Krishterimi është i themeluar mbi një libër. Ai përqendrohet mbi një Person. Ai e shpreh veten në një mesazh. Ai e vërteton veten në një përvojë.
Ky libër themelor është Bibla. Ky Person qendror është Jezusi.
Ky mesazh shprehës është Ungjilli. Kjo përvojë vërtetuese është lindja e re.
Mendo këtu për këtë libër themelor. Krishterimi qëndron ose bie me Biblën. Nuk ia vlen të themi, siç bëjnë liberalët apo modernistët, që për aq kohë që kemi Jezusin nuk kemi nevojë për një Bibël të frymëzuar të pagabueshme.
Jo, për gjithçka që dimë në të vërtetë rreth Zotit Jezus ne i detyrohemi dhe do të vazhdojmë t’i detyrohemi Biblës. Të thuash që për aq kohë që kemi Jezusin nuk kemi nevojë për Biblën është pak a shumë njëlloj të thuash që për aq kohë që kemi dritë dielli nuk kemi nevojë për diellin.
E kam thënë shumë herë dhe jam më i sigurt se kurrë, se çështja e jetës dhe vdekjes së krishterimit është frymëzimi dhe autoriteti i Biblës.
Nëse Bibla është e frymëzuar në mënyrë unike dhe të pagabueshme, atëherë ne kemi siguri; ne mund të njohim të vërtetë reale për Perëndinë, për njeriun, për origjinën, për vlerat morale, për të ardhmen e njerëzimit dhe për fatin njerëzor në anën tjetër të varrit. Por nëse Bibla nuk është Fjala e frymëzuar e Perëndisë në mënyrë unike dhe të pagabueshme, atëherë (le ta themi hapur) ne nuk kemi të vërtetë të garantuar për Perëndinë, për njeriun, për origjinën, për vlerat morale, për të ardhmen e njerëzimit apo për fatin njerëzor në jetën e përtejme: ne jemi duke ecur kuturu.
Nëse Bibla është e frymëzuar përtej dyshimit nga Fryma hyjnore, atëherë teologjia e krishterë është vërtet një shkencë, sepse përmes saj ne mund të “dimë” me të vërtetë. Por nëse Bibla është diçka më pak se e frymëzuar përtej dyshimit, atëherë teologjia e krishterë në vend që të jetë “mbretëresha e shkencave”, është thjesht filozofi fetare dhe spekulim njerëzor.
― J. Sidlow Baxter (1903-1999, Bibla tonë: Çështja më kritike).