Madhështia personale në krahasim me madhështinë pozicionale


[no_toc]Në disa pjesë të Shkrimeve të Shenjta është e rëndësishme të dallojmë nëse shkrimtari po flet për karakterin e një personi apo për rolin e tij në jetë. Për shembull, një njeri mund të jetë më i mirë se një tjetër ngaqë ai është më i mirë nga natyra e tij. Nga ana tjetër, madhështia superiore tregon se ai njeri ka veçse një pozitë zyrtare më të lartë.

Gjon Pagëzori

Jezusi tha: «Me siguri po ju them, se ndër ta që janë lindur prej gruas nuk ka dalë kurrë ndonjë më i madh se Gjon Pagëzori…» (Mt. 11:11a). Kjo nuk do të thotë se Gjoni pati një karakter më të mirë se Noeu, Danieli apo Jobi. Nuk do të thotë se ai ishte më i mirë, më i perëndishëm, më i urtë apo më i dashur. Ç’ka kjo do të thotë është se pozita e tij si pararendës i Mesias luajti një rol më të madh se ai i paraardhësve të tij. Askush tjetër nuk e ka patur privilegjin të hapë rrugën për Zotin, duke lajmëruar ardhjen e Tij dhe duke e pagëzuar Atë. Në këtë aspekt Gjoni është i veçantë.

Më i vogli në Mbretëri

Menjëherë pasi Jezusi foli për superioritetin pozicional të Gjonit, Ai shtoi: « … por më i vogli në mbretërinë e qiellit është më i madh se ai» (Mt. 11:11b). Edhe njëherë, kjo nuk do të thotë se më i vogli në mbretërinë e Perëndisë ka një personalitet ose mënyrë jetese më të mirë se Gjon Pagëzori. Për më tepër, çështja qëndron në atë se ai e shpalli mbretërinë dhe besimtarët sot janë shtetas të kësaj mbretërie{{1}}. Gjoni e përshkruan veten si «mik i dhëndrit» (Gjoni 3:29), ndërsa njerëzit e Perëndisë janë nusja. Nusja zë një pozitë më të lartë sesa një mik i dhëndrit dhe është në një rang më të lartë në atë aspekt.

Maria

Engjëlli Gabriel i tha Maries së virgjër: «Gëzohu, o hirplotë, Zoti është me ty; je e bekuar ndër gratë» (Luka 1:28). Nuk ka pikë dyshimi se Maria ishte një e re e perëndishme dhe e panjollosur. Por madhështia e saj e vërtetë qëndron në atë se ajo u zgjodh për të qenë nëna e Zotit tonë (d.m.th. prej asaj u lind Shpëtimtari). Madje ajo e quajti veten mëkatare duke e thirrur Perëndinë «Shpëtimtar» (Luka 1:47). Karakteri i saj nuk ishte më i lartë se i Ruthit apo i Anës. Por roli i saj ishte i pakrahasueshëm.

Një ditë një grua i tha Jezusit: «Lum barku që të barti dhe gjinjtë që të mëndën» (Luka 11:27). Jezusi u përgjigj: «Më tepër, lum ata që e dëgjojnë Fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë» (v. 28). Kjo do të thotë se është më mirë të jesh ndjekës besnik i Krishtit sesa të jesh nëna e Tij. Gjithashtu, kjo do të thotë se ishte bekim më i madh për Marinë që besoi në Krishtin sesa ta lindte Atë.

Ati është më i madh se Unë

Një pjesë shumë e rëndësishme nga Shkrimet e Shenjta, për të bërë dallimin midis karakterit dhe pozitës gjendet në Gjoni 14:28, ku Jezusi thotë: «Ju më keni dëgjuar duke ju thënë, ‘Do të largohem dhe do të kthehem prapë te ju’. Po të më doni, ju do të gëzoheshit sepse thashë se do të shkoj te Ati,’ sepse Ati Im është më i madh se Unë». Kultet dhe të tjerët që e mohojnë hyjninë e Krishtit i shtrembërojnë këto fjalë të fundit, «Ati Im është më i madh se Unë», duke i nxjerrë jashtë kontekstit duke u munduar të krijojnë pabarazi midis Birit dhe Atit dhe kështu mohojnë edhe Trininë.

Atëherë, cili është kuptimi i këtij vargu? Kur Zoti ynë i foli këto fjalë, Ai ishte akoma në tokë, duke u ndeshur me lloj lloj armiqësie, qortimesh dhe abuzimesh nga krijesat e Tij. Ai u hodh poshtë, u përul dhe u poshtërua. Në anën tjetër, Ati ishte në qiell, plotësisht i lirë nga ky lloj trajtimi. Në atë kuptim, Ati ishte më i madh sesa Biri—më i madh në pozitë, por jo më i madh në person. Po qe se dishepujt do ta donin me të vërtetë Zotin, atëherë ata do të ishin gëzuar me lajmin se Ai po kthehej në qiell, sepse atje Ai nuk do të binte më pre e poshtërimeve njerëzore. Në qiell, pozita e Tij do të ishte e njëjtë me atë të Atit të Tij—i pa ndikuar nga persekutimi nga krijesat e Tij.

Kjo nuk ka të bëjë aspak me karakterin personal. Për sa i përket kësaj, Biri i Perëndisë është i barabartë me Atin në çdo aspekt. Por për sa kohë që Biri i Perëndisë ishte në tokë, duke u ndeshur me armiqësira nga mëkatarët kundër Tij, Ati ishte më i madh se Ai për sa i përket vendit dhe pozitës së Tij.

Jezusi më i madh se…

Në Mateun 12, Zoti Jezus thotë se Ai është më i madh madje edhe se tempulli (v. 6), më i madh se Jona (v. 41) dhe më i madh se Salomoni (v. 42){{2}}. Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një çështje pozite apo roli. Ai është më i madh se tempulli në atë që Ai e themeloi atë dhe ritin e tij. Ai është më i madh se Jona në Personin e Tij, në mesazhin e Tij dhe në rezultatet. Dhe Ai është më i madh se Salomoni në lavdinë dhe në urtësinë e Tij; Ishte Ai që i dha urtësi këtij mbreti.

Shihni kontekstin

Zakonisht, konteksti e shpjegon nëse çështja në fjalë ka të bëjë me karakterin personal apo me dinjitetin pozicional. Për sa i përket Zotit Jezus, nuk ka pikë dyshimi për superioritetin e Tij personal! Ai është gjithmonë «më i madhi i të mëdhenjve dhe më i miri i të mirëve».

[[1]]Shihni kapitullin e titulluar «Kisha dhe Mbretëria».[[1]] [[2]]Përkthyer fjalë për fjalë «diçka më e madhe se» mund t’i referohet mbretërisë. Por meqë prania e mbretërisë ishte në Personin e Mbretit, themi «Dikush më i madh se».[[2]]
[previous][next]
[wpfilebase tag=file id=8/]