Aspekte të jetës së përjetshme

Cilësia e jetës
[no_toc]Jeta e përjetshme nuk është e njëjtë si ekzistenca e pafund. Gjithkush, i shpëtuar dhe i pashpëtuar, do të jetojë përgjithmonë, por vetëm besimtarët kanë jetë të përjetshme. Nuk është vetëm gjatësi jete, por është edhe një cilësi gjithashtu. Është jeta e Vetë Perëndisë, asgjë më pak se bashkim me Perëndinë dhe Zotin Jezus.

Dhe jeta u shfaq dhe ne e pamë e dëshmojmë për të dhe ju shpallim jetën e përjetshme që ishte pranë Atit dhe që na u shfaq neve ( 1 Gjonit 1:2. Shihni gjithashtu 1 Gjonit 5:20).

Në gjendjen e tij te pafajshme pa mëkat, Adami nuk kishte jetë të përjetshme. Përderisa nuk do të mëkatonte, ai do të kishte vazhduar të shijonte ekzistencën në tokë, por nuk do ta kishte patur shpresën e përlëvdimit me Krishtin në qiell. Dhe gjithmonë ekzistonte mundësia e tmerrshme e mëkatimit dhe kështu të vdiste—gjë që pikërisht ndodhi. Ishte atëherë kur ai besoi në Zotin si Shpëtimtar që ai mori jetë të përjetshme, me të gjitha bekimet e përjetshme të përfshira në të.

Shpeshherë jeta e përjetshme i referohet gjendjes së tanishëm dhe herë të tjera si shpresës së trashëgimisë të ardhshme.

Një zotërim i tanishëm

Ajo është një dhuratë e zotëruar nga besimtarët në të tashmen. Kjo dhuratë është premtuar nga Zoti (1 Gjonit 2:25) dhe gjendet në Të (Gjoni 6:68; 1 Gjonit 5:11). Kjo merret nëpërmjet besimit në Të:

Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush beson në mua ka jetë të përjetshme (Gjoni 6:47. Shihni gjithashtu Gjoni 3:15-16; 5:24; 6:40 dhe 1 Tim. 1:16).

Shprehje të tjera, që janë të njëjta si besimi në Të, janë e pira e ujit që Ai jep (Gjoni 4:14); ngrënia e mishit dhe e pira e gjakut të Tij (Gjoni 6:54); ndjekja e Tij (Gjoni 10:27); dhe njohja e Tij (Gjoni 17:3). Gjoni thotë se vrasësit nuk kanë jetë të përjetshme (1 Gjonit 3:15), por ai mund ta thoshte këtë edhe për të gjithë mëkatarët gjithashtu.

Jeta e përjetshme është dhuratë nga Ati (Rom. 6:23 dhe 1 Gjonit 5:11). Jeta e përjetshme jepet gjithashtu edhe nga Biri.

Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin; e askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime. Ati im, që m’i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t’i rrëmbejë nga dora ime (Gjoni 10:27-28. Shihni gjithashtu Gjoni 17:2).

Gjithçka që Jezusi foli kishte në qendër dhënien e jetës së përjetshme (Gjoni 12:50).

Të gjithë që kanë jetën e përjetshme besojnë (Veprat e Apostujve 13:48); d.m.th., kjo është një anë e të vërtetës. Tjetra anë është se ata që refuzojnë të besojnë kështu e konsiderojnë veten të padenjë për jetën e përjetshme (Veprat e Apostujve 13:46). Kjo jetë jepet nga hiri (Rom. 5:21) dhe të gjithë ata që besojnë mund ta dinë se e kanë jetën e përjetshme sipas autoritetit të Fjalës së Perëndisë:

Jua shkrova këto gjëra juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, që të dini se keni jetën e përjetshme dhe që të besoni në emrin e Birit të Perëndisë (1 Gjonit 5:13)

Ata që kanë jetë të përjetshme duhet ta ushtrojnë atë në praktikë çdo ditë.

Lufto luftën e drejtë të besimit, rrok jetën e përjetshme, në të cilën u thirre dhe për të cilën ke bërë rrëfimin e mirë të besimit përpara shumë dëshmitarëve (1 Tim. 6:12).

…Duke mbledhur si thesar një themel të mirë për të ardhmen, për të arritur jetën e përjetshme (1 Tim. 6:19. Shihni gjithashtu Gjoni 6:27).

Shpresë në të ardhmen

Krahas të qenit një zotërim në të tashmen, jeta e përjetshme është gjithashtu diçka në kohën e ardhme:

Në shpresën e jetës së përjetshme, të cilën Perëndia, që nuk gënjen, e premtoi para të gjitha kohërave (Titit 1:2).

Mbajeni njëri-tjetrin në dashurinë e Perëndisë, duke kërkuar mëshirën e Zotit Jezus Krisht për jetën e përjetshme (Juda 1:21).

Kjo i referohet jetës së përjetshme në kuptimin e plotë të saj, kur besimtari të jetë përgjithmonë i çliruar nga mëkati, sëmundjet, dëshpërimi dhe vdekja. Kjo i referohet gjendjes së përlëvduar në fund.

Shpeshherë jeta e përjetshme përdoret si diçka që një person e zotëron:

Dhe kushdo që ka lënë, për hir të emrit Tim, shtëpi, vëllezër, motra, atë, nënë, grua, bij ose ara, do të marrë njëqindfish dhe do të trashëgojë jetë të përjetshme (Mat. 19:29. Shihni gjithashtu Marku 10:29-30; Luka 18:20).

…Të shfajësuar me anë të hirit të Tij, të bëhemi trashëgimtarë të jetës së përjetshme, sipas shpresës që kemi (Titit 3:7).

Nuk fitohet me vepra

Gjenden vargje të tjera që tingëllojnë se jeta e përjetshme fitohet nëpërmjet sjelljes së personit në tokë. Vargjet të tilla janë Mateu 25:45-46; Luka 18:29-30; Gjoni 4:36; 12:25; Romakeve 2:7; Galatasve 6:8. Sidoqoftë, vetëm këta vargje nuk mund të hedhin poshtë të vërtetën e shpëtimit nëpërmjet hirit, si dhuratë, që merret vetëm me anë të besimit dhe që nuk ka të bëjë aspak me veprat.

Atëherë ç‘kuptim kanë këto vargje shqetësuese? Kjo na bën të kujtojmë se do të ketë nivele të ndryshme të shpërblimit në parajsë. Në gjykimin e Krishtit, disa do të marrin kurora, të tjerë do të pësojnë humbje. Megjithëse të gjithë besimtarët do të kenë jetë të përjetshme, jo të gjithë do ta përjetojnë atë në të njëjtën mënyrë (1 e Korintasve 15:41b). Kjo përcaktohet që këtu nga besnikëria në shërbimin e Zotit (Gal. 6:8) dhe nga përparimi në shenjtëri (Rom. 6:22).

Veprat e mira që përmenden në këto vargje shqetësuese janë fryt i jetës së përjetshme në atë person dhe jo mënyra për ta fituar atë. Për shembull, në Mateun 25:46 kur thotë: «Dhe ata që shkojnë në mundim të përjetshëm dhe të drejtët në jetën e përjetshme», na mëson se ata që janë në anën e vëllezërve Izraelitë gjatë periudhës së Shtrëngimit të Madh me të vërtetë janë shpëtuar dhe shpërblehen duke e shijuar jetën e përjetshme. Veprat e tyre të mira janë prova e jetës së përjetshme në ata.

Gjoni 4:36; 12:25 i referohen shpërblimit për shërbimin besnik dhe nuk janë mjet për të fituar shpëtimin.

Korrësi e merr shpërblimin dhe mbledh frytin për jetën e përjetshme, që mbjellësi dhe korrësi të gëzohen sëbashku.

Kush e do jetën e vet do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme.

Romakeve 2:7 është një varg i vështirë për shumë njerëz.

…Jetë e përjetshme atyre që kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi… (Rom. 2:7)

Në pamje të parë, kjo duket sikur jeta e përjetshme bazohet në të qenit i mirë ose ti bën vepra të mira. Shkrimet e Shenjta e hedhin poshtë këtë interpretim. Ekzistojnë dy mënyra për ta kuptuar këtë siç duhet biblikisht. Së pari, kjo është një ideal në teori, një standard nëpërmjet të cilit Perëndia do të gjykojë jobesimtarët. Po të ishte e mundur për jobesimtarin ta bënte këtë, me fuqinë e tij, të vazhdonte pa përjashtim në të bërët mirë, atëherë ai do të shpërblehej me jetë të përjetshme. Por, sigurisht, kjo është e pamundur. «Askush nuk bën mirë, jo, asnjë» (Rom. 3:12c). Së dyti, mund të jetë se vetëm besimtarët, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, mund ta plotësojnë këtë përshkrim. Dhe në këtë rast, natyrisht, veprat e mira janë fryt i shpëtimit dhe jo burim i tij.

Përmbledhje

Jeta e përjetshme është një jetë frymërore e marrë nëpërmjet rilindjes. Është jeta e Vetë Perëndisë, e përjetshme ashtu si Vetë Ai. Ajo është diçka që e zotërojmë tani dhe gjithashtu është një shpresë në të ardhmen. Ai që vërtet beson në Krishtin mund ta dijë me siguri se e ka jetën e përjetshme sipas autoritetit të Fjalës së Perëndisë. Siguria e shpëtimit vjen nga Shkrimet e Shenjta.

Besimtari pret me padurim për jetën e përjetshme dhe të gjitha gjërat që i takojnë. Kjo njihet si shpengimi i trupit.

Kur flasim për jetën e përjetshme në lidhje me shpërblimet, ajo mund të nënkuptojë se është një shpërblim për shenjtërim, shërbim ose vepra të mira. Shpërblimet jepen si rezultat që je treguar besnik ndaj ndryshimit që jeta e Krishtit bën në jetën e besimtarit.

[previous][next]
[wpfilebase tag=file id=8/]