Mësimi 7 | Dishepullimi i krishterë | Luka 14:25-35
Këta mund të jenë paragrafët më të papranueshëm të Biblës:
Dhe turma të mëdha shkonin me të. Ai u kthye nga ata dhe tha: «Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im. Dhe kush nuk e mbart kryqin e vet dhe nuk më ndjek, nuk mund të jetë dishepulli im. Kush nga ju, pra, kur do të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta mbaruar? Që atëherë, kur t’i ketë hedhur themelet e të mos mundë ta përfundojë, të gjithë ata që e shohin, të mos fillojnë e të tallen, duke thënë: «Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta përfundojë”.
Ose cili mbret, kur niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të gjykojë në se mund ta përballojë me dhjetë mijë atë që po i vjen kundër me njëzet mijë? Në mos, ndërsa ai është ende larg, i dërgon një delegacion për të biseduar për paqe. Kështu, pra, secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im. Kripa është e mirë, por nëse kripa bëhet e amësht, me se do të mund t’i kthehet shija? Ajo nuk vlen as për tokë, as për pleh, por hidhet tutje. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë».
Vargu 25: «Dhe turma të mëdha shkonin me të. Ai u kthye nga ata dhe tha…». Zoti po u fliste turmave, si të shpëtuarve ashtu edhe të pashpëtuarve. Jezusi dha një paraqitje të paanshme të mesazhit të Tij, madje edhe për të pashpëtuarit. Ai nuk i vendosi kokrrat më të mira në majë të shportës. Vini re procesin shoshitës të Krishtit. «Në fillim Ai fton, pastaj shoshit» (G. Campbell Morgan). «Ai nuk i fshehu kurrë shenjat e Tij të plagëve për të bërë dishepuj».
Pjesa e mëparshme shqyrtoi ungjillin, ndërsa kjo merret me shërbimin. Ai kërkon dishepuj dhe jo vendime, ushtarë të vërtetë dhe jo pushkë të lagura, cilësi dhe jo sasi. Kujtoni si u pakësua ushtria e Gedeonit nga 32.000 në 300.
Vargu 26: «Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im». Pjesa shoqëruese nga Mateu 10:37 thotë: «Ai që e do të atin ose nënën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua; dhe ai që e do birin ose bijën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua». Shprehja «më shumë se Unë» tregon që Jezusi po përdor një shkallë krahasore. Prandaj, të vendosësh Krishtin të parin në jetën tënde do të thotë të «urresh» të gjithë të tjerët përkatësisht. Do të thotë që Krishti duhet të jetë i pari. Të gjitha dashuritë e tjera duhet të jenë urrejtje në krahasim me dashurinë e Tij.
Perëndia tha: «E desha Jakobin dhe e urreva Esaun» (Rom. 9:13). Dashuria e privilegjuar e Tij për Jakobin do të thotë që e urreu Esaun në krahasim me dashurinë që pati për Jakobin. Nuk është se e urreu Esaun me një armiqësi të ashpër dhe hakmarrëse, por vetëm që e deshi Esaun më pak se Jakobin, siç shihet në zgjedhjen sovrane të Jakobit nga ana e Tij.
Çarli T. Stad (Charles T. Studd) kishte frikë se mos e fejuara mund ta donte atë më tepër se Jezusin, kështu që ai shkroi këtë vjershë që ajo ta përsëriste çdo ditë të jetës së saj:
Jezus, unë të dua
ti je për mua
më i dashur se ç’mund të jetë
ndonjëherë Çarli në këtë jetë.
Kur poeti anglez Ruskin i propozoi për martesë një zonje të krishterë, ajo e pyeti: «A më do ti mua më tepër se Jezus Krishtin?». Atij i duhej ta pranonte se ishte kështu. Ajo tha: «Atëherë, në këtë rast, nuk mund të martohem me ty». Ruskini u përpoq përsëri, edhe pasi ajo kishte marrë një sëmundje serioze. Përgjigjja e saj ishte po ajo. Ajo vdiq jo shumë kohë më vonë. Krishti ishte ende i pari në jetën e saj.
Në vargun 26 Shpëtimtari përmend gruan e dikujt. Ka shumë burra të mirë të cilët i lejojnë gratë e tyre që të zotërojnë mbi ta. Nëse një burrë ka një grua të kësaj bote, është mjaft e vështirë që ai të jetojë një jetë të fortë dishepullimi. Por nëse ai është i krishterë, ai duhet të kuptojë që madje edhe gruaja duhet të zërë vendin e dytë. Znj. Spërxhën tregon një histori interesante nga biografia e Çarls Spërxhënit (Charles Spurgeon):
Kur Spërxhëni ishte burrë i ri, atij i duhej të shkonte sa andej-këtej për të gjetur një ndërtesë mjaft të madhe që të fuste turmat që vinin për ta dëgjuar. Ai ishte aty në të njëzetat kur predikoi në Sallonin e Ekseterit në Strend. Vendi ishte gjithmonë i mbushur me njerëz.
Ai ishte i fejuar dhe do të martohej me një vajzë të re që quhej Suzana Tomson. Një mbrëmje ai ishte në shtëpinë e saj dhe pastaj shkuan bashkë me karrocë te Salloni i Ekseterit për një takim ungjilli. Kur arritën atje, ai doli nga kabina e karrocës nxitimthi. Atje ishte një turmë e pamasë njerëzish. Policia po përpiqej të vinte rregull dhe të rregullonte lëvizjen e trafikut, por ishte jashtëzakonisht e vështirë. Ai ishte aq i prekur nga turma e grumbulluar të cilës do t’i predikonte ungjillin, saqë harroi gjithçka përveç ndjenjës së asaj përgjegjësie. Dhe kështu ai çau rrugën përmes grumbullit të njerëzve, shkoi në platformë më në fund dhe drejtoi shërbesën.
Kur shërbesa mbaroi atij iu kujtua që kishte ardhur në sallon së bashku me dikë tjetër, por që e kishte humbur fare. Ai u përpoq të kujtohej nëse e kishte parë në sallë. Atij iu kujtua që nuk ia kishte zënë syri. U frikësua pasi kishte shumë gjasa që do të kishte telashe, kështu që pas shërbesës mori një karrocë dhe nxitoi për te shtëpia e zonjushës Tomson. Pasi kishte mbërritur atje, iu tha që ajo nuk donte ta shikonte. Ajo ishte lart duke shfaqur pakënaqësi e duke varur buzët. Ajo kishte menduar se ishte shumë më e rëndësishme sesa e gjithë turma. Ai nguli këmbë që ta shikonte dhe përfundimisht ajo zbrit poshtë.
Ai i shpjegoi asaj pozicionin e tij: «Tani, më vjen me të vërtet keq, por bëjmë mirë që të sqarohemi. Në radhë të parë unë jam shërbëtor i Zotërisë tim. Ai duhet të jetë gjithmonë i pari. Mendoj se do të jetojmë shumë të lumtur nëse je e gatshme të zësh vendin e dytë, por që të jetë gjithmonë i dyti pas Tij. Detyrimi im është ndaj Tij në radhë të parë»{{1}}.
Kur shërbesa e madhe mbaroi vite më pas, znj. Spërxhën tha që kishte mësuar një mësim atë ditë që nuk e kishte harruar kurrë. Ajo mësoi se është Dikush i cili kishte vendin e parë në jetën e burrit të saj. Ajo kishte vendin e dytë. Ky është një standard mjaft i lartë, apo jo? Por ai është standardi i Biblës. Krishti kërkon vendin e parë.
Ky duket se është kuptimi i bekimit të Moisiut mbi Levin:
«Ai thotë për të atin dhe për të ëmën: «Unë nuk i kam parë”; ai nuk i njohu vëllezërit e tij dhe nuk njohu bijtë» (LiP. 33:9).
Kur izraelitët adhuruan viçin e artë, bijtë e Levit morën anën e Perëndisë duke asgjësuar të afërmit e tyre (Eks. 32:26-29).
Në fakt, ai burrë që vendos të parin Krishtin është bashkëshorti dhe babai më i mirë me të cilin mund të jetosh.
Vargu 26 përfundon me fjalët: «Madje edhe jetën e vet». Për mua kjo është pjesa më e vështirë këtu. Ne duhet të vendosim Krishtin mbi veten tonë. Pali bëri pikërisht këtë. Ai mund të thoshte:
«Por unë nuk dua t’ia di fare për jetën time që nuk e çmoj aq, sa ta kryej me gëzim vrapimin tim dhe shërbesën që mora nga Zoti Jezus, të dëshmoj plotësisht ungjillin e hirit të Perëndisë» (Veprat 20:24).
Për shenjtorët e mundimit të madh te Zbulesa 12:11 shkruhet: «Ata nuk e deshën jetën e tyre deri në vdekje».
Në Gjoni 12:24-25, Zoti e bëri të qartë këtë gjë:
«…nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt! Kush e do jetën e vet do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme».
Ishte T. G. Regland, misionari pionier, që tha:
Nëse nuk pranojmë të bëhemi kokrra gruri, që bien në tokë dhe vdesin; nëse nuk sakrifikojmë perspektiva, nuk rrezikojmë karakterin si dhe pronën dhe shëndetin; nëse, kur thirremi, nuk braktisim shtëpinë dhe nuk shkëputim lidhjet familjare për hirin e Krishtit, atëherë do të banojmë vetëm. Por nëse duam të jemi të frytshëm, ne duhet të ndjekim vetë Zotin tonë të bekuar, duke u bërë një kokërr gruri dhe duke vdekur, atëherë do të japim shumë fryt.
Vargu 27: «Dhe kush nuk e mbart kryqin e vet dhe nuk më ndjek, nuk mund të jetë dishepulli im». Këtu kryqi nuk do të thotë të kesh artrit (pezmatim të kyçeve) apo një burrë grindavec. Ai do të thotë të zgjedhësh me paramendim udhën e refuzimit, të çnderimit, të vuajtjeve, të varfërisë, të vetmisë, të tradhtisë, të mohimit, të urrejtjes, të përndjekjes fyese, të agonisë mendore dhe madje të vdekjes për hirin e Krishtit. Kur një misionar i ardhshëm u paralajmërua nga një mik: «Mos shko, mund të vdesësh», përgjigjja ishte: «Unë tashmë kam vdekur».
Një ngjarje e veçantë në analet e Rojës Bregdetare të SHBA-së është historia e kapitenit Pet Etherixh nga Stacioni i Kepit Baterne. Një natë me tufan ulëritës, roja në pikën e vrojtimit pa një sinjal rreziku nga një anije që kishte ngecur në cekëtinën e rrezikshme Diamant, 10 milje detare larg. Varkat e shpëtimit u bënë gati. Njëri nga rojet bregdetare protestoi: «Kapiten, ne mund të shkojmë atje, por nuk do të kthehemi dot mbrapsht». «Djema», ishte përgjigjja që është shkruar në histori, «ne nuk kemi pse të kthehemi mbrapsht».
Zoti Jezus na ka dhënë urdhrin për marshim. Ai ka urdhëruar që ungjilli të predikohet në mbarë botën. Ai nuk iu ka premtuar lajmëtarëve të Tij një kohë të lehtë. Ai nuk iu ka dhënë sigurinë për t’u kthyer të sigurt në bazë – por ka thënë: «Shkoni»{{2}}.
Atdhetari italian Garibaldi, duke qëndruar në shkallët e Shën Pjetrit në Romë, iu tha burrave të mbledhur rreth tij:
Nuk iu ofroj as pagë, as rezerva ushqimesh; iu ofroj uri, etje, marshime, luftëra dhe vdekje të detyruara; vetëm ai që e do atdheun me zemër dhe jo me buzë le të më ndjekë.
Sër Ernest Shekëltoun, një eksplorues i Antarktikës, vuri një reklamë në një gazetë të Londrës: «Kërkohen burra për një udhëtim të rrezikshëm. Pagë e ulët, e ftohtë e madhe, muaj të gjatë në errësirë të plotë, rrezik i vazhdueshëm dhe siguria për t’u kthyer e dyshimtë. Nderim dhe njohje në rast suksesi». Ata u kthyen që të gjithë gjallë dhe u mbuluan me nder dhe njohje.
Kur me vullnet i përqafojmë rrethanat e pafavorshme të jetës si mjete të vdekjes për ekzistencën egoiste, ne jemi duke mbartur kryqin tonë. Nëse vuajtjet, kufizimet dhe sprovat e jetës pranohen siç duhet, ato do të na çojnë drejt pozitës së vërtetë si të kryqëzuar me Krishtin. Cilido që vështron anën e bardhë të Kryqit dhe e mbart atë mirë, kryqi do të jetë për të një barrë e tillë aq sa janë krahët për zogun{{3}}.
«Më fal, Zot, që shpesh gjej rrugë për të shmangur dhimbjen dhe sakrificën e dishepullimit. Më forco këtë ditë për të ecur me Ty, pavarësisht se cili mund të jetë çmimi. Në Emrin Tënd. Amen» (Shënimet e përditshme të Bashkimit të Shkrimeve).
Krishti ishte i varfër; kishte shenja plagësh; jetoi për të tjerët; vdiq si një sakrificë.
Vargjet 28-32: «Kush nga ju, pra, kur do të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta mbaruar? Që atëherë, kur t’i ketë hedhur themelet e të mos mundë ta përfundojë, të gjithë ata që e shohin, të mos fillojnë e të tallen, duke thënë: “Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta përfundojë. Ose cili mbret, kur niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të gjykojë në se mund ta përballojë me dhjetë mijë atë që po i vjen kundër me njëzet mijë? Në mos, ndërsa ai është ende larg, i dërgon një delegacion për të biseduar për paqe».
Nuk është e mjaftueshme të fillosh mirë. E rëndësishme është të përfundosh mirë. Shumë aspirojnë, por pak realizojnë. Ne duhet të bëjmë llogaritë. Bota nuk ka tjetër gjë veçse përbuzje për të krishterë me gjysmë zemre. Kur një ndërtesë ngelet e papërfunduar, njerëzit e quajnë atë budallallëku i Xhonit, apo cilido qoftë emri i ndërtuesit. Jeta e dishepullimit nuk është vetëm një program ndërtimi. Ajo është një luftë gjithëpërfshirëse. Ajo është përkushtim i plotë ose dorëzim i mjerë.
Vargu 33: «Kështu, pra, secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im». Çfarë do të thotë të heqësh dorë nga të gjitha? Askush nuk mund t’ia diktojë tjetrit. Është diçka e ndryshme për njerëz të ndryshëm. Secili duhet të shkojë përpara Zotit dhe ta pyesë: «Çfarë do të thotë Luka 14:33 në jetën time?» Pastaj Ai do të fillojë të drejtojë gishtin mbi ato gjëra.
Moisiu është një shembull i të hequrit dorë nga të gjitha. Ai braktisi:
Famën e Egjiptit (Heb. 11:24)
Dëfrimet e Egjiptit (Heb. 11:25)
Thesaret e Egjiptit (Heb. 11:26)
Politikën e Egjiptit (Heb. 11:27)
Fenë e Egjiptit (Heb. 11:28)
Nuk është e mjaftueshme të jemi të gatshëm për të hequr dorë nga të gjitha. Ne duhet ta bëjmë atë.
«Nëse Ai është mbret, Ai ka të drejtën për gjithçka» (Pilkington). Heqja dorë nga gjithçka do të ishte guxim prej kokëkrisuri nëse nuk do të ndiqnim Atë. Kur ai thotë: «Eja, më ndiq Mua», përfshihet kujdesi për tërë nevojat tona.
Nuk na duket e çuditshme kur komunistët braktisën gjithçka. Çfarë do të ndodhë nëse Kisha braktis gjithçka? Bota do të ungjillëzohej. Si do të bëhej kjo? Përmes ndarjes së komunitetit të krishterë. Ronald Sideri, në librin e tij «Të krishterë të pasur në një epokë urie», e quan këtë «një komunitet i ndarjes dhe i dashurisë, ku siguria nuk do të bazohet mbi zotërimin e pronave vetjake, por në çiltërsinë e Frymës dhe në përkujdesjen e përzemërt të vëllezërve të rinj dhe motrave të reja».
Vargu 34: «Kripa është e mirë, por nëse kripa bëhet e amësht, me se do të mund t’i kthehej shija?» Kripa që përdorim ne është e pastër dhe nuk mund ta humbasë shijen, por kripa që përdorej në vendet e Biblës në atë kohë kishte papastërti. Pra, ekzistonte mundësia që mbajtësja e kripës të kishte diçka brenda që e bënte kripën pa shije.
Vargu 35: «Ajo nuk vlen as për tokë, as për pleh, por hidhet tutje. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë». Kripa e papastër nuk do të vlente për asgjë. Nuk ishte e mirë as për pleh, as për ndonjë gjë tjetër veçse për të shtruar rruginën për te dera e shtëpive.
Po kështu është me një jetë që nuk i bindet parimeve të dishepullimit të krishterë.
[previous][next][[1]]Shields, T. T. Dr., The Herald of His Coming, Gusht 1981, fq. 1.[[1]] [[2]]A. Naismith, 1200 Notes, Quotes, and Anecdotes, London: Pickering and Inglis Ltd., 1963, fq. 83.[[2]] [[3]]Sanders, J. O., On to Maturity, Chicago: Moody Press, 1962, fq. 132-133.[[3]]