Konvertimi im nga kalvinizmi

Vite më parë unë isha aq kalvinist sa çdo njeri në botë. Ja predikoja atë gjithsecilit dhe e drejtoja gjithsecilin te kalvinizmi, mbi të cilët kisha njëfarë ndikimi. Kur isha në vitin e fundit të shkollës së Biblës, po kthehesha një ditë nga shkolla te konvikti me një shok që ishte një vit mbrapa meje. Gjatë bisedës, ai më tha: “Unë s’besoj te zgjedhja”. Ndalova në trotuar, e pashë në fytyrë dhe i thashë: “Ti s’beson te zgjedhja? Eja me mua në dhomë time dhe, para se të largohesh, do të besosh në të”. E mora në dhomën time, e ula dhe e drejtova përmes kapitullit të nëntë të Romakëve. Brenda gjysmë ore ai u dorëzua dhe u bë vetë një kalvinist. Sigurisht që e keqpërdora kapitullin. Isha po aq i paditur, sa edhe i sigurt. I dija përgjigjet pa kuptuar pyetjet. I predikoja me forcë të madhe ato vargje shkrimore që dukeshin se e mbështetnin pozicionin tim, duke i keqinterpretuar ato me shtesa dhe duke u përpjekur për t’i sjellë në anën time të gjithë ata që ishin kundër meje. Por nuk besoj se besnikëria ime ndaj kalvinizmit ishte e bazuar vetëm mbi gabime intelektuale, edhe pse isha fajtor për shumë të tilla. Rrënjët e vërteta ishin shumë më të thella. Themelet reale gjendeshin në të metat e mia morale. Isha i ftohtë dhe krenar dhe intelektual. E njihja pak dashurinë dhe butësinë dhe ëmbëlsinë. Prandaj një Perëndi, i cili nuk kishte dashuri për nëntëdhjetë e nëntë përqind të racës njerëzore, një Perëndi që krijoi nëntëdhjetë e nëntë nga njëqind qenie njerëzore për t’i mallkuar në flakët e përjetshme, nuk përbënte ndonjë shqetësim për mua.

Prandaj konvertimi im nga kalvinizmi ndodhi me anë të dy veprimeve të dallueshme. Njëri prej këtyre veprimeve ishte intelektual dhe tjetri emocional. I pari korrigjoi mendjen time dhe i dyti zemrën time. Përmes veprimit të parë, unë u vura përballë disa teksteve të Shkrimit të cilat nuk mund t’i pajtoja me kalvinizmin tim. Përmes veprimit të dytë, zemra ime u shkri nga një ndjenjë emocionale e dashurisë së Perëndisë, aq sa u bëra gjithnjë e më i parehatshëm me një sistem që e portretizon Perëndinë sikur nuk ka aspak dashuri për pjesën më të madhe të racës njerëzore ose që ka vetëm një dashuri hipokrite, që nxjerr lot krokodili për ta dhe u thotë atyre: “Ngrohuni dhe ngopuni” – “Kthehuni nga unë dhe do të shpëtoni, ju mbarë skaje të tokës” – por, faktikisht, nuk u jep atyre ato gjëra që janë të nevojshme për shpirtin.

Më duhet të flas për këto dy veprime veçmas.

Dhe në fillim, shkrirja e zemrës sime. Që nga dita e konvertimit tim, isha i zellshëm dhe i kujdesshëm dhe studiues. Herën e parë që shihja një libër të krishterë për shitje, e blija. Brenda një viti mbas konvertimit tim shkova në një shkollë të Biblës dhe fillova të blija libra me gjithë zell. Biblioteka ime e vogël filloi të marrë formë, aq sa një mik pranoi se më kishte zili sa herë që hynte në dhomën time. Udhëzimet në klasë ishin kryesisht të një natyre intelektuale, me një ndikim të pakët për të ngrohur zemrën apo për të ushtruar ndërgjegjen dhe kështu u bëra mjaft intelektual. Zemra ime nuk ecte njëkohësisht me kokën time. Isha i ftohtë dhe i ashpër dhe e nënvleftësoja ungjillëzimin (natyrisht, kalvinizmi im më çoi në atë drejtim).

Megjithëkëtë, isha i sinqertë dhe serioz në ecjen time me Perëndinë dhe madje atëherë ai filloi për të shkrirë zemrën time të ftohtë. Kujtimi i parë që kam në lidhje me këtë është ai i një kohe kur isha duke ecur për në punë, duke kënduar “Dashuria e Perëndisë”. Kur arrita te këta rreshta:

“Të shkruash dashurinë e Perëndisë lart
do të thante krejt oqeanet”

U theva dhe qava. Më kujtohet një ndodhi tjetër që ndodhi ndoshta më shumë se një vit më vonë, kur isha duke predikuar. Po flisja për dashurinë sakrifikuese të Krishtit dhe isha aq i mbushur me lot, saqë nuk mund të vazhdoja dot. Këto ndodhi do të tregojnë se çfarë lloj veprimi po ndodhte thellë brenda meje. Megjithëkëtë, isha në përgjithësi i ftohtë dhe i hidhët dhe intelektual, duke folur si shpimet e një shpate dhe duke predikuar dhe lutur pa derdhur asnjë pikë loti.

Gjithsesi u ndërgjegjësova disi për të metat e mia dhe u shqetësova për këtë. Fillova të ndërmerrja hapa të tillë që të mund ta ndreqja këtë gjendje. Një gjë që vendosa të bëja ishte të lexoja libra mbi ungjillëzimin, punën misionare dhe dashurinë e Perëndisë.

Ndërsa dashuria e Perëndisë u bë gjithnjë e më tepër një realitet për mua, kalvinizmi im u bë gjithnjë e më tepër një barrë, edhe pse e besoja atë me vendosmëri, duke supozuar që doktrinat vetë ishin të vërteta dhe përpiqesha t’i mbushja ato me një frymë më të ngrohtë. Ndjenjat e mia në atë kohë mund të shihen në fragmentin më poshtë nga ditari im personal.

“Më në fund më ra në dorë një kopje e predikimit të famshëm ‘Mëkatarë në duart e një Perëndie të zemëruar’ nga Xhonathan Eduartsi. Edhe pse Eduartsi përpiqet t’i zgjojë frymërisht njerëzit duke u treguar atyre tmerret e gjendjes së tyre të humbur, toni i predikimit të tij është larg të qenit biblik. Toni është shumë kalvinist dhe fyes. Eduartsi ia atribuon gjithçka thjesht kënaqësisë arbitrare të Perëndisë, por kjo është një pikëpamje shumë e ngushtë e zemrës së Perëndisë. Për shembull, Eduartsi thotë:

‘Kur Perëndia sheh kulmin e pashprehshëm të gjendjes tënde dhe e shikon mundimin tënd që është aq shumë i pabarabartë me forcën tënde dhe shikon se si shpirti yt i gjorë është thërrmuar dhe fundoset, sikur të ishte, drejt një errësire të pafund; ai nuk do të ketë fare mëshirë për ty, ai nuk do ta frenojë ekzekutimin e zemërimit të tij apo as të paktën të lehtësojë dorën e tij: nuk do të ketë fare gjakftohtësi apo mëshirë….’

Për të mbështetur pikëpamjen e tij, Eduartsi citon më pas nga Ezekieli 8:18

Ezekieli 8:18 Prandaj edhe unë do të veproj me tërbim; syri im nuk do të ketë asnjë dhembshuri dhe nuk do të kem mëshirë fare. Edhe sikur të çojnë britma të larta veshëve të mi, unë nuk do t’i dëgjoj”.

Unë pyes: “Tani a është kjo një paraqitje e vërtetë dhe besnike dhe e drejtë e zemrës së Atij që e deshi aq botën, sa dha Birin e Tij të vetëmlindur?” Nuk është. Kur Shkrimi flet për Perëndinë që sjell zemërim pa keqardhje, duke i tallur armiqtë e Tij, duke qeshur me fatkeqësitë e tyre, ai nuk i lidh këto gjëra me dobësinë dhe pafuqinë e njeriut (siç bën Eduartsi në predikimin e tij), por me fajin dhe ngurtësimin dhe mospendesën e njeriut, siç mund të shihet nga lexuesi duke lexuar kontekstin e vargut nga Ezekieli. Dhe këto lidhje janë të një rëndësie tejet të madhe: nëse i ndajmë këto gjëra nga lidhjet e tyre shkrimore, ne do të kemi mendime të gabuara për Perëndinë. Një kalvinizëm joshkrimor (me kalvinizëm nuk nënkuptoj besimin në sovranitetin e Perëndisë – unë sigurisht që e besoj këtë – por deduksionet dhe konkluzionet që mendja mishore nxjerr nga ai). Një kalvinizëm joshkrimor priret gjithmonë drejt mendimeve të kufizuara të zemrës së Perëndisë, priret gjithmonë drejt një paraqitjeje të një Perëndie që nuk ka ndjenja të ëmbla. Unë e kundërshtoj krejt thënien e tij se kur Perëndia ‘shikon se si shpirti yt i gjorë është thërrmuar … ai nuk do të ketë fare mëshirë për ty’. Një gjykatës i drejtë mund të ndiejë shumë keqardhje dhe dhembshuri për një kriminel, e megjithatë ta dënojë atë me vdekje. Zemra e Perëndisë, dhe kjo ndaj të humburve, shihet në vajtimin e Davidit për djalin e tij të humbur Abasalomin (sepse Davidi ishte një njeri sipas zemrës së Perëndisë)”.

Edhe pse këtë me lart e shkova në ditarin tim personal në atë kohë, duhej të kalonin ende shumë vjet përpara se të çlirohesha një herë e përgjithmonë nga kalvinizmi. Në vend të kësaj, unë përpiqesha të nxirrja më të mirën e mundshme nga një çështje e keqe, duke e fajësuar kalvinizmin për shtrembërimin që i bënte Perëndisë, por duke besuar po aq me vendosmëri themelet e këtij sistemi. Synimi im i vetëm ishte të isha biblik dhe supozoja se thelbi i kalvinizmit mund të ruhej në një mënyrë më pak fyese se ajo e Eduartsit. Duke i besuar doktrinat e kalvinizmit si shkrimore ose biblike, vazhdoja ta bindja veten se ai paracaktim i pakushtëzuar ishte i pajtueshëm me zemrën e Perëndisë. Dilema ime ishte se unë supozoja që doktrinat e kalvinizmit ishin të pajtueshme me gjithçka tjetër në Bibël, edhe pse ishte e vështirë për ta shpjeguar se si.

Por do të isha krejt i padrejtë, për veten dhe për të vërtetën, nëse do ta lija dikë me përshtypjen se ana emocionale e konvertimit tim nga kalvinizmi ishte vetëm emocionale – që nuk kishte asnjë themel shkrimor për këtë. Nuk ishte kështu. Procesi emocional vetëm sa më mundësoi të kuptoja çështjet reale. Unë pashë qartë, si të vërtetë të qartë objektive, se kalvinizmi ishte krejt në mospërputhje me dashurinë e Perëndisë, edhe pse nuk e kisha fuqinë ta kuptoja këtë derisa dashuria e Perëndisë u bë një realitet i madh për mua. Ai njëri varg nga Bibla që kishte më tepër ndikim se çdo tjetër për të më kthyer mua nga kalvinizmi ishte “Perëndia është dashuri”. Kjo veproi, vit pas viti, në themelet e sistemit të rremë. Kalvinistët, që njohim, duan të flasin për dashurinë e Perëndisë, por është gjithmonë “dashuria e përjetshme e Perëndisë për njerëzit e tij” dhe kalvinistët më të pajtueshëm, si A. W. Pinku, e mohojnë qartazi që Perëndia e do ndokënd tjetër. Unë besoj pa dyshim se përmbushja e dashurisë së Perëndisë është e lidhur me shenjtërinë e Tij, por kalvinizmi e lidh ndjenjën e saj duke e përshkruar Perëndinë se e ushtron dashurinë e Tij vetëm sipas kënaqësisë së Tij arbitrare. Që “Perëndia është dashuri” ky sistem nuk di vërtet asgjë.

Si shumica e kalvinistëve, unë i tallja dhe i përçmoja njerëzit që kishin pikëpamje të tjera, veçanërisht ata njerëz të cilët i etiketoja si arminianë. Megjithëkëtë, thellë në shpirtin tim, unë e pranoja se arminianët përpiqeshin sinqerisht që t’i pranonin fjalë për fjalë Shkrimet që flisnin për vullnetin e lirë të njeriut. Megjithëkëtë, mendimi im në atë kohë ishte se “ne kalvinistët”, sigurisht, dimë të mirë. Ne dinim se ajo gamë e madhe e Shkrimeve, mbi të cilat qëndronin arminianët, vetëm sa “dukej” se i mbështeste ata. Nëse pranoheshin fjalë për fjalë, sikurse do t’i pranonte edhe një fëmijë, ato shkrime të Biblës, do të kërkonin që ne të ishim vërtet arminianë, por kur ne kuptuam urtësinë më të thellë të kalvinizmit – kur ne kuptuam mistere të tilla të thella si paaftësia totale, hiri i papërballueshëm dhe thirrja e efektshme – dhe kështu mund të gjenim domethënien më të thellë nën dhe përreth dhe midis atyre teksteve, të cilat arminianët i trajtonin siç do t’i trajtonin fëmijët, atëherë ne mund të ishim kalvinistë të shëndoshë, pavarësisht nga të gjitha tekstet në dukje arminiane. Këto ishin mendimet e mia për këtë temë për një periudhë prej ndoshta dy vjetësh.

Ndërkohë, ishin disa tekste të Shkrimit kundërshtuese të cilat nuk mund të dorëzoheshin para këtij sofizmi ose arsyetimi të shtrembër. Një prej këtyre ishte “të zgjedhur sipas paranjohjes” – një fjalë që, e marrë fjalë për fjalë, me siguri që e bën zgjedhjen të varur mbi diçka në njeriun. Isha në dijeni, sigurisht, për shpjegimin kalvinist, që e bën para-njohjen të jetë në fakt para-caktim, por as mendja ime, as ndërgjegjja ime nuk mund të pajtohej me një ndryshim të tillë. Ky tekst më shqetësoi për shumë vjet, si një guralec në këpucën time, aq sa përbrenda nuk mund të isha kurrë mjaft i qetë me kalvinizmin sikurse përpiqesha të bëhesha nga ana e jashtme.

Por ishte edhe një tjetër tekst nga Bibla, edhe më i fuqishëm. Ai ishte: “Unë doja, por ju nuk deshët” – ku vullneti njerëzor mbizotëronte mbi vullnetin hyjnor. Kjo është më e qartë se kristali në gjuhën greke, ku lexojmë: “Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët! Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë”. Ky varg kishte të bënte më shumë se çdo tjetër me përfundimin e çlirimit tim nga kalvinizmi dhe kalvinistët vetë duhet që ta zhbëjnë praktikisht unionin hipostatik për të shpëtuar sistemin e tyre përballë këtij vargu shkrimor. Zoti, thonë ata, foli vetëm si një njeri i thjeshtë – dhe si e dinë ata se ai nuk foli vetëm si një njeri gjetkë në Shkrimin?

Por unë nuk u konvertova vetëm me anë të njërit tekst apo mendim apo ndjenjë apo argument. Ky ishte një proces i gjatë dhe gradual, përmes të cilit e vërteta e fitoi pak nga pak epërsinë në zemrën dhe mendjen time dhe gabimi u braktis, pak e nga pak. Dhe vërtet, aq gradual ishte procesi, që unë nuk mund të caktoj një ditë kur hoqa dorë nga kalvinizmi, edhe pse dita kur kuptova që ndryshimi kishte ndodhur, është akoma e gjallë në mendjen time.

Por, me siguri, disa nga lexuesit e mi nuk do të mendojnë shumë për një konvertim të tillë. Ata do të ishin më të kënaqur nëse do ta kisha studiuar këtë çështje gjatë një periudhe kohe dhe që të kisha ndryshuar mendimin tim me paramendim dhe qëllimisht. Dhe unë iu them atyre, unë nuk mendoj shumë për konvertime të tilla. Unë kam parë mjaft prej atyre. “Trupat e mëdhenj lëvizim ngadalë”, thotë një proverb i vjetër dhe zakonisht janë mendjet e vogla që ndryshojnë shpejt. Unë kam parë njerëz që i kanë ndryshuar doktrinat e tyre brenda një jave ose një dite dhe një ndryshim i tillë vështirë se është i vlefshëm. Ata mund ta kthehen sërish po aq shpejt te bindjet e vjetra. Ndryshimi i tyre është i bazuar mbi një ose dy konsiderata dhe ndoshta të sipërfaqshme. Një çlirim i qëndrueshëm nga kalvinizmi duhet të jetë një çlirim i thellë, që përfshin shumë çështje, dhe në natyrën e kësaj çështje vështirë se mund të jetë ndryshe, veçse gradual.

Ka shumë shkallë të kalvinizmit dhe sigurisht që kam kaluar disa prej tyre, siç bëri edhe Spërxhëni. Asnjë njeri që ka shumë prej dashurisë së Perëndisë në zemrën e tij nuk mund të jetë një kalvinist i pajtueshëm dhe Spërxhëni ishte një nga kalvinistët më të papajtueshëm mbi tokë. Unë kam një neveri të lindur për papajtueshmëri – jo se do të pretendoja se nuk jam kurrë fajtor për këtë, pasi asnjë njeri nuk është i përsosur, edhe atje ku është i fortë – dhe gjithnjë kam synuar për të patur pajtueshmëri në çdo gjë. Pajtueshmëria është e thelbit të së vërtetës. Unë ia atribuoj çlirimin tim nga kalvinizmi kryesisht faktit që kur e pranoja atë, synoja ta pranoja atë në mënyrë të pajtueshme.

Për shembull, e meta më e madhe e kalvinizmit është papajtueshmëria e tij me dashurinë e Perëndisë. Kalvinistët do të thonë se Perëndia, nga kënaqësia e Tij, zgjodhi një numër shpirtrash specifikë për shpëtim, por ata disi në mënyrë të sikletshme do të shtojnë se Perëndia e la pjesën e mbetur për t’u mallkuar. Si pajtohet kjo me dashurinë e Perëndisë? Unë kam dëgjuar personalisht disa kalvinistë duke e shpjeguar keq këtë papajtueshmëri duke thënë që ‘Perëndia nuk zgjodhi “të mos e zgjidhte pjesën e mbetur”’. E vërteta është se kalvinizmi është i mbushur nga fillimi në fund me sofizma, gabime dhe të tilla fjalë me dy kuptime. Çuditërisht, ata nuk shohin asnjë kontradiktë midis gjithë kësaj dhe Biblës.

Unë besoj se nëse njerëzit do e pranonin kalvinizmin në mënyrë të pajtueshme, shpejt ata do të pushonin ta besonin atë. Kalvinizmi i pajtueshëm mund të jetë i pajtueshëm me vetveten, por është krejt i papajtueshëm me Biblën. Spërxhëni mund të besonte doktrinat e kalvinizmit dhe doktrinat e Biblës, gjithashtu, duke i menduar të dyja prej Perëndisë dhe thjesht të pranonte paaftësinë e tij për t’i bashkërenduar ose pajtuar ato. Unë nuk pashë asnjë lloj justifikimi për këtë, sepse e kuptova qartë se nëse Bibla ishte e vërtetë, kalvinizmi duhej të ishte i rremë. Kalvinizmi nuk i trajton me ndershmëri vështirësitë që i krijon. Edhe nëse i trajton ato, është vetëm për t’i kthyer ato një hap mbrapa, siç bëjnë edhe evolucionistët, pa zgjidhur kurrë asgjë. Ky është arsyetim i cekët dhe ata njerëz që mendojnë pak më thellë nuk mund të jenë të kënaqur me këtë.

Fakti i qartë është se, duke pranuar që njeriu ka besim dhe sinqeritet, ka dy gjëra që janë plotësisht shkatërruese për kalvinizmin e pajtueshëm. Këto të dyja janë ndjenjat dhe mendimi. Sa më shumë që një njeri lidhet emocionalisht me Biblën dhe sa më shumë mendon rreth përmbajtjes së saj, aq më i parehatshëm duhet të bëhet ai me doktrinat themelore të kalvinizmit. Këtu gjendet shpjegimi real i parehatisë që kanë ndierë shumë prej kalvinistëve të mëdhenj, si Riçard Baksteri, gjatë historisë lidhur me disa prej dogmave të kalvinizmit. Ishin ndjenjat dhe mendimi (dhe kjo sigurisht në ndërthurje me besimin e Biblës), që më çliruan mua plotësisht nga kalvinizmi – duke ndierë dashurinë e Perëndisë në zemrën time dhe duke kuptuar në mendjen time se dogmat e kalvinizmit janë thjesht të papajtueshme me pohimet e qarta si edhe me tërë përmbajtjen e Biblës.

— Nga një vëlla në Krishtin

Comments 1

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *