[no_toc]Për të kuptuar dhe shijuar Shkrimet, është e nevojshme të bëjmë dallimin midis ardhjes së parë dhe ardhjes së dytë të Krishtit. Ardhja e Tij e Parë, natyrisht, i referohet lindjes së Tij si foshnjë në Betlehem. Ardhja e Dytë tregon për kohën kur Ai do të kthehet. E para ka të bëjë me vuajtjet e Krishtit, e dyta me lavdinë që do të ndjekë më pas (1 Pjetrit 1:11).
Në këtë kapitull, do të diskutojmë në mënyrë të përgjithshme Ardhjen e Dytë të Krishtit, duke paraqitur vetëm faktin e thjeshtë se Shpëtimtari po vjen përsëri. Në kapitullin tjetër do të shohim se Ardhja e Tij e Dytë ka disa faza.
Profetët e Dhiatës së Vjetër e parashikuan ardhjen e Mesias, por ata u çoroditën nga çfarë panë. Fryma e Perëndisë u zbuloi atyre se Krishti do të vinte me përulje dhe lavdi. Ai do të vuante, do të derdhte gjakun dhe do të vdiste, por gjithashtu, Ai do të triumfonte mbi të gjithë armiqtë e Tij. Ata nuk mund të pajtoheshin me këtë. Ajo çfarë ata nuk kuptuan ishte që ata merreshin me dy ardhje të ndryshme të Mesias, me më shumë se 1900 vjet midis tyre.
Shpeshherë dy ardhjet janë bashkuar bashkë në Bibël pa asnjë tregues të ndonjë periudhe kohe midis tyre. Nëse mësojmë t’i zbulojmë këto tranzicione të menjëhershme, atëherë kjo do të na ndihmojë së tepërmi për të shijuar atë dhe do të përfitojmë. Ja disa shembuj.
Njëzet e një vargjet e parë të Psalmit 22 i referohen Ardhjes së Parë; ato tregojnë për vuajtjet e Shpëtimtarit në Kryq. Por vihet re një pauzë e dallueshme midis vargjeve 21 dhe 22. Dhjetë vargjet e fundit të psalmit tregojnë për fitoren dhe lavdinë e Ardhjes së Dytë.
Ne gjithashtu i gjejmë dy ardhjet në Isaia 9:5, 6:
Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Ati i përjetshëm Princ i paqes. Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja mbi fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij, për ta vendosur pa u tundur dhe për ta përforcuar me anë të mençurisë dhe të drejtësisë, tani dhe përjetë. Këtë ka për të bërë zelli i Zotit të ushtrive.
Ardhja në Betlehem është përshkruar me fjalët: «Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë…». E gjithë pjesa tjetër e vargjeve tregon kohën kur Ai do të kthehet për të sunduar me fuqi dhe lavdi të madhe.
Dy ardhjet gjenden gjithashtu në Isaia 49:7,
Kështu i thotë Zoti, Shpenguesi i Izraelit, i Shenjti i Tij, atij që përbuzet nga njerëzit, që urrehet nga kombi, shërbëtorit të sundimtarëve: Mbretërit do të shohin dhe do të ngrihen, princat do të bien përmbys, për shkak të Zotit që është besnik, i Shenjti i Izraelit, që të ka zgjedhur.
Ardhja e parë është e dukshme në fjalët: «atij që përbuzet nga njerëzit, që urrehet nga kombi, shërbëtorit të sundimtarëve», por pjesa tjetër e vargut tregon pagabueshëm ardhjen e Tij të dytë.
Tani vini re Isaia 52:14-15:
Duke qenë se shumë veta u çuditën me ty, sepse pamja e tij ishte e shfytyruar më tepër se e çdo njeriu tjetër dhe fytyra e tij ishte ndryshe nga ajo e bijve të njeriut, kështu ai do të spërkasë shumë kombe; mbretërit do të mbyllin gojën para tij, sepse do të shohin çfarë nuk u ishte treguar kurrë atyre dhe do të kuptojnë ato që nuk kishin dëgjuar.
Vargu 14 e përshkruan qartë Shpëtimtarin në Kryq; ata që e panë Kryqëzimin u habitën nga thellësia e vuajtes së Tij. Ai ishte aq i keqtrajtuar sa Ai nuk dallohej më si njeri. Por gjendet një kontrast i mahnitshëm në vargun 15. Kur Shpëtimtari të kthehet përsëri, njerëzit do të habiten me shkëlqimin e lavdisë së Tij. Kombet do të shtangen kur të shohin të Huajin e ulët të Galilesë duke u kthyer si Mbret mbi mbretër dhe Zot mbi zotër.
Një nga shembujt më të njohur të një pjese, ku dy ardhjet janë sëbashku është Isaia 61:1, 2:
Fryma e Zotit, Zoti është mbi mua, sepse Zoti më ka vajosur për t’u dhënë një lajm të mirë të përulurve; më ka dërguar të lidh plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer, të shpall çlirimin e atyre që janë në robëri, hapjen e burgut të burgosurve, të shpall vitin e hirit të Zotit dhe ditën e hakmarrjes të Perëndisë tonë, për të ngushëlluar tërë ata që pikëllohen.
Kur Jezusi ishte në sinagogë në Nazaret, Ai citoi nga këto vargje (Luka 4:18, 19). Por vini re se Ai ndaloi me fjalët «për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit». Ai nuk vazhdoi me shprehjen «dhe ditën e hakmarrjes së Perëndisë tonë». Pse? Sepse Ardhja e Tij e Parë solli vitin e pranueshëm të Zotit. Ardhja e Tij e Dytë do të fillojë «ditën e hakmarrjes së Perëndisë tonë».
Ne gjejmë një ilustrim të ngjashëm të dy ardhjeve në Psalmi 34:15, 16:
Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e Tij janë të vëmendshëm të kapin brimën e tyre. Fytyra e Zotit është kundër atyre që sillen keq, për të çrrënjosur kujtimin e tyre nga faqja e dheut.
Kur Pjetri i citon këta vargje në 1 Pjetrit 3:12, ai ndalon në fjalët «për të çrrënjosur kujtimin e tyre nga faqja e dheut». E gjithë pjesa tjetër e citimit i takon epokës në të cilën ne po jetojmë, por kjo shprehje e fundit tregon Ardhjen e Dytë të Krishtit.
Profeti Mikea paratregoi se Betlehemi do të ishte vendlindja e Mesias (Mikea 5:2):
Por ti, o Betlehem Efratah, megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës, nga ti do të dalë për mua ai që do të jetë sundues në Izrael, origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë.
Por pastaj Mikea kalon menjëherë në Ardhjen e Dytë të Krishtit, kur Ai do të jetë i madh deri në skajet e tokës (Mikea 5:4):
Ai do të mbetet për të kullotur kopenë e tij me pushtetin e Zotit, në madhërinë e emrit të Zotit, Perëndisë së tij. Dhe ata do të banojnë të sigurt, sepse atëherë ai do të jetë i madh deri në skajet e tokës.
Në Zakaria 9:9 kemi një parashikim të dukshëm të hyrjes triumfatore të Krishtit në Jerusalem:
Ngazëllo me të madhe, o bijë e Sionit, lësho britma gëzimi, o bijë e Jerusalemit! Ja, mbreti yt po të vjen; ai është i drejtë dhe sjell shpëtimin, i përulur dhe i hipur mbi një gomar, mbi një gomar të ri.
Por vargu tjetër na çon për në Ardhjen e Dytë, kur Krishti do të sundojë nga deti në det:
Unë do t’i zhduk qerret nga Efraimi dhe kuajt nga Jerusalemi; harqet e luftës do të asgjësohen. Ai do t’u flasë për paqe kombeve; sundimi i tij do të shtrihet nga deti në det dhe nga lumi deri në skaj të dheut.
Ne i gjejmë dy ardhjet bashkë në Dhiatën e Re ashtu si në Dhiatën e Vjetër. Për shembull, le të marrim Luka 1:31-33:
Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë dhe do t’ia vesh emrin Jezus. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij; dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur.
Vargu i parë siç duket qartë u përmbush kur Jezusi lindi (shihni Mt. 1:25). Por vargjet 32 dhe 33 e kalojnë Epokën e tanishme të Kishës te koha kur Krishti do të kthehet për t’u ulur në fronin e Davidit dhe për të sunduar mbi tokë.
Gjendet një referim tjetër për dy ardhjet në Luka 20:18:
Kushdo që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copë-copë dhe ai mbi të cilin do të bjerë guri, do të dërrmohet.
Në pjesën e parë të vargut, guri (Krishti) është mbi tokë. Gjatë Mishërimit të Tij njerëzit ranë mbi Të dhe u bënë copë-copë. Në gjysmën e dytë të vargut, guri po bie nga lart. Kur Krishti të kthehet përsëri Ai do t’i shkatërrojë të pabindurit dhe do të bëhen si pluhur.
Një rast i fundit dhe i dukshëm në kombinimin e dy ardhjeve gjendet në Hebrenjve 9:26, 28:
Sepse përndryshe ai duhet të pësonte shumë herë qëkurse u krijua bota; por tani, vetëm një herë, në fund të shekujve Krishti u shfaq për të prishur mëkatin me anë të flijimit të vetvetes….
Kështu Krishti, pasi u dha vetëm njëherë për të marrë mbi vete mëkatet e shumëve, do të duket për së dyti pa mëkatin për ata që e presin për shpëtim.
Ai u duk njëherë për të larguar mëkatin nëpërmjet flijimit të Vetvetes; ajo ishte Ardhja e Tij e Parë. Ai do të duket herën e dytë pa mëkat për shpëtim; ajo do të ndodhë kur Ai të vijë përsëri.