Mistere të Shkrimeve të Shenjta


[no_toc]Dhiata e Re na paraqet një seri misteresh. Rreziku qëndron në atë që ne mund të mos i kuptojmë ato. Prandaj do t’i kushtojmë këtij mësimi një përmbledhje të shkurtër të kuptimeve të mistereve të ndryshme.

Përkufizim

Një mister është një e vërtetë që nuk është zbuluar kurrë më parë, të cilën njeriu nuk mund të kuptonte nëpërmjet intelektit të vet, por tani u është zbuluar njerëzve nga Perëndia. Kjo fjalë «mister» vjen nga fjala greke mysterion.

Mistere të Mbretërisë së Qiellit

Mateu 13:3-50

Në Mateun 13:11 lexojmë për «misteret e mbretërisë së qiellit». Ato janë dhënë në këtë kapitull në formën e shtatë shëmbëlltyrave.

Në kapitujt e mëparshëm të Mateut, ne gjejmë Zotin Jezus duke i prezantuar Veten Izraelit si Mesia-Mbret. Por në kapitullin 12 udhëheqësit fetarë e hodhën poshtë Atë duke e akuzuar për bërje të mrekullive me anë të fuqisë së Djallit. Kështu, tani që mbreti është hedhur poshtë, mbretëria do të marrë një formë tjetër. Kjo është çfarë gjejmë në Mateun 13. Këto shtatë shëmbëlltyra japin një përshkrim të mbretërisë në formën e saj së përkohshme—gjatë kohës midis hedhjes poshtë të Mbretit dhe kthimit të Tij për të sunduar mbi tokë. Mbreti mungon, por mbretëria e Tij gjendet kudo që njerëzit pohojnë të jenë të nënshtruarit e Tij. Ka edhe pohim edhe realitet. Në fund të periudhës së përkohshme të vërtetët do të ndahen nga të rremët dhe do të shijojnë bekimet e sundimit të Tij mijëvjeçar. Të rremët do të shkatërrohen.

Misteri i verbërisë së Izraelit

Romakeve 11:25

Për arsye të mohimit të Mbretit nga Izraeli, Perëndia ka shkaktuar një verbëri juridike mbi kombin çifut. Kjo shpjegon pjesërisht vështirësinë e madhe që populli çifut ka në pranimin e Jezusit si Mesia i tyre dhe numrin relativisht të vogël të të shpëtuarve. Por kjo verbëri nuk është as totale as përfundimtare. Disa shohin se Jezusi është Ai për të cilin folën profetët. Dhe verbëria do të vazhdojë deri sa të ketë hyrë «tërësia e joçifutëve», domethënë, derisa Zoti të marrë nusen e Tij joçifute për të qenë me Të. Pastaj një pjesë çifute që mbetet të cilët besojnë do të kthehen te Krishti.

Misteri i Rrëmbimit

1 e Korintasve 15:51, 52

Deri në atë kohë në historinë njerëzore gjithmonë besohej se gjithkush do të vdiste herët a vonë. Por tani apostulli Pal bën lajmërimin mahnitës se jo të gjithë besimtarët do të vdesin. Ata që jetojnë në kohën e Rrëmbimit do të shkojnë në qiell pa vdekur. Ata do të ndryshojnë—domethënë, ata do të marrin trupa të përlëvduar—dhe ata kurrë nuk do të përjetojnë vdekje. Ata që kanë vdekur në Krishtin do të ngrihen dhe do të merren në qiell me shenjtorët e gjallë. Detaje të mëtejshme gjenden në 1 Thesalonikasve 4:13-18.

Misteri i Kishës

Romakeve 16:25; Efesianeve 3:4-5

Kisha ishte një e vërtetë e mbajtur sekret që nga fillimi i botës (Rom. 16:25), por iu shfaq apostujve dhe profetëve të periudhës së Dhiatës së Re (Efesianeve 3:5). Ky mister përmban cilësi të tilla të rëndësishme si:

  1. Kryesimi nga Krishti (Kolosianeve 1:18).
  2. Anëtarësia e gjithë besimtarëve (1 e Korintasve 12:13).
  3. Faktin se joçifutët besimtarë janë të barabartë me besimtarët çifutë, se Krishti është shpresa e tyre e lavdisë gjithashtu dhe se armiqësia e vjetër midis çifutëve dhe joçifutëve është zhdukur në Krishtin (Efesianeve 3:6; Kolosianeve 1:26, 27; Efesianeve 2:14, 15).
  4. Kisha si trupi i Krishtit (1 e Korintasve 12:12, 13).
  5. Kisha si nusja e Krishtit (Efesianeve 5:25-27, 31, 32).
  6. Kisha si një shfaqje e urtësisë së shumëfishtë të Perëndisë ndaj principatave dhe fuqive në vende qiellore (Efesianeve 3:10).
  7. Qëllimi i Perëndisë për ta bërë Krishtin Koka e një universi të shpenguar (Efesianeve 1:9, 10), me Kishën duke sunduar si nusja e Tij dhe duke e ndarë lavdinë e Tij me të përgjithmonë.

«Ky mister midis joçifutëve» në Kolosianeve 1:27 përcaktohet si «Krishti në ju, shpresa e lavdisë». Ky është i njëjti mister si Kisha; ai thekson se Krishti është shpresa e lavdisë për joçifutët që besojnë dhe për çifutët që besojnë gjithashtu—të gjithë tani kanë të njëjtin qëndrim në Krishtin para Perëndisë.

Në Kolosianeve 2:2 misteri i Perëndisë indentifikohet me Krishtin. Ne e kuptojmë se kjo i referohet trupit misterioz të Krishtit, me Vetë Krishtin si Koka dhe të gjithë besimtarët si trupi i Tij.

Pjesë të tjera të Shkrimeve të Shenjta, që i referohen misterit të Kishës, janë Efesianeve 6:19 dhe Kolosianeve 4:3. Në një kuptim ky mister i Kishës përbën gurin e qoshes së zbulesës së Shkrimeve. Apostulli Pal e përmbushi Fjalën e Perëndisë kur ai e shfaqi këtë të vërtetë (Kolosianeve 1:25). Nga ana kronologjike, kjo nuk ishte pjesa e fundit e Biblës që po shkruhej, por për sa i përket zbulesës të së vërtetave të reja, kjo përbën pikën kulminante.

Misteri i paudhësisë

2 Thesalonikasve 2:7, 8

I vetmi referim për «misterin e paudhësisë» gjendet në 2 Thesalonikasve 2:7, 8. Aty Pali thotë se «misteri i paudhësisë në fakt është tashmë në veprim, duke pritur vetëm që të hiqet nga mesi ai që e ndalon tani. Atëherë do të shfaqet ky i paudhë, …» Madje edhe në ditët e para të Kishës një shpirt paudhësie po vepronte. Kishte shumë antikrishta. Por zhvillimi i plotë i paudhësisë u kufizua nga një Person i paemëruar (të cilin ne besojmë të jetë Fryma e Shenjtë). Kur ai Person kufizues të hiqet (Fryma e Shenjtë do të hiqet si Brendabanuesi i përhershëm në Rrëmbimin), atëherë Njeriu i Paudhësisë, Antikrishti, do të shfaqet në skenën e historisë. Ai do të jetë pikërisht trupëzimi i mëkatit dhe i paudhësisë. Bota nuk do të kishte parë kurrë një përqendrim të tillë ligësie në ndonjë qenie njerëzore.

Misteri i besimit

1 Timoteut 3:9

«Misteri i besimit» i referohet trupit të doktrinës së krishterë, ose asaj çfarë ne e quajmë besim të krishterë. Quhet mister, sepse kaq shumë prej të vërtetave të Tij ishin krejtësisht të panjohura në kohën e Dhiatës së Vjetër.

Misteri i perëndishmërisë

1 Timoteut 3:16

1 Timoteut 3:16 thotë:

Dhe s’ka asnjë dyshim se misteri i perëndishmërisë është i madh: Perëndia u shfaq në mish, u shfajësua në Frymë, u duk ndër engjëj, u predikua ndër joçifutë, u besua në botë, u ngrit në lavdi.

Përshkrimi i Personit të Trinisë këtu i përshtatet vetëm një personi—Zotit tonë Jezu Krisht. Deri në kohën kur Krishti erdhi në botë, njerëzit nuk kishin parë kurrë një perëndishmëri të përsosur në një njeri. Por Zoti Jezus erdhi dhe tregoi një demonstrim praktik të asaj çfarë është një person absolutisht i perëndishëm.

Kur Pali thotë se misteri i perëndishmërisë është «i madh» (fjala greke: mega), ai nuk nënkupton se ai është thellësisht misterioz, por për më tepër se e vërteta e Personit të Krishtit është e mahnitshme dhe e mrekullueshme.

Misteri i perëndishmërisë është në kontrast me misterin e paudhësisë. I pari paraqet një Njeri, i cili trupëzon në mënyrë të përsosur mëshirë. I dyti paraqet trupëzimin e gjallë të mëkatit. Ekziston një kontrast tepër i madh midis Krishtit dhe Antikrishtit.

Misteri i shtatë yjeve

Zbulesa 1:20

Ky mister është përkufizuar qartë. Shtatë yjet në vizionin e Gjonit janë engjëjt ose mesazh-sjellësit e shtatë kishave të Azisë. Shtatë shandanët e artë janë shtatë kishat. Në dy kapitujt e tjerë, Zoti ua adreson letrat engjëjve të shtatë kishave. Këto letra mund të kuptohen në tre mënyra të ndryshme.

  1. Ato ishin shtatë letra të shkruara shtatë kishave të vërteta që kanë ekzistuar në kohën e Gjonit. Pothuajse të gjithë e besojnë këtë.
  2. Ato japin një përmbledhje kronologjike të gjendjes në Kishës mbarëbotërore në çfarëdo kohë të historisë së saj. Kjo duket të jetë një zbatim i qartë për shumë studentë të Biblës.
  3. Ato përshkruajnë një përmbledhje kronologjike të gjendjes së Kishës nga ditët e apostujve deri në fund të epokës së krishterë. Jo të gjithë e pranojnë këtë pikëpamje, por paralelizmat në të janë të mahnitshëm.
Misteri i Perëndisë

Zbulesa 10:7

Kur të bjerë trumbeta e shtatë e Zbulesës, misteri i Perëndisë do të përmbushet. Tingëllimi i trumbetës së shtatë shoqërohet nga zëra të lartë në qiell duke thënë: «Mbretëria e botës u bë mbretëria e Zotit tonë dhe e Krishtit të Tij dhe ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve» (Zbulesa 11:15). Nga kjo dimë se trumbeta e shtatë bie në fund të Shtrëngesës së Madhe, kur Krishti të kthehet në tokë për të sunduar (Zbulesa 11:17). Në atë kohë shenjtorët besnikë të Shtrëngesës së Zotit do të shpërblehen dhe armiqtë e Tij do të shkatërrohen (v. 18).

Misteri i Perëndisë atëherë do të përmbushet. E liga që ka qenë kaq këmbëngulëse dhe në dukje fitimtare do të hidhet poshtë. Indiferenca e Perëndisë ndaj ligësisë së njeriut dhe mosveprimi i Tij në dukje do të kenë marrë fund. Ashtu siç thotë U. A. Krisëll: «Vonesa e madhe e Zotit tonë në marrjen e mbretërisë dhe në vendosjen e drejtësisë në tokë do të marrë fund».

Kurse F. W. Grant thotë: «Misteri i Perëndisë është i mbaruar përgjithmonë; lavdia e Perëndisë shkëlqen si dielli; besimi është plotësisht i shfajësuar, mërmëritja e dyshimit përgjithmonë e heshtur».

Misteri i Babilonisë

Zbulesa 17:5-7

Babilonia e Madhe është përshkruar në Zbulesën 17 si një prostitutë e ulur mbi një bishë me shtatë koka dhe dhjetë brirë. Ajo quhet Babilonia e Madhe, Nëna e prostitutave dhe e paudhësive të tokës. Shpjegimi i misterit jepet në vargjet 8-18. Gruaja është një qytet i madh që sundon mbi mbretërit e tokës (v. 18). Bisha është një perandori që ka ekzistuar në një kohë, që ka dalë jashtë ekzistence dhe do të gjallërohet dhe do të shkatërrohet (v. 8). Shtatë kokat janë shtatë mbretër të kësaj perandorie (v. 9). Dhjetë brirët janë dhjetë mbretër që do të bashkohen me këtë perandori (v. 12). Prostituta shëtit e ulur mbi bishën për një farë kohe, por pastaj ajo shkatërrohet nga bisha (v. 16). Vetë perandoria përfundimisht do të shkatërrohet nga Zoti (v. 14).

Interpretimi ynë i misterit është si më poshtë. Gruaja përfaqëson një sistem ekonomik e fetar, i cili do ta ketë qendrën në Romë; do të jetë një kishë botërore me burime të mëdha financiare. Bisha përfaqëson Perandorinë e gjallëruar Romake në një formë dhjetë mbretërish, diku afër me linjat gjeografike të Tregut të Përbashkët Europian.

Pas mbështetjes së kishës botërore për pak kohë, sundimtari i Perandorisë së gjallëruar Romake dhe dhjetë mbretërit, që janë në aleancë do të dalin kundër sistemit dhe do ta shkatërrojnë atë. Detaje të mëtejshme për sa i përket Babilonisë dhe shkatërrimit të saj gjenden në Zbulesën 18.

Konkluzion

Ka edhe katër referime të tjera për misteret në Dhiatën e Re.

Në 1 e Korintasve 2:7 Pali thotë se ai dhe apostujt e tjerë e folën «urtësinë e Perëndisë në një mister». Pastaj ai shpjegon se nënkupton të vërteta, të cilat u ishin fshehur brezave të mëparshëm, por që tani janë zbuluar nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

Ai dhe apostuj e tjerë ishin «administratorë të mistereve të Perëndisë» (1 e Korintasve 4:1). Këtu përsëri fjala përdoret në një kuptim të përgjithshëm për të mbuluar të gjithë të vërtetën e përndarjes së krishtera.

Por ai na kujton në 1 e Korintasve 13:2, se nuk është e mjaftueshme të njohësh të gjitha misteret dhe gjithë njohurinë. Po qe se nuk kemi dashuri, ne nuk jemi asgjë.

Dhe së fundi, në 1 e Korintasve 14:2 Pali shpjegon se, në qoftë se një njeri flet në një gjuhë të panjohur pa ndonjë përkthyes të pranishëm, ai nuk përfiton asgjë, megjithëse ai mund të flasë mistere më të plota.

[wpfilebase tag=file id=8/]