Dallime në Ungjijtë


[no_toc]Kushdo që i studion Ungjijtë vë re se shumë gjëra janë përsëritur veçanërisht në Ungjillin e Mateut, të Markut dhe të Llukës. Në to lexojmë për të njëjtat mrekulli, të njëjtat shëmbëlltyra dhe të njëjtat mesazhe nga Zoti. Sidoqoftë, këto nuk janë të pavlera. Fryma e Shenjtë nuk e përsërit Veten pa qëllim.

Një studim i hollësishëm na tregon se dallimet midis Ungjijve janë më të rëndësishme se gjërat që janë përsëritur. Ajo ç’ka na duket se është përsëritur shpeshherë ka dallime të vogla që janë tepër të rëndësishme.

Shumë libra janë shkruar për harmoninë midis Ungjijve. Por ata e humbasin atë më të rëndësishme. Nuk është e rëndësishme ajo që është e njëjtë, por të vërtetat e ndryshme të nxjerra në ato pjesë të Shkrimeve të Shenjta. Le ta shpjegojmë këtë nëpërmjet krahasimit të dy pjesëve të njëjta të Shkrimeve të Shenjta.

Në të katër Ungjijtë, Gjon Pagëzori u tha njerëzve se ata do të pagëzoheshin nga Zoti. Kur po fliste vetëm me besimtarët, ai tha: «Ai (Jezusi) do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë» (Marku 1:8; Gjoni 1:33). Por kur po fliste edhe me jobesimtarë, ai tha: «Ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr» (Mateu 3:11; Luka 3:16). Ai po fliste për dy pagëzime të ndryshme. I pari ishte pagëzimi i bekimit, i dyti pagëzimi i gjykimit.

Dy Shërbesa, jo një e vetme

Shërbesa në Mal gjendet në Mateu, kapitujt 5-7. Pjesë të saj duken të jenë përsëritur në Luka 6:17. Por ato janë dy mesazhe të ndryshme të dhëna në dy raste të ndryshme. Në Mateun, mesazhi është dhënë në mal. Në Llukën, mesazhi është dhënë në një fushë. Jezusi kishte zbritur në një fushë me dishepujt (Luka 6:17). Mateu përshkruan shtetasin e përkryer të mbretërisë, ndërsa Lluka përshkruan jetesën e dishepujve ndërsa ata shkojnë të përhapin Ungjillin. Në Mateun flitet për bekim për të varfrit në frymë (Mt. 5:3); në Llukën Zoti i bekon të varfrit (Luka 6:20). Nuk flitet për mjerime në Mateun; por gjenden katër mjerime në Llukën (Luka 6:4-26). Këto dallime nuk duhet të nënvleftësohen.

Edhe Mateu edhe Lluka e citojnë thënien: «Llampa e trupit është syri». Konteksti në Mateun tregon se dashuria pas parave e pengon rritjen frymërore (Mt. 6:22). Në Llukën paratë as që përmenden (Luka 11:33-36). Ajo çfarë theksohet këtu është se bekimi vjen nëpërmjet përvetësimit të mësimeve të Jezusit dhe përhapjes së tyre në të tjerët.

Tre herë në Ungjijtë e gjejmë shprehjen: «…me masën me të cilën ju masni, do t’ju masin të tjerët». Në Mateu 7:2, ky është një paralajmërim për një qëndrim gjykues ndaj të tjerëve. Kurse Marku e përdor atë si një inkurajim për përvetësimin e Fjalës së Perëndisë (Mr. 4:24). Ndërsa Lluka e përdor atë për të inkurajuar liri në bujari ndaj besimtarëve të Perëndisë (Luka 6:38).

Në Mateu 10:24, Jezusi tha: «Dishepulli nuk del mbi mësuesin, as shërbëtori mbi zotin e tij». Pastaj në Luka 6:40, Ai tha: «Dishepulli nuk ia kalon mësuesit të vet, madje çdo dishepull që ka mësuar do të jetë si mësuesi i vet». Këto vargje duken sikur po thonë të njëjtën gjë, por janë krejt të ndryshëm. Në Mateun, Shpëtimtari po u mëson dishepujve të mos mendojnë se do të persekutohen më pak se Mësuesi i tyre, ndërsa në Llukën ai thotë se një besimtar nuk mund ta udhëheqë një dishepull më tej se niveli i tij frymëror.

Nëntëdhjetë e nënta

Tregimi i nëntëdhjetë e nëntë deleve është i njohur për ne. Në Mateu 18:12-13, kjo shpreh dashurinë e Zotit për fëmijët e vegjël (shih vargun 14). Në Luka 15:4-7 kjo jepet me qëllim për farisenjtë dhe skribët, të cilët nuk donin ta pranonin se kishin nevojë të pendoheshin (shih vargjet 2 dhe 7).

Shëmbëlltyra e talentave (Mt. 25:14-30) nuk duhet të ngatërrohet me atë të dhjetë minave (Luka 19:12-27). Në rastin e talentave, tre njerëzve iu dhanë një sasi parash sipas aftësive të tyre. Dy të parët morën të njëjtin vlerësim pavarësisht nga aftësitë e tyre të ndryshme, ngaqë ata u treguan besnikë. I treti u kritikua ngaqë nuk bëri asgjë me çfarë i ishte dhënë.

Në shëmbëlltyrën e dhjetë minave, tre njerëz morën të njëjtën sasi parash. Ata të tre kishin të njëjtën mundësi. Njëri prej tyre e shumëfishoi sasinë e tij dhjetëfish, tjetri pesëfish dhe i treti aspak. Shpërblimet për dy të parët ndryshonin nga e të tretit sipas përdorimit të mundësisë që ata kishin. I treti humbi edhe atë që i ishte dhënë.

Sa mohime?

Është e mundur që Pjetri e mohoi Zotin të paktën gjashtë herë. Në qoftë se u bëjmë një studim të hollësishëm Ungjijve, do të zbulojmë se ai e mohoi Krishtin: 1. Para një gruaje të re (Mt. 26:69-70; Marku 14:66-68); 2. Para një gruaje tjetër të re (Mt. 26:71-72; Marku 14:69-70); 3. Para turmës (Mt. 26:73-74; Marku 14:70-71); 4. Para një burri (Luka 22:58); 5. Para një njeriu tjetër (Luka 22:59-60); 6. Para shërbëtorit të një kryeprifti (Gjoni 18:26-27). Ky i fundit është i ndryshëm nga të tjerët ngaqë tha: «A nuk të pashë ty në kopësht me Të?» Të tjerët nuk janë cituar duke thënë këtë.

Në fund të secilit Ungjill, Zoti i porositi dishepujt e Tij, por vini re dallimin në secilin rast.

  • Mateu – bëni dishepuj, duke predikuar dhe mësuar (Mt. 28:19).
  • Marku – predikoni Ungjillin (Mr. 16:15).
  • Luka – dëshmoni (Luka 24:48).
  • Gjoni — më ndiqni Mua (Gjoni 21:19-21).{{1}}

Kështu është e qartë se pjesë të Shkrimeve që duken sikur janë të njëjta nuk janë aspak të njëjta. Po të shohim dallimin midis tyre në vend të harmonisë, do të zbulojmë të vërteta të thella frymërore. Këto do të zgjidhin ato ç’ka ne na duken si kontradikta. Dhe do të na bëjë ta pëlqejmë edhe më tepër Fjalën e frymëzuar të Perëndisë.

[[1]]Kjo iu tha Pjetrit, por gjen zbatim për të gjithë besimtarët.[[1]]
[previous]
[wpfilebase tag=file id=8/]