Një fjalë e fundit

ÇFARË DASHURIE ËSHTË KJO?

ZEMRA IME ËSHTË THYER nga shtrembërimi kalvinist i Perëndisë së Biblës, të cilin e dua me tërë zemrën time dhe ky shtrembërim ka qenë një justifikim që ateistët të mos besojnë në Të. Dëshira ime e sinqertë dhe e çiltër në shkrimin e këtij libri ka qenë për të mbrojtur karakterin e Perëndisë kundër shpifjes që mohon dashurinë e Tij për të gjithë dhe që ngul këmbë se Ai nuk e bën shpëtimin të mundshëm për të gjithë, sepse Ai nuk do që të gjithë të shpëtohen. Lutja ime është që lexuesit të pranojnë se autorët dhe drejtuesit e krishterë, të vjetër apo modern, dhe sado të respektuar qofshin, janë të gjithë të gabueshëm dhe se Fjala e Perëndisë është autoriteti ynë i vetëm.

Fjala e Perëndisë pohon se ungjilli, i cili është “fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson” (Romakëve 1:16), është një lajm i mirë i “një gëzimi të madh”, jo vetëm për disa të zgjedhur, por “për të gjithë popullin” (Luka 2:10). Fatkeqësisht, këmbëngulja se vetëm një grup i përzgjedhur ka qenë zgjedhur për shpëtim nuk është lajm i mirë i “një gëzimi të madh për të gjithë popullin”! Si mund të jetë biblike një doktrinë e tillë?

Lutja ime është që lexuesit kalvinistë që kanë vazhduar të lexojnë deri këtu të jenë bindur plotësisht që të mos e shtrembërojnë më Perëndinë e dashurisë sikur të ketë paracaktuar turma njerëzish për mundim të përjetshëm ndërsa u ka refuzuar atyre mundësinë të kuptojnë dhe besojnë ungjillin. Ne nuk e dimë se sa shumë jobesimtarë e kanë refuzuar Perëndinë për shkak të këtij shtrembërimi të mjerueshëm – por le t’u mohohet ky justifikim çdo lexues tani e tutje! Dhe besimtarët, sipas sigurisë që ungjilli është me të vërtetë lajm i gëzuar për të gjithë popullin, e çofshin lajmin e mirë të Perëndisë në të gjithë botën!

[previous][next]