Mësimet dhe shërimet gjatë rrugës për në Jeruzalem (Luka 12-16)

A. Paralajmërime dhe Inkurajime (12:1-12)

12:1 Një turmë me mijëra u mblodh ndërkohë që Jezusi ishte duke dënuar Farisenjtë dhe mësuesit e ligjit. Një diskutim ose një debat zakonisht tërheq një turmë, por kjo turmë ishte tërhequr, pa dyshim, nga denoncimi i hapur që Jezusi u bëri këtyre krerëve fetarë. Megjithëse një qëndrim pa kompromis ndaj mëkatit nuk është gjithmonë popullor, përsëri në zemrën e njeriut ai duket i drejtë. E vërteta gjithmonë e verifikon vetveten. Duke u kthyer nga dishepujt e Tij, Jezusi paralajmëron, “Ruhuni nga majaja e farisenjve.” Ai shpjegoi që majaja është një simbol i hipokrizisë. Një hipokrit është ai që vesh një maskë, një njeri pamja e jashtme e të cilit është komplet ndryshe nga pamja e tij e brendshme. Farisenjtë shfaqeshin si shembuj përsosmërie të virtyteve, por në të vërtetë ata s’ishin gjë tjetër veçse mashtruesë të maskuar.

12:2, 3 Dita kur ata do të zbuloheshin do të vinte. Gjithçka që ata kishin mbuluar do të zbulohej, dhe gjithçka që kishin bërë në errësirë do të dilte në dritë.

Triumfi i së vërtetës është po aq i pashmangshëm sa demaskimi i hipokrizisë. Deri në atë kohë, mesazhi i shpallur nga dishepujt ishte dëgjuar nga turma të kufizuara. Por menjëherë pas hedhjes poshtë të Mesias nga ana e Izraelit, dhe ardhjes së Frymës së Shenjtë, dishepujt do të shkonin pa frikë në emër të Zotit Jezus dhe do të shpallnin lajmin e mirë deri në skajet e tokës. Atëherë pra gjithçka do të shpallej nga çatitë e shtëpive. Godet shkruan, “Ata, zëri i të cilëve nuk dëgjohet tani përveçse në qarqe të mbyllura dhe të kufizuara, do të bëhen një ditë mësuesit e botës.” {{1}}

12:4, 5 Me fjalët që të inkurajojnë dhe të ngrohin zemrën “Miq të mi,” Jezusi i paralajmëron dishepujt e Tij të mos turpërohen nga kjo miqësi që s’ka të blerë në çfarëdo lloj sprove. Shpallja në mbarë botën e mesazhit të Krishterë do t’u sillte persekutim dhe vdekje dishepujve besnikë. Por ekzistonte një limit për sa i përket gjërave që njerëzit si puna e Farisenjve mund t’u bënin atyre. Dhe ky limit ishte vdekja fizike. Ata nuk duhet t’i trembeshin kësaj. Perëndia do t’i vizitonte persekutuesit e tyre me një dënim shumë më të rëndë se ky, dënim që quhet vdekje e përjetshme në Gehena. Kështu pra dishepujt duhet të druanin Perëndinë dhe jo njerëzit.

12:6, 7 Për të theksuar interesimin mbrojtës që Perëndia kishte për dishepujt, Zoti Jezus përmendi kujdesin e Atit për harabelat. Në Mateu 10:29 ne lexojmë që dy harabela shiten për një pare. Këtu ne mësojmë që pesë harabela shiten për dy pare. Me fjalë të tjera, një harabel më tepër jepet falas kur blihen katër të tillë. Dhe përsëri as ky harabel i vetëm që nuk ka vlerë tregtie nuk harrohet në sytë e Perëndisë. Nëse Perëndia kujdeset për atë harabel të vetëm, sa më tepër do të mbajë Ai vështrimin e Tij mbi ata që shkojnë në botë me ungjillin e Birit të Tij! Ai numëron të gjitha flokët e kokës së tyre.

12:8 Shpëtimtari u tha dishepujve që kushdo që do ta rrëfejë Atë tani do të rrëfehet prej Tij përpara engjëjve të Perëndisë. Këtu Ai është duke folur për të gjithë besimtarët e vërtetë. Të rrëfesh Atë do të thotë ta pranosh Atë si të vetmin Zot dhe Shpëtimtar.

12:9 Ata që e mohojnë Atë përpara njerëzve do të mohohen përpara engjëjve të Perëndisë. Domethënia kryesore këtu duket se u drejtohet Farisenjve, por sigurisht që vargu përfshin të gjithë ata që e refuzojnë Krishtin dhe që kanë turp ta shpallin Atë. Në atë ditë, Ai do të thotë, “Unë nuk të kam njohur kurrë.”

12:10 Më pas Shpëtimtari u shpjegon dishepujve që ka një ndryshim midis kritikës që i bëhet Atij dhe blasfemisë kundër Frymës së Shenjtë. Ata që flasin kundër Birit të Njeriut mund të falen nëse pendohen dhe besojnë. Por blasfemia kundër Frymës së Shenjtë është një mëkat i pafalshëm. Ky ishte mëkati për të cilin ishin fajtorë Farisenjtë (shiko Mt. 12:22-32). Cili është ky mëkat? Është mëkati kur mrekullitë që Zoti Jezus bëri iu atribuan djallit. Është blasfemi kundër Frymës së Shenjtë sepse Jezusi i kreu të gjitha mrekullitë e Tij në fuqinë e Frymës së Shenjtë. Prandaj në të vërtetë ishte si të thoje se Fryma e Shenjtë e Perëndisë është djalli. Nuk ka falje për këtë mëkat në këtë epokë ose në atë që do të vijë.

Ky mëkat nuk mund të kryhet nga një besimtar i vërtetë, megjithëse disa torturohen nga frika se mos e kanë bërë këtë mëkat duke u larguar nga Perëndia për një kohë. Ky nuk është mëkati i pafalshëm. Pikërisht fakti që ky person shqetësohet për një gjë të tillë është një provë që tregon se ai nuk ka kryer një mëkat të pafalshëm.

As hedhja poshtë e Krishtit nga një jobesimtar nuk është mëkat i pafalshëm. Një person mund ta përbuzë Shpëtimtarin vazhdimisht, dhe përsëri më vonë ai mund të kthehet tek Zoti. Sigurisht që nëse ai vdes si një jobesimtar, nuk mund të kthehet më. Atëherë mëkati i tij bëhet i pafalshëm. Por mëkati që Zoti ynë e përshkroi si një mëkat të pafalshëm është mëkati që bënë farisenjtë duke thënë që mrekullitë që Ai bënte ishin me anë të fuqisë së Beelzebubit, princit të demonëve.

12:11, 12 Fakti që dishepujt do të nxirreshin përpara autoriteteve shtetërore ishte diçka e pashmangshme. Zoti Jezus u tha atyre që nuk ishte e domosdoshme për ta të bënin prova më parë se çfarëdo të thoshin atje. Fryma e Shenjtë do të vendoste në gojën e tyre fjalët e duhura kurdo që do të ishte e nevojshme. Kjo nuk do të thotë që shërbëtorët e Zotit nuk duhet të harxhonin kohë në lutje apo mësim përpara se të predikonin ungjillin apo të mësonin Fjalën e Perëndisë. Kjo nuk duhet përdorur si një justifikim për dembelizmin! Megjithatë, është një premtim përfundimtar nga Zoti që atyre që vihen në provë për dëshminë e tyre për Krishtin, do t’iu jepet një ndihmë e veçantë nga Fryma e Shenjtë. Dhe është një premtim i përgjithshëm për të gjithë popullin e Perëndisë që nëse ata ecin në Frymë, do t’u jepen fjalët e përshtatshme për të folur në momentet krizë të jetës.

B. Paralajmërime kundër Lakmisë (12:13-21)

12:13 Në këtë pikë, një njeri doli nga turma dhe i kërkoi Zotit të vendoste një konflikt midis atij dhe vëllait të tij për shkak të një trashëgimie. Shpesh thuhet që atje ku ka një testament ka shumë të afërm. Dhe pikërisht kjo duket se është çështja këtu. Ne nuk na thuhet nëse këtij burri i është privuar e drejta për pjesë në trashëgimi, ose nëse ai ishte tepër lakmues dhe kërkonte më shumë se pjesa që i takonte.

12:14 Shpëtimtari menjëherë e kujtoi atë që Ai nuk kishte ardhur në këtë botë për t’u marrë me çështje të tilla. Qëllimi i ardhjes së Tij përfshinte shpëtimin e burrave dhe grave mëkatarë. Ai nuk do të mënjanohej nga ky mision i madh dhe i lavdishëm për të ndarë një trashëgimi të mjerë. (Plus kësaj, Ai nuk kishte të drejtën ligjore për të gjykuar çështje që përfshinin pasuri. Vendimet e Tij nuk do të kishin qenë të detyruara nga të tjerët.)

12:15 Por Zoti e përdori këtë incident për të paralajmëruar dëgjuesit e Tij kundër njërës prej më të ligave të fshehura të zemrës njerëzore, kopracisë. Një nga epshet më të pangopura për prona materiale është një nga synimet më të forta gjatë gjithë jetës. Dhe përsëri asaj i mungon plotësisht qëllimi i ekzistencës njerëzore. “Jeta e njeriut nuk qëndron në mbushullinë e gjërave që zotëron.” Ashtu siç ka shkruar J. R. Miller:

Ky është një nga flamujt e kuq që Zoti Jezus ka ngritur, por që për fat të keq shumica e njerëzve në ditët tona nuk e marrin në konsideratë. Krishti foli shumë për rrezikun e pasurive; por jo shumë njerëz kanë frikë nga pasuria. Në kohën tonë kopracia nuk konsiderohet si mëkat. Nëse dikush shkel urdhëresën e gjashtë ose të tetë, ai damkoset si një kriminel dhe mbulohet me turp; por ai mund të shkelë urdhëresën e dhjetë dhe ai thjesht quhet një njeri me iniciativë. Bibla thotë që dashuria për para është rrënja e të gjitha të këqijave; por kushdo që citon këtë thënie vendos një theks të tmerrshëm mbi fjalën “dashuri,” duke shpjeguar që nuk është paraja, por vetëm dashuria për të që krijon këtë rrënjë kaq pjellore.

Përreth nesh, dikush mund të mendojë që jeta e një njeriu konsiston në bollëkun e gjërave që ai zotëron. Njerëzit mendojnë që bëhen të mëdhenj në përpjestim të pasurisë që arrijnë të grumbullojnë. Kështu duket në të vërtetë; sepse bota i mat njerëzit nga llogaria e tyre bankare. Nuk ka gabim më të madh se ky. Një njeri matet në fakt nga ajo që ai është në të vërtetë dhe jo nga ajo që ka. {{2}}

12:16-18 Shëmbëlltyra e budallait të pasur ilustron faktin që zotërimet nuk janë gjëja kryesore në jetë. Për shkak të të korrave të mira, ky fermer i pasur u ballafaqua me atë çfarë atij i dukej një problem shqetësues. Ai nuk dinte ç’të bënte me gjithë atë grurë që kishte. Të gjitha hambarët e tij ishin të mbushura plot. Atëherë i erdhi në mendje një ide. Problemi i tij ishte tashmë i zgjidhur. Ai vendosi të shembë hambarët e tij të vjetër dhe të ndërtonte hambarë më të mëdhenj. Ai do të kishte kursyer gjithë këtë shpenzim për projektin e tij nëse do të kishte parë botën përreth tij që ishte në nevojë, dhe të kishte përdorur zotërimet e tij për të kënaqur si urinë fizike ashtu edhe atë shpirtërore. “Kraharori i të varfërit, shtëpitë e të vejave, gojët e fëmijëve janë hambarët që jetojnë përgjithmonë,” ka thënë Ambrose.

12:19 Sapo ndërtoi hambarët e tij të rinj, ai vendosi të dilte në pension. Vini re shpirtin e tij të pavarësisë: hambarët e mi, frytet e mia, të mirat e mia, shpirti im. Ai kishte planifikuar gjithë të ardhmen e tij. Ai do të pushonte, hante, pinte dhe gëzonte.

12:20, 21 “Por kur filloi të mendonte se koha ishte e tij, u përplas me Perëndinë për të pritur rrënimin e tij të përjetshëm.” Perëndia i tha se ai do të vdiste po atë natë. Kështu pra ai do të humbiste të gjitha zotërimet e tij materiale. Dikush e ka përkufizuar budallain si dikush planet e të cilit përfundojnë në varr. Ky njeri ishte me të vërtetë budalla.

“Të kujt do të jenë ato që përgatiti?” e pyeti Perëndia. Edhe ne mund t’i bëjmë një pyetje vetes sonë, “Nëse Krishti do të vinte sot, të kujt do të ishin të gjitha zotërimet e mia?” Sa mirë është t’i përdorim ato për Perëndinë sot sesa t’i lëmë të bien në dorën e djallit nesër! Ne mund të mbledhim thesare në qiell me to tani, dhe kështu të jemi të pasur në sy të Perëndisë. Ose mund t’i bëjmë ato që kemi rrush e kumbulla për mishin tonë dhe të vjelim nga mishi prishje.

C. Padurimi kundër besimit (12:22-34)

12:22, 23 Një nga rreziqet më të mëdha në jetën e Krishtere është që përvetësimi i ushqimit dhe veshjes bëhet qëllimi i parë dhe më i rëndësishmi i ekzistencës sonë. Ne jemi kaq të zënë me fitimin e parasë për gjëra të tilla, saqë puna e Zotit kalon në vend të dytë. Theksi i DhR është që kauza e Krishtit duhet të zërë vendin e parë në jetët tona. Ushqimi dhe veshja duhet të jenë të dorës së dytë. Ne duhet të punojmë shumë për sigurimin e nevojave tona të tanishme, dhe më pas t’i besojmë Perëndisë për të ardhmen tonë ndërkohë që ia kushtojmë vetveten shërbesës së Tij. Kjo është jeta e besimit.

Kur Zoti Jezus tha që ne nuk duhet të shqetësohemi për ushqimin dhe veshjen, Ai nuk nënkuptoi që ne duhet të uleshim me nge dhe të prisnim që këto gjëra të na siguroheshin. Krishterimi nuk inkurajon dembelizmin! Por me siguri që Ai donte të thoshte që në procesin e fitimit të parave për nevojat e jetës, ne nuk duhet t’i shohim ato si gjëra të një rëndësie të tepruar. Mbi të gjitha, ka diçka më të rëndësishme në jetë se gjërat që ne hamë dhe veshim. Ne jemi këtu si ambasadorë të Mbretit dhe të gjitha gjërat që lidhen me komoditetet personale duhet të jenë të dorës së dytë kur krahasohen me punën e lavdishme që kemi për ta bërë Atë të njohur.

12:24 Jezusi përdori korbat si një shembull për të treguar se si Perëndia kujdeset për krijesat e Tij. Ata nuk e shpenzojnë jetën e tyre duke kërkuar ushqim si të tërbuar për të siguruar nevojat e tyre të ardhshme. Ata jetojnë në një vartësi të përorshme tek Perëndia. Fakti që ata as mbjellin dhe as korrin nuk duhet përdorur për t’u mësuar njerëzve që ata duhet të heqin dorë nga punërat e tyre të zakonshme. Gjithë kuptimi i kësaj është që Perëndia di nevojat e atyre që Ai Vetë i ka krijuar dhe do t’i sigurojë Ai nëse ne ecim të varur tek Ai. Nëse Perëndia ushqen korbat, sa më tepër do të ushqejë ata që i ka shpëtuar me hirin e Tij dhe që i ka thirrur për të qenë shërbëtorët e Tij. Korbat nuk kanë as hambarë dhe as depo, e përsëri Perëndia u siguron atyre mbi një bazë të përditshme. Atëherë përse duhet të harxhojmë jetën tonë duke ndërtuar hambare më të mëdha për të ruajtur drithëra?

12:25, 26 Jezusi pyeti, “Cili nga ju me shqetësimin e tij mund ta zgjatë shtatin e vet qoftë edhe një kubit?” Kjo tregon marrëzinë e shqetësimit tonë mbi gjëra si e ardhmja, mbi të cilën ne nuk kemi kontroll. Askush me anë të shqetësimit të vet nuk mund të shtojë gjatësinë e jetës së tij. (Shprehja “shtatit të tij” mund të përkthehet edhe “gjatësisë së jetës së tij”). Nëse është kështu, përse të shqetësohemi për të ardhmen? Për më tepër, le ta përdorim gjithë fuqinë dhe kohën tonë duke i shërbyer Krishtit, dhe t’ia lëmë të ardhmen tonë Atij.

12:27, 28 Zambakët janë përdorur më pas për të treguar budallallëkun e shpenzimit të talenteve për të siguruar veshje. Zambakët këtu janë ndoshta bimë të egra ngjyrë gjaku. Ata as punojnë dhe as tjerrin, e megjithatë ata kanë një bukuri natyrore që ia merrnin edhe Salomonit në gjithë lavdinë e tij.Nëse Perëndia përkujdeset për bukurinë e luleve të tilla që sot shpërthejnë dhe nesër digjen, a nuk do të shqetësohet Ai për nevojat e fëmijëve të Tij? Ne provojmë se jemi besimpakë kur shqetësohemi, mërzitemi dhe zhytemi në një përpjekje të vazhdueshme për të marrë sa më shumë prona materiale. Ne harxhojmë jetën tonë duke bërë atë që Perëndia do të kishte bërë për ne, nëse vetëm do t’ia kishim kushtuar më tepër kohën dhe talentet tona Atij.

12:29-31 Në të vërtetë nevojat tona të përditshme janë të vogla. Është e mrekullueshme të mendosh se sa thjesht mund të jetojmë. Atëherë përse t’i japim ushqimit dhe veshjes një vend kaq të rëndësishëm në jetën tonë? Dhe përse jemi në merak duke u shqetësuar për të ardhmen? Kjo është mënyra në të cilën jetojnë të pashpëtuarit. Njerëzit e botës që nuk e njohin Perëndinë si Atin e tyre përqendrohen në ushqimin, veshjen dhe kënaqësitë. Këto gjëra formojnë qendrën dhe sferën e ekzistencës së tyre. Por Perëndia kurrë nuk ka pasur ndërmend që fëmijët e Tij të shpenzojnë kohën e tyre për të siguruar komoditete të kësaj bote. Ai ka një punë për t’u bërë në këtë tokë, dhe Ai ka premtuar të kujdeset për ata që e japin me gjithë zemër vetveten në shërbim të Tij. Nëse ne kërkojmë Mbretërinë e Tij, Ai s’do të na lërë kurrë të vdesim për bukë apo të zhveshur. Sa e trishtueshme do të ishte të mbërrinim në fund të jetës sonë dhe të kuptonim që shumica e kohës sonë ka qenë shpenzuar duke punuar si skllav për të fituar atë që ka qenë e përfshirë në biletën që të çon në shtëpinë qiellore!

12:32 Dishepujt formonin një tufë të vogël delesh të pambrojtura të dërguar në një botë të egër. Është e vërtetë që ata nuk kishin pasuri të dukshme apo një mbrojtje të tillë. E megjithatë, ky grup i veshur keq i përbërë nga djem të rinj ishte i destinuar për të trashëguar mbretërinë me Krishtin. Ata një ditë do të mbretëronin me Të mbi gjithë tokën. Duke pasur parasysh këtë, Zoti i inkurajoi ata të mos kishin frikë, sepse nëse Ati kishte ndere të tilla të lavdishme që ruheshin për ta, ata nuk kishin përse të shqetësoheshin për udhën që shtrihej para tyre.

12:33, 34 Në vend që të grumbullojnë gjëra materiale dhe të planifikojnë për të ardhmen, ata mund t’i vënë zotërimet e tyre në punë për Zotin. Në këtë mënyrë ata do të investojnë për qiellin dhe përjetësinë. Veprimi shkatërrues i moshës nuk mund t’i prekë zotërimet e tyre. Thesaret qiellore ruhen në një mënyrë të përsosur kundër vjedhësve dhe prishjes. Problemi me pasurinë materiale është se zakonisht ju nuk mund ta keni atë pa besuar. Prandaj Zoti Jezus tha, “Atje ku është thesari juaj atje do të jetë edhe zemra juaj.” Nëse më përpara i dërgojmë paratë tona në qiell, atëherë dëshirat tona lakmitare do të zvirdhen nga gjërat e botës që janë për t’u prishur.

D. Shëmbëlltyra e shërbëtorit besnik (12:35-40)

12:35 Dishepujt jo vetëm që duhet t’i besonin Zotit për nevojat e tyre; por ata duhet të jetonin duke pritur ardhjen e Tij përsëri. Ijët e tyre duhet të rrinin ngjeshur dhe llambat e tyre të ndezura. Në vendet e lindjes, përreth ijeve vendosej një rrip, për të shtrënguar rrobat e gjata kur një njeri duhet të ecte shpejt ose të vraponte. Ija e ngjeshur flet për një mision që duhet përmbushur dhe llambat e ndezura sugjerojnë një dëshmi që duhet mirëmbajtur.

12:36 Dishepujt duhet të jetonin duke pritur nga momenti në moment kthimin e Zotit, sikur Ai të ishte një zotëri që kthehej nga dasma. Kelly komenton:

Ata duhet të jenë të lirë nga çdo barrë tokësore, kështu që kur Zoti troket, sipas figurës, ata të mund t’ia hapin derën menjëherë- pa hutimin për t’u bërë gati. Zemrat e tyre janë duke pritur për Të, për Zotin e tyre; ata e duan Atë dhe presin për Të. Ai troket dhe ata ia hapin derën menjëherë. {{3}}

Detajet e historisë në lidhje me njeriun që kthehet nga dasma nuk duhet të kuptohen në mënyrë ekstreme për sa i përket të ardhmes profetike. Ne nuk duhet ta identifikojmë martesën për të cilën flitet këtu me Darkën e Martesës së Qengjit, ose kthimin e burrit me Rrëmbimin e Kishës. Historia e Zotit ishte përgatitur për të mësuar një të vërtetë të thjeshtë, që quhet gatishmëri për ardhjen e Tij; ajo nuk kishte si qëllim të vendoste rendin e ngjarjeve që do të ndodhin në Ardhjen e Tij.

12:37 Kur burri kthehet nga dasma, shërbëtorët e tij presin duke qëndruar zgjuar për të, gati për të fluturuar drejt veprimit nën komandën e tij. Ai është aq i kënaqur me qëndrimin e tyre saqë fillon t’u shërbejë atyre. Ai përvishet me një përparëse shërbëtori, i ul ata në tavolinë dhe u shërben atyre ushqimin. Është mjaft prekëse të mendosh që Ai që erdhi një herë në këtë tokë në formën e një shërbëtori do të përkulet me kënaqësi t’i shërbejë popullit të Tij përsëri në shtëpinë e tij qiellore. Shkollari i devotshëm gjerman i Biblës Bengel e shikon vargun 37 si premtimin më të madh në gjithë Fjalën e Perëndisë.

12:38 Roja e dytë e natës ishte prej orës 9:00 të darkës deri në mesnatë. E treta ishte nga mesnata deri në orën 3:00 të mëngjesit. S’kishte rëndësi se çfarë ore ishte kur të kthehej Zotëria i tyre, shërbëtorët e tij po prisnin për Të.

12:39, 40 Zoti ndryshon skenën duke kaluar në një pronar shtëpie, shtëpia e të cilit ishte vjedhur në një moment kur nuk ishte duke u mbikqyrur. Ardhja e vjedhësit ishte krejtësisht e papritur. Nëse i zoti i shtëpisë do të dinte në cilën orë do të vinte vjedhësi, ai nuk do të linte t’i shpërthenin shtëpinë. Mësimi është ky: koha e ardhjes së Krishtit nuk dihet; askush nuk e di ditën ose orën në të cilën Ai do të shfaqet. Kur Ai vjen, ata besimtarë që kanë grumbulluar thesare këtu në tokë do t’i humbasin të gjitha, sepse ashtu si dikush ka thënë, “Një i krishterë ose e lë pasurinë e tij, ose shkon pas saj.” Nëse ne me të vërtetë jemi duke ndenjur zgjuar dhe duke pritur kthimin e Krishtit, do t’i shesim gjithçka që kemi dhe do të grumbullojmë thesare në qiell ku nuk mund të arrijë asnjë vjedhës.

E. Shërbëtorë besnikë dhe jobesnikë (12:41-48)

12:41, 42 Në këtë moment Pjetri pyet nëse shëmbëlltyra e Krishtit mbi gatishmërinë ishte vetëm për dishepujt apo për të gjithë njerëzit. Përgjigjja e Zotit ishte që kjo ishte për të gjithë ata që rrëfejnë se janë shërbëtorë të Perëndisë. Administrues besnik dhe i mençur është Ai që është vendosur mbi shtëpinë e të Zotit dhe u jep ushqim njerëzve të Tij. Përgjegjësia e administratorit këtu ka të bëjë me njerëz dhe jo me gjëra materiale. Kjo është në pajtim me gjithë kontekstin, paralajmërimi i dishepujve kundër materializmit dhe kopracisë. Janë pikërisht njerëzit që janë rëndësi dhe jo gjërat.

12:43, 44 Kur Zoti vjen dhe e gjen shërbëtorin e Tij duke u interesuar sinqerisht për të mirën shpirtërore të burrave dhe grave, Ai do ta shpërblejë atë pa kursim. Shpërblimi ndoshta ka të bëjë me qeverisjen bashkë me Krishtin gjatë Mijëvjeçarit (1 Pjetrit 5:1-4).

12:45 Shërbëtori rrëfen se është duke punuar për Krishtin, por në të vërtetë ai është një jobesimtar. Në vend që të ushqejë popullin e Perëndisë ai abuzon, i vjedh dhe jeton për përmbushjen e dëshirave të veta. (Kjo mund të jetë një referim për Farisenjtë)

12:46 Ardhja e Zotit do të nxjerrë në dritë falsifitetin e tij dhe ai do të dënohet me të pabesët e tjerë. Fjalët “do ta ndëshkojë rëndë” mund të përkthehen “do ta ndajë mëdysh” (AV).

12:47, 48 Vargjet 47 dhe 48 vendosin një parim themelor në lidhje me gjithë shërbesën. Parimi është që sa më i madh privilegji, aq më e madhe përgjegjësia. Për besimtarët, do të thotë që do të ketë gradë të ndryshme për shpërblimin në qiell. Për jobesimtarët, do të thotë që do të ketë shkallë të ndryshme ndëshkimi në ferr. Ata që kanë njohur vullnetin e Perëndisë siç është zbuluar në Shkrime janë nën një përgjegjësi të madhe për t’iu bindur atij. Shumë u është dhënë, shumë do t’iu kërkohet. Ata që nuk kanë qenë kaq shumë të privilegjuar do të dënohen për veprat e tyre jo të mira, por dënimi i tyre nuk do të jetë aq i ashpër.

F. Efekti i Ardhjes së Parë të Krishtit (12:49-53)

12:49 Zoti Jezus e dinte që ardhja e Tij në tokë nuk do të sillte paqe në fillim. Së pari ajo duhet të shkaktonte ndarje, luftë, persekutim, derdhje gjaku. Ai nuk erdhi me një qëllim të shpallur botërisht për të hedhur zjarr mbi tokë, por kjo gjë ishte rezultati ose efekti i ardhjes së Tij.

Megjithëse gjatë shërbesës së Tij këtu në tokë shpërthyen hidhërime dhe mosmarrëveshje, zemra e njeriut nuk u zbulua në të vërtetë derisa erdhi koha e kryqit. Zoti e dinte që të gjitha këto do të ndodhnin, dhe dëshironte që zjarri i persekutimit të shpërthente kundër Tij sapo të ishte e nevojshme.

12:50 Ai kishte një pagëzim me të cilin duhej të pagëzohej. Kjo i referohet pagëzimit të Tij në vdekjen e Kalvarit. Ai ishte nën një sforcim të madh kur shkoi në kryq për të përmbushur shpengimin për njerëzimin e humbur. Turpi, vuajtja dhe vdekja ishin vullneti i Atit për Të dhe Ai mezi priste t’i bindej.

12:51-53 Ai e dinte shumë mirë që ardhja e Tij nuk do t’i jepte paqe tokës në atë kohë. Dhe kështu Ai i paralajmëroi dishepujt duke u thënë që kur njerëzit do të vinin tek Ai, familjet e tyre do t’i persekutonin dhe do t’i nxirrnin jashtë. Një paraqitje e ungjillit në një familje mesatare të përbërë prej pesë vetash do të prishte familjen. Është tepër interesant fakti që natyra mëkatare e një njeriu i bën të afërmit e paperëndishëm që të preferojnë më mirë një djalë pijanec dhe të paudhë sesa një bir që qëndron si dishepull i Zotit Jezus Krisht! Ky paragraf hedh poshtë teorinë që Jezusi erdhi për të bashkuar gjithë njerëzimin (të perëndishëm dhe të paperëndishëm) në një “vëllazëri universale njerëzore” të vetme. Për më tepër, Ai i ndau ata si kurrë më parë!

G. Shenjat e kohëve (12:54-59)

12:54, 55 Vargjet e mëparshme u ishin drejtuar dishepujve. Tani Shpëtimtari u kthehet turmave. Ai u kujton atyre për aftësinë që ata kanë në parashikimin e motit. Ata e dinin që kur shihnin një re që ngrihej nga perëndimi (mbi Mesdhe), ata prisnin të binte shi. Nga ana tjetër, një erë e jugut do të sillte vapë dhe thatësirë. Njerëzit kishin zgjuarsi për ta ditur këtë gjë. Por ekzistonte një gjë më shumë se zgjuarsia. Dhe kjo ishte dëshira për të ditur.

12:56 Në çështjet shpirtërore ishte diçka tjetër. Megjithëse ata kishin një zgjuarsi normale, nuk e kuptonin kohën e rëndësishme që kishte mbërritur në historinë njerëzore. Biri i Perëndisë kishte ardhur në këtë tokë, dhe ishte duke qëndruar në mes tyre. Qielli s’kishte qenë kurrë kaq afër. Por ata nuk e njohën kohën në të cilën u vizituan. Ata kishin kapacitetin intelektual për të njohur, por nuk kishin dëshirën për të njohur, dhe kështu ishin të vet-mashtruar.

12:57-59 Nëse do të kishin kuptuar domethënien e ditës në të cilën ishin duke jetuar, do të nxitonin për të bërë paqe me kundërshtarin e tyre. Këtu janë përdorur katër terma ligjore – kundërshtar, gjykatës, gjyq dhe roje – dhe të gjitha këto mund t’i referohen Perëndisë. Në atë kohë Perëndia ishte duke ecur mes tyre, duke folur me ta, duke u dhënë një mundësi për të qenë të shpëtuar. Ata duhet të pendoheshin dhe të vendosnin besimin e tyre tek Ai. Nëse do të refuzonin, kanë për të qëndruar përpara Perëndisë, d.m.th. përpara Gjykatësit të tyre. Ishte e sigurt që ky rast ishte i humbur nga ana e tyre. Ata do të gjendeshin fajtorë dhe do të dënoheshin për mosbesimin e tyre. Ata do të hidheshin në burg, që është dënimi i përjetshëm. Ata nuk do të dilnin derisa të kishin paguar edhe qindarkën e fundit – që do të thotë se ata nuk do të dilnin jashtë kurrë, sepse asnjëherë nuk do të ishin në gjendje që të paguanin një borxh aq të madh.

Kështu Jezusi po thoshte që ata duhet të dallonin kohën në të cilën po jetonin. Atëherë ata do të fitonin të drejtën e Perëndisë duke u penduar nga mëkatet e tyre dhe duke u nënshtruar tek Ai plotësisht.

H. Rëndësia e pendesës (13:1-5)

13:1-3 Kapitulli 12 mbyllet me dështimin e kombit Jude në dallimin e kohës në të cilën ata jetuan dhe me paralajmërimin që Zoti u bëri për t’u penduar shpejt ndryshe do të humbisnin përjetësisht. Kapitulli 13 vazhdon me këtë subjekt të rëndësishëm dhe i drejtohet kryesisht Izraelit si komb, megjithëse parimet e tij vlejnë për çdo person. Dy fatkeqësi kombëtare formojnë bazën e bashkëbisedimit që pason. E para ishte masakra e disa Galileasve që kishin ardhur në Jerusalem për të adhuruar. Pilati, qeveritari i Judesë, kishte urdhëruar që ata të vriteshin ndërkohë që po ofronin flijimet e tyre. Asgjë tjetër nuk dihet në lidhje me këtë krim. Ne mendojmë që viktimat ishin Judenj që jetonin në Galile. Judenjtë në Jerusalem mund të jetonin nën zhgënjimin që këta Galileas duhet të kishin kryer mëkate të tmerrshme, dhe që vdekja e tyre ishte një evidencë e mospëlqimit të Perëndisë. Megjithatë, Zoti Jezus e korrigjoi këtë gjë duke i paralajmëruar Judenjtë që nëse nuk pendoheshin, do të vdisnin në të njëjtën mënyrë.

13:4, 5 Tragjedia tjetër lidhej me rënien e kullës në Siloe që shkaktoi vdekjen e tetëmbëdhjetë personave. Asgjë tjetër nuk dihet në lidhje me këtë aksident përveç përmendjes që i është bërë këtu. Fatmirësisht nuk është e domosdoshme për të ditur detaje të tjera rreth saj. Ajo që Zoti thekson është se kjo katastrofë nuk duhet të interpretohej si një gjykim i veçantë për një ligësi të madhe. Për më tepër, duhet parë si një paralajmërim për të gjithë kombin e Izraelit që nëse nuk pendohen, një mjerim i ngjashëm do të vijë mbi ta. Kjo gjë ndodhi në vitin 70 të e.s. kur Titi pushtoi Jerusalemin.

I. Shëmbëlltyra e fikut të pafryt (13:6-9)

Lidhur ngushtë me atë çfarë parapriu, Zoti Jezus tregon shëmbëlltyrën e fikut. Nuk është vështirë të bësh identifikimin e kombit të Izraelit me pemën e fikut, të mbjellëvreshtin e Perëndisë, pra në botë. Perëndia kërkoi fryt në atë pemë, por nuk gjeti. Kështu që Ai i tha vreshtarët (Zotit Jezus) që kishte kërkuar më kot për fryt nga ajo pemë për tre vjet me radhë. Interpretimi më i thjeshtë i kësaj i referohet tre vjetëve të shërbesës publike të Zotit tonë. Mendimi i këtij paragrafi është që pemës së fikut i ishte dhënë kohë e mjaftueshme për të prodhuar fryt, pra nëse do të kishte dashur të jepte fryt koha ishte e mjaftueshme. Nëse gjatë tre vjetëve nuk kishte dhënë asnjë fryt, ishte e arsyeshme të mendoje se nuk kishte për të dhënë fryt ndonjëherë. Për shkak të pafrytshmërisë së tij, Perëndia urdhëroi që të pritej. Ajo thjesht sa zinte vendin që mund të përdorej në mënyrë më prodhimtare. Vreshtari ndërhyri për pemën e fikut, duke kërkuar t’i jepej edhe një vit kohë. Nëse në fund të asaj kohe do të ishte përsëri e pafrytshme, atëherë Ai mund ta priste. Dhe kjo është pikërisht ajo çfarë ndodhi. Ishte pikërisht pas fillimit të vitit të katërt që Izraeli hodhi poshtë dhe e kryqëzoi Zotin Jezus. Si përfundim, kryeqyteti u shkatërrua dhe njerëzit u shpërndanë.

G. H. Lang është shprehur kështu:

Biri i Perëndisë e njihte mendjen e Atit të Tij, Zotëruesit të vreshtit, dhe ai urdhër i frikshëm “Preje” ishte lëshuar; Izraeli përsëri kishte bërë të sosej durimi Hyjnor. Asnjë komb apo person nuk ka të drejtë për të gëzuar kujdesin e Perëndisë nëse nuk jep fryte drejtësie për lavdi të Perëndisë. Njeriu ekziston për nderin dhe kënaqësinë e Krijuesit: kur ai nuk i shërben kësaj, përse nuk u dashka dhënë dënimi me vdekje që pason dështimin e mëkatshëm dhe ai të hiqet nga vendi i tij i privilegjit? {{4}}

J. Shërimi i gruas së paralizuar (13:10-17)

13:10-13 Qëndrimi i vërtetë i Izraelit kundrejt Zotit Jezus shihet qartë tek kryetari i sinagogës. Ky zyrtar kundërshtonte shërimin që Zoti i kishte dhënë një gruaje të shtunën. Gruaja kishte vuajtur nga një kërusje e fortë e shpinës për tetëmbëdhjetëvjet. Deformimi i saj ishte i madh; ajo nuk mund ta drejtonte fare trupin e saj. Pa iu kërkuar fare, Zoti Jezus kishte folur fjalët shëruese, kishte vënë duart e Tij mbi të dhe kishte drejtuar kurrizin e saj.

13:14 Kryetari i sinagogës, tepër i indinjuar, u tha njerëzve të vinin gjashtë ditët e para të javës për t’u shëruar dhe jo ditën e shtatë. Ai ishte një fetar profesional që nuk shqetësohej thellë për problemet e njerëzve. Madje edhe nëse ata do të kishin ardhur gjashtë ditët e para të javës, ai nuk do t’i kishte ndihmuar. Ai kujdesej shumë për pikat fine të ligjit, por në zemrën e tij nuk kishte as dashuri dhe as mëshirë. Nëse ai do të kishte qenë i kërrusur për tetëmbëdhjetë vjet, nuk do ta vriste mendjen se në ç’ditë ishte drejtuar!

13:15, 16 Zoti provoi edhe njëherë hipokrizinë e tij dhe të krerëve të tjerë. Ai u kujtoi atyre që ata nuk hezitonin të zgjidhnin kaun apo gomarin e tyre të shtunave për t’i shpënë të pinin ujë. Nëse ata tregonin një konsideratë të tillë për kafshët pikërisht të shtunën, a ishte gabim që Jezusi kreu një akt shërimi ndaj një gruaje e cila ishte një bijë e Abrahamit? Shprehja “bijë e Abrahamit” tregon jo vetëm që ajo ishte një Judease, por edhe një besimtare e vërtetë, një grua besimi. Kërrusja e saj ishte shkaktuar nga Satani. Ne dimë nga pjesë të tjera të Biblës që disa sëmundje janë rezultat i aktivitetit të djallit. Plagët e Jobit ishin shkaktuar nga Satani. Gjëmbi në mish i Palit ishte një lajmëtar i Satanit për ta sulmuar atë. Sidoqoftë, djalli nuk lejohet të bëjë një gjë të tillë në një besimtar pa lejen e Perëndisë. Dhe Perëndia hedh poshtë çdo lloj sëmundjeje apo vuajtjeje të tillë për lavdinë e Tij.

13:17 Kritikët e Zotit tonë u turpëruan nga këto fjalë. Njerëzit e zakonshëm gëzoheshin sepse një mrekulli e lavdishme ishte kryer dhe ata e dinin mirë këtë gjë.

K. Shëmbëlltyrat e Mbretërisë (13:18-21)

13:18, 19 Duke parë këtë mrekulli shërimi, njerëzit mund të ishin tunduar për të menduar që mbretëria duhet të vendosej menjëherë. Zoti Jezus u hapi sytë e mendjes së tyre duke vendosur para tyre dy shëmbëlltyrat e mbretërisë së Perëndisë, të cilat e përshkruajnë atë sikur do të vendosej midis kohës kur Mbreti do të hidhej poshtë dhe kthimit të Tij në tokë për të mbretëruar. Ato paraqesin rritjen e Krishterimit, dhe përfshijnë si jobesimtarët që rrëfejnë Krishtin vetëm me gojë por nuk kanë realitet, ashtu edhe besimtarët e vërtetë me realitet (shikoni shënimet në 8:1-3).

Para së gjithash Ai e përngjasoi mbretërinë e Perëndisë me një farë sinapi, një nga farat më të vogla që ekzistojnë. Kur hidhet në tokë ajo prodhon një shkurre dhe jo një pemë. Prandaj kur Jezusi tha që kjo farë prodhon një pemë të madhe, Ai tregoi që rritja ishte tepër e pazakontë. Madhësia e saj ishte e mjaftueshme për zogjtë e qiellit të strehoheshin në të. Mendimi që kalon këtu është se Krishterimi pati një fillim të përulur, të vogël sa një farë sinapi. Por ndërkohë që rritej, u bë tepër i popullarizuar dhe Krishterimi u zhvillua ashtu siç e njohim ne sot. Bota e Krishtere përbëhet nga të gjithë ata që rrëfejnë besnikëri ndaj Zotit, qofshin të rilindur apo jo. Zogjtë e qiellit janë korba ose zogj grabitqarë. Ata janë simbol i së keqes dhe pikturë e faktit që bota e krishterë është bërë një vend çlodhjeje për forma të ndryshme të korruptimit.

13:20, 21 Shëmbëlltyra e dytë e përngjason mbretërinë e Perëndisë me majanë që merr një grua dhe e përzien me tre masa. Ne besojmë që majaja në Shkrimet është gjithmonë një simbol i së keqes. Mendimi këtu është se doktrina e keqe ishte paraqitur si ushqim i pastër për popullin e Perëndisë. Kjo doktrinë djallëzore nuk është e qëndrueshme; ajo ka një fuqi tinzare për t’u shpërndarë.

L. Dera e ngushtë që të çon në Mbretëri (13:22-30)

13:22, 23 Ndërkohë që Jezusi po lëvizte për në Jerusalem, dikush doli nga turma për ta pyetur Atë nëse do të ishin të paktë ata që do të shpëtoheshin. Kjo mund të kishte qenë një pyetje e rastit e shtyrë thjesht nga kurioziteti.

13:24 Zoti iu përgjigj kësaj pyetjeje spekulative me një urdhëresë të drejtpërdrejtë. Ai i tha pyetësit që ai vetë duhet të ishte i sigurt që të hynte nga dera e ngushtë. Kur Jezusi tha përpiquni që të hyni nga dera e ngushtë, Ai nuk nënkuptoi që shpëtimi kërkon përpjekje nga ana jonë. Dera e ngushtë këtu është rilindja – shpëtimi me anë të hirit nëpërmjet besimit. Jezusi ishte duke paralajmëruar atë burrë për të qenë i sigurt që ai vetë kishte hyrë nga kjo derë. “Shumë … do të kërkojnë të hyjnë dhe nuk do të mundin” kur dera të jetë mbyllur njëherë e përgjithmonë. Kjo nuk do të thotë që ata do të kërkojnë të hyjnë me anë të kthimit në besim, por për më tepër që në ditën e fuqisë dhe lavdisë së Krishtit, ata do të kërkojnë të pranohen në mbretërinë e Tij, por do të jetë shumë vonë. Dita e hirit në të cilën ne jetojmë do të mbarojë.

13:25-27 I zoti i shtëpisë do të çohet dhe do të mbyllë derën. Kombi Jude është paraqitur si dikush që troket në derë duke i kërkuar Zotit që ta hapë atë. Ai do të refuzojë duke thënë që nuk i ka njohur kurrë. Ata do të ngrejnë krye në këtë kohë, duke pretenduar që ata kishin jetuar ngushtë me Të. Por Ai nuk do të lëvizet nga këto pretendime. Ata ishin njerëz që bënin paudhësi dhe nuk do të lejohen të hyjnë.

13:28-30 Refuzimi i Tij do të shkaktojë të qara dhe kërcëllime dhëmbësh. E qara tregon brejtje të ndërgjegjes dhe kërrcëllima e dhëmbëve flet për urrejtjen e dhunshme ndaj Perëndisë. Kjo tregon që vuajtjet e ferrit nuk e ndryshojnë zemrën e njeriut. Izraelitët mosbesues do të shohin Abrahamin, Isakun, Jakobin dhe gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë. Ata vetë pretendonin se do të ishin atje, thjesht sepse kishin lidhje me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin, por ata do të flaken jashtë. Johebrenjtë do të udhëtojnë drejt shkëlqimit të mbretërisë së Krishtit nga të gjitha skajet e tokës për të gëzuar bekimet e saj të mrekullueshme. Kështu pra shumë Judenj të cilët ishin të parët në planin e Perëndisë për bekime do të hidhen poshtë, ndërkohë që Johebrenjtë të cilët ishin parë gjatë gjithë kohës si qentë, do të gëzojnë bekimet e Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit.

M. Profetë zhduken në Jerusalem (13:31-35)

13:31 Në këtë kohë me sa duket, Zoti Jezus ndodhej në territorin e Herodit. Disa Farisenj erdhën te Ai dhe e paralajmëruan të largohej prej andej sepse Herodi po përpiqej ta vriste. Kjo sjellje e farisenjve ishte krejt në kundërshtim me karakterin e tyre, sepse ata po tregonin interes për mirëqenien dhe sigurinë e Jezusit. Ndoshta ata ishin duke marrë pjesë në një komplot së bashku me Herodin për ta trembur Atë me qëllim që të mos shkonte në Jerusalem, ku me siguri do të arrestohej.

13:32 Zoti ynë nuk trembej nga dhuna fizike. Ai e njohu këtë rast si një komplot nga ana e Herodit dhe u tha farisenjve të ktheheshin tek ajo dhelpër me një mesazh. Disa njerëz kanë vështirësi në lidhje me faktin që Zoti Jezus e quajti Herodin një dhelpër (forma femërore gjendet edhe në origjinal). Ata mendojnë se është në kundërshtim me Shkrimet të flasësh keq për princin apo drejtuesin e një vendi (Eksodi 22:28). Megjithatë, kjo nuk ishte një e folur e një mënyre të keqe; ishte absolutisht e vërteta. Esenca e mesazhit dërguar nga Jezusi ishte që Ai kishte akoma punë për të bërë edhe për një kohë të shkurtër. Ai do të dëbonte demonë dhe do të kryente shërime gjatë atyre pak ditëve që i mbeteshin. Më pas në ditën e tretë, pra, në ditën përfundimtare, Ai do të kishte përfunduar punën në lidhje me shërbesën e Tij tokësore. Asgjë nuk do ta pengonte Atë në përmbushjen e detyrave të Tij. Asnjë fuqi në tokë nuk mund ta dëmtonte Atë deri në kohën e caktuar.

13:33 Për më tepër, Ai nuk do të vritej në Galile. Ky privilegj i veçantë ishte ruajtur për qytetin e Jerusalemit. Ishte ai qytet që zakonisht kishte vrarë shërbëtorët e Shumë të Lartit Perëndi. Jerusalemi ishte pak a shumë një monopol në vdekjen e zëdhënësve të Perëndisë. Kjo është ajo çfarë Zoti donte të thoshte kur Ai tha që “nuk mundet që një profet të vdesë jashtë Jerusalemit.”

13:34, 35 Duke thënë kështu të vërtetën për këtë qytet të keq, Jezusi u kthye me një patos dhe qau për të. Ky qytet që vret profetët dhe godet me gurë lajmëtarët e Perëndisë ishte objekt i dashurisë së Tij. Sa herë kishte dashur t’i mblidhte së bashku njerëzit e atij qyteti ashtu si një klloçkë mbledh nën krahë zogjtë e vet, por ata nukdeshën. Problemi qëndronte në kokëfortësinë e tyre. Si përfundim, qyteti i tyre, tempulli i tyre dhe toka e tyre do të lihej e shkretë. Ata do të kalonin një kohë të gjatë eksodi. Në fakt ata nuk do ta shihnin Zotin derisa të ndryshonin qëndrimin e tyre kundrejt Atij. Vargu 35 i referohet Ardhjes së Dytë të Krishtit. Një mbetje e kombit të Izraelit do të pendohet në atë kohë dhe do të thotë “Bekuar qoftë Ai që vjen në emër të Zotit!” Atëherë populli i Tij do të jetë gati për ditën e fuqisë së Tij.

N. Shërimi i një njeriu me hidropizi (14:1-6)

14:1-3 Një të shtunë, një drejtues i Farisenjve e ftoi Zotin në shtëpinë e tij për të ngrënë bukë. Nuk ishte një gjest i sinqertë mikpritjeje, por për më tepër një përpjekje nga ana e krerëve fetarë për të gjetur ndonjë gabim tek Biri i Perëndisë. Jezusi pa një njeri atje që vuante nga hidropizia, që do të thotë, fryrje e shkaktuar nga uji i mbledhur në inde. Shpëtimtari lexoi mendimet e kritikëve të Tij dhe u kërkoi atyre nëse ishte e ligjshme të shëroje të shtunën.

14:4-6 Atyre do t’u kishte pëlqyer më tepër të thoshin se nuk ishte e ligjshme të bëje një gjë të tillë, por nuk do të mundnin të mbështesnin përgjigjen e tyre, kështu që heshtën. Prandaj Jezusi e shëroi atë njeri dhe e la të shkonte. Për Të ishte një vepër mëshire, dhe dashuria hyjnore nuk e ndërpret kurrë aktivitetin e saj, qoftë edhe të shtunën (Gjoni 5:17). Më pas duke iu kthyer Judenjve, Ai i kujtoi ata se nëse një prej kafshëve të tyre do të binte në një pus, me siguri që do ta nxirrnin prej andej edhe sikur të ishte e shtunë. Kjo gjë ishte në interesin e tyre. Kafsha kishte vlerë paraje për ta. Në rastin e një njeriu që vuante, ata nuk shqetësoheshin fare, dhe do ta kishin dënuar Zotin Jezus që e ndihmoi atë. Megjithëse nuk mund t’i përgjigjeshin arsyetimit të Shpëtimtarit, ne mund të jemi të sigurt që ata ishin zemëruar akoma më shumë me Të.

O. Shëmbëlltyra e Mikut Ambicioz (14:7-11)

Ndërkohë që Zoti Jezus hyri në shtëpinë e fariseut, Ai ndoshta kishte parë të ftuarit se si përpiqeshin për të zënë vendet e para në tryezë. Ata kërkonin pozicione nderi dhe parësie. Fakti që edhe Ai ishte një i ftuar nuk e pengoi Atë për të folur sinqerisht dhe drejt. Ai i paralajmëroi ata kundër kësaj forme egoizmi. Kur ata ftoheshin në një drekë, duhet të zinin vendin e fundit dhe jo atë të parin. Kur ne kërkojmë një vend të parë për veten tonë, gjithmonë ekziston mundësia e të turpëruarit në rast se ai vend i është rezervuar dikujt tjetër. Nëse ne jemi me të vërtetë të përulur përpara Perëndisë, ka vetëm një drejtim që ne mund të lëvizim lirshëm dhe ky drejtim është lart. Jezusi mësoi se është më mirë të përparosh drejt një vendi të nderuar sesa ta mbërthesh atë vend dhe më pas të të duhet ta braktisësh. Vetë Ai është shembulli i gjallë i vet-mohimit (Filipianeve. 2:5-8). Ai e përuli Vetveten dhe Perëndia e lartësoi Atë. Kushdo që e larton veten do të poshtërohet nga Perëndia.

P. Lista e të ftuarve që Perëndia nderon (14:12-14)

Drejtuesi i farisenjve padyshim që kishte ftuar drejtuesit lokalë në këtë festë. Jezusi e kuptoi menjëherë këtë gjë. Ai pa që njerëzit e paprivilegjuar të komunitetit nuk ishin ftuar. Prandaj Ai gjeti rastin për të shpallur një nga parimet më të mëdha të Krishterimit – që ne duhet të duam ata që të tjerët nuk i duan, dhe që nuk mund të na shpërblejnë. Mënyra e zakonshme me të cilën veprojnë njerëzit është se ata ftojnë shokët, të afërmit dhe fqinjët e pasur, gjithmonë me shpresën se një ditë do të shpërblehen. Për të vepruar në këtë mënyrë nuk është e nevojshme një jetë hyjnore. Por është e mbinatyrshme të tregosh mirësi ndaj të varfërve, sakatëve, të çalëve, të verbërve. Perëndia ruan një shpërblim të veçantë për ata që tregojnë bamirësi ndaj këtyre klasave. Megjithëse këta të ftuar nuk mund të na i kthejnë shpërblimin, përsëri Perëndia Vetë premton se do të shpërblejë për këtë në ringjalljen e të drejtëve. Në Shkrimet kjo njihet si ringjallja e parë dhe përfshin ringjalljen e besimtarëve të vërtetë. Kjo ndodh në Rrëmbimin e Kishës, dhe ne besojmë gjithashtu, në fund të Periudhës së Mundimit të Madh. Pra, ringjallja e parë nuk është një ngjarje e vetme, por ndodh në faza të ndryshme.

Q. Shëmbëlltyra e gostisë së madhe (14:15-24)

14:15-18Një nga të ftuarit që rrinte afër Jezusit gjatë ushqimit, tha se sa e mrekullueshme do të ishte të merrje pjesë në bekimet e mbretërisë së Perëndisë. Ndoshta ai ishte prekur nga parimet e sjelljes për të cilat Zoti Jezus sapo kishte folur. Ose ndoshta ishte thjesht një vërejtje e përgjithshme që ai bëri pa u menduar shumë. Sidoqoftë, Zoti iu përgjigj duke thënë se po aq sa është e mrekullueshme të hash në mbretërinë e Perëndisë, aq është i trishtueshëm fakti se shumë prej atyre që janë të ftuar bëjnë lloj lloj shfajësimesh për mos pranimin e ftesës. Ai e paraqiti Perëndinë si një njeri që përgatiti një darkë të madhe dhe ftoi shumë veta. Kur ushqimi ishte gati, ai u kërkoi shërbëtorëve për të vënë në dijeni të ftuarit se çdo gjë ishte gati. Kjo na kujton ne faktin e mrekullueshëm që Zoti Jezus kreu veprën e Tij të shpengimit në Kalvar, dhe ftesa e ungjillit shkon në bazë të kësaj vepre të përfunduar. Një person që ishte ftuar e shfajësoi veten duke thënë se kishte blerë një fushë dhe dëshironte të shkonte për ta parë. Normalisht ai duhet të kishte shkuar dhe ta kishte parë atë përpara se ta kishte blerë. Por edhe sikur të mos kishte qenë kështu, ai po vendoste dashurinë për gjërat materiale mbi ftesën e mëshirshme.

14:19, 20 Tjetri kishte blerë pesë pendë qe dhe po shkonte t’i provonte. Ky person është personifikim i atyre që vendosin punën, biznesin dhe profesionet e tyre mbi thirrjen e Perëndisë. I treti tha se kishte marrë grua dhe prandaj nuk mund të vinte. Lidhjet familjare dhe marrëdhëniet shoqërore shpesh i pengojnë njerëzit nga pranimi i ftesës së ungjillit.

14:21-23 Kur ai shërbëtor njoftoi zotërinë e tij që ftesat nuk ishin pranuar nga të gjitha anët, i zoti e dërgoi atë jashtë në qytet për të ftuar lypës, sakatë, të çalë dhe të verbër. “Si natyra ashtu edhe hiri ndjejnë neveri ndaj hapësirës së zbrazur,” ka thënë Bengel. Ndoshta të ftuarit e parë, paraqesin krerët e Judenjve. Kur ata e hodhën poshtë ungjillin, Perëndia ua dërgoi atë njerëzve të thjeshtë të qytetit të Jerusalemit. Shumë prej tyre iu përgjigjën thirrjes, por në shtëpinë e zotërisë kishte ende vend. Dhe kështu i zoti i tha shërbëtorit të shkonte jashtë nëpër sheshe dhe nëpër rrugët e qytetit dhe t’i detyronte të hynin. Kjo gjë padyshim që paraqet ungjillin duke shkuar tek Johebrenjtë. Ata nuk ishin të detyruar me anë të forcës së krahut (siç është bërë në historinë e botës së Krishterë), por për më tepër me anë të forcës së argumentit. Një bindje plot dashuri duhej të përdorej me qëllim që ata të silleshin atje me qëllim që shtëpia e zotërisë të mbushej plot.

14:24 Kështu pra lista origjinale e të ftuarve nuk ishte më e vlefshme kur u dha ushqimi, sepse ata që ishin ftuar në fillim nuk erdhën.

R. Çmimi i dishepullimit të vërtetë (14:25-35)

14:25 Tani turma të mëdha e ndiqnin Zotin Jezus. Shumë prej krerëve do të ishin të lumtur nga një interes i tillë i gjerë. Por Zoti nuk ishte duke kërkuar njerëz që e ndiqnin Atë nga kurioziteti, pa interes të vërtetë zemre. Ai kërkonte ata që dëshironin të jetonin duke iu përkushtuar Atij dhe madje edhe të vdisnin për Të nëse do të ishte e nevojshme. Dhe kështu Ai filloi të shoshte turmën duke u paraqitur atyre terma të rrepta të dishepullimit. Pa tjetër Zoti Jezus përpiqej të thërriste njerëzit rreth Tij, por pasi ata fillonin ta ndiqnin, Ai i shoshiste ata. Dhe pikërisht kjo është ajo që po ndodh këtu.

14:26 Para së gjithash, Ai u tha atyre që e ndiqnin që për të qenë dishepuj të vërtetë, ata duhet ta donin Atë mbi çdo gjë tjetër. Ai nuk u sugjeroi ndonjëherë atyre që duhet të kishin urrejtje në zemrën e tyre për babanë, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat. Për më tepër Ai po theksonte që dashuria për Krishtin duhet të ishte aq e madhe saqë të gjitha dashuritë e tjera nëse do të krahasoheshin me të duhet të dukeshin si urrejtje (Mt. 10:37). Asnjë konsideratë e lidhjeve familjare nuk duhet ta lejojë një dishepull të mënjanohet nga udha e bindjes së plotë ndaj Zotit. Në të vërtetë, pjesa më e vështirë e këtij termi të parë për dishepullimin gjendet në fjalët “madje edhe jetën e vet.” Nuk është vetëm që ne duhet t’i duam të afërmit tanë më pak; ne duhet të urrejmë edhe jetët tona gjithashtu! Në vend që të jetojmë jetë që janë të përqendruara tek vetja jonë, ne duhet të jetojmë jetë që janë të përqendruara tek Krishti. Në vend që të pyesim se ç’rezultat do të ketë çdo veprim i yni mbi jetët tona, ne duhet të kemi kujdes të vlerësojmë rezultatet e atij veprimi mbi Krishtin dhe lavdinë e Tij. Konsideratat mbi rehatitë personale dhe sigurinë tonë duhet të jenë të dorës së dytë në krahasim me detyrën e madhe që kemi ne për të lartësuar Krishtin dhe për ta bërë Atë të njohur. Fjalët e Shpëtimtarit janë absolute. Ai tha se nëse nuk do ta donin Atë mbi gjithçka, më shumë se familjen tonë dhe më shumë se jetën tonë, ne nuk mund të bëheshim dishepujt e Tij. Nuk ka lëshime.

14:27 Së dyti, Ai mësoi se një dishepull i vërtetë duhet të mbartë kryqin e vet dhe ta ndjekë. Kryqi nuk është një lloj sëmundjeje fizike apo ankthi mendor, por është një udhë me qortime, me vuajtje, me vetmi dhe madje edhe me vdekje që një person e zgjedh me dëshirë për hir të Krishtit. Jo të gjithë besimtarët e mbartin kryqin. Është e mundshme ta shmangësh atë duke jetuar një jetë të krishtere që është e tillë vetëm në emër. Por nëse ne vendosim t’i jepemi me gjithçka kemi Krishtit, atëherë do të përjetojmë të njëjtin lloj kundërshtimi satanik që Biri i Perëndisë e njohu kur ishte këtu në tokë. Ky është kryqi. Dishepulli duhet të ndjekë Jezusin. Kjo do të thotë që ai duhet të jetojë atë jetë që Krishti jetoi kur ishte këtu – një jetë vetëmohues, përulësie, persekutimi, talljeje, tundimi dhe kundërshtimi që mëkatarët i bënë Atij.

14:28-30 Më pas Zoti Jezus përdori dy ilustrime për të theksuar domosdoshmërinë e bërjes së llogarisë përpara se të ndjekësh Jezusin. Ai e përngjasoi jetën e Krishtere me një projekt ndërtimi dhe më pas me fushën e betejës. Një njeri kur do të ndërtojë një kullë, ulet më parë dhe bën llogarinë. Nëse ai nuk ka mjaftueshëm për ta mbaruar, nuk vazhdon më tej. Ndryshe kur themelet hidhen, dhe puna duhet të lihet në mes, ata që e shohin fillojnë të tallen duke thënë, “Ky njeri filloi të ndërtojë dhe nuk mundi ta përfundojë.” Kështu është me dishepujt. Më parë atyre u duhet të llogaritin çmimin, nëse me të vërtetë duan t’i braktisin jetët e tyre për t’ia kushtuar me gjithë zemër Krishtit. Ndryshe ata mund të fillojnë me një shkëndijë lavdi dhe më pas të shuhen. Nëse është kështu ata që shohin do t’i tallin pasi filluan mirë dhe përfunduan me turp. Bota gëzohet për ata të krishterë që janë të tillë me gjysmën e zemrës së tyre.

14:31, 32 Një mbret kur shkon për të luftuar kundër forcave që janë të shumta në numër duhet të konsiderojë me kujdes nëse forcat e tij të pakta do të jenë në gjendje për të mundur armikun. Ai kupton shumë mirë që është ose një sulm absolut ose një nënshtrim i ulët. Kështu është edhe në jetën e dishepullimit të krishterë. Nuk mund të ketë lëshime.

14:33 Vargu 33 ndoshta është një nga vargjet më të papëlqyera të Biblës. Ai thotë fjalë për fjalë që “Secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im.” Kuptimin e këtyre fjalëve nuk mund ta dredhosh. Ato nuk thonë që një person duhet të ketë dëshirën për të braktisur gjithçka. Për më tepër ato thonë që ai duhet të braktisë gjithçka. Ne duhet t’i besojmë Zotit për të ditur se çfarë ka qenë duke thënë Ai. Ai kuptonte që puna nuk mund të bëhej ndryshe. Ai kërkon burra dhe gra që e vlerësojnë Atë më shumë se çdo gjë tjetër në këtë botë.

Ryle vëzhgon:

Njeriu që i bën mirë vetvetes është ai që jep gjithçka për hir të Krishtit. Ai bën pazarllëkun më të mirë; mbart kryqin për pak vjet në këtë tokë dhe në botën që vjen ka jetë të përjetshme. Ai përfiton pronat më të mira; ai merr pasurinë e tij përtej varrit. Ai është i pasur në hir këtu dhe është i pasur në lavdi më pas. Dhe më e mira e të gjithave është se ajo çfarë ai fiton me anë të besimit në Krishtin nuk humbet kurrë. Është pikërisht “ajo pjesë e mirë që nuk do t’i hiqet kurrë.” {{5}}

14:34, 35 Kripa është një pikturë e dishepullit. Ekziston diçka e shëndetshme dhe e rekomandueshme për një person që jeton me përkushtim dhe sakrificë për Zotin. Por më pas ne lexojmë që kripa ka humbur shijen e saj. Kripa moderne e tavolinave tona nuk mund ta humbasë shijen e saj sepse është kripë e pastër. Por në vendet e Biblës, kripa shpesh ishte e përzierë me forma të ndryshme papastërtie. Prandaj ishte e mundur që kripa të harxhohej dhe mbeturinat të mbeteshin në fund të enës. Por kjo pjesë që mbetej ishte pa vlerë. Ajo nuk mund të përdorej as për pjellorinë e tokës. Kjo mbeturinë duhet të flakej tutje.

Kjo pjesë paraqet një dishepull i cili ka filluar në një mënyrë të shkëlqyer, por që më pas ka shkelur betimin e tij. Dishepulli ka një arsye thelbësore për të jetuar; nëse ai dështon në përmbushjen e saj, atëherë ai është një objekt i mjerë. Ne lexojmë në lidhje me kripën që “njerëzit e hodhën tutje.” Nuk thotë që Perëndia e hodhi tutje; kjo gjë nuk mund të ndodhë kurrë. Por njerëzit e flakën atë, që do të thotë se ata morën nëpër këmbë dëshminë e atij që filloi të ndërtonte dhe nuk ishte në gjendje ta mbaronte. Kelly shënon:

Këtu është treguar rreziku i një fillimi të mbarë, por që më pas sëmuret. Çfarë gjëje në këtë botë është më e pavlerë se kripa që ka humbur shijen dhe që nuk mund të përdoret më? Kështu është me dishepullin që ndalon së qenurit dishepull i Krishtit. Ai nuk është i përshtatshëm për qëllimet e botës dhe ai ka braktisur edhe ato qëllime që janë të Perëndisë. Ai ka aq shumë dritë njohurie për të mos hyrë në kotësitë dhe mëkatet e botës, dhe as nuk kënaqet me hirin dhe të vërtetën që e mbajnë atë në udhën e Krishtit … Kripa pa shije bëhet një objekt ankese dhe gjykimi. {{6}}

Zoti Jezus e mbyll mesazhin mbi dishepullimin me këto fjalë: “Ai që ka veshë le të dëgjojë.” Këto fjalë tregojnë që jo çdo njeri ka dëshirë për të dëgjuar gjuhën e rreptë të dishepullimit. Por nëse një person dëshiron të ndjekë Zotin Jezus, pavarësisht se cili mund të jetë çmimi, atëherë ai duhet të dëgjojë dhe të ndjekë.

John Calvin njëherë ka thënë, “Unë hoqa dorë nga çdo gjë për Krishtin, dhe çfarë gjeta? Gjeta gjithçka në Krishtin.” Henry Drummond komentoi: “Pajtimi i hyrjes për në mbretërinë e qiellit është zero, pajtimi i përvitshëm është gjithçka.”

S. Shëmbëlltyra e deles së humbur (15:1-7)

15:1, 2 Shërbesa e të mësuarit e Zotit në kapitullin 14 duket se tërhoqi tagrambledhësit e përbuzur, dhe të tjerët që ishin mëkatarë të dukshëm. Megjithëse Jezusi i qortoi mëkatet e tyre, përsëri shumë prej tyre thanë se Ai kishte të drejtë. Ata morën anën e Jezusit kundër vetvetes. Në pendim të vërtetë, ata e shpallën Atë Zot. Kudo që Jezusi gjeti njerëz që kishin dëshirë për të pohuar mëkatin e tyre, Ai u drejtua tek ata dhe u dha ndihmë shpirtërore dhe bekime mbi ta.

Farisenjtë dhe skribët u zemëruan shumë nga fakti që Jezusi u bë vëlla me njerëz që ishin mëkatarë të famshëm. Ata nuk tregonin mëshirë ndaj këtyre lebrozëve shoqërorë dhe moralë, dhe zemëroheshin që Jezusi bënte kështu. Dhe kështu ngritën një akuzë kundër Tij, “Ky i pranon mëkatarët dhe ha bashkë me ta.” Kjo akuzë ishte e vërtetë në fakt. Ata mendonin se ia vlente të fajësonin për këtë, por në të vërtetë ishte në përmbushje të çdo qëllimi për të cilin Jezusi kishte ardhur në këtë botë!

Ishte pikërisht si përgjigje e kësaj akuze që Jezusi tregoi historinë e deles së humbur, dhrahmisë së humbur dhe birit të humbur. Këto histori ishin drejtuar qëllimisht tek farisenjtë dhe skribët, që nuk ishin thyer kurrë përpara Perëndisë për të pranuar gjendjen e tyre të humbur. Në të vërtetë, ata ishin aq të humbur sa mëkatarët e shpallur, por me këmbëngulje refuzonin ta pranonin këtë. Ideja e këtyre tre historive është se Perëndia gëzohet dhe kënaqet kur shikon mëkatarët që pendohen, ndërkohë që trishtohet nga hipokritët që e shpallin veten të drejtë, që janë tepër krenarë për të pranuar mëkatshmërinë e tyre.

15:3, 4 Këtu Zoti Jezus është paraqitur nën simbolin e një bariu. Nëntëdhjetë e nëntë delet paraqesin skribët dhe farisenjtë. Delja e humbur është tipike e një tagrambledhësi ose e një mëkatari të njohur. Kur bariu kupton që një dele i ka humbur, ai i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretëtirë (jo në vathë) dhe shkon pas asaj derisa e gjen. Për sa i përket Zotit tonë, ky udhëtim përfshiu zbritjen e Tij këtu në tokë, vitet e shërbesës së Tij publike, hedhjen poshtë të Tij, vuajtjet dhe vdekjen. Sa të vërteta janë rreshtat e himnit “Të nëntëdhjetë e nëntat”:

Por asnjë nga të shpërblyerit nuk e diti ndonjëherë
sa të thella ishin ujërat që përshkoi,
as sa e errët ishte nata
që Zoti kaloi
derisa gjeti delen që ishte e humbur.

– Elizabeth C. Clephane

15:5 Pasi e gjeti delen, e vendosi atë mbi supet e tij dhe e shpuri në shtëpi. Kjo sugjeron që delja e shpëtuar gëzonte një vend të privilegjuar dhe intimitet që se kishte njohur kurrë më parë kur numërohej me të tjerat.

15:6 Bariu mblodhi miqtë dhe fqinjët e tij për të gëzuar me të për shpëtimin e deles së humbur. Kjo tregon për gëzimin që ka Shpëtimtari kur sheh një mëkatar të penduar.

15:7 Mësimi është i qartë: Ka gëzim në qiell për një mëkatar të vetëm që pendohet, por nuk ka gëzim për të nëntëdhjetë e nëntë mëkatarët që kurrë nuk u bindën për gjendjen e tyre të humbur. Vargu 7 në të vërtetë nuk do të thotë që ka disa persona që nuk kanë nevojë të pendohen. Të gjithë njerëzit janë mëkatarë, dhe të gjithë duhet të pendohen që të mund të shpëtohen. Vargu përshkruan ata që, siç mendojnë ata vetë për veten e tyre, nuk kanë nevojë të pendohen.

T. Shëmbëlltyra e dhrahmisë së humbur (15:8-10)

Gruaja në këtë histori mund të paraqesë Frymën e Shenjtë, duke kërkuar me llambën e Fjalës së Perëndisë. Nëntë monedhat e argjendit flasin për të papenduarin, ndërkohë që monedha e humbur sugjeron njeriun që dëshiron të rrëfejë se është larg Perëndisë. Në tregimin e mëparshëm delja endej me dëshirën e vet. Një monedhë është një objekt jofrymor dhe mund të sugjerojë gjendjen e pajetë të një mëkatari. Ai është i vdekur në faje dhe në mëkate.

Gruaja vazhdon ta kërkojë me kujdes monedhën e humbur derisa e gjen atë. Më pas ajo fton tok shoqet dhe fqinjët për të festuar me të. Monedha e humbur që ajo kishte gjetur i solli asaj më shumë lumturi se të nëntë të tjerat që nuk i kishin humbur ndonjëherë. Kështu është me Perëndinë. Mëkatari që e përul vetveten dhe rrëfen gjendjen e tij të pashpresë sjell gëzim në zemër të Perëndisë. Ai nuk gjen kurrë një gëzim të tillë nga ata që kurrë nuk ndjejnë nevojën e tyre për pendim.

U. Shëmbëlltyra e djalit të humbur (15:11-32)

15:11-16 Perëndia Atë është pikturuar këtu si një njeri që kishte dy bij. Biri më i vogël tipizon mëkatarin e penduar, ndërkohë që biri i madh ilustron skribët dhe farisenjtë. Këta të fundit janë bij të Perëndisë nga krijimi edhe pse jo nga shpengimi. Biri i vogël njihet gjithashtu si djali plangprishës. Plangprishës është ai që është ekstravagant i pakujdesshëm, që shpenzon para kot. Ky bir u mërzit nga shtëpia e atit të tij dhe vendosi të largohej. Ai nuk mund të priste derisa ati i tij të vdiste dhe kështu që i kërkoi pjesën e tij të pasurisë para kohe. Babai ua ndau pasurinë ashtu si u takonte. Pak pas kësaj, biri i vogël shkoi në një vend të largët dhe i harxhoi paratë e tij për kënaqësi të mëkatshme. Sapo të ardhurat e tij u mbaruan, në atë vend ra një zi buke dhe ai e ndjeu veten nevojtar. Puna e vetme që gjeti ishte të ushqente disa derra – një punë që do të ishte e papëlqyeshme për shumicën e Judenjve. Kur shikonte derrat duke ngrënë lendet e tyre, ai filloi t’i kishte zili. Ata kishin më shumë për të ngrënë se ai, dhe askush nuk përpiqej për ta ndihmuar atë. Miqtë që ai kishte kur i shpenzonte paratë lumë, tashmë ishin zhdukur të gjithë.

15:17-19 Zija e bukës provoi se ishte një bekim i maskuar. Ajo e bëri djalin të mendohej. Ai kujtoi që edhe punëtorët mëditës të të atit ishin duke jetuar shumë më mirë se ai. Ata kishin plot ushqim për të ngrënë, ndërkohë që ai ishte duke kaluar kohën kot i uritur. Si mendoi për këtë, vendosi të bënte diçka. Ai vendosi të kthehej tek i ati i penduar, duke pranuar mëkatin e tij, dhe duke kërkuar falje. Ai kuptoi që ai nuk ishte më i denjë të quhejbir i të atit, dhe planifikoi për t’i kërkuar një punë si një punëtor mëditës.

15:20 Shumë më përpara se të arrinte shtëpinë, i ati e pa me dhembshuri dhe u lëshua me vrap, ra mbi qafën e tij dhe e puthi. Ndoshta ky është i vetmi rast në Bibël ku nxitimi është përdorur nga Perëndia në një kuptim të mirë. Stewart ilustron mjaft bukur:

Jezusi guxon ta pikturojë Perëndinë, jo duke pritur për fëmijën e tij të turpëruar të ikte nga shtëpia, dhe as duke qëndruar në dinjitetin e tij kur ai erdhi, por duke vrapuar drejt tij për ta pritur, ashtu siç ishte i turpëruar, i rreckosur dhe pisë, për ta mirëpritur në krahët e tij. I njëjti emër “Atë” ka errësuar menjëherë ngjyrën e mëkatit dhe ka ngritur lart lavdinë e shkëlqyeshme të faljes. {{7}}

15:21-24Biri bëri rrëfimin e tij deri në atë pikë sa kërkoi të punësohej tek i ati. Por i ati e ndërpreu duke urdhëruar shërbëtorët t’i vishnin rrobën më të bukur, t’i vinin një unazë në gisht dhe sandale në këmbë. Ai gjithashtu urdhëroi një festë të madhe për të festuar kthimin e birit të tij që kishte humbur dhe u gjet përsëri. Për sa i përket të atit, ai kishte qenë i vdekur, por tani u kthye në jetë. Dikush ka thënë, “Djaloshi kërkoi të kalonte një kohë të mirë, por nuk e gjeti në vendin e largët. Ai e gjeti vetëm kur vendosi për t’u kthyer në shtëpinë e të atit.” Thuhet që filluan të bënin një festë të madhe, por nuk është shkruar që gëzimi i tyre mbaroi. Kështu është me shpëtimin e mëkatarit.

15:25-27 Kur biri i madh u kthye nga fusha dhe dëgjoi gjithë zhurmën që vinte nga shtëpia e tij, pyeti një shërbëtor se çfarë po ndodhte. Ai i tha se vëllai i tij i vogël ishte kthyer në shtëpi dhe që i ati ishte gëzuar jashtë mase.

15:28-30 Djali i madh u përfshi nga një zemërim xhelozie. Ai refuzoi të merrte pjesë në gëzimin e të atit. J. N. Darby e ka thënë mirë: “Atje ku është gëzimi i Perëndisë, nuk mund të vijë vet-drejtësia. Nëse Perëndia tregohet i mirë me mëkatarin, ç’vlerë ka drejtësia ime?” Kur i ati e urdhëroi për të marrë pjesë në gëzimin e tij, ai refuzoi duke rënkuar që i ati nuk e kishte shpërblyer kurrë atë për shërbesën dhe bindjen e tij. Atij kurrë nuk i ishte dhënë as edhe një kec, pa zënë në gojë ndonjë viç të majmë. Ai u ankua që kur djali plangprishës u kthye, pasi kishte shpenzuar paratë e tij me prostituta, i ati nuk hezitoi për t’i bërë një festë të madhe. Vini re që ai tha “ky djali yt,” dhe jo “vëllai im.”

15:31, 32 Përgjigjja e atit tregoi që ka gëzim në lidhje me restaurimin e një të humburi, ndërsa një bir mosmirënjohës, kokëfortë dhe i papajtuar nuk jep ndonjë shkak për të festuar.

Biri i madh është një pikturë që flet për skribët dhe farisenjtë. Ata i zemëroheshin mëshirës që Perëndia tregonte ndaj mëkatarëve të pacipë. Sipas mendimeve të tyre, ata i kishin shërbyer Perëndisë besnikërisht dhe kurrë nuk i kishin shkelur urdhëresat e Tij dhe nuk ishin shpërblyer ndonjëherë për të gjithë këtë. E vërteta e kësaj çështjeje ishte që ata ishin hipokritë fetarë dhe mëkatarë fajtorë. Krenaria e tyre i verboi ata për të qenë larg Perëndisë dhe për të mos marrë bekimet që Ai mund t’u jepte atyre. Sikur të kishin dashur për t’u penduar dhe për të pohuar mëkatet e tyre, atëherë zemra e Atit do të gëzohej dhe ata do të kishin qenë shkaku i festës së madhe.

V. Shëmbëlltyra e administratorit të pabesë (16:1-13)

16:1, 2 Zoti Jezus tani kthehet nga farisenjtë dhe skribët tek dishepujt e Tij me një mësim mbi administrimin. Ky paragraf është pranuar të jetë një nga më të vështirët e Lukës. Arsyeja e kësaj vështirësie është se historia e administratorit të pabesë duket sikur urdhëron pandershmëri. Ne do të shohim që nuk është kështu, megjithatë le të vazhdojmë. Njeriu i pasur në këtë histori paraqet Vetë Perëndinë. Një administrator është një të cilit i është besuar drejtimi i pronës së dikujt tjetër. Për sa i përket historisë, çdo dishepull i Zotit është gjithashtu një administrator. Ky administrator i pabesë ishte akuzuar për shpërdorim të të ardhurave të punëdhënësit të tij. Ai ishte thirrur për të dhënë llogari, dhe për t’u lajmëruar se ishte pushuar nga puna.

16:3-6 Administratori bëri disa arsyetime të shpejta. Ai kuptoi se i duhej të siguronte diçka për të ardhmen e tij. Ai ishte tepër i moshuar për të bërë një punë të rëndë fizike dhe ishte tepër krenar për të lypur (megjithëse jo shumë krenar për të vjedhur). Atëherë si do të siguronte ai sigurimet shoqërore? Ai thurri një plan me anë të të cilit do të fitonte shokë që do të tregonin mirësi ndaj tij kur ai të ishte në nevojë. Plani ishte ky: Ai shkoi në një nga blerësit e punëdhënësit e tij dhe i kërkoi sa i detyrohej. Kur blerësi tha njëqind bato vaj, administratori i tha të paguante për pesëdhjetë dhe llogaria do të konsiderohej e mbyllur.

16:7 Një blerës tjetër i detyrohej njëqind kora grurë. Administratori i tha atij të paguante për tetëdhjetë dhe ai do të shënonte në faturë “U pagua.”

16:8 Pjesa çuditëse e historisë shfaqet kur zotëria e lavdëron administratorin që kishte vepruar me mençuri. Përse do të aprovojë dikush një pandershmëri të tillë? Ajo që administratori bëri ishte e padrejtë. Vargjet e mëposhtme tregojnë që administratori nuk u lavdërua aspak për pandershmërinë e tij, por për më tepër për largpamësinë e tij. Ai veproi tepër ekonomikisht. Ai pa drejt së ardhmes, dhe siguroi për të. Ai sakrifikoi fitimin e së tashmes për shpërblimin e së ardhmes. Duke përdorur këtë në jetët tona, ne duhet ta kemi të qartë se e ardhmja e fëmijës së Perëndisë nuk është në këtë tokë por në qiell. Ashtu si administratori bëri një hap përpara për t’u siguruar që do të kishte miq gjatë pensionit të tij këtu poshtë, kështu i krishteri duhet t’i përdorë të mirat e Zotit të tij në një mënyrë të tillë që të sigurojë një festë mirëseardhjeje kur të shkojë në qiell.

Zoti tha, “Bijtë e kësaj bote në brezin e tyre janë më të mençur se bijtë e dritës.” Kjo do të thotë që njerëzit e paperëndishëm dhe të parilindur janë më të mençur në sigurimin e të ardhmes së tyre sesa janë besimtarët e vërtetë në sigurimin e thesareve në qiell.

16:9 Ne duhet të bëjmë miq për veten tonë me pasuri të padrejta. Kjo do të thotë që ne duhet t’i përdorim paratë dhe gjërat e tjera materiale për të fituar shpirtra për Krishtin dhe të formojmë miqësi që do të zgjasin përjetë. Pierson ka thënë mjaft qartë:

Paraja mund të përdoret për të blerë Bibla, libra, trakte dhe kështu në një mënyrë indirekte, shpirtrat e njerëzve. Dhe ajo që ishte materiale dhe e përkohshme, bëhet jomateriale, shpirtërore dhe e përjetshme. Këtu është një njeri që ka 100$. Ai mund t’i shpenzojë të gjitha ato në një banket apo në një festë dhe ditën tjetër nuk do të mbetej asgjë. Nga ana tjetër, ai investon nga 1$ për një Bibël. Blen 100 kopje të Fjalës së Perëndisë. Në mënyrë të arsyeshme ai i mbjell këto si fara të mbretërisë dhe fara bëhet një e korrë, jo Biblash por shpirtrash. Nga ajo që ishte e padrejtë, ai ka bërë miq të pavdekshëm, që kur ai humbet fuqitë ata e marrin në banesa të përjetshme. {{8}}

Atëherë pra ky është mësimi i Zotit Jezus. Me anë të një investimi të mençur material, ne mund të kemi pjesë në bekimet e përjetshme të grave dhe burrave. Ne mund të jemi të sigurt se kur të arrijmë në dyert e qiellit, do të ketë një komitet mirëpritjeje të përbërë nga ata që janë shpëtuar nëpërmjet lutjeve dhe dhënies sonë sakrifikuese. Këta njerëz do të na falënderojnë duke thënë, “Ishe ti që më ftove mua këtu.”

Darby komenton:

Njeriu në përgjithësi është administratori i Perëndisë, dhe në një kuptim tjetër, në një mënyrë tjetër Izraeli ishte administratori i Perëndisë, i vendosur në vreshtin e Perëndisë, të cilit iu besua ligji, premtimet, besëlidhjet, adhurimi. Por në të gjitha këto, Izraeli u gjet se kishte shpenzuar kot të mirat e Tij. Njeriu shihet si një administrator plotësisht i pabesë. Çfarë duhet bërë tani? Perëndia shfaqet dhe në sovranitet të hirit të Tij kthen atë që njerëzit abuzuan këtu në tokë, në një pasuri fryti të përjetshme. Gjërat e kësaj bote duke qenë në duart e njerëzve, nuk duhet të përdoren për kënaqësitë e kësaj bote, që është e gjitha larg Perëndisë, por duhen përdorur duke parë nga e ardhmja. Ne nuk duhet të kërkojmë të zotërojmë gjëra për të tashmen, por duke i përdorur siç duhet këto gjëra le të sigurojmë për kohët e tjera. Është më mirë t’i kthejmë të gjitha në një mik për një ditë tjetër sesa t’i ruajmë paratë për këtë jetë. Njeriu këtu shkon drejt shkatërrimit. Prandaj tani, njeriu është një administrator, por në përgjithësi, një administrator i pabesë. {{9}}

16:10 Nëse jemi besnikë në administrimin tonë të të voglave (parasë), atëherë ne do të jemi besnikë në atë që është më e madhe (thesaret shpirtërore). Nga ana tjetër, një njeri që është i padrejtë në përdorimin e parave që Perëndia i ka besuar atij, është i padrejtë edhe kur vjen fjala për gjëra më të mëdha. Parëndësia relative e parave theksohet nga shprehja në të vogla.

16:11 Kushdo që është i pandershëm në përdorimin e pasurive të padrejta për Zotin nuk mund të presë që Zoti t’i besojë atij pasuri më të mëdhaja. Paraja është quajtur pasuri e padrejtë. Ajo nuk është e keqe në vetvete. Dhe ndoshta nuk do të kishte nevojë për para nëse mëkati nuk do të kishte hyrë në këtë botë. Dhe paraja është e padrejtë sepse ajo përgjithësisht përdoret për qëllime të tjera dhe jo për lavdi të Perëndisë. Ajo këtu është vënë në kontrast me pasuritë e vërteta. Vlera e parasë është e pasigurt dhe e përkohshme; vlera e realiteteve frymërore është e qëndrueshme dhe e përjetshme.

16:12 Vargu 12 bën dallim midis asaj që është e dikujt tjetër dhe asaj që është e jona. Gjithçka që ne kemi, paraja jonë, koha jonë, talentet tona – i përkasin Zotit, dhe ne duhet t’i përdorim ato për Të. Ajo që është e jona i referohet shpërblimeve që ne korrim në këtë jetë dhe në jetën që do të vijë si rrjedhim i shërbesës sonë besnike për Krishtin. Nëse ne nuk kemi qenë besnikë në atë që është e Tij, si mund të na japë Ai ne atë që është jona?

16:13 Është e pamundur të jetosh për gjërat dhe për Perëndinë në të njëjtën kohë. Nëse ne mposhtemi nga paraja, ne nuk mund të jemi në të vërtetë duke i shërbyer Zotit. Që të grumbullojmë pasuri, ne duhet t’ia kushtojmë përpjekjet tona më të mira detyrës. Kur veprojmë kështu ne i vjedhim Perëndisë atë që me të drejtë është e Tij. Është çështje e një besnikërie të ndarë. Motivet janë të përziera. Vendimet nuk merren me paanësi. Atje ku është thesari ynë atje është edhe zemra jonë. Duke u përpjekur për të fituar pasuri, ne i shërbejmë mamonit. Është e pamundur t’i shërbesh Perëndisë në të njëjtën kohë. Mamoni thërret për gjithçka që ne kemi dhe jemi – mbrëmjet tona, fundjavat tona, kohën që duhet t’i japim Zotit.

X. Farisenjtë lakmitarë (16:14-18)

16:14 Farisenjtë nuk ishin vetëm krenarë dhe hipokritë, ata ishin lakmues në të njëjtën kohë. Ata mendonin që perëndishmëria e tyre ishte një rrugë fitimi. Ata e kishin zgjedhur fenë si dikush mund të zgjedhë një profesion të zakonshëm. Shërbesa e tyre nuk ishte për të lavdëruar Perëndinë dhe për të ndihmuar fqinjët e tyre, por për më tepër për të pasuruar vetveten. Kur dëgjonin Zotin Jezus që thoshte se ata duhet të braktisin pasuritë e kësaj bote dhe të grumbullonin thesare në qiell, ata e tallnin Atë. Për ta paraja ishte më e vërtetë se premtimet e Perëndisë. Asgjë nuk do t’i ndalonte ata prej grumbullimit të pasurisë.

16:15 Në pamjen e jashtme farisenjtë dukeshin si njerëz besimtarë dhe frymërorë. Ata e llogaritnin veten të drejtë në sy të njerëzve. Por poshtë kësaj maske mashtruese, Perëndia shikonte lakminë e zemrave të tyre. Ai nuk mund të mashtrohej nga pretendimet e tyre. Lloji i jetës që ata shfaqnin dhe që të tjerët aprovonin (Psalmi 49:18), ishte një gjë e neveritshme në sy të Perëndisë. Ata e vlerësonin veten si njerëz të suksesshëm sepse ata kombinonin një profesion fetar me bollëkun financiar. Por për sa i përket Perëndisë, ata ishin shkelës të kurorës nga ana shpirtërore. Ata rrëfenin se kishin dashuri për Jehovain, por në të vërtetë mamoni ishte perëndia i tyre.

16:16 Vazhdimi nga vargu 16 deri në 18 është shumë i vështirë për t’u kuptuar. Në lexim të parë, duken sikur nuk kanë fare lidhje me atë çfarë parapriu si dhe me atë që do të pasojë. Megjithatë, ne mendojmë se këto vargje mund të kuptohen drejt nëse ne mbajmë mend që subjekti i kapitullit 16 është kopracia dhe pabesnikëria e farisenjve. Ata që krenoheshin se zbatonin ligjin me kujdes, zbulohen si hipokritë dorështrënguar. Shpirti i ligjit është në një kontrast të mprehtë me shpirtin e farisenjve.

Ligji dhe profetët arrijnë deri në kohën e Gjonit. Me këto fjalë Zoti përshkroi epokën ligjore që filloi me Moisiun dhe përfundoi me Gjon Pagëzorin. Por tani po inagurohej një epokë e re. Nga koha e Gjonit, ungjilli i mbretërisë së Perëndisë kishte filluar të shpallej. Pagëzori shkoi përpara duke lajmëruar ardhjen e Mbretit të ligjshëm të Izraelit. Ai u tha njerëzve që nëse do të pendoheshin, Zoti Jezus do të mbretëronte mbi ta. Si rezultat i predikimit të tij dhe më pas të predikimeve të Zotit Vetë dhe të dishepujve, pati një përgjigje të etur nga ana e një pjese të madhe.

“Gjithkush përpiqet të hyjë aty,” do të thotë se ata që iu përgjigjën mesazhit në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës sulmuan drejt mbretërisë. Tagrambledhësve dhe mëkatarëve, për shembull, iu desh të hidheshin mbi bllokadat që ishin ngritur prej farisenjve. Të tjerëve iu desh të merreshin shumë me dashurinë për para që ekzistonte në zemrën e tyre. Paragjykimet duhet të kaloheshin.

16:17, 18 Por epoka e re nuk do të thoshte që të vërtetat themelore morale ishin anuluar. Do të ishte më e lehtë që të mbaronin qielli dhe toka, sesa të binte poshtë qoftë edhe një pikë e ligjit. Një pikë e ligjit mund të krahasohet me vijën që përshkon shkronjën “t” ose me pikën që mban shkronja “i.” Farisenjtë mendonin se ishin në mbretërinë e Perëndisë, por Zoti po thoshte në të vërtetë që, “ju nuk mund të mospërfillni ligjet morale të Perëndisë dhe përsëri të thoni se keni një vend në mbretëri.” Ndoshta ata do të pyesnin, “Çfarë urdhërime morale jemi duke mospërfillur ne?” Zoti atëherë i drejtoi mendjet e tyre tek ligji i martesës si një ligj që kurrë nuk do të bjerë poshtë. Çdo njeri që ndan gruan e tij dhe merr një tjetër, shkel kurorën; dhe ai që martohet me një grua të ndarë nga burri, shkel kurorën. Kjo është pikërisht ajo që farisenjtë po bënin në anën frymërore. Judenjtë ishin në një pozicion besëlidhjeje me Perëndinë. Por këta Farisenj tani ishin duke i kthyer kurrizin e tyre Perëndisë për shkak të pasurisë. Dhe ndoshta vargu sugjeron që ata ishin fajtorë për shkelje kurore si në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës ashtu si edhe në anën frymërore.

Y. I pasuri dhe Llazari (16:19-31)

16:19-21 Zoti e mbyll bisedën e Tij mbi administrimin e gjërave materiale duke treguar historinë e dy jetëve, dy vdekjeve dhe dy të ardhmeve. Duhet patur parasysh që kjo nuk është një shëmbëlltyrë. Ne e përmendim këtë sepse shumë kritikë duket se zbusin nënkuptimet solemne të historisë duke e titulluar atë një shëmbëlltyrë.

Në pamje të jashtme, duhet bërë e qartë që njeriu i pasur, emri i të cilit nuk është dhënë, nuk ishte dënuar në ferr për shkak të pasurisë së tij. Baza e shpëtimit është besimi te Zoti Jezus, dhe njerëzit dënohen sepse refuzojnë të besojnë në Të. Por ky i pasur tregoi që nuk kishte patur besim të vërtetë shpëtues duke mospërfillur në një mënyrë të pakujdesshme lypësin që rrinte para derës së tij. Nëse ai do të kishte patur dashurinë e Perëndisë në të, nuk do të kishte jetuar në luks dhe rehati, kur një njeri tjetër ishte jashtë derës së tij duke lypur për ca thërrime buke. Ai do të kishte hyrë në mbretëri duke braktisur dashurinë e tij për para.

Po kështu është e vërtetë që Llazari nuk ishte shpëtuar për shkak të varfërisë së tij. Ai kishte besuar Zotin për shpëtimin e shpirtit të tij.

Tani vini re portretin e burrit të pasur, ndonjëherë i quajtur Dives (fjala latine për i pasur). Ai vishte gjithmonë rrobat më të shtrenjta dhe tryeza e tij ishte plot me ushqime të zgjedhura për të. Ai jetonte për veten, duke plotësuar kënaqësitë dhe orekset e trupit të tij. Ai nuk kishte dashuri të vërtetë për Perëndinë dhe as kujdes për njerëzit përreth tij.

Llazari paraqet një kontrast të fortë. Ai ishte një lypës i mjerë, që qëndronte çdo ditë te dera e njeriut të pasur, plot me plagë, i tretur nga uria dhe i plagosur nga qentë e papastër që vinin për të lëpirë plagët e tij.

16:22 Kur lypësi vdiq, ai u çua nga engjëjt në gji të Abrahamit. Shumë pyesin nëse engjëjt janë ata që transportojnë shpirtrat e besimtarëve në qiell. Megjithatë, ne nuk shohim ndonjë arsye për të dyshuar forcën e qartë të fjalëve. Engjëjt u shërbejnë besimtarëve në këtë jetë, dhe nuk ka përse të mos e bëjnë këtë gjë edhe në kohën e vdekjes. Gjiri i Abrahamit është një shprehje simbolike e përdorur për të treguar vendin e lumturisë. Për Judenjtë, mendimi i të gëzuarit përbashkësi me Abrahamit sugjeron një hare të papërshkrueshme. Ne i marrim fjalët në gji të Abrahamit me kuptimin e qiellit. Kur njeriu i pasur vdiq, trupi i tij u varros – trupi të cilit ai ia kishte plotësuar të gjitha kërkesat dhe për të cilin kishte shpenzuar aq shumë.

16:23, 24 Por kjo nuk ishte e gjitha. Shpirti i tij, ose vetja e ndërgjegjësuar, shkoi në Hades. Hadesi është fjala greke për Sheol nga DhV, gjendja e shpirtrave të larguar nga trupi. Në periudhën e DhV, ky mendohej të ishte vendi i qëndrimit të të pashpëtuarve dhe të shpëtuarve bashkë. Këtu është treguar si vendi i qëndrimit të të pashpëtuarve, sepse lexojmë që i pasuri ishte vuajtje.

Për Judenjtë do të kishte qenë një goditje e fortë, kur Jezusi tha që ky Jude i pasur shkoi në Hades. Nga DhV, ata kishin mësuar gjithmonë që pasuritë ishin një shenjë e bekimeve dhe favorizimit të Perëndisë. Kur një izraelit i bindej Zotit atij i premtohej bollëk material. Atëherë si mund të shkonte një i pasur Jude në ferr? Zoti Jezus sapo kishte shpallur që një rregull i ri i gjërave kishte filluar me predikimin e Gjonit. Prej atëherë, pasuritë nuk ishin një shenjë bekimi. Ato janë një provë e besnikërisë së njeriut në administrimin e tyre. Atij që i është dhënë shumë, do t’i kërkohet shumë.

Vargu 23 hedh poshtë idenë e “fjetjes së shpirtit,” teoria që shpirti nuk është i vetëdijshëm për sa i përket kohës midis vdekjes dhe ringjalljes. Ky varg provon që ka një ekzistencë të vetëdijshme përtej varrit. Në fakt, ne habitemi nga dija e gjerë që kishte i pasuri. Ai … pa nga larg Abrahamin dhe Llazarin në gji të tij. Madje ai ishte në gjendje të komunikonte me Abrahamin. Duke i thirrur atij o atë Abraham, ai iu lut për mëshirë, duke iu përgjëruar që Llazari t’i çonte një pikë ujë për të freskuar gjuhën e tij. Sigurisht që lind pyetja se si një shpirt i patrup mund të përjetojë etje dhe vuajtje nga flakët. Ne mund të themi vetëm që gjuha e përdorur është figurative, por kjo nuk do të thotë që vuajtjet nuk ishin të vërteta.

16:25 Abrahami iu drejtua atij si bir, duke sugjeruar që ai ishte një pasardhës fizik i tij, por jo një pasardhës frymëror. Patriarku i kujtoi atij kohën e jetës që kishte kaluar në luks, komoditet dhe përmbushje të dëshirave të tij. Ai gjithashtu i kujtoi varfërinë dhe vuajtjen e Llazarit. Tani, përtej varrit, rolet ishin ndryshuar. Pabarazitë e tokës kishin ndryshuar drejtim.

16:26 Ne mësojmë këtu që zgjedhjet që bëjmë në këtë jetë përcaktojnë destinacionin tonë të përjetshëm, dhe sapo vjen vdekja, ky fat bëhet i caktuar përgjithmonë. Nuk ka kalim nga banesa e të shpëtuarve për në atë të të dënuarve, ose e kundërta.

16:27-31 Në vdekje, njeriu i pasur u bë menjëherë ungjilltar. Ai dëshironte që dikush të shkonte tek pesë vëllezërit e tij dhe t’i paralajmëronte që të mos shkonin në atë vend mundimesh. Përgjigjja e Abrahamit ishte se këta pesë vëllezër duke qenë Judenj kishin Shkrimet e DhV, dhe ato ishin të mjaftueshme për t’i paralajmëruar ata. I pasuri e kundërshtoi Abrahamin duke i thënë se nëse dikush nga të vdekurit do të shkonte tek ata, ata me siguri që do të pendoheshin. Megjithatë, Abrahami kishte fjalën e fundit për të thënë. Ai tha që dështimi në të dëgjuarit e Fjalës së Perëndisë është përfundimtar. Nëse njerëzit nuk do t’i vënë veshin Biblës, nuk do të besojnë edhe sikur një person të ringjallej së vdekurish. Kjo provohet përfundimisht me rastin e Vet Zotit Jezus. Ai u ringjall prej së vdekurish dhe njerëzit përsëri nuk besojnë.

Nga DhR ne dimë se kur një besimtar vdes, trupi i tij shkon në varr, por shpirti i tij shkon për të qenë me Krishtin në qiell (2 e Korintasve. 5:8; Filipianeve. 1:23). Kur një jobesimtar vdes, trupi i tij gjithashtu shkon në varr, por shpirti i tij shkon në Hades. Për të Hadesi është një vend vuajtjesh dhe mundimesh.

Në kohën e Rrëmbimit të Kishës, trupat e besimtarëve do të ngrihen nga varret dhe do të ribashkohen me frymën edhe me shpirtin e tyre (1 Thes. 4:13-18). Atëherë ata do të banojnë me Krishtin në përjetësi. Në Gjykimin e Fronit të Madh të Bardhë, trupat, frymërat dhe shpirtrat e jobesimtarëve do të ribashkohen (Zbulesa 20:12, 13). Ata do të hidhen më pas në liqenin e zjarrit, një vend dënimi i përjetshëm.

Dhe kështu kapitulli 16 mbyllet me një paralajmërim solemn ndaj farisenjve dhe ndaj gjithë atyre që jetojnë për para. Ata e bëjnë këtë për humbje të shpirtrave të tyre. Është më mirë të lypësh për bukë këtu në tokë sesa të lypësh për ujë në ferr.


[previous][next]
[[1]](12:2, 3) Godet, Luke, II:89.[[1]] [[2]] J. R. Miller, Come Ye Apart.[[2]] [[3]] Kelly, Luke, fq. 214.[[3]] [[4]] Lang, Parabolic Teaching, fq. 230.[[4]] [[5]] Ryle, Gospels, St. Luke, II:86.[[5]] [[6]](14:34, 35) Kelly, Luke, fq. 249.[[6]] [[7]] Stewart, Life and Teaching, fq. 77, 78.[[7]] [[8]] Arthur T. Pierson, dokumentacion i mëtejshëm.[[8]] [[9]] J. N. Darby, The Man of Sorrows, fq. 178.[[9]]