Gjërat që do të ndodhin për së shpejti (Zbulesa 19-20)

L. Ardhja e Krishtit dhe mbretërimi i Tij (19:1-20:9)

19:1 Pas këtyre gjërave Gjoni dëgjon një turmë të shumtë në qiell, që lavdëronte Zotin për ndëshkimin e Tij të drejtë që i bëri lavires së madhe. Kjo këngë e ngre Atë lart si Zoti, Perëndia ynë,të cilit i përket shpëtimi, dhe lavdia, dhe nderimi, dhe fuqia.

19:2 Ajo këngë i jep Atij të drejtë për shkatërrimin që i bëri lavires së madhe. Ishte në përputhje me cilësitë e Tij, të së vërtetës dhe të drejtësisë, që Ai duhej ta ndëshkonte laviren për kurvërinë e saj dhe për vrasjet e saj gjakftohta të shërbëtorëve të Tij.

19:3 Tymi i përhershëm që ngjitet nga turra e zymtë e druve bën që të dëgjohet për herë të dytë “Aleluja!”,ose “Lavdi Zotit”.

19:4 Të njëzet e katër pleqtë, dhe të katër qeniet e gjalla janë të një mendjeje me një “Amen!” të fortë dhe një “Aleluja!” të përzemërt.

19:5 Një zë . . . nga froni iu bën thirrje të gjithë shërbëtorëve të Perëndisë që të bashkohen në këtë lavdërim për Zotin, për shkatërrimin që Ai i bëri Babilonisë të stërmadhe.

19:6 Një këngë tjetër nis papritur në qiell, e ngjashme me një “zë shumë ujërash dhe si zë bubullimash të forta”. Një “Aleluja“e fortë shtohet me rastin e festimit të mbretërimit të Zotit, Perëndisë tonë, të Plotfuqishëm!

19:7, 8 Mundimi ka kaluar. Babilonia është gjykuar. Tani erdhi dasma e Qengjit. Kisha, nusja e Krishtit, është përgatitur për këtë çast tepër emocionues për të. Ajo është veshur me li të hollë, të pastër dhe të shkëlqyeshëm, gjë e cila është shpjeguar se simbolizon veprat e drejta të shenjtorëve [18].

19:9 Një engjëll e udhëzon Gjonin që të shkruajë një bekim për të gjithë ata që janë ftuar në gostinë e dasmës së Qengjit. Kisha është nusja qiellore; ata që janë miq të ftuar janë mbetja e të shpenguarve. Engjëlli përforcon rëndësinë e bekimit duke ngulur këmbë se ai përfaqëson fjalët e vërteta të Perëndisë.

19:10 Gjoni bie përpara këmbëve të engjëllit në një veprim adhurimi, por kjo i ndalohet. Engjëlli është një bashkëshërbëtor me Gjonin dhe me të gjithë ata të cilët ruajnë dëshminë e Jezusit. Më pas engjëlli shton: “Sepse dëshmia e Jezusit është frymë e profecisë”. Kjo nënkupton se qëllimi i vërtetë i profecisë është që të japë dëshmi për Personin dhe veprën e Jezusit.”Profecia”, thotë Rajri-i (C. Ryrie), “ka për qëllim të shpalosë bukurinë e Jezusit” [19].

Engjëlli donte që njerëzit të adhurojnë Perëndinë Bir, për të cilin ai po dëshmonte.

19:11 Më në fund ne arrijnë tani te ngjarja të cilën gjithë pjesa tjetër e librit mezi po e priste, ardhjen e lavdishme të Krishtit në tokë për të mposhtur armiqtë e Tij dhe për të vendosur mbretërinë e Tij. Kjo ngjarje nuk është Rrëmbimi i kishës; te Rrëmbimi Krishti vjen në ajër për shenjtorët e Tij. Këtu ai vjen në tokë me shenjtorët e Tij.

Vini re përshkrimin e Zotit tonë. Ai rri ulur mbi një kalë të bardhë,dhe pa dyshim që këtu ai është një kalë lufte përderisa Ai po vjen për të mposhtur armiqtë e Tij. Emri i Tij është Besniku dhe i Vërteti. Ai është besnik ndaj premtimeve të Tij dhe i vërtetë në vetë karakterin e Tij. Ai gjykon dhe lufton me drejtësi. Ai mund të mbretërojë vetëm në një mbretëri ku njerëzit dëshirojnë të jetojnë në një mbretëri drejtësie. Prandaj Atij më parë i duhet të heqë të gjitha gjërat që e fyejnë.

19:12 Sytë e Tij janë si flakë zjarri, gjë që sugjeron për fuqinë depërtuese të gjykimit të Tij. Ai mund të zbulojë çdo rebelim dhe mosbesim. Mbi kryet e Tij ka shumë kurora. Të tjerët mund të mbajnë kurorën e fitores, por vetëm për Zotin Jezus thuhet që mban kurorën e pushtetit mbretëror. Ai ka një emër të mbishkruar të cilin askush nuk e di përveç Atij. Ka shumë mistere për sa i përket Personit të Krishtit, të cilat asnjë qenie e krijuar nuk do të mund t’i kuptojë ndonjëherë.

19:13 Ai është i veshur me një rrobe të ngjyer në gjak, por jo me gjakun që Ai derdhi në kryqin e Kalvarit, por me gjakun e armiqve të Tij, të cilët Ai i shtyp në vozën e zemërimit të Perëndisë. Ai është quajtur me emrin “Fjala e Perëndisë”.Një fjalë është një mënyrë për të shprehur mendime. Në Krishtin Perëndia i ka bërë njeriut plotësisht të njohur Vetveten.

19:14 Ai shoqërohet nga ushtritë e qiellit, të cilat janë veshur me rroba liri të hollë dhe që kalërojnë mbi kuaj të bardhë. Pa dyshim që këto ushtri janë të përbëra nga shenjtorët, por është e rëndësishme të thuhet që atyre nuk u kërkohet të luftojnë. Zoti Jezus i mund armiqtë e Tij pa ndihmë.

19:15 Nga goja e Tij del një shpatë e mprehtë me të cilën Ai godet kombet. Ai vjen për t’i qeverisur ato me një skeptër prej hekuri dhe për të shkelur vozën e mërisë dhe të zemërimit të Perëndisë së plotfuqishëm.

19:16 Mbi rrobën e Vet dhe mbi kofshën është shkruar:

MBRET I MBRETËRVE
DHE ZOT I ZOTËRVE

Jezusi ynë është Sundimtari Më i Lartë, gjithë të tjerët duhet t’i nënshtrohen sundimit të Tij.

19:17, 18 Darka e madhe e Perëndisë (shih NKJV)është shkatërrimi i armiqve të mbetur të Perëndisë para se të jetë vendosur mbretëria. Zogjve grabitqarë u është bërë thirrje për të marrë pjesë! Ata do të ushqehen me mishin e trupave të atyre që janë therur nga Zoti – njerëz nga çdo klasë e shoqërisë, të të vegjëlve dhe të të mëdhenjve.

19:19, 20 Në një përpjekje të pashpresë për të penguar Krishtin, për të marrë frerët e qeverisjes (Psa. 2), bisha bashkohet me ushtritë e botës që të bëjë luftë kundër Zotit dhe kundër ushtrisë së Tij. Por kjo është një përpjekje e kotë. Si bisha ashtu edhe profeti i rremë janë kapur dhe janë flakur të gjallë në liqenin e zjarrtë që digjet me squfur.

19:21 Mbetja e rebelëve vritet me shpatën e Zotit dhe kështu trupat e tyre u kanë siguruar kërmë të bollshme shpendëve grabitqarë. Shpata është një aluzion [fjalë e hedhur, aludim, nënkuptim] për fjalën e Perëndisë (shih Efesianeve 6:17 dhe 2 Thes. 2:8; Heb. 4:12; Zbulesa 1:16; 2:12, 16).

20:1 Përpara se të fillojë Mijëvjeçari, Satanit i duhet vënë kufi. Për të kryer këtë një engjëll zbret nga qielli me çelësin e humnerës dhe me një zinxhir gjigant në dorë.

Në një kuptim, Zoti ynë e lidhi Satanin kur Ai erdhi në tokë (Mt. 12:29). Kështu, kjo këtu është një fazë tjetër lidhjeje.

20:2 Engjëlli e kapi Satanin dhe e lidhi për një mijë vjet. Gjoni rendit katër emra të tunduesit: dragoi, gjarpri, Djalli (paditës) dhe Satani (kundërshtari).

20:3 Gjatë Mijëvjeçarit armiku kryesor mbyllet në humnerë. Humnera është e vulosur që të mos shkojë e të mashtrojë kombet. Nga fundi i mbretërimit të Krishtit ai do të zgjidhet për rebelimin e tij të shkurtër (v7-10).

20:4 Gjoni sheh tani njerëz në qiell të ulur mbi frone me pushtet për të sunduar. Këta janë shenjtorë të epokës së kishës, të cilët do të mbretërojnë me Krishtin si Nusja e Tij. Gjoni sheh gjithashtu një grup dëshmorësh, të cilët nuk kishin pranuar për të marrë damkën e bishës. Është e qartë që këta janë shenjtorë të Mundimit, të cilët vdiqën për besimin e tyre. Të dy këto grupe do të mbretërojnë me Krishtin gjatë epokës së artë të paqes dhe begatisë.

20:5 Pjesa e parë e vargut 5 duhet të nënkuptohet si një parantezë [shprehje në kllapa]. Të vdekurit e tjerë është një gjë që i referohet jobesimtarëve të të gjithë epokave, të cilët do të ringjallen në fund të Mijëvjeçarit për të qëndruar përpara Gjykimit të Fronit të Madh të Bardhë.

Shprehja “Kjo është ringjallja e parë“i referohet asaj që thuhet në vargun 4. Ringjallja e parë nuk është një ngjarje e vetme. Ajo përshkruan ringjalljen e të drejtëve në kohë të ndryshme. Ajo përfshin ringjalljen e Krishtit (1 e Korintasve 15:23), ringjalljen e atyre që janë të Krishtit kur Ai rrëmben kishën (1 Thes. 4:13-18), ringjalljen e dy dëshmitarëve, trupat e të cilëve do të dergjen në shesh (Zbulesa 11:11) dhe ringjalljen e shenjtorëve të Mundimit që janë përshkruar këtu (shih gjithashtu Dan. 12:2a). Me fjalë të tjera, ringjallja e parë përfshin ringjalljen e Krishtit dhe gjithë besimtarëve të vërtetë, megjithëse ata janë ringjallur në kohë të ndryshme. Pra, ajo ndodh në disa faza.

20:6 Lum ata që marrin pjesë në ringjalljen e parë, sepse ata nuk do të përfshihen në vdekjen e dytë, kur të gjithë jobesimtarët do të flaken në liqenin e zjarrit (v14). Besimtarët e vërtetë do të jenë priftërinj të Perëndisë dhe të Krishtit dhe do të mbretërojnë me Të një mijë vjet.

20:7, 8 Kur të kryhen të njëmijë vjetët, Satani do të zgjidhet nga burgimi dhe do të dalë në të katër anët e dheut që të mashtrojë kombet që janë armike ndaj Krishtit, të quajtura këtu Gogu dhe Magogu. Kjo referencë për Gogun dhe Magogun nuk duhet të ngatërrohet me një referencë të ngjashme te Ezekieli 38 dhe 39. Atje Magogu është një vend i madh në veri të Izraelit dhe Gogu është mbreti. Këtu këto fjalë iu referohen kombeve të botës në përgjithësi. Tek Ezekieli sfondi është para Mijëvjeçarit, këtu ai është pas Mijëvjeçarit.

20:9 Pasi të ketë rekrutuar [thirrur] një ushtri prej rebelësh të pafe, djalli do të marshojë drejt Jerusalemit, qytetit të dashur. Por nga qielli zbret zjarr, i dërguar nga Perëndia,që i djeg trupat.

M. Gjykimi i Satanit dhe i gjithë jobesimtarëve (20:10-15)

20:10 Djalli vetë është hedhur në liqenin e zjarrit për t’u bashkuar me bishën dhe profetin e rremë.

Mund të duket pak e çuditshme që Satani do të jetë në gjendje për të mbledhur një ushtri jobesimtarësh në fund të Mijëvjeçarit. Megjithatë duhet të kujtojmë se të gjithë fëmijët e lindur gjatë mbretërimit të Krishtit do të lindin në mëkat dhe do të kenë nevojë për shpëtim. Jo të gjithë do ta pranojnë Atë si Mbretin e duhur, dhe këta do të shpërndahen kudo në botë, duke u përpjekur që të largohen sa më shumë që të jetë e mundur nga Jerusalemi.

Vini re se bisha dhe profeti i rremë janë akoma në ferr mbas një mijë vjetësh. Kjo e hedh poshtë doktrinën e asgjësimit, ashtu siç bën edhe shprehja: “dhe do të mundohen ditë a natë në shekuj të shekujve“.

20:11 Më pas ne prezantohemi me gjykimin e fronit të madh të bardhë. Ai është i madh për shkak të çështjeve të përfshira atje dhe i bardhë për shkak të përsosmërisë dhe pastërtisë së vendimeve të kaluara. Atje është Zoti Jezus që ulet si Gjykatës (Gjoni 5:22, 27). Shprehja nga prania e të cilit iku dheu dhe qielli tregon që ky gjykim ndodh në përjetësi, mbas shkatërrimit të krijimit të tanishëm (2 Pjetrit 3:10).

20:12 Të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, qëndrojnë përpara Perëndisë. Këta janë jobesimtarë të të gjitha epokave. Atje janë hapur dy grupe librash. Libri i Jetës -që përmban emrat e gjithë atyre që janë shpenguar nga gjaku i çmuar i Krishtit, ndërsa librat e tjerë përmbajnë një regjistrim të detajuar të veprave të të pashpëtuarve. Askush që del në këtë gjykim nuk është i regjistruar në Librin e Jetës. Fakti që emri i tij mungon e dënon atë, ndërsa regjistrimi i veprave të tij të këqija vendos shkallën e ndëshkimit të tij.

20:13 Deti do të dorëzojë trupat e atyre që janë varrosur atje. Varret, që këtu përfaqësohen nga Vdekja, do të dorëzojnë trupat e të gjithë të pashpëtuarve që kanë qenë groposur. Hadesi do të dorëzojë shpirtrat e të gjithë atyre që vdiqën në mosbesim. Trupat dhe shpirtrat do të ribashkohen për të qëndruar përpara Gjykatësit.

Ashtu siç do të ketë shkallë të shpërblimit në qiell, po ashtu do të ketë shkallë të ndëshkimit në ferr. Kjo do të varet sipas veprave të tyre.

20:14 Kur ne lexojmë që Vdekja dhe Hadesi janë flakur në liqenin e zjarrit, kjo nënkupton personat në kuptimin tërësor: frymë, shpirt dhe trup. Teksti shpjegon se kjo është vdekja e dytë, dhe NKJV shton liqeni i zjarrit.

Ka një dallim midis Hadesit dhe ferrit. Për ata që kanë vdekur pa konvertim [pa shpëtim, pa kthim në besim] Hadesi është një gjendje ndëshkimi e vetëdijshme pa trup. Ai është një lloj burgu, një gjendje e ndërmjetme, ku ata presin Gjykimin e Fronit të Madh të Bardhë.

Për besimtarët që kanë vdekur Hadesi është një bekim pa trup në qiell, duke pritur ringjalljen dhe ngritjen në lavdi të trupit. Kur Jezusi vdiq, Ai shkoi në Parajsë (Luka 23:43), të cilën Pali e barazon me qiellin e tretë (2 e Korintasve 12:2, 4), vendbanimin e Perëndisë. Te Veprat e Apostujve 2:27 gjendja pa trup e Zotit është quajtur Hades. Perëndia nuk e la shpirtin e Tij në Hades, por e veshi atë me një trup të përlëvduar.

Ferri është burgu përfundimtar i të vdekurve të ligj. Ai është i njëjtë si liqeni i zjarrit, Gehena dhe vdekja e dytë.

20:15 Faktori vendimtar në këtë gjykim është nëse emri i dikujt është i shkruar në Librin e Jetës. Në të vërtetë nëse emri i dikujt do të kishte qenë shkruar atje, ai tashmë do të kishte qenë pjesë e ringjalljes së parë. Prandaj ky varg u referohet atyre që qëndrojnë përpara Fronit të Madh të Bardhë.

[18] Në tekstin e vitit 1611 lexohet “drejtësia” që shpesh interpretohet nga predikuesit si ajo drejtësi e Krishtit që i ngarkohet shenjtorëve. Megjithëse kjo është një doktrinë e shëndoshë, fjala greke dikaiomata e përjashton atë arsyetim. Fjala është në shumës (dhe jo në njëjësin abstrakt që është dikaiosune). Veç kësaj ajo ka një mbaresë “pësore”, e cila këtudo të thotë diçka të kryer (në këtë rast “vepra të drejtësisë”). Nuk është shpëtimi në këndvështrim në këtë pjesë.[[18]] [19] Charles C. Ryrie. The Ryrie Study Bible, New King James Version.Fq. 1953.[[19]]


Referenca    ( ↵ kthehet te teksti)