PASIONI DHE VDEKJA E BIRIT TË NJERIUT (Kapitujt 22, 23)

A. Komploti për ta vrarë Jezusin (22:1, 2)

22:1 Festa e të Ndormëve këtu i referohet periudhës që fillon me Festën e Pashkëve dhe zgjat për shtatë ditë të tjera gjatë së cilave nuk hahej bukë me maja. Pashka festohej në ditën e katërmbëdhjetë të muajit Nisan, muaji i parë i vitit Jude. Shtatë ditët duke filluar nga data pesëmbëdhjetë e muajit deri në njëzet e një njiheshin si festa e të Ndormeve, por në vargun 1, ky emër përfshin të gjithë festën. Nëse Lluka kishte qenë duke shkruar në radhë të parë për Judenjtë nuk ishte e nevojshme që ai të përmendte lidhjen midis festës së të Ndormeve dhe pashkës.

22:2 Krerët e priftërinjve dhe skribët ishin duke komplotuar pa pushim se si ta vrisnin Jezusin, por kuptuan që këtë gjë duhet ta bënin pa shkaktuar ndonjë rrëmujë, sepse kishin frikë nga populli dhe e dinin që shumë njerëz e vlerësonin shumë Jezusin.

B. Tradhtia e Judës (22:3-6)

22:3 Satani hyri në Judën e mbiquajtur Iskariot, një nga dymbëdhjetë dishepujt. Në Gjoni 13:27, ky veprim thuhet se ka ndodhur pasi Jezusi i kishte dorëzuar atij kafshoren e bukës gjatë darkës së Pashkës. Përfundimi që ne nxjerrim është se kjo gjë mund të ketë ndodhur në fazat e mëparshme, ose që Lluka ka qenë duke theksuar më tepër faktin sesa kohën në të cilën ndodhi ky veprim.

22:4-6 Sidoqoftë, Juda bëri një pazarllëk me krerët e priftërinjve dhe me krerët e rojës, pra me komandantët e rojave të tempullit Jude. Ai kishte bërë me kujdes një plan me të cilin do të mund ta tradhëtonte Jezusin në duart e tyre pa shkaktuar ndonjë trazirë. Plani ishte tërësisht i pranueshëm dhe ata i premtuan t’i jepnin para – tridhjetë monedha argjendi, siç mësojmë diku tjetër. Kështu Juda u largua për të shpënë në vend detajet e skenës së tradhtisë.

C. Përgatitjet për Pashkën (22:7-13)

22:7 Ka disa probleme në lidhje me periudhat kohore të përmendura në këto vargje. Dita e të Ndormeve normalisht mund të mendohet si data trembëdhjetë Nisan kur e gjithë buka me maja duhet të largohet nga një shtëpi Judease. Por këtu thuhet se ishte dita në të cilën duhej të sakrifikohej pashka, dhe kjo bën që data të jetë katërmbëdhjetë Nisan. Leon Morris, së bashku me shkollarë të tjerë, sugjeron që për Pashkën përdoreshin dy kalendarë, një zyrtar dhe një që ndiqej nga Jezusi dhe të tjerët. [60] Ne besojmë që ngjarjet e së Enjtes përfundimtare fillojnë këtu dhe vazhdojnë deri tek vargu 53.

22:8-10 Zoti dërgoi Pjetrin dhe Gjonin në Jeruzalem për të bërë përgatitjet për darkën e Pashkës. Në udhëzimet që u dha atyre Ai tregoi se kishte dije të plotë për të gjitha gjërat që do t’u ndodhnin. Kur të hynin në qytet, një burrë do t’i takonte ata duke mbajtur një brokë uji. Kjo ishte një pamje e pazakontë në një qytet të lindjes; zakonisht ishin gratë ato që mbanin brokat e ujit. Burri këtu jep një paraqitje të këndshme të Frymës së Shenjtë, që i drejton shpirtrat kërkues në vendin e përbashkësisë me Zotin.

22:11-13 Zoti jo vetëm që e paradinte vendin dhe rrugën e këtij burri, por ai dinte gjithashtu që i zoti i një shtëpie do të dëshironte të përgatiste një sallë të madhe të shtruar për Të dhe dishepujt e Tij. Ndoshta ky burrë e njihte Zotin dhe ia kishte kushtuar veten dhe mallin e tij plotësisht Zotit. Ka një ndryshim midis një dhome [ku njerëzit flejnë] dhe një salle të madhe të shtruar. I zoti i shtëpisë ishte shumë bujar dhe u dha dishepujve një vend më të mirë sesa ata kërkuan. Kur Jezusi u lind në Betlehem, s’kishte vend për Të në han (Gr: kataluma). Këtu Ai u tha dishepujve që të kërkonin një sallë (Gr: kataluma), por iu dha atyre diçka shumë më të mirë – një sallë të madhe të shtruar.

Çdo gjë ishte ashtu siç e kishte parashikuar Ai, kështu dishepujt përgatitën Pashkën.

D. Pashka e fundit (22:14-18)

22:14 Për shekuj me radhë, Judenjtë kishin festuar Pashkën, si një përkujtim i çlirimit të madhërishëm nga Egjipti dhe vdekja nëpërmjet gjakut të qengjit të patëmetë. Sa e gjallë duhet të jetë shfaqur e gjitha kjo në mendjen e Shpëtimtarit ndërkohë që Ai u ul në tryezë me apostujt e Tij për të festuar Pashkën për herë të fundit. Ai ishte Qengji i Pashkës gjaku i të cilit do të derdhej së shpejti për shpëtimin e të gjithë atyre që do të besonin në Të.

22:15, 16 Kjo Pashkë e veçantë mbarte një domethënie të papërshkrueshme për Të, dhe Ai e dëshironte me zjarr atë përpara se të vuante. Ai nuk do ta hante më Pashkën derisa të kthehej në tokë dhe të vendoste mbretërinë e Tij të lavdishme. Domethënia e “Kam pasur dëshirë të madhe” mbart në vetvete ndjenjën e një dëshire të zjarrtë dhe plot pasion. Këto fjalë zhbiruese i ftojnë të gjithë besimtarët e çfarëdo epoke dhe vendi të konsiderojnë se me sa zjarr dëshiron Jezusi të ulet me ne në tryezën e Tij.

22:17, 18 Kur Ai mori në dorë kupën e verës si një pjesë e ritit të Pashkës, Ai falënderoi për të dhe ia kaloi dishepujve, duke u kujtuar atyre edhe njëherë që Ai nuk do të pinte më nga fryti i hardhisë derisa të vijë Mbretërimi i Tij Mijëvjeçar. Përshkrimi i ushqimit të Pashkës përfundon me vargun 18.

E. Darka e Parë e Zotit (22:19-23)

22:19, 20 Pashka e fundit u pasua menjëherë nga Darka e Zotit. Zoti Jezus e zëvendësoi këtë përkujtim të shenjtë kështu që ndjekësit e Tij nëpër shekuj ta kujtojnë Atë në vdekjen e Tij. Para së gjithash u dha atyre bukën, një simbol i trupit të Tij që së shpejti do të jepej për ta. Më pas kupa foli për gjakun e Tij të shtrenjtë që do të derdhej në kryqin e Kalvarit. Ai e quajti atë kupa e besëlidhjes së re gjakun e Tij, që u derdh për të Tijët. Kjo do të thotë që besëlidhja e re që Ai bëri kryesisht me kombin e Izraelit, u ratifikua me gjakun e Tij. Përmbushja e plotë e Besëlidhjes së Re do të ndodhte gjatë mbretërimit të Zotit tonë Jezus Krisht mbi tokë, por ne si besimtarë hyjmë në të mirat e saj që tani.

Duhet të kuptohet vetvetiu që buka dhe vera ishin përfaqësuesit tipikë të trupit dhe gjakut të Tij. Trupi i Tij nuk ishte dhënë ende, po kështu edhe gjaku nuk ishte derdhur. Prandaj është absurde të sugjerosh që simbolet ishin shndërruar mrekullisht në realitete. Judenjve u ndalohej të hanin gjak, dhe dishepujt e dinin që Ai nuk po fliste për gjakun real, por për atë që tipizonte gjakun e Tij.

22:21 Duket qartë që Juda ishte i pranishëm në darkën e fundit. Megjithatë, në Gjoni 13, duket po aq qartë që tradhtari u largua nga dhoma pasi Jezusi i dorëzoi copën e bukës të ngjyer në uthull. Përderisa kjo ndodhi përpara se Zoti të vendoste Darkën e Zotit, shumë veta besojnë që Juda nuk ishte i pranishëm kur buka dhe vera u kaluan dorë më dorë.

22:22 Vuajtjet dhe vdekja e Zotit Jezus ishin caktuar, por Juda e tradhtoi Atë me vullnetin e tij të plotë. Prandaj Jezusi tha, “Mjerë ai njeri me anë të të cilit është tradhtuar.” Megjithëse Juda ishte një nga të dymbëdhjetët ai nuk ishte një besimtar i vërtetë.

22:23 Vargu 23 zbulon diçka të çuditshme për dishepujt. Ata nuk e dinin cili prej tyre do të ishte fajtor për këtë gjë të tmerrshme.

F. Shërbesa është madhështia e vërtetë (22:24-30)

22:24, 25 Është një padi e tmerrshme e zemrës së njeriut që menjëherë pas Darkës së Zotit, dishepujt filluan të grindeshin midis tyre se cili nga ata ishte më i madhi! Zoti Jezus u kujtoi atyre që në ekonominë e Tij, madhështia ishte e kundërta e asaj që mendojnë njerëzit. Mbretërit që sundonin mbi kombet mendoheshin se ishin njerëz të mëdhenj; në fakt ata quheshin “bamirës.” Por ky ishte vetëm një titull; pasi në të vërtetë ata ishin tiranë mizorë. Ata kishin emrin e mirësisë, por nuk kishin karakteristika personale që përputheshin me këtë emër.

22:26 Nuk duhet të ishte kështu me ndjekësit e Jezusit. Ata që dëshironin të ishin të mëdhenj, duhet të zinin vendin e më të voglit. Dhe ata që dëshironin të ishin drejtues, duhet të përkuleshin në shërbesat më të ulta ndaj të tjerëve. Këto thënie revolucionare kundërshtonin plotësisht traditat e zakonshme sipas të cilave i vogli është inferior ndaj të madhit, dhe drejtuesi manifeston madhështinë e tij.

22:27 Në vlerësimin e njerëzve, ishte diçka më e madhe të ishe i ftuar në një drekë sesa të shërbeje ushqimin. Por Zoti Jezus erdhi si një shërbëtor i njerëzve, dhe të gjithë ata që do ta ndjekin Atë duhet ta imitojnë në këtë gjë.

22:28-30 Ishte tepër e hirshme nga ana e Zotit t’i lavdëronte dishepujt që kishin qëndruar megjatë sprovave të Tij. Ata sapo ishin grindur me njëri-tjetrin. Së shpejti ata do ta braktisnin Atë dhe do të largoheshin. Dhe përsëri Ai e dinte që në zemrat e tyre, ata e donin Atë dhe kishin duruar qortime për shkak të Tij. Shpërblimi i tyre do të ishte të ulurit mbi frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit kur Krishti kthehet për të marrë fronin e Davidit dhe për të qeverisur mbi tokë. Me atë siguri që Ati i kishte premtuar Krishtit këtë mbretëri, Krishti i siguronte të tijët për mbretërimin e tyre me Të mbi Izraelin e ri.

G. Jezusi parashikon mohimin e Pjetrit (22:31-34)

Tani vjen fundi i serisë së tre kapitujve të errët në historinë e errët të mosbesnikërisë njerëzore. E para ishte tradhtia e Judës. E dyta ishte ambicja egoiste e dishepujve. Tani ne kemi frikësimin e Pjetrit.

22:31, 32 Përsëritja Simon, Simon, flet për dashurinë dhe butësinë e zemrës së Krishtit për dishepullin e Tij të luhatur. Satani kishte kërkuar t’i shoshte të gjithë dishepujt ashtu siç shoshet gruri. Jezusi iu drejtua Pjetrit si përfaqësues i të gjithëve. Por Zoti ishte lutur për Simonin që besimi i tij të mos pësonte një rënie. (“Unë jam lutur për ty” janë fjalë të jashtëzakonshme) Pasi ai të kthehej tek Jezusi, ai duhet të forconte vëllezërit e tij. Ky “kthim” nuk i referohet shpëtimit, por restaurimit nga mohimi i tij bërë ndaj Jezusit.

22:33, 34 Me një vetbesim të pavend, Pjetri shprehu gatishmëri për ta shoqëruar Jezusin në burg dhe në vdekje. Por atij iu tha që përpara se drita e diellit të mëngjesit të agonte plotësisht, ai do të mohonte tre herë se e njihte Zotin!

Marku 14:30, Zoti citohet duke thënë që përpara se gjeli të këndojë dy herë, Pjetri do ta mohonte Atë tre herë. Në Mateu 26:34; Lluka 22:34; Gjoni 13:38, Zoti tha që përpara se gjeli të këndonte Pjetri do ta mohonte Atë tre herë. Pranohet që është e vështirë të pajtosh me njëra-tjetrën këto dy kontradikta në dukje. Është e mundshme që kishte më shumë se një të kënduar të gjelit, një gjatë natës dhe një në agim. Gjithashtu duhet vënë re që Ungjijtë shënojnë të paktën gjashtë mohime të Pjetrit. Ai e mohoi Krishtin përpara:

1. Një gruaje të re (Mat. 26:69, 70; Mar. 14:66-68).

2. Një gruaje tjetër të re (Mat. 26:71, 72).

3. Turmës që qëndronte aty (Mat. 26:73, 74; Mar. 14:70, 71).

4. Një burri (Lluka 22:58).

5. Një burri tjetër (Lluka 22:59, 60).

6. Një shërbëtori të kryepriftit (Gjo. 18:26, 27). Ky burrë është i ndryshëm nga të tjerët për shkak të atyre që tha – “A nuk të pashë në kopësht bashkë me Të?” (v. 26)

H. Urdhëra të rinj marshimi (22:35-38)

22:35 Në fillim të shërbesës së Tij, Zoti i dërgoi dishepujt pa trasta, pa thes dhe pa sandale – e pakta. Gjërat bazë do të ishin të mjaftueshme për ta. Dhe kështu ndodhi. Atyre u duhej të rrëfenin se nuk u kishte munguar asgjë.

22:36 Por tani Ai ishte gati për t’i lënë dhe ata do të hynin në një fazë të re shërbimi për Të. Ata do të ndesheshin me varfërinë, urinë dhe rrezikun dhe do të ishte e nevojshme për ta që të siguronin nevojat e tyre të ngutshme. Tani u duhej të merrnin një trastë, një thes dhe në mungesë të shpatës u duhej të shisnin rrobën e vet dhe të blinin një. Çfarë donte të thoshte Shpëtimtari kur u tha dishepujve se u duhej të blinin një shpatë? Duket qartë që nuk mund të nënkuptonte marrjen e një shpate si një armë mbrojtëse kundër të tjerëve. Kjo do të ishte në kundërshtim me mësimet e Tij në pjesë të tilla si:

“Mbretëria ime nuk është e kësaj bote, po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin …” (Gjo. 18:36).

“Të gjithë ata që rrokin shpatën prej shpatës do të vdesin.” (Mat. 26:52)

“Duajini armiqtë tuaj …”(Mat. 5:44)

“N.q.s. dikush të qëllon mbi faqen e djathtë, ktheja dhe tjetrën” (Mat. 5:39; shiko edhe 2 Kor. 10:4)

Atëherë çfarë dëshironte të thoshte Jezusi kur përmendi shpatën?

1. Disa sugjerojnë që Ai po i referohej shpatës së Frymës që është Fjala e Perëndisë (Ef. 6:17). Kjo është e mundshme, por më pas duhet të merren në kuptimin frymëror edhe trastat, thesi dhe rroba.

2. Williams thotë që shpata nënkupton mbrojtjen e një qeverie, duke treguar që në Romakëve 13:4, ajo i referohet fuqisë së eprorit.

3. Lange thotë që shpata është për t’u mbrojtur kundër armiqve njerëzore, por jo për sulm. Por Mateu 5:39 duket se nuk lejon përdorimin e shpatës edhe për qëllim mbrojtës.

4. Disa mendojnë që shpata ishte për mbrojtje vetëm kundër kafshëve të egra. Kjo është e mundshme.

22:37 Vargu 37 shpjegon përse ishte e domosdoshme për dishepujt për të marrë një trastë, thes dhe shpatë tani. Zoti kishte qenë me ta, deri në këtë pikë, duke siguruar për ta nevojat e përkohshme. Së shpejti Ai do të nisej prej tyre në përputhje me profecinë e Isaias 53:12. Gjërat në lidhje me Të kishin një kryerje, që do të thotë se jeta dhe shërbesa e Tij në tokë do të mbaronte një ditë kur Ai të radhitej ndër keqbërësit.

22:38 Dishepujt e keqkuptuan tërësisht Zotin. Ata nxorën dy shpata, duke thënë se ato do të ishin të mjaftueshme për çdo problem që mund t’u dilte përpara. Zoti Jezus e mbylli bisedën duke thënë “Mjaft.” Ata menduan ndoshta që do të mund t’i ndalonin përpjekjet e armiqve të Tij, të cilët përpiqeshin për ta vrarë Atë, duke përdorur ato shpata. Ky ishte mendimi më i pamundur që mund të dilte nga mendja e Tij!

I. Agonia në Gjetsemani (22:39-46)

22:39 Kopshti i Gjetsemanisë ndodhej në anën perëndimore të Malit të Ullinjve. Jezusi shkonte shpesh atje për t’u lutur, dhe dishepujt, duke përfshirë edhe tradhtarin, e dinin këtë vend.

22:40 Në fund të Darkës së Zotit, Jezusi dhe dishepujt e lanë sallën dhe u nisën për në kopësht. Sapo arritën atje, Ai i paralajmëroi të luteshin që të mos hynin në tundim. Ndoshta tundimi i veçantë që Ai kishte në mendje ishte presioni për të braktisur Perëndinë dhe Krishtin e Tij kur të afroheshin armiqtë.

22:41, 42 Më pas Jezusi i la dishepujt dhe iku më tej në kopësht ku u lut vetëm. Lutja e Tij ishte që nëse Ati dëshironte, kjo kupë të mund të largohej prej Tij, por sido që të ishte Ai dëshironte që të bëhej vullneti i Perëndisë dhe jo i Tiji. Ne e kuptojmë kështu këtë lutje: Nëse ka ndonjë rrugë tjetër me anë të së cilës mund të shpëtohen mëkatarët, ndryshe nga kryqi, zbuloje atë tani. Qiejt heshtën, sepse nuk kishte rrugë tjetër.

Ne nuk besojmë që vuajtjet e Krishtit në kopësht ishin pjesë e veprës së Tij shpenguese. Kjo vepër u plotësua gjatë tre orëve të errësirës mbi kryq. Por Gjetsemania ishte gjatë rrugës për në Kalvar. Mendimi i takimit me mëkatet tona i shkaktoi Zotit vuajtjen më therëse.

22:43, 44 Njerëzishmëria e përsosur e Tij shihet në agoninë që shoqëroi rraskapitjen e Tij. Një engjëll iu shfaq nga qielli për t’i dhënë forcë. Vetëm Lluka e ka shënuar faktin që djersa e Tij po i bëhej si gjak i mpiksur. Ky detaj i fundit tregon interesin e një doktori të kujdesshëm [dmth, Llukës].

22:45, 46 Kur Jezusi u kthye tek dishepujt e Tij, ata ishin duke fjetur, jo nga indiferenca, por për më tepër nga kapitja e trishtimit. Edhe një herë Ai i bëri thirrje të çoheshin dhe të luteshin, sepse ora e krizës po afronte dhe ata do të tundoheshin për ta mohuar Atë përpara autoriteteve.

J. Jezusi i tradhtuar dhe i arrestuar (22:47-53)

22:47, 48 Deri në këtë kohë, Juda kishte mbërritur me një grup krerësh të priftërinjve, pleqsh, dhe kapitenë të tempullit për të arrestuar Zotin. Sipas parapërgatitjeve të bëra, Juda duhet ta përcaktonte Jezusin duke e puthur. Stewart komenton:

Ishte prekja kurorëzuese e tmerrit, pika e fundit e poshtërsisë përtej së cilës nuk mund të shkojë më poshtërsia njerëzore, kur në kopësht Juda tradhtoi zotin e tij, jo me një të thirrur, shuplakë apo goditje, por me një puthje. [61]

Me një patos të fortë, Jezusi e pyeti “Judë, ti po e tradhton Birin e Njeriut me një puthje?”

22:49-51 Dishepujt kuptuan çfarë do të ndodhte dhe ishin gati për të sulmuar. Në fakt njëri prej tyre, dhe për të qenë të saktë, Pjetri, mori një shpatë dhe preu veshin e djathtë të shërbëtorit të kryepriftit. Jezusi e qortoi atë për përdorimin e mjeteve mishërore për të luftuar një luftë frymërore. Ora e Tij kishte ardhur, dhe qëllimet e paracaktuara të Perëndisë duhet të përmbusheshin. Plot hir, Jezusi preku veshin e viktimës dhe e shëroi.

22:52, 53 Duke iu kthyer krerëve Judenj dhe oficerëve, Jezusi i pyeti përse kishin ardhur kundër Tij sikur kërkonin një kusar të arratisur. A nuk kishte mësuar Ai përditë në oborret e tempullit, dhe ata nuk ishin përpjekur për ta marrë atëherë? Por Ai e dinte përgjigjen, Kjo ishte ora e tyre dhe e pushtetit të errësirës. Tani ishte gati mesnata e së Enjtes.

Duket sikur gjyqi fetar i Zotit tonë kishte tre faza. Së pari, Ai u çua përpara Anas. Më pas, doli përpara Kajafas. Dhe së fundi u nxor përpara Sinedrit. Ngjarjet që nga ky moment, e deri në vargun 65 ndoshta ndodhën midis orës 1 pas mesnate deri në 5 të mëngjesit të ditës së Premte.

K. Pjetri mohon Jezusin dhe qan me hidhërim (22:54-62)

22:54-57 Kur Zoti u soll përpara kryepriftit, Pjetri e ndiqte nga larg. Ai zuri vend mes atyre që po ngroheshin afër një zjarri në qendër të oborrit. Një shërbëtore e pa Pjetrin dhe tha duke thirrur se ai ishte një nga ndjekësit e Jezusit. Në mënyrë patetike Pjetri mohoi se e njihte Atë.

22:58-62 Pak pas kësaj, dikush tjetër drejtoi gishtin tregues drejt Pjetrit duke e shpallur atë një ndjekës të Jezusit Nazareas. Përsëri Pjetri mohoi akuzën. Mbasi kaloi rreth një orë, dikush tjetër e njohu Pjetrin si Galileas dhe si një dishepull të Zotit. Pjetri mohoi çdo gjë që burri tha. Por kësaj here mohimi i tij u cilësua nga kënga e gjelit. Në atë moment të errët, Zoti u kthye dhe e shikoi Pjetrin, dhe Pjetrit iu kujtua parashikimi i Tij që përpara se të këndonte gjeli ai do ta mohonte tre herë. Vështrimi i Birit të Njeriut e dërgoi Pjetrin jashtë nëpër natë për të qarë me hidhërim.

L. Ushtarët tallin Birin e Njeriut (22:63-65)

Ishin oficerët e ngarkuar me detyrën e ruajtjes së tempullit të shenjtë, ata që kapën Jezusin. Tani këta të ashtuquajturit roje të shtëpisë së shenjtë të Perëndisë filluan të talleshin me Jezusin dhe ta rrihnin. Pasi ia lidhën sytë, e goditën në fytyrë, e më pas e pyesnin që të dallonte atë që e goditi. Dhe kjo nuk është e gjitha, por Ai duroi këtë kundërshtim që iu bë Atij nga mëkatarët.

M. Gjyqi i mëngjesit përpara Sinedrit (22:66-71)

22:66-69 Kur lindi dita (5:00-6:00 në mëngjes), pleqtë … e çuan Jezusin në Sinedrin e tyre. Anëtarët e Sinedrit e pyetën Atë nëse Ai ishte Mesia. Jezusi tha se ishte diçka e pavlerë të diskutoje këtë çështje me ta. Ata nuk ishin të hapur për të pranuar të vërtetën. Por Ai i paralajmëroi ata duke u thënë se Ai që qëndronte para tyre në përulësi, një ditë do të ulet në të djathtën e fuqisë së Perëndisë (shiko Psalmin 110:1).

22:70, 71 Atëherë ata e pyetën Atë, nëse ishte Biri i Perëndisë. Nuk ka pikë dyshimi përse e pyetën. Për ta, Biri i Perëndisë ishte Ai që ishte i barabartë me Perëndinë. Zoti Jezus u përgjigj “Ju thoni se unë jam” (shiko Mar. 14:62). Kjo ishte gjithçka për të cilën ata kishin nevojë. A nuk e kishin dëgjuar ata Jezusin duke blasfemuar, duke u shpallur i barabartë me Perëndinë? Nuk kishte nevojë për një dëshmi tjetër. Por kishte një problem. Në ligjin e tyre, dënimi për blasfemi ishte dënimi me vdekje. E përsëri, Judenjtë ishin nën fuqinë Romake dhe nuk kishin autoritet për t’i vrarë të burgosurit. Kështu që ju duhej ta çonin Jezusin tek Pilati dhe ai nuk do të ishte fare i interesuar në një akuzë fetare si blasfemia. Kështu që atyre u duhej të zgjidhnin akuza politike ndaj Tij.

N. Jezusi përpara Pilatit (23:1-7)

23:1, 2 Pas shfaqjes përpara Sinedrit (gjithë asambleja), Jezusi u largua me shpejtësi për t’u çuar në një gjyq civil përpara Pilatit, guvernatori Romak. Nga krerët fetarë tani u sollën tre akuza politike kundër Tij. Para së gjithash, ata e akuzuan për përmbysjen e kombit, që do të thotë, se Ai e largonte popullin nga besnikëria ndaj Romës. Së dyti, ata thanë që Ai i ndalonte Judenjtë t’i jepnin taksat Cezarit. Së fundi, e akuzuan duke thënë se Ai e kishte shpallur vetveten një mbret.

23:3-7 Kur Pilati e pyeti Jezusin nëse Ai ishte Mbreti i Judenjve, Ai u përgjigj duke i thënë se ishte. Pilati nuk e interpretoi shpalljen e Tij si një kërcënim ndaj Perandorisë Romake. Pas një interviste private me Jezusin (Gjoni 18:33-38a), ai u kthye nga krerët e priftërinjve dhe nga populli duke thënë që nuk mundi të gjente asnjë faj në Të. Turma u bë më e padurueshme duke e akuzuar Jezusin për nxitje mosbesnikërie, duke filluar nga Galilea deri në Jeruzalem. Kur Pilati dëgjoi fjalën Galile, ai mendoi se gjeti një rrugëdalje për veten e vet. Galilea ishte nën juridiksionin e Herodit dhe kështu Pilati u përpoq të shmangte çdo lloj përfshirje të mëtejshme në këtë rast duke ia kthyer Jezusin Herodit. Ndodhi që në atë kohë Herodi po vizitonte Jeruzalemin.

Herod Antipas ishte i biri i Herodit të Madh, i cili masakroi fëmijët e Betlehemit. Ishte Antipas ai që vrau Gjon Pagëzorin i cili e kishte dënuar Herodin për marrëdhënie të jashtëligjshme me gruan e vëllait të vet. Ky ishte Herodi të cilin Jezusi e quajti “asaj dhelpre” në Lluka 13:32.

O. Pyetjet përçmuese të Herodit (23:8-12)

23:8 Herodi u gëzua shumë kur pa Jezusin të shfaqej përpara tij. Ai kishte dëgjuar shumë për Të, dhe prej shumë kohësh kishte shpresuar të shikonte ndonjë mrekulli të kryer prej Tij.

23:9-11 Pavarësisht sa shumë e pyeti Herodi Shpëtimtarin, ai nuk mori asnjë përgjigje. Judenjtë u bënë akoma më të egër në akuzat e tyre, por Jezusi nuk e hapi gojën e Tij. Herodi mendoi se gjithçka që mund të bënte ishte t’i lejonte ushtarët e tij ta merrnin Jezusin dhe ta tallnin duke e veshur me një rrobë të shkëlqyeshme dhe t’ia rikthente Pilatit.

23:12 Më parë, Herodi dhe Pilati kishin qenë armiq midis njëri-tjetrit, por tani armiqësia e tyre u shndërrua në miqësi. Ata ishin të dy në anën e kundërt të Jezusit dhe kjo gjë i bashkoi me njëri-tjetrin. Theophylact flet në lidhje me këtë: “Është e turpshme për të krishterët që ndërkohë që djalli bind të liqtë t’i lënë mënjanë armiqësitë e tyre me qëllim që të bëjë keq, të krishterët nuk mundin as të mbajnë miqësinë për të bërë mirë.”

P. Verdikti i Pilatit: i pafajshëm por i dënuar (23:13-25)

23:13-17 Ngaqë kishte dështuar në të vepruarit me drejtësi për të shfajësuar të burgosurin e tij mbretëror, Pilati tani gjendet i zënë në grackë. Ai organizoi një takim të shpejtë me krerët Judenj dhe u shpjegoi atyre se as… Herodi dhe as ai nuk kishin qenë në gjendje për të gjetur një provë mosbesnikërie tek Jezusi. “Ai s’ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen.” Kështu që propozoi që Zoti të rrihej dhe më pas të lëshohej. Siç ka thënë Stewart:

Ky kompromis shfajësimi ishte me siguri i pajustifikueshëm dhe jashtë logjike. Ishte përpjekja e një shpirti të mjerë të drejtuar nga frika për të bërë detyrën e tij ndaj Jezusit dhe në të njëjtën kohë të kënaqte turmën. Por nuk bëri asnjërën, dhe nuk është për t’u habitur që priftërinjtë e nevrikosur nuk e pranuan atë verdikt në asnjë lloj mënyre. [62]

23:18-23 Kryeprifti dhe krerët e tjerë tërbuan. Ata kërkuan vdekjen e Jezusit dhe lirimin e Barnabës, një kriminel i famshëm që ishte hedhur në burg për një trazirë të bërë në qytet dhe për vrasje. Përsëri Pilati u përpoq i lëkundur për të çliruar Zotin, por kërkesat dhe thirrjet e turmës e mbytën atë. Pavarësisht se ç’tha ai, ata ngulën këmbë në kërkesën e tyre për ta vrarë Birin e Perëndisë.

23:24, 25 Dhe megjithëse ai e kishte shpallur Jezusin të pafajshëm, Pilati tani e dënoi Atë me vdekje për të kënaqur turmën. Në të njëjtën kohë ai ua lëshoi Barnabën.

Q. Biri i Njeriut drejt Kalvarit (23:26-32)

23:26 Tani ishte pothuajse ora 9:00 e mëngjesit të së Premtes. Gjatë rrugës drejt kryqëzimit, ushtarët urdhëruan njëfarë Simoni, një kireneas për të mbartur kryqin. Nuk dihet shumë për këtë burrë, por duket që dy bijtë e tij u bënë të krishterë të mirënjohur (Mar. 15:21).

23:27-30 Një turmë simpatizantësh të Jezusit qau për Të kur Ai po largohej. Duke iu drejtuar grave në turmë si bija të Jeruzalemit, Ai u tha se ato nuk duhet ta mëshironin Atë, por veten e tyre. Ai ishte duke iu referuar shkatërrimit që do të zbriste mbi Jeruzalem në vitin 70 e.s.. Vuajtjet dhe trishtimi i atyre ditëve do të ishte aq i madh, saqë gratë shterpe, megjithëse një objekt fyerjesh, do të konsideroheshin fatlume. Tmerret e pushtimit të Titit do të ishin të tilla, saqë njerëzit do t’u luteshin maleve të binin mbi ta, dhe kodrave t’i mbulonin.       

23:31 Më pas Zoti Jezus shtoi fjalët, “Sepse nëse bëhet kështu me drurin e njomë, ç’do të bëhet me të thatin?” Ai vetë ishte druri i njomë, dhe Izraeli mosbesues ishte druri i thatë. Nëse Romakët grumbulluan një turp dhe një vuajtje të tillë mbi atë që ishte pamëkat, Biri i pafaj i Perëndisë, çfarë dënimi i tmerrshëm do të binte mbi vrasësit fajtorë të Birit të dashur të Perëndisë?

23:32 Në proces me Jezusin ishin edhe dy keqbërës të destinuar për ekzekutim.

R. Kryqëzimi (23:33-38)

23:33 Vendi i ekzekutimit quhej Kalvar [63] (nga latinishtja për “kafkë”). Ndoshta pamja e vendit ngjante me një kafkë, ose ndoshta quhej kështu sepse ishte vendi i vdekjes, dhe kafka shpesh është përdorur si një simbol i vdekjes. Kufizimi i Shkrimit në lidhje me kryqëzimin është diçka që ia vlen të vihet re. Nuk ka qëndrime të gjata mbi detajet e tmerrshme. Ekziston vetëm një thënie e thjeshtë, “aty e kryqëzuan atë.” Janë për t’u përmendur shënimet e Stewart:

Ishte shumë e vështirë për t’u besuar që Mesia do të vdiste, por që Ai do të vdiste me një vdekje të tillë ishte përtej çdo besimi. Gjithçka që Krishti preku – duke përfshirë edhe kryqin – u zbukurua, shndërrua dhe u kurorëzua me shkëlqim dhe bukuri; por të mos harrojmë kurrë çfarë thellësish tmerruese ka vendosur kryqi në lartësi. [64]

Oh, më mëso çfarë do të thotë

ai kryq i ngritur aq lart

me Atë, Njeriun e Dhembjeve

dënuar për të derdhur gjak dhe vdekur.

-Lucy A. Bennett

Atë ditë në Kalvar kishte tre kryqe, kryqi i Jezusit në mes, dhe nga një kryq kriminelësh në çdo anë të Tij. Kjo ishte një përmbushje e Isaias 53:12 – “Ai u përfshi midis keqbërësve.”

23:34 Me dashuri të pafund dhe me mëshirë Jezusi thirri nga kryqi “O Atë, fali sepse nuk dinë ç’bëjnë.” Kush e di çfarë Niagare e zemërimit hyjnor u shmang nga kjo lutje! Morgan komenton mbi dashurinë e Shpëtimtarit:

Në shpirtin e Jezusit nuk kishte zemërim, urrejtje, as dëshirë të fshehur për dënim mbi njerëzit që po e keqtrajtonin. Njerëzit kanë admiruar gjithmonë një grusht të ngritur. Kur dëgjoj Jezusin duke folur kështu, e di që vendi i vetëm për grushtin e ngritur është në ferr. [65]

Dhe më pas ndodhi ndarja e rrobave të Tij mes ushtarëve dhe hedhja në short e tunikës së Tij pa tegel.

23:35-38 Kryetarët qëndronin përpara kryqit, duke e tallur dhe duke i bërë thirrje të shpëtonte Vetveten nëse ishte me të vërtetë Mesia, i zgjedhuri i Perëndisë. Ushtarët gjithashtu e tallnin … duke i ofruar uthull dhe duke nxitur aftësinë që kishte Ai për të shpëtuar vetveten. Ata vendosën gjithashtu një titull në krye të kryqit:

KY ËSHTË MBRETI I JUDENJVE

Edhe njëherë ne citojmë Stewart:

Ne nuk mund të lemë pa përmendur domethënien e faktit që shkrimi ishte në tre gjuhë, Greqisht, Latinisht dhe Hebraisht. Padyshim që kjo gjë u bë për të qenë të sigurt që çdo njeri në turmë të mund ta lexonte; por Kisha e Krishtit ka parë gjithmonë në të – me të drejtë – një simbol të të qenurit Zot universal të Tij. Këto ishin tre gjuhët më me peshë në botë, secila prej tyre një shërbëtore e një ideje të madhe. Greqishtja ishte gjuha e kulturës dhe e diturisë; në këtë fushë, tha shkrimi, Jezusi ishte mbret! Latinishtja ishte gjuha e ligjit dhe e qeverisjes; Jezusi ishte mbret atje! Hebraishtja ishte gjuha e fesë së zbuluar; Jezusi ishte mbret edhe aty! Madje edhe kur ishte i varur duke vdekur, ishte e vërtetë që “mbi kryet e Tij qëndronin shumë kurora” (Zbulesa 19:12). [66]

S. Dy vjedhësit (23:39-43)

23:39-41 Ne mësojmë nga tregimet e tjera ungjillore që të dy vjedhësit e shanë Jezusin në fillim. Nëse Ai ishte Krishti, përse nuk i shpëtonte ata të gjithë? Por më pas njëri prej tyre pati një ndryshim në zemrën e tij. Duke iu kthyer shokut e qortoi për mungesë respekti. Në fund të fundit ata të dy ishin duke vuajtur për krime që vet i kishin kryer. Dënimi i tyre ishte i merituar. Ndërsa ky njeri që qëndronte aty në kryq nuk kishte bërë asnjë të keqe.

23:42 Duke iu kthyer Jezusit, vjedhësi i kërkoi Zotit [67]kujtohej për të kur të kthehej dhe të vendoste mbretërinë e Tij këtu në tokë. Një besim i tillë ishte i çuditshëm. Vjedhësi që ishte duke vdekur besoi që Jezusi do ta ringjallte atë prej së vdekurish dhe që do të mbretëronte mbi tokë.

23:43 Jezusi e shpërbleu besimin e tij me premtimin që po atë ditë, ata do të ishin së bashku në Parajsë. Parajsa është e njëjta gjë me qiellin e tretë (2 Kor. 12:2, 4) dhe nënkupton vendbanimin e Perëndisë. Sot – çfarë shpejtësie! Me Mua – çfarë shoqërie! Në Parajsë – çfarë lumturie! Charles R. Erdman shkruan:

Kjo histori na zbulon të vërtetën që shpëtimi është i kushtëzuar mbi pendimin dhe besimin. Megjithatë, ajo përmban edhe disa mesazhe të tjera të rëndësishme. Ajo deklaron që shpëtimi është i pavarur nga ritet. Ai vjedhës nuk u pagëzua dhe nuk mori pjesë në Darkën e Zotit. Në fakt ai rrëfeu me guxim besimin e tij përpara një turme të egër dhe mes romuzeve të ushtarëve dhe krerëve. Është i qartë fakti që shpëtimi nuk varet nga veprat e mira…. Shihet gjithashtu që nuk ka “fjetje të shpirtrave.” Trupi mund të flejë, por vetëdija ekziston edhe pas vdekjes. Përsëri duket qartë që nuk ka “purgator.” Duke dalë nga jeta e mëkatit dhe e turpit, vjedhësi i penduar kaloi menjëherë në një gjendje bekimesh. Përsëri mund të themi që shpëtimi nuk është universal. Aty ndodheshin dy vjedhës; vetëm njëri u shpëtua. Dhe në fund mund të shohim që thelbi i vërtetë i gëzimit që shtrihet përtej vdekjes qëndron në shoqërinë personale me Krishtin. Zemra e premtimit bërë vjedhësit ishte kjo: “Ti do të jesh me Mua.” Kjo është siguria jonë e bekuar, që të nisesh do të thotë “të jesh me Krishtin” që është “shumë më mirë.” [68]

Nga të dyja anët e Jezus Krishtit njëri mund të shkojë në parajsë dhe tjetri në ferr. Në kë anë të kryqit je ti?

T. Tre orët e errësirës (23:44-49)

23:44 Errësira mbuloi gjithë vendin (ose tokën, në Greqisht është e njëjta fjalë) nga ora e gjashtë deri në orën e nëntë, që do të thotë nga mesdita deri në orën tre të ditës. Kjo ishte një shenjë për kombin e Izraelit. Ata kishin hedhur poshtë dritën, dhe tani do të verboheshin nga Perëndia.

23:45 Perdja [veli] e tempullit u ça më dysh nga fillimi deri në fund. Kjo paraqiti faktin që nëpërmjet vdekjes së Zotit Jezus Krisht, u hap një rrugë për t’iu afruar Perëndisë për të gjithë ata që do të vinin me anë të besimit (Heb. 10:20-22).

23:46, 47 Ishte gjatë këtyre tre orëve të errësirës që Jezusi mbarti dënimin e mëkateve tona në trupin e Tij mbi atë dru. Në fund të asaj kohe, Ai e dorëzoi frymën e Tij në duart e Perëndisë, Atit të Tij dhe me dëshirë dha dhe jetën e Tij. Një centurion romak u prek aq shumë nga kjo skenë saqë përlëvdoi Perëndinë duke thënë: “Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë!”

23:48, 49 Gjithë turma u përfshi nga një ndjenjë e tmerrshme trishtimi. Disa nga ndjekësit besnikë të Jezusit, përfshi gratë që e ndoqën Atë që nga Galilea qëndronin… duke parë skenën më mizore të gjithë historisë njerëzore.

U. Varrosja në varrin e Jozefit (23:50-56)

23:50-54 Deri në këtë kohë, Jozefi kishte qenë një dishepull sekret i Zotit Jezus. Megjithëse një anëtar i sinedrit, ai nuk kishte qenë dakord me ta në verdiktin e dhënë në rastin e Jezusit. Jozefi tani shkoi me guxim te Pilati dhe i kërkoi nëse mund të kishte privilegjin e heqjes së trupit të Jezusit nga kryqi dhe ta varroste ashtu si duhej. Ishte midis orës tre dhe gjashtë të natës. Leja u sigurua dhe Jozefi me të shpejtë e mbështolli në një çarçaf dhe e vuri në një varr të gërmuar në një shkëmb, i cili nuk ishte përdorur më parë. Kjo gjë ndodhi të Premten, ditën e Përgatitjes. Kur thuhet që Shabati po fillonte, ne duhet të mos harrojmë që Shabati i Judenjve fillon të Premten në perëndim të diellit.

23:55, 56 Gratë besnike … nga Galilea e ndoqën Jozefin ndërkohë që ai mori trupin dhe e vuri në atë varr. Më pas u kthyen dhe përgatitën erëra të mira që të mund të ktheheshin për të balsamosur trupin e Atij që e donin. Duke varrosur trupin e Jezusit, Jozefi varrosi vetveten në një farë mënyre. Veprimi që ai bëri e ndau atë përfundimisht nga kombi që kryqëzoi Zotin e jetës dhe të lavdisë. Ai kurrë më nuk do të ishte pjesë e Judaizmit, por do të jetonte i ndarë prej tij moralisht dhe do të dëshmonte kundër tij. Të Shtunën gratë pushuan, duke zbatuar urdhërimet në lidhje me Shabatin.












Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. Leon Morris, The Gospel According to Luke, fq. 302-304. ↵ Kthehu mbrapa
  2. (22:47, 48) Stewart, Life and Teaching, fq. 154. ↵ Kthehu mbrapa
  3. Ibid, fq. 161. ↵ Kthehu mbrapa
  4. Ky është i vetmi vend në Biblën anglisht KJ, ku shfaqet ky emër i dashur. Megjithëse ka me qindra asamble me emrin “Kisha ————– e Kalvarit,” shumica e Biblave moderne e kanë lënë mënjanë këtë referencë tradicionale. ↵ Kthehu mbrapa
  5. Stewart, Life and Teaching, fq. 166. ↵ Kthehu mbrapa
  6. Morgan, Luke, fq. 269. ↵ Kthehu mbrapa
  7. Stewart, Life and Teaching, fq. 168. ↵ Kthehu mbrapa
  8. Shumica e teksteve tradicionale shkruajnë “Zot, më kujto,” është shumë më tepër prekëse se teksti kritik NU, “Jezus, më kujto.” Titulli i respektit “Zot” nënkupton gjithashtu besimin e thellë të atij personi. ↵ Kthehu mbrapa
  9. Erdman, Luke, fq. 217, 218. ↵ Kthehu mbrapa