Pyetje: “Kush e krijoi Perëndinë? Nga erdhi Perëndia?”
Përgjigje: Një argument i zakonshëm nga ateistë dhe skeptikë është se nëse të gjitha gjërat kërkojnë një shkak, atëherë edhe Perëndia ka nevojë për një shkak. Konkluzioni është se nëse Perëndia kishte nevojë për një shkak, atëherë Perëndia nuk është Perëndi (dhe nëse Perëndia nuk është Perëndi, atëherë sigurisht që nuk ka Perëndi). Kjo është një formë pak më e ndërlikuar e pyetjes së zakonshme: “Kush e bëri Perëndinë?” Çdokush e di se diçka nuk vjen nga hiçi. Pra, nëse Perëndia është një “diçka”, atëherë Ai duhet të ketë një shkak, apo jo?
Pyetja është dredharake pasi ngrihet tinëzisht nga supozimi i rremë që Perëndia erdhi nga diku dhe më pas bëhet pyetja se nga ku. Përgjigjja është se pyetja as nuk ka kuptim. Është si të pyesësh: “Çfarë erë ka ngjyra blu?” Ngjyra blu nuk është në kategorinë e gjërave që nuhatim, kështu që pyetja është e gabuar në vetvete. Në të njëjtën mënyrë, Perëndia nuk është në kategorinë e gjërave që janë krijuar ose shkaktuar. Perëndia është i pashkaktuar dhe i pakrijuar – Ai thjesht ekziston.
Si e dimë ne këtë? Ne dimë se nga asgjëja, vjen asgjë. Pra, nëse ka patur ndonjëherë një kohë që nuk ka patur absolutisht asgjë në ekzistencë, atëherë asgjë nuk do të mund të kishte ardhur në ekzistencë. Por gjërat ekzistojnë. Prandaj, duke qenë se nuk mund të ketë patur kurrë absolutisht asgjë, diçka duhet të ketë qenë në ekzistencë përgjithnjë. Kjo gjë që ka ekzistuar gjithmonë është çfarë ne e quajmë Perëndia. Perëndia është Qenia e pashkaktuar që shkaktoi gjithçka tjetër për të ardhur në ekzistencë. Perëndia është Krijuesi i pakrijuar i cili krijoi gjithësinë dhe gjithçka në të.