Aspektet e shfajësimit


[no_toc]Dhiata e Re na mëson se jemi shfajësuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, me anë të gjakut, me anë të fuqisë dhe nëpërmjet veprave. Kjo mund të na ngatërrojë dhe mund të na duket kontradiktuese, po qe se nuk kuptojmë se në secilin rast po paraqitet një aspekt i ndryshëm i të njëjtës temë.

Para së gjithash, çdo të thotë të shfajësohesh? Të shfajësosh do të thotë të konsiderohesh i drejtë. Nuk do të thotë të bëhesh i drejtë, por të deklarohesh se je i drejtë. Në fakt është term ligjor që është marrë nga gjykatat.

Ne vetë nuk jemi të drejtë në vetvete. Ne nuk kemi aspak drejtësi. Por kur marrim Jezu Krishtin si Zot dhe Shpëtimtar, Perëndia na deklaron të jemi të drejtë në bazën e veprës zëvendësuese të Krishtit. Kur jemi «në Krishtin», Perëndia me të drejtë na deklaron të drejtë, sepse në Kalvar është bërë pagesa e plotë për mëkatet tona. Mëkatari që beson është veshur me të gjithë drejtësinë e Perëndisë. «Sepse Ai (Perëndia) bëri të jetë mëkat për ne Ai (Krishti) që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në Të» (2 e Korintasve 5:21).

Siç e përmendëm në fillim, shfajësimi është me anë të hirit, nëpërmjet besimit, me anë të gjakut, me anë të fuqisë dhe nëpërmjet veprave. Si është e mundur të jetë nëpërmjet të gjitha këtyre pesë mënyrave?

Së pari, shfajësimi është me anë të hirit. Në Romakeve 3:24 lexojmë: «Por janë shfajësuar falas me anë të hirit të Tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus». Kjo do të thotë se njeriu nuk meriton të shfajësohet. Ai nuk mund ta meritojë ose ta fitojë atë; ai duhet ta marrë atë si dhuratë. Hiri është kushti mbi të cilin Perëndia i jep shfajësimin njeriut—krejtësisht i pamerituar dhe që nuk mund të blihet—falas si dhuratë.

Së dyti, shfajësimi është nëpërmjet besimit. «Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezus Krishtit, Zotit tonë» (Rom. 5:1). Kjo do të thotë se mëkatari duhet ta marrë shfajësimin nëpërmjet një veprimi të prerë, d.m.th. besimi në Shpëtimtarin. Duke pohuar vetë se meriton ferrin, ai duhet ta pranojë Zotin Jezus si të Vetmin që pagoi dënimin për mëkatet e tij në Kryq.

Hiri është Perëndia që vjen te njeriu fajtor dhe që i ofron shfajësimin si një dhuratë falas në bazë të veprës shpenguese të Krishtit në Kalvar. Besimi është njeriu që pendohet dhe shtrin dorën duke marrë dhuratën nga Perëndia pa pasur ndonjë mendim se e meriton atë nëpërmjet karakterit të tij ose se e meriton atë nëpërmjet veprave të tij.

Shfajësimi është gjithashtu me anë të gjakut. «Shumë më tepër, pra, duke qenë tani të shfajësuar në gjakun e Tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të Tij» (Rom. 5:9). Natyrisht, kjo i referohet çmimit që duhej të paguhej me qëllim që unë të shfajësohesha. Shpëtimtari pamëkat derdhi gjakun e Tij të çmuar për të paguar borxhin që kishin grumbulluar mëkatet e mia. Vlera e pallogaritshme e shfajësimit tim shihet në çmimin marramendës që u pagua për ta siguruar atë.

Ndërsa nuk ka shumë pjesë nga Shkrimi ku thuhet me shumë fjalë se jemi të shfajësuar me anë të fuqisë, e vërteta gjendet në Romakeve 4:25: «(Ai) u dha për shkak të fyerjeve tona dhe u ringjall për shfajësimin tonë». Këtu justifikimi ynë është lidhur direkt me ringjalljen e Krishtit. Dhe pikërisht kështu! Po të mos ishte ringjallur, besimi ynë do të ishte i kotë dhe ne akoma do të ishim në mëkatet tona (1 e Korintasve 15:17). Kështu shfajësimi ynë është lidhur pandashëm me fuqinë që ngriti Zotin Jezus nga të vdekurit. Për këtë arsye themi se ne jemi shpëtuar me anë të fuqisë së tij.

Së fundi, ne shfajësohemi nëpërmjet veprave. «Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi» (Jakobit 2:24). Këtu duket sikur gjejmë një kontradiktë të dallueshme. Apostulli Pal na mëson pa gabim se ne shfajësohemi vetëm nëpërmjet besimit. Por Jakobi duket se po thotë këtu: «S’është ashtu. Ne shfajësohemi nëpërmjet besimit dhe nëpërmjet veprave». Sidoqoftë, nuk është ashtu. Ai nuk po na mëson se shfajësimi merret fillimisht nëpërmjet bërjes së veprave të mira. Dhe nuk po thotë se shfajësohemi nëpërmjet besimit plus veprat. Ajo çfarë ai po thotë është se ne jemi shfajësuar nëpërmjet atij lloj besimi që rezulton në një jetë me vepra të mira.

Është e kotë për një njeri të thotë se ka besim në qoftë se ai nuk ka vepra për ta mbështetur atë. Ai lloj besimi—domethënë, një besim vetëm i fjalëve, është i padobishëm (Jakobit 2:14-17). Besimi i vërtetë është i padukshëm, por mund të duket nëpërmjet veprave (Jakobit 2:18). Abrahami u shfajësua nëpërmjet besimit në Zotin (Zanafilla 15:6), por vite më vonë ai tregoi se besimi i tij ishte i vërtetë duke mos hezituar për të flijuar birin e tij Isakun si ofertë (Zanafilla 22:9-14). Rahabi e provoi vërtetësinë e besimit të saj duke strehuar spiunët izraelitë dhe duke i ndihmuar ata të arratiseshin (Jakobit 2:25). Kështu, kur flasim për shfajësimin nëpërmjet veprave, ne nënkuptojmë se veprat janë manifestimi i jashtëm duke treguar se ne me të vërtetë jemi shfajësuar nëpërmjet besimit. Veprat nuk janë shkaku, por ato janë pasoja. Ato nuk janë rrënja, por ato janë fruti.

Duke i bashkuar të gjitha këto së bashku, zbulojmë se Dhiata e Re na mëson se shfajësohemi nëpërmjet:

  • hirit—kjo do të thotë se nuk e meritojmë atë.
  • besimit—kjo do të thotë se ne duhet ta marrim atë.
  • gjakut—kjo do të thotë se është blerë me vdekjen e Shpëtimtarit.
  • fuqisë—kjo do të thotë se Ringjallja provon kënaqësinë e Perëndisë me veprën e Shpëtimtarit.
  • veprave—kjo do të thotë se kur ne me të vërtetë shfajësohemi nëpërmjet besimit, atëherë do të kemi vepra të mira që do ta provojnë atë.

Të gjitha këta aspekte janë shprehur poetikisht më poshtë:

Hir’ sovran i Zotit m’zgjodhi
N’qiell për të shkuar;
Ishte vullnet’ i mir’ i Tij;
N’hirin jam shfaj’suar.

Kur Krishti në Kalvar vdiq;
Rrym’ gjaku vërshoi
Që e bën njollën t’bardhë si bor’;
Gjaku m’shfajësoi.

Perëndia e ngriti Atë,
Dyshimet e t’ligut largoi
Ngritja e Tij çdo frik’ shuan;
Fuqia m’shfaj’soi.

Fryma e Shenjt’ m’drejtoi
Shkrimin më mësoi;
Do të tregoj se jam i Tij;
Vepra m’shfajësoi.

Lavdi Zotit: gjithçka prej Tij,
Hiri, gjaku, besimi
Fuqi e ngritjes, e veprat;
Prej Zotit shfaj’simi!

—Helen H. Shaw

[previous][next]
[wpfilebase tag=file id=8/]