Shtojca A | Manuali i Dishepullit
Historia e një të riu që gjeti Krishtin, por që humbi prindërit
Entuziazmi i rinisë përplaset shpesh me kujdesin e më të moshuarve. Kur i riu sapo është bërë i krishterë dhe është në zjarr për Krishtin dhe kur më të moshuarit ndiejnë se po kërcënohet feja e tyre, dëshmia mund të bëhet e pafrytshme.
Kur më të moshuarit janë prindërit e të riut, pasojat mund të jenë shkatërruese. Përvoja e Gregut është një precedent. Por belaja mund të kthehet në fitore nëse Gregu mëson të zbutë zellin e tij me dashuri dhe urtësi.
Në fillim le t’ia lëmë fjalën Gregut për të treguar historinë e tij:
Mik, kam prishur shumë punë!
Pasi u shpëtova, shkova në shtëpi dhe u përpoqa t’ua futja me zor ungjillin prindërve të mi. Ata më kundërshtuan me forcë dhe unë iu përgjigja me armiqësi. Ja pse thashë që kam prishur shumë punë.
Më lejoni t’ju tregoj pak rrethanat. Jam rritur në një shtëpi paksa fetare. Ne fëmijët mësuam katekizmin, bënim rrëfime, shkonim rregullisht në kishë. Me kalimin e kohës u bëra një ndihmës altari. Me aq sa mund t’ju them tani, feja jonë përbëhej nga zbatimi i disa ceremonive, por asnjë prej nesh nuk kishte rilindur me të vërtetë.
Në shkollën e mesme fillova të vjedh për të vazhduar vesin e drogës. Babait iu desh të paguante tri herë për të më nxjerrë nga biruca. Por edhe pas kësaj ishte më e lehtë që t’i siguroja paratë duke vjedhur, sesa duke punuar.
Në këtë kohë, sigurisht, isha zhytur thellë në imoralitet. Nuk e kisha problem që të gjeja vajza. E konsideroja veten si z. Mako.
Për ca kohë ngjita majën e dallgës. Më pëlqente pranimi nga miqtë dhe jeta e egër që kisha më dha një kënaqësi të madhe.
Gjëja e parë që më kthjelloi ishte kur shoku im më i ngushtë u vra në një përplasje. Jo shumë kohë pas kësaj u burgosa me akuzën për drogë. Kur dola pasi u pagua shuma e kërkuar, përfundova në spital për çfarë dyshohej se kisha leukemi.
Në spital u luta për herë të parë për aq sa mbaj mend: «O Zot, nëse ka një Zot, m’u zbulo».
Pas një ore një shok nga koha e shkollës së mesme erdhi për të vizituar djaloshin në krevatin ngjitur. Pasi e mori veten nga habia që më pa mua, më tha se tani ishte bërë i krishterë, se ia kishte dorëzuar jetën Jezus Krishtit. Më pas më shpjegoi me kujdes se si mund të filloja edhe unë një jetë të re në Krishtin.
Unë isha gati. U lutëm. Në mënyrën më të mirë që dija, e besova Krishtin si Zëvendësuesin tim, si Zotin dhe Shpëtimtarin tim.
Jeta ime ndryshoi rrënjësisht. Perëndia më dha një gjuhë të re, që nuk përhapte më fëlliqësi dhe blasfemi. U largova nga droga dhe alkooli dhe nga jeta imorale që kisha njohur. Miqtë e mi të vjetër filluan të më braktisin. Një prej tyre më dha: «Mik, ke marrë fund!»
E dini çfarë? Prisja që prindërit e mi të ishin të mahnitur nga ky ndryshim në jetën time. Mendova se kur të ndaj ungjillin me ta, ata të gjithë do të duan që të shpëtohen menjëherë. Sigurisht, ata nuk kishin qenë aq të këqij sa unë, por megjithatë kishin nevojë të shpëtoheshin. Kështu që fillova t’u dëshmoj atyre disi fuqishëm.
A u trondita? Ata nuk treguan ndonjë entuziazëm për ndryshimin në jetën time. Përkundrazi, ata duket se thoshin që do të parapëlqenin të kishin në shtëpi një narkoman, sesa një fanatik fetar.
Mamaja ime qau që unë kisha braktisur fenë e saj, duke më quajtur tradhtar dhe renegat. Ata e kishin zët sugjerimin tim se kishin nevojë që të «lindin përsëri». Ata donin të ma bënin të ditur se kishin «rilindur» kur ishin pagëzuar si foshnja. Tani isha larguar dhe kisha prishur unitetin familjar.
Sa më shumë që u paraqita ungjillin, aq më armiqësorë bëheshin. Kishte incidente të bërtiturash, kërcënime dhe fyerje. Ndjeva një hendek gjithnjë e më të madh mes meje dhe familjes sime. U bëra gjithnjë e më i mëritur nga qëndrimet dhe sjellja e tyre dhe gjithnjë e më shumë i mbyllur. Përfundimisht, veçanërisht pas një grindje me të bërtitura të mëdha, u largova nga shtëpia me inat.
Ja pse thashë që kam prishur shumë punë. Në vend që t’i fitoja ata për Krishtin, vetëm sa ia arrita që t’i largoj. I dua ata shumë dhe ja pse doja që edhe ata të shpëtoheshin. Kjo është arsyeja që i godisja me ungjillin. Por mendoj se ky ishte zell pa njohuri. Tani jam armiqësuar me ata dhe jam i brengosur në frymën time. A ka ndonjë gjë që mund të bëj për të ndrequr fajet e së kaluarës?
Përvoja e Gregut është një skenar i zakonshëm. Sa herë një besimtar i ri është përpjekur që të jetë besnik ndaj Krishtit dhe të afërmve të tij, megjithatë është sjellë në një mënyrë të tillë që e ka anuluar dëshminë e tij. Çfarë duhet t’i themi atij?
Jezusi pohoi shumë qartë se ardhja e Tij do të thotë largim dhe ndarje brenda familjeve. Për shembull, Ai tha: «Sepse unë erdha ta ndaj birin nga ati, bijën nga nëna, nusen nga vjehrra dhe armiqtë e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet» (Mt. 10:35-36).
Zoti nuk donte të thoshte se qëllimi i drejtpërdrejtë i ardhjes së Tij ishte që të shkaktonte armiqësi në familje, por për më tepër se kjo do të ishe ndonjëherë pasoja e pashmangshme. Kurdo që njerëzit e ndjekin Atë, mund të presin kundërshtim të hidhur nga të afërmit dhe miqtë. Në këtë kuptim Ai nuk erdhi «të sjell paqen, por shpatën» (v. 34).
Por asnjë prej këtyre [vargjeve] nuk justifikon inatin dhe zemërimin e Gregut ndaj familjes së tij. I pëlqen Perëndisë kur tallemi, përndiqemi dhe shahemi për shkak të lidhjes sonë me Krishtin. Po nuk ka asnjë meritë kur ne vuajmë për shkak të idiotësisë sonë, për shkak të veprave të mishit dhe atyre pa dashuri.
Gregu nuk duhet të mendojë se gjithçka ka humbur. Ajo që ai ka nevojë të dijë është t’u tregojë të afërmve të tij se Krishti bën një ndryshim në jetë. Mënyra e parë që ai mund ta bëjë këtë është që të kthehet dhe t’u kërkojë atyre falje për inatin dhe zemërimin e tij. Është e vështirë të kapërdish byrek të thjeshtë, por ai duhet ta bëjë. Dhe ai nuk duhet të përpiqet që ta zbutë ndikimin që ka mbi të duke thënë: «Nëse kam bërë ndonjë faj, më falni». Në vend të kësaj ai duhet të kapërdijë plumbin duke pohuar sinqerisht: «Unë kam gabuar. Më vjen keq për këtë. Ju lutem më falni».
Kjo do t’u flasë shumë prindërve të tij dhe vëllezërve dhe motrave të tij. Ata do të mendojnë: «Gregu nuk ka kërkuar më parë falje si tani dhe as ne nuk e bëjmë kur gabojmë».
Pastaj, në vend që t’ua futë me zor ungjillin, Gregu duhet të adoptojë një qëndrim të ulët, duke pritur që të jenë ata të cilët e hapin temën. Në përgjithësi ata do ta hapin. Kjo do t’i japë atij një mundësi për t’ju përgjigjur atyre me mirësjellje dhe jo me shtrëngim.
Nëse e ftojnë, do të jetë mirë për Gregun që të kthehet në shtëpinë e prindërve. Me të shkuar atje ai duhet të japë ndihmën e tij në punët e ndryshme, të kujdeset që gjërat të kryhen dhe t’i bëjë këto punë pa ia kërkuar dikush. Ai duhet ta mbajë dhomën e tij me rregull dhe të pastër në vend të asaj katrahurës së madhe të dikurshme.
Gregu duhet të tregojë akte mirësie që janë krejtësisht në kundërshtim me karakterin e tij të dikurshëm. Kjo duhet të përfshijë kujtimin e ditëlindjeve, të përvjetorëve si dhe ditë të tjera të veçanta dhe dhënien e dhuratave pa asnjë tjetër qëllim veç shprehjes së dashurisë. Ai duhet të lutet për mënyra se si të jetë origjinal dhe novator në të qenit i sjellshëm.
Gregu duhet të respektojë autoritetin e prindërve, duke iu bindur atyre deri në pikën kur këshilla e tyre do të thotë mosbindje ndaj Zotit. Në këto raste ai duhet të kundërshtojë qetësisht, pa provokuar ndonjë incident.
Është gjithmonë në rregull që të shprehin vlerësim për prindërit, pasi ata kurrë nuk falënderohen siç duhet për atë që kanë bërë. Në vend që t’i japë nënës një kuti me çokollata për ditëlindje, ose në festën e nënës, Gregu do të shohë se një letër e shkruar me dorë si kjo do të vlerësohet shumë herë më tepër.
Nënës sime:
Në këtë ditë të rezervuar për të të nderuar në një mënyrë të veçantë, dua të shpreh disa falënderime që kam për ty për gjithçka që ke qenë në jetën time.
Ti ishte ajo që më solli në këtë botë—dhe sot kuptoj që kjo ka qenë për ty e dhimbshme dhe e vështirë. Por ju shpejt dhe bujarisht e harruat të gjithë këtë nga gëzimi që të kishte lindur një djalë.
Ndërsa jam rritur kuptoj më mirë ditët dhe muajt dhe vitet që i ke kushtuar rritjes sime. Mendoj shpesh për rastet kur isha i sëmurë apo kur kam pësuar aksidente dhe gjithçka që të ka kushtuar në netët pa gjumë dhe pritjet shqetësuese. Nuk mendoj se mund të të falënderoj ndonjëherë mjaftueshëm për vigjilencën tënde të vetmuar kur dukej se vdekja mund të mbërthente ndonjë nga ne fëmijët.
Faleminderit, nënë, për çdo gatim, larje, qepje, kujdes, pastrim shtëpie. Faleminderit edhe për disiplinën ndaj nesh kur e meritonim; ne e dinim se këtë po e bëje nga dashuria për ne.
Vërtet, ka shumë për të thënë, por mendoj se kjo të të bëjë të njohur se sa shumë e vlerësoj gjithçka që ke bërë për mua.
Dua që të dish se e falënderoj Zotin për ty dhe lutem që si një familje ne do të bashkohemi jo vetëm në këtë jetë, por edhe në përjetësi.
Një letër si kjo do t’i flasë nënës më shumë se një orë origjinale Dior. Dhe Gregu duhet të përpiqet t’i shkruaj një letër të ngjashme edhe babit në festën e babës. Babi do të përpiqet shumë që të mos ketë lot në sy, por letra do ta prekë shumë.
Prindërve u pëlqen që t’u kërkohen këshilla, edhe kur fëmijët u janë rritur. Kjo është thjesht një mënyrë tjetër se si Gregu mund t’i nderojë dhe respektojë ata.
Le të shpresojmë që këto ndryshime rrënjësore në jetën e Gregut nuk do të bëjnë që prindërit e tij të kenë arrest kardiak. Por nëse këto ndryshime shkaktojnë një lloj tjetër krizë zemre, ia vlen t’i jetosh—domethënë, një zemër e mposhtur nga dashuria e Jezusit.
Një fjalë e fundit, Greg. Kur prindërit të bëjnë pyetje ose shprehin vlerësim për ndryshimin që ka ndodhur në jetën tënde, përdori këto raste si një mundësi për t’i dhënë nder Shpëtimtarit. Bëje të qartë në sytë e tyre se nuk je ti, por Jezusi në ty. Perëndisë i pëlqen të shpëtojë familje, Greg. Mund të bashkëpunosh me Atë duke demonstruar jetën e Krishtit përpara tyre çdo ditë. Mund t’i fitosh ata me lutje dhe vepra të mira, pa i bezdisur dhe pa i detyruar. Zoti të bekoftë!
[previous][next]