Librat profetik

 VËLLIMI 3 | Le t’ju prezantoj me Biblën

Të 16 profetët shkrimtarë të Dhiatës së Vjetër (nga Isaia deri te Malakia) shërbyen gjatë tre periudhave të ndryshme të historisë hebre. Shumica e tyre dhanë mesazhin e Perëndisë gjatë Mbretërisë së Ndarë. Dy nga këta profetë (Ezekieli dhe Danieli) ishin aktivë gjatë mërgimit në Babiloni dhe tre profetë (Hagai, Zakaria, Malakia) shërbyen pasi njerëzit u kthyen nga mërgimi. Kështu, ata hyjnë në librat historik nga 1 Mbretërit deri te Nehemia.

Profetët ishin goja për Perëndinë, të cilët ishin rritur në një kohë të rënies frymërore për të thirrur njerëzit te Zoti dhe për t’i paralajmëruar për gjykimin nëse ata nuk i bindeshin.

Isaia, Jeremia, Ezekieli dhe Danieli njihen si Profetë të Mëdhenj, kryesisht për arsye se librat e tyre janë të gjatë. Të tjerët quhen Profetë të Vegjël, sepse librat e tyre, megjithëse të rëndësishëm, janë të shkurtër në krahasim me të tjerët.

Temat e mëposhtme zënë vend rregullisht në shkrimet profetike.

  1. Shenjtëria e Perëndisë
  2. Mëkati dhe dështimi i popullit të zgjedhur të Perëndisë
  3. Thirrje për pendim
  4. Gjykimi i Perëndisë nëse njerëzit nuk pendohen
  5. Gjykimi i Perëndisë në kombet përreth
  6. Kthimi i një pjese të kombit nga robëria
  7. Ardhja e Mesias dhe hedhja poshtë e Tij
  8. Ardhja e dytë e Mesias në fuqi dhe lavdi
  9. Restaurimi i popullit të zgjedhur të Perëndisë
  10. Sundimi universal i Krishtit

Ja disa çelësa të dobishëm në studimin e librave profetikë. Ndonjëherë profeti kalon nga e kaluara ose e tashmja në të ardhmen, duke lënë pas qindra vjet pa tranzicione me fjalë. Kini kujdes për këta tranzicione të menjëhershme!

Disa profeci kanë një përmbushje të hershme të pjesshme dhe një përmbushje të dytë të plotë. Ky njihet si Ligji i Referimit të Dyfishtë.

Emrat Izrael, Efraim, Jozef dhe Samari zakonisht kanë të bëjnë me Mbretërinë së Veriut, megjithëse Izraeli ndonjëherë nënkupton të gjithë 12 fiset. Judea dhe Jeruzalemi i referohen Mbretërisë së Jugut.

Ninive ishte kryeqyteti i Asirisë, Damasku i Sirisë dhe Babiloni i Babilonisë ose Kaldesë.

Fjalë si vende të larta, lisa dhe kopshte kanë të bëjnë me idhujtari.

Profetët mund të klasifikohen sipas njerëzve (popujve), të cilëve u shërbyen, megjithëse shpeshherë pati edhe përjashtime.

IZRAELI

JUDEA

KOMBET

Osea
Amos
Jona

Isaia
Jeremia
Joeli
Mikea
Habakuku
Sofonia
Ezekieli
Danieli
Hagai
Zakaria
Malakia

Nahum
Abdia

ISAIA. I njohur si Profeti ungjillor, Isaia jetoi gjatë sundimit të Uziahut, Jothamit dhe Ezekias (mbretër të Judesë). Gjatë kësaj kohe Mbretëria e Veriut u robërua nga Asiria dhe Judea gjithashtu u kërcënua nga Asirianët. Isaia e siguroi Ezekian se Zoti do ta shkatërronte ushtrinë Asiriane para se të mund të pushtonte Jeruzalemin. Por ai gjithashtu paralajmëroi se Judea do të robërohej më vonë nga babilonasit për shkak të idhujtarisë.

Në qoftë se 39 kapitujt e parë të Isaias korrespondojnë me 39 librat e Dhiatës së Vjetër, atëherë 26 kapitujt e fundit të Isaias sigurisht janë paralel me 26 librat e Dhiatës së Re me mesazhet e tyre ngushëlluese rreth Mesias – Ardhjen e Tij të parë, veprimtarinë publike, mohimin, vdekjen, ringjalljen, lartësimin, ardhjen e dytë dhe sundimin e lavdishëm. Isaia 53 na jep një përshkrim grafik të vdekjes së Krishtit, megjithëse fjalët janë shkruar rreth 700 vjet para se ngjarja të ndodhte.

JEREMIA. Profeti Vajtues shërbeu gjatë kohës që Judea u kërcënua dhe pastaj u robërua nga babilonasit. I drejtuar nga Perëndia, Jeremia i këshilloi njerëzit që t’u nënshtroheshin babilonasve, por ata e akuzuan atë për tradhti dhe u munduan ta vrisnin. Pasi Jeruzalemi ra, ai u lejua që të qëndronte atje me disa të tjerë. Ai i këshilloi të tjerët që të mos largoheshin për në Egjipt, por ata jo vetëm që shkuan vetë, por tërhoqën edhe atë gjithashtu. Jeremia vdiq në Egjipt.

Krahas parashikimit të robërisë nga Babilonia, Jeremia parashikoi shkatërrimin e asaj perandorie në fund të 70 vjetëve dhe kthimin e hebrenjve në tokën e tyre.

VAJTIMET. Ky është vajtim për shkatërrimin e Jeruzalemit. Profeti tregon emocionet e hebrenjve ndërsa ata shikonin babilonasit duke sulmuar dhe pastaj duke robëruar qytetin e tyre të dashur.

EZEKIELI. Ezekieli ishte çuar në Babiloni 11 vjet para rënies së Jeruzalemit. Nëpërmjet një serie vizionesh dhe artesh simbolike, ai i kujton Judesë mëkatet, paralajmëron për mërgimin që ishte gati të ndodhte dhe hedh poshtë mundësinë e kthimit të shpejtë. Ai pastaj dënon kombet e tjerë johebre për idhujtarinë dhe ligësinë e tyre. Së fundi, ai profetizon pendimin dhe restaurimin e gjithë kombit (Izraelit dhe Judesë) nën mënyrën paqësore të Mesias.

Shiheni lëvizjen e resë së lavdisë ose Shekinah në librin e Ezekielit! Reja largohet nga Vendi shumë i Shenjtë dhe për te pragu i Tempullit (Ezekieli 9:3), pastaj mbi prag (Ezekieli 10:4), pastaj te hyrja në lindje (Ezekieli 10:19), pastaj te mali në lindje të qytetit (Ezekieli 11:23). Kjo portretizon Zotin që largohet nga Tempulli i Tij dhe nga Qyteti, për arsye të mëkateve të njerëzve. Ai përfundimisht do të kthehet në Tempull (Ezekieli 43:2) në një ditë që akoma është në të ardhmen.

DANIELI. Ashtu si Ezekieli, Danieli profetizoi gjatë mërgimit. Ai trajtoi veçanërisht «kohët e johebrenjve» kur katër fuqi botërore do të mbanin popullin hebre nën sundim. Këta fuqi ishin Babilonia, Medo-Persia, Greqia dhe Roma, të simbolizuara nga një shëmbëllim i përbërë nga katër lloje metalesh dhe gjithashtu të simbolizuara nga katër egërsira. Këta katër fuqi botërore do të vazhdonin nga një perandori e pestë, mbretëria e Zotit Jezus Krisht, e simbolizuar nga një gur i madh, copëtues.

Libri i Danielit përmban gjithashtu edhe dëshminë drithëruese të tre hebrenjve, të cilët u ngritën në krye të drejtimit politik krahas refuzimit të tyre për kompromis (kapitulli 1); mbrojtjen e tyre të mrekullueshme në furrën e ndezur (kapitulli 3); dhe përvojën e paharrueshme të Danielit në gropën e luanëve (kapitulli 6).

Vegimi profetik i Danielit për 70 «javët» (490 vjet) të superioritetit të johebrenjve (kapitulli 9) mbulon ardhjen e parë të Krishtit, e kalon epokën e kishës së sotme dhe pastaj trajton periudhën e Shtrëngesës së madhe (menjëherë para ardhjes së dytë të Krishtit).

Kapitujt e fundit të Danielit (11 dhe 12) paratregojnë pushtimin e Medo-Persisë nga Greqia, rënien e Perandorisë Greke, ngritjen e Antikrishtit të ardhshëm dhe ardhjen e Shtrëngesës së Madhe.

OSEA. Osea i profetizoi Izraelit gjatë viteve të perëndimit. Martesa e Oseas me një prostitutë, e cila provoi se ishte e pabesë ndaj tij, por përfundimisht e restauruar, portretizon marrëdhënien e Izraelit me Perëndinë: gjithnjë në rënie, por përfundimisht e sjellë te Zoti në bekim.

JOELI. Joeli ishte për Judenë, ndoshta nga sundimi i Joashit deri te Ahazi. Fraza e tij çelës është «dita e Zotit», një kohë gjykimi të egër e simbolizuar në fund nga një mori karkalecash. Ai njihet si «profeti i Rrëshajës», sepse ai paratregon derdhjen universale të Frymës së Shenjtë, në Ditën e Rrëshajave (50 ditë pas ringjalljes së Krishtit), i cili ishte premtim. Joeli gjithashtu parashikon gjykimin e kombeve johebre dhe bekimin e Izraelit në Mijëvjeçarin e ardhshëm. Premtimi i tij se «kushdo që do të thërrasë në emrin e Zotit do të çlirohet» (Joeli 2:32) është cituar nga Pali në Romakeve 10:13 për të treguar se shpëtimi është për këdo që beson në Zotin Jezus Krishtin si Shpëtimtar personal.

AMOSI. Ky rojtar u thirr që të largohej nga shtëpia afër Betlehemit dhe të udhëtonte për në veri te viçi i artë në Bethel me qëllim që të thërriste për mëkatet e Izraelit. I njohur si profeti i drejtësisë shoqërore, ai e bashkoi Izraelin me johebrenjtë dhe Judenë si të pjekur për gjykimin e Perëndisë. Nëpërmjet një seri vizionesh ai portretizoi kohën e afërt dhe sigurinë e dënimit. Por libri përfundon me premtimin e kthimit tek Perëndia dhe restaurimit të Izraelit.

ABDIA. Abdia parashikon shkatërrimin e plotë të Edomit për arsye të krenarisë dhe për arsye se u gëzua për shkatërrimin e Jeruzalemit.

JONA. Jona është i ndryshëm nga të gjithë profetët e tjerë në atë se përvojat e tij më tepër sesa fjalët e tij përbëjnë profeci. I urdhëruar nga Perëndia për të shkuar dhe predikuar në Niniven pagane, Jona nuk iu bind, u hodh në det, u gëlltit por nuk u tret nga një peshk i madh, u nxor në bregdet, iu dha një shans i dytë dhe ishte mjeti për fillimin e një ringjalljeje të madhe. Në të njëjtën mënyrë, Izraeli u urdhërua të ishte një misionar për johebrenjtë, ishte i pabindur, u shpërnda nëpër kombe të tjerë, por nuk humbi si komb. Kur Izraeli të restaurohet në ardhjen e dytë të Krishtit, Izraeli do të jetë kanali i bekimit mbarëbotëror.

Përvoja e Jonas në lidhje me peshkun është gjithashtu simbolike për vdekjen, varrosjen dhe ringjalljen e Krishtit (Mateu 12:40).

Jona i profetizoi Izraelit, ndoshta gjatë sundimit të Jeohazit, Joashit dhe Jeroboamit II.

MIKEA. I së njëjtës kohë me Isaian, profecia e Mikeas flet për misterin e tre qyteteve: Samarisë, kryeqytetit të Izraelit, i caktuar për t’u robëruar nga Asirianët; Jeruzalemit, kryeqyteti i Judesë, i paracaktuar për shkatërrim nga Babiloni (me Samarinë dhe Jeruzalemin fajtorë për mëkatet e idhujtarisë, padrejtësisë dhe mërisë); Betlehemit, vendlindja e Mesias së premtuar, i cili mund të copëtonte armikun dhe të sillte paqe për Izraelin.

NAHUMI. Në kohën kur Judea ishte nën Asirianë, Nahumi solli premtimin e shkatërrimit të Ninives. Ai e përshkruan rënien e qytetit në detaje – lumin vërshues dhe zjarrin e madh. Qyteti ishte shpëtuar në kohën e Jonas, por ai ra pas 200 vjetësh.

HABAKUKU. Pasi ai pa ligësinë e Judesë, Habakuku i kërkoi Perëndisë sesi mund ta toleronte atë. Zoti iu përgjigj se ai do ta dënonte Judenë nëpërmjet Babilonasve. Kjo e shqetësoi profetin edhe më tepër. Si mund të përdorte Perëndia një popull më të lig se Judea për të disiplinuar popullin e Tij? Përgjigjja është se të drejtët do të jetojnë me besim, kushdo qofshin ata dhe, se të ligtë do të shkatërrohen. Kjo e kënaqi Habakukun, kështu ai e mbylli profecinë e tij me një këngë gëzimi.

SOFONIA. Dy mendime çelës në profecinë e Sofonisë janë gjykimi dhe gëzimi. Perëndia do ta gjykojë Judenë për arsye të idhujtarisë së saj të tepruar. Dita e Zotit do të jetë një kohë lufte, shqetësimi dhe shkatërrimi. Kombe johebre, si Filistia, Moabi, Amoni, Etiopia dhe Asiria nuk do t’i shpëtojnë.

Përfundimisht, populli i Perëndisë do të restaurohet dhe Perëndia do të ngazëllohet për ta me gëzim.

HAGAI. Hagai, Zakaria dhe Malakia u profetizuan hebrenjve, të cilët u kthyen në tokën e tyre nga Babilonia. Kur Zerubabeli dhe bashkëpunëtorët e tij u munduan të rindërtonin Tempullin, ata u kundërshtuan keqas nga samaritanët. Hagai i qortoi hebrenjtë për mosreagimin e tyre për jetesën në shtëpi të mira, ndërkohë kur Tempulli ishte gërmadhë. Ai u kujtoi atyre pagën për mosbindjen në të kaluarën dhe u kërkoi të vazhdonin me planin e ndërtimit. Ai priti me padurim kohën kur Perëndia do të shkatërronte mbretëritë e kësaj bote dhe të shpëtojë popullin e Tij të zgjedhur.

ZAKARIA. Bashkë me Hagain, Zakaria profetizoi gjatë kohës së mbuluar nga Esdra duke inkurajuar mërgimtarët e kthyer për të rindërtuar Tempullin. Në tetë vizione të lartë simbolike, ai parashikoi gjykimin për shtypësit hebre, gjykimin e judaizmit kundërshtar, pastrimin dhe restaurimin e pjesës që kishte mbetur nga hebrenjtë dhe sundimin e lavdishëm të Mesias. Zakaria kujtohet veçanërisht për profecitë e tij në lidhje me Zotin Jezus – hyrjen e Tij triumfale, tradhtinë e Tij për 30 copë argjendi, vdekjen e Tij si Bari i rrahur, shfaqjen e Tij të lavdishme në Malin e Ullinjve dhe sundimin e Tij mijëvjeçar si Prift-Mbret.

MALAKIA. Ngjarjet në Malakia paralelizohen me ata në Nehemia, në mbyllje të historisë së Dhiatës së Vjetër. Tempulli dhe muret e Jeruzalemit janë rindërtuar, por një seri abuzimesh kanë depërtuar brenda. Malakia u mundua t’i korrigjonte këta abuzime si mosdashuria, ofrimet e ndotura, divorcet, martesat e përziera dhe neglizhimi i të dhjetës. Ai parashikoi ardhjen e parë të Krishtit, të paraprirë nga mesazh-sjellësi i Tij, të cilin e dimë se është Gjon Pagëzori. Ai gjithashtu parashikoi kohën kur Krishti do të vijë si Dielli i Drejtësisë, i paraprirë nga profeti Elia. Atëherë Krishti do të gjykojë të paperëndishmit, por do të sjellë bekim atyre që i frikësohen Zotit.

[previous][next]