dhe Perandoria e gjallëruar Romake e ditëve të fundit do të përmbyset nga mbretëria e madhe mesianike. Me siguri e vërteta e përgjithshme shtrohet se çdo fuqi e ligë që ngrihet kundër popullit të Perëndisë do të përmbyset dhe gjykohet [2].
C. Njeriu me një litar për matje (kapitulli 2)
Domethënia: Begatia e ardhshme, popullimi dhe siguria e Jerusalemit. 2:1-5 Vegimi i tretë paraqet një burrë që mbante në dorë një litar për matje. Kur profeti e pyet se ku po shkonte, ai iu përgjigj se po shkonte të maste vendin e Jerusalemit, pra, atje ku do të rindërtohej qyteti. Engjëlli interpretues takoi një engjëll tjetër, i cili i tha atij ta siguronte të riun (qoftë Zakarian, qoftë burrin me litarin për matje) se Jerusalemi do të popullohej dendur dhe se nuk do të ishin të nevojshëm muret, sepse Zoti do ta mbronte atë. Kjo, sigurisht, i referohet përfundimisht Jerusalemit gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit. 2:6-12 Këtu teprica e robërve judenj të mbetur në mërgim thirren për t’u kthyer në Jerusalem nga vendi i veriut (Edhe pse Babilonia është në verilindje të Jerusalemit, robërit do të vinin përmes rrugës Gjysmëhëna pjellore [anglisht: Fertile Crescent] dhe kështu do të futeshin në Izrael nga veriu). Kjo do të ketë gjithashtu një përmbushje pasi “lavdia” është zbuluar dhe vendosur, pra, pas Ardhjes së Dytë të Krishtit. Perëndia do të ndëshkojë armiqtë e popullit të Tij, sepse ky i fundit është “bebja e syrit të Tij“. Kënga do të shpërthejë kur Krishti të vijë në tempullin mijëvjeçar dhe kombet pagane do të bashkohen me Të atë ditë. Termi “në tokën e shenjtë” për Izraelin përdoret vetëm këtu në tërë Biblën. 2:13 Çdo mish urdhërohet të heshtë ndërsa Zoti çohet për të ndëshkuar kombet.
D. Jozueu, kryeprifti (kapitulli 3)
Domethënia: Pastrimi dhe përtëritja e priftërisë, përfaqësisë së kombit. 3:1-3 Kryeprifti Jozue, veshur me rroba të papastra, paraqet priftërinë si përfaqësues i Izraelit. Satani (hebraisht, kundërshtar) e padit Izraelin si të papërshtatshëm për të kryer funksionin e vet priftëror. Perëndia i përgjigjet Satanit se Ai e ka shkëputur kombin si një urë nga zjarri, pra, robëria. 3:4-7 Engjëlli premton se kombi do të pastrohet dhe do të vishet me rroba të shkëlqyera. Me kërkesën e Zakarias një çallmë e pastër vihet mbi kokën e Jozueut dhe ai vishet ndërsa Engjëlli i Zotit ishte i pranishëm atje. Në qoftë se populli do të ishte besnik dhe i bindur ndaj Zotit, ata do të sundonin në shtëpinë e Perëndisë dhe do të ruajnë oborret e Tij, dhe do të kenë të drejtën e hyrjes midis atyre që qëndrojnë atje. 3:8,9 Jozueu dhe shokët e tij priftërinj ishin një shenjë paralajmërimi (“njerëz habiteshin me ta”, pra, njerëzit kuptuan paralajmërimin e Perëndisë nëpërmjet atyre priftërinjve). Ënxheri (Unger) përpunon: … njerëzit e shenjave profetike, njerëzit në pozitën e tyre zyrtare parashikojnë ngjarje të ardhshme… Përmes Krishtit Izraeli do të shpengohet, përtërihet dhe vendoset si një komb kryepriftëror, të cilin e parafytyrojnë Jozueu dhe shokët e tij priftërinj [3]. Në vargun 8 Krishti përmendet si Shërbëtori Im, Filizi; në vargun 9 Ai përmendet si figura e një guri të gdhendur (krahasoni Dan. 2:34,35). Disa kanë hedhur idenë se “Filizi” i përket Ardhjes së Parë, guri së Dytës. Gebelleini (Gaebelein) thotë se guri i gdhendur me shtatë sy në të mund të nënkuptojë gjithashtu kombin e shpenguar, të mbushur me Frymën e Tij, sepse lexojmë në lidhje me të: “Do ta heq paudhësinë e këtij vendi në një ditë të vetme”. Ai flet për të si “Izraeli i përtërirë si bërthama e mbretërisë së Perëndisë” [4]. 3:10 Kapitulli mbyllet, me të drejtë, me një pamje të famshme të çastit të natyrës paqësore të jetës baritore gjatë Mijëvjeçarit: “Në atë ditë” – thotë Zoti i ushtrive – “secili nga ju do të ftojë fqinjin e vet nën hardhinë e tij dhe nën fikun e tij”.
E. Shandani i artë dhe dy pemët e ullinjve (kapitulli 4)
Domethënia: Izraeli, dritëpërcjellësi i Perëndisë, do ta rindërtojë tempullin me anë të Frymës së Perëndisë (simbolizuar nga vaji). 4:1-6 Vegimi i pestë përshkruan një shandan krejt prej ari me dy ullinj pranë tij. Duket sikur shandani i artë kishte një bazament me një kërcell që dilte nga ai. Në majë të kërcellit ishte një enë që shërbente si një rezervuar për vajin. Anash kërcellit dilnin shtatë tuba me shtatë llamba të vogla për të djegur vajin në majë të secilës. Nga të dyja anët e shandanit të artë ishte një pemë ulliri, në dukje duke furnizuar drejtpërdrejt një enë të shandanit të artë dhe më pas përmes tubave nga ena te shtatë llambat. Shandani i artë mund të jetë një simbol i Izraelit si dëshmia e Perëndisë në botë. Ai mund ta përmbushë funksionin e tij si dritë për botën me anë të vajit, pra, Frymës së Shenjtë. Interpretimi i menjëhershëm i vegimit është se tempulli do të rindërtohet, jo me anë të fuqisë njerëzore, por me anë të Frymës së Zotit. Vështirësitë do të hiqen dhe duart e Zorobabelit do të përfundojnë rindërtimin e tempullit, ashtu siç kishin hedhur edhe themelet. Ënxheri (Unger) komenton: Parimi frymëror i pohuar këtu (v. 6) ilustrohet mjaft bukur me anë të imagjinatës së vegimit, në të cilin furnizimi automatik dhe i vetvetishëm i vajit për ndriçim, i veçuar plotësisht nga agjencitë njerëzore, parafytyron dëshminë mijëvjeçare të Izraelit, i çuar në plotësinë e Frymës depërtuese. Por në kontekstin e tij premtimi ka zbatim të drejtpërdrejtë për Zorobabelin, i cili përballet me detyrën kolosale të përfundimit të tempullit [5]. 4:7-10 Pavarësisht nga kundërshtimi i madh, tempulli do të plotësohej dhe do të shpërthenin thirrjet: “Mëshirë, mëshirë…!” për bukurinë e tij. Ata që kanë mundur të përçmojnë ditën e gjërave të vogla, pra, ata që janë tallur me faktin që Perëndia mund të bëjë diçka të madhe, do të shohin plumbçen në duart e Zorobabelit, pra, do të shohinditën kur Zorobabeli do ta përfundojë strukturën. Shtatë llambat janë shtatë sytë e Zotit, që nënkuptojnë kujdesin e Tij syçelë mbi rindërtimin dhe gjithë dheun. 4:11-14 Kur Zakaria e pyet për dy ullinjtë dhe dy degët e ullirit, engjëlli shpjegon se ata janë dy të vajosurit që qëndrojnë para Zotit. Kjo zakonisht kuptohet si referim ndaj Zorobabelit dhe Jozueut, që përfaqësojnë detyrat e mbretit dhe të priftit. Vegimi mëson se fuqia frymërore ishte e domosdoshme për ripërtëritje, ashtu si vegimi i mëparshëm mësonte se pastrimi ishte i domosdoshëm.
F. Rrotulla fluturuese (5:1-4)
Domethënia: Shpallja e mallkimit të Perëndisë kundër dëshmisë së rreme dhe vjedhjes në vend. 5:1,2 Vegimi i një rrotulle që fluturonte është i pari në një seri prej tri vegimesh që kanë të bëjnë me administrimin dhe gjykimin. Rrotulla ishte nëntë metra e gjatë dhe katër metra e gjysmë e gjerë, me të njëjtat përmasa si portiku i tempullit të Salomonit. 5:3,4 Ai shpallte një mallkim mbi cilindo që vjedh dhe cilindo betohet me të rreme. Si pjesë e mallkimit, shtëpia e atyre që vjedhin apo betohen me të rreme do të shkatërrohet, si me lëndën ashtu edhe me gurët e saj. Mbase ky vegim ka të bëjë me gjykimet mbarëbotërore që do të pararendin vendosjen e mbretërisë së Krishtit. Mëkatet kundër njeriut (vjedhja) dhe mëkatet kundër Perëndisë (betimi i rremë) do të zgjidhen në atë kohë (këto mund të përfaqësojnë gjithashtu dy pllakat e ligjit).
G. Gruaja në kosh (5:5-11)
Domethënia: Largimin e fesë idhujtare dhe mercenare nga vendi te shtëpia-bazë e saj e vjetër, në Babilon. Vegimi i shtatë tregon një grua në një kosh (hebraisht efa). Efa ishte njësia më e madhe e matjes e përdorur në tregti, afërsisht sa një shinik. Gruaja është personifikimi i “ligësisë“. Në vend kapaku mbahej në efë, që donte të thoshte se ligësia ishte e shtrënguar. Por dy gratë e tjera u larguan me efën në Shinar (Babiloni). Kjo duket se nënkupton largimin e fesë idhujtare dhe mercenare nga Izraeli për në bazën e saj në Babiloni, nga ku kishte dalë. Sigurisht, një largim i tillë do të ishte parapërgatitor për gjykimin e Babilonisë dhe për vendosjen e mbretërisë. “Shtëpia” në vargun 11 do të thotë “tempulli pagan”. Izraeli u pastrua nga idhujtaria pas robërisë babilonase, por do të përkrahë një formë më të keqe të idhujtarisë në të ardhmen, kur do të adhurojë Antikrishtin si Perëndi.
H. Katër qerret (6:1-8)
Domethënia: Patrullat e Perëndisë tregojnë se armiqtë e Izraelit janë rrëzuar. 6:1-4 Më pas Zakaria shikon katër çifte kuajsh dhe qerresh…, që dilnin në mes të dy maleve prej bronzi. Kuajt janë të kuq, të zinj, të bardhë dhe laramanë apo pullalinj – të gjithë kuaj të fortë. 6:5-7 Engjëlli interpretues i njëjtëson katër çiftet e kuajve dhe të qerreve si katër frymërat e qiellit, agjentët e Perëndisë për t’ia nënshtruar botën pagane Mesias. Kuajt e zinj shkojnë drejt vendit të veriut dhe laramanët drejt vendit të jugut. Këto dy drejtime në Shkrimin profetik lidhen zakonisht me armiqtë e Izraelit (për shembull, mbreti i Veriut dhe mbreti i Jugut). Kuajt e bardhë shkojnë pas të zinjve dhe në pamje të parë kuajt e kuq patrullojnë në zona të papërshkuara. 6:8 Engjëlli interpretues tregon se kuajt që shkuan drejt vendit në veri e kanë qetësuar Frymën e Tij. Kjo mund të nënkuptojë shkatërrimin e ushtrisë veriore (Babilonisë), e cila ishte një burim i vazhdueshëm rreziku për vendin e Izraelit. Duke e marrë vegimin në tërësi, duket se tregon shkatërrimin e armiqve të Izraelit nga lajmëtarët e Zotit. Përsëri, kjo është një ngjarje që do të paraprijë mbretërinë e Krishtit në tokë.