Gjëra themelore, të rëndësishme dhe joesenciale


[no_toc]Në studimin e Dhiatës së Re është tepër e rëndësishme të bëjmë dallimin midis gjërave themelore, atyre që janë të rëndësishme (por jo themelore) dhe atyre joesenciale. Çdo fjalë e Perëndisë është e frymëzuar nga Fryma e Shenjtë, por të gjitha pjesëve të Biblës nuk u është vënë i njëjti theks dhe rëndësi.

Njëherë kur Zoti Jezus po u fliste farisenjve, Ai tha: «…ju llogaritni të dhjetën e mëndrës, të koprës dhe të barit të gjumit dhe lini pas dore gjërat më të rëndësishme të ligjit: gjyqin, mëshirën dhe besimin» (Mt. 23:23). Me një fjalë, Ai theksoi se disa pjesë të ligjit janë më të rëndësishme se të tjerat. Por Ai gjithashtu u kujtoi atyre se madje edhe gjërat me më pak rëndësi të ligjit kërkonin bindje.

Kështu është në besimin e krishterë; ekzistojnë doktrina themelore absolute. Ka doktrina të tjera që janë të rëndësishme; disa prej tyre janë emërtuar si urdhëresa të Zotit (1 e Korintasve 14:37). Dhe disa çështje i janë lënë gjykimit të vetë besimtarit përpara Zotit.

Cilat janë gjëra themelore?

Kur bëjmë fjalë për gjërat themelore, ne u referohemi doktrinave të tilla si:

  • Frymëzimi nga Fryma e Shenjtë e Shkrimeve të Shenjta. Bibla është Fjala e Perëndisë.
  • Trinia. Ekziston një Perëndi, që ekziston përjetësisht në tre Persona.
  • Hyjnia e Krishtit. Zoti Jezu Krisht është Perëndia.
  • Mishërimi. Jezusi është gjithashtu Njeri i përsosur.
  • Vdekja e Tij zëvendësuese në Kryqin e Kalvarit, varrosja, ringjallja dhe ngritja e Tij në qiell.
  • Ungjilli. Shpëtimi me anë të hirit nëpërmjet besimit, i ndarë nga veprat.
  • Ardhja e dytë. Krishti do të vijë përsëri. Megjithëse jo të gjithë janë të një mendjeje për detajet e kthimit të Tij, vetë fakti i ardhjes së Tij është një hallkë e besimit.
  • Dënimi i përjetshëm i të pashpëtuarve.

Këto doktrina janë të pacënueshme. Ne duhet të luftojmë për to. Ato janë bërë të qarta në Shkrimet e Shenjta. Ato janë mbajtur nga kisha ungjillore për shekuj me radhë. Çdo pikëpamje tjetër që i kontradikton këto doktrina është e gabuar. Besimtarët kanë dhënë jetën për këto të vërteta të çmuara. Nuk ka vend për kompromis. Ne nuk mund të bashkësohemi me ata që i mohojnë këto gjëra themelore.

Natyrisht, kjo i zbatohet edhe ligjeve morale të pandryshueshme të Perëndisë. Gjithmonë është mëkat të bësh tradhëti bashkëshortore. Gjithmonë është mëkat të gënjesh ose të vjedhësh. Idhujtaria e çfarëdo lloji ndalohet nga Fjala e Perëndisë. Për këto dhe për çështje të tjera të ngjashme, nuk mund të ketë zbutje apo vend për kompromis. Ne duhet të qëndrojmë me Perëndinë kundër këtyre ligësive.

Të rëndësishme, por jo themelore

Një klasifikim i dytë i gjërave përfshin ato që janë të rëndësishme ngaqë Bibla na mëson për to me autoritet. Por ato nuk konsiderohen si themelore të besimit. Ja disa prej tyre që gjenden në këtë kategori:

  • Pagëzimi
  • Divorci dhe rimartesa
  • Ngjarjet në të ardhmen
  • Zgjedhja dhe përgjegjësia e njerëzve
  • Siguria e besimtarit
  • Roli i grave në kishë
  • Dhuntitë e Frymës së Shenjtë

Ndërsa ekziston vetëm një interpretim i saktë për secilën prej këtyre doktrinave, jo të gjithë besimtarët bien dakord se cili është interpretimi i saktë. Të krishterë të njohur e të perëndishëm nuk bien krejtësisht dakord. John Wesley nuk binte dakord me Charles Spurgeon. Në të tilla çështje, është e rëndësishme që secili t’i formojë bindjet e tij krejtësisht duke u bazuar vetëm në Fjalën e Perëndisë.

Gjëra joesenciale ose gjëra të indiferencës morale

Klasifikimi i tretë përmbledh gjëra që Bibla i konsideron si joesenciale. Këto konsiderohen gjithashtu gjëra të indiferencës morale. Për të tilla çështje, Zoti lejon të ketë ndryshime në opinion për sa kohë që sjellja e besimtarit nuk bëhet gur pengese për të tjerët (Rom. 14:13), nuk shkakton problem për paqen e kishës (Rom. 14:19), ose për sa kohë që nuk shkel në ndërgjegjen e tij (Rom. 14:23).

Në ditët e para të kishës, lindën probleme në lidhje me ushqimin që u ishte ofruar idhujve, me festimin e festave (të kalendarit fetar Izraelit) dhe për sa i përket ushqimit të pastër dhe të papastër. Zgjidhja biblike mund të përmblidhet si më poshtë:

Ushqime të ofruara idhujve

Pjesët kryesore në lidhje me ushqimin e ofruar idhujve gjenden në 1 e Korintasve 8:1-13 dhe 1 e Korintasve 10:14-30. Këtu thelbi i mësimit është që s’ka problem nëse ha nga ky ushqim në qoftë se i krishteri nuk merr pjesë në festën ku ushqimi u ofrohet idhujve; në qoftë se ndërgjegjja e tij është e pastër; dhe në qoftë se ai nuk bëhet gur pengese për besimtarët e tjerë. Por kur Pali thotë: «Të gjitha gjërat janë të ligjshme», ne duhet të kuptojmë se ai nuk po flet për të gjitha gjërat pa përjashtim. Ai po i referohet vetëm çështjes në fjalë—gjërat e indiferencës morale. Po qe se nuk arrini ta kuptoni këtë, atëherë ju mund të adoptoni interpretimin e gabuar se Pali e lejonte imoralitetin!

Festimi i festave izraelite

Kapitulli 14 i Romakëve trajton festimin e festave, ngrënien e mishit (në kontrast me ngrënien e vetëm perimeve) dhe pirjen e verës. Ndër të tjera vija udhëzimi, Pali shtron këtë: «Gjithsecili të jetë plotësisht i bindur në mendjen e tij» (v. 5b). Kështu, në qoftë se ju e merrni atë jashtë kontekstit dhe në qoftë se ia zbatoni doktrinës së fymëzimit të Shkrimeve të Shenjta nga Fryma, ose shpëtimit me anë të hirit nëpërmjet besimit, atëherë ju me të vërtetë i keni shkaktuar problem vetes. Është tepër e rëndësishme të shohim se parimet e shtruara në Romakëve 14 trajtojnë gjëra që nuk janë të rëndësishme në vetvete (që nuk janë as të bardha as të zeza në vetvete).

Ushqime të pastra dhe të papastra

Në Titit 1, Pali u kushton vëmendje të veçantë atyre që po mundoheshin t’i vinin besimtarët nën Ligjin e Moisiut. Në vargun 15 apostulli thotë: «Gjithçka është e pastër për ata që janë të pastër, por asgjë nuk është e pastër për të ndoturit dhe për ata që nuk besojnë; madje edhe mendja, edhe ndërgjegjja e tyre janë të ndotura».

Duhet të jetë e qartë për ne kur Pali thotë: «Gjithçka është e pastër për ata që janë të pastër» se ai nuk po tregon për një të vërtetë universale por flet për llojet e mishit të konsideruara si të papastra nga Ligji i Moisiut. Për të krishterët në këtë epokë hiri, të gjitha ushqimet që Perëndia na ka siguruar janë të pastra. Etiketat «e pastër» dhe e «papastër» nuk zënë më vend.

Vargu 14 në Romakëve 14 duhet të kuptohet në të njëjtën mënyrë: «Unë e di dhe jam plotësisht i bindur në Zotin Jezus, se asnjë gjë nuk është e ndyrë në vetvete…». Pali ashtu si edhe ne e dinte se kishte gjëra të papastra, por këtu ai po bën fjalë vetëm për ushqime si mishi i derrit, mish lepuri, të cilat ishin të papastra sipas ligjit të Dhiatës së Vjetër.

Gjëra jothemelore sot

Gjëra që në ditët tona mund të vendosen në këtë klasifikim janë:

  • Verë apo lëng rrushi në Darkën e Zotit
  • Bukë me maja apo bukë pa maja
  • Një kupë apo shumë kupa
  • Kohët e takimeve
  • Përdorimi i mjeteve muzikore në takimet e kishës
  • Përdorimi i përkthimeve të ndryshme të Biblës
  • Metodikat e shërbimit të krishterë

Në lidhje me çështjen e fundit në këtë listë, d.m.th. metodikat e shërbimit të krishterë, ka vend për përshtatje sipas kulturës dhe zakoneve të një vendi. Kështu në 1 e Korintasve 9:19-23 Pali tregon sesi ai u përshtatej njerëzve, natyrisht pa komprometuar me ndonjë prej të vërtetave bazë dhe besnikërinë e tij ndaj Krishtit.

Sepse, ndonëse jam i liruar nga të gjithë, e bëra veten time shërbëtor të të gjithëve që të fitoj sa më shumë njerëz. Kështu e kam bërë veten time Jude me Judenjtë për t’i fituar Judenjtë; e kam bërë veten time si një që është nën Ligj me ata që janë nën Ligj për t’i fituar ata që janë nën Ligj; me ata që janë pa Ligj e kam bërë veten time si pa ligj (ndonëse nuk isha pa Ligjin e Zotit, por nën Ligjin e Krishtit), për të fituar ata që janë pa ligj. E kam bëre veten time të dobët me të dobëtit për të fituar të dobëtit; e kam bërë veten time gjithçka për të gjithë, që të mund të shpëtoj me çdo mënyrë disa njerëz. Dhe këtë e bëj për hir të ungjillit, që të bëhem edhe unë pjesëtar i tij.

Por kur Pali thotë: «E kam bërë veten time gjithçka për të gjithë, që të mund të shpëtoj me çdo mënyrë disa njerëz», ai pa dyshim nuk komprometoi asnjë të vërtetë të Ungjillit dhe nuk mori pjesë në ndonjë aktivitet mëkatar. Ku ishte e mundur të bëhej një përshtatje pa e sakrifikuar të vërtetën (si në rastin e rrethprerjes së Timoteut, Veprat e Apostujve 16:3), ai e bëri këtë që mesazhi të dëgjohej nga më shumë njerëz. Por kur bëhej fjalë për të vërtetën e shpëtimit me anë të hirit dhe jo nëpërmjet mbajtjes së Ligjit (si në rastin e diskutimit për rrethprerjen e Titit, Galatasve 2:1-5), ai nuk anoi aspak.

Konkluzion

Tani le të përmbledhim materialin që sapo diskutuam.

Për sa u përket gjërave themelore dhe ligjeve morale të pandryshueshme të Perëndisë, duhet të ketë marrëveshje dhe bindje absolute.

Për sa u përket gjërave që janë të rëndësishme frymërisht, megjithëse jothemelore, secili besimtar duhet të gjykojë dhe të veprojë sa më afër me atë që thotë Fjala e Perëndisë.

Për sa u përket gjërave jothemelore, duhet të ketë vend për opinione të ndryshme për hir të unitetit dhe paqes (Efesianeve 4:1-6). Por edhe në këtë rast i krishteri duhet të qëndrojë larg çdo lloji ligësie, të mos bëhet pengesë për një të krishterë tjetër dhe të mos bjerë ndesh me ndërgjegjen e tij.

Kur bëjmë fjalë për gjërat themelore dhe gjërat e rëndësishme, atëherë parime të caktuara bazë duhet të zbatohen. Por kur bëjmë fjalë për çështje të indiferencës morale, atëherë duhet të zbatohet një grup rregullash të tjerë. Kështu, kur flasim për hyjninë e Krishtit, Pali nuk lejonte vend për opinione të ndryshme duke thënë: «Secili të jetë plotësisht i bindur në mendjen e tij» (Rom. 14:5b). Ose kur bëhej fjalë për imoralitet, ai nuk thoshte: «E di dhe jam i bindur në Zotin Jezus Krishtin se asgjë nuk është e ndyrë në vetvete» (Rom. 14:14). Ne duhet të bëjmë dallimin nëse ai po bënte fjalë për çështje themelore, të vërteta të rëndësishme apo për gjëra anësore.

[wpfilebase tag=file id=8/]