DUKE U LUTUR VAZHDIMISHT

Mësimi 28 | Jeta e Krishterë

Një njeri nuk vjen kurrë kaq afër plotfuqishmërisë, sesa kur lutet në emrin e Zotit Jezus. Në fakt, njeriu nuk do të jetë kurrë i gjithëfuqishëm, as edhe në qiell. Por kur ai lutet në emrin e Shpëtimtarit, është njëlloj sikur të ishte Zoti Jezus duke paraqitur kërkesën e tij tek Ati. Në këtë kuptim, ai që lutet ka fuqi të jashtëzakonshme nën urdhrin e tij.

Lutja ndryshon gjërat. Një peshkop i vjetër anglez ka thënë: «Kur lutem ndodhin gjëra. Kur s’lutem, ato s’ndodhin».

Sikur të krishterët ta dinin këtë! Ata mbajnë balancën e fuqisë në botë. Ata mund të duken si një minoritet i paaftë, por me Perëndinë ata mund të ndikojnë fatin e kombeve. Mendo për këtë që vijon{{1}}:

Lutja ka ndarë dete, ka mbledhur lumenj të rrjedhshëm, ka bërë që nga shkëmbinjtë e stralltë të vërshojnë burime, ka shuar flakë zjarri, ua ka mbyllur gojën luanëve, ka zbutur gjarpërinj, ka rreshtuar yjet kundër të ligut, ka ndaluar hënën, ka ndaluar diellin e shpejtë në garën e tij të madhe, ka shpërthyer porta të hekurta, ka rikthyer shpirtra nga përjetësia, ka mposhtur demonët më të fortë dhe ka bërë që të zbresin legjione engjëjsh nga qielli. Lutja ka zbutur e ka ndryshuar pasionet e tërbuara të njeriut dhe ka shmangur dhe shkatërruar ushtri të mëdha ateistësh krenarë, të guximshëm dhe të stuhishëm. Lutja ka sjellë një njeri nga fundi i detit dhe e ka marrë një tjetër në qiell në një qerre të zjarrtë. Çfarë s’ka bërë lutja? (Autor i panjohur).

Lutja më e mirë vjen nga një nevojë e brendshme dhe e fortë. Kur gjithçka është qetë dhe mirë në jetët tona ne nuk e ndiejmë nevojën për lutje. Por kur e gjejmë veten në fundin e zgjuarsisë tonë, në mes të një shkëmbi dhe një vendi të fortë, kur s’kemi ku të shikojmë tjetër veçse lart, atëherë ne mund të lëshojmë një rrebesh lutjesh në drejtim të portave të qiellit. «Janë lutjet e zjarrta ato që fluturojnë drejt fronit të Perëndisë».

Lutjet e ftohta janë si shigjeta pa koka, si shpata pa tehe, si zogj pa krahë; ato nuk çajnë, nuk presin, nuk fluturojnë lart në qiell. Gjithmonë lutjet e ftohta ngrijnë para se të arrijnë në qiell (Tomas Bruks).

Nuk është aritmetika e lutjeve tona, se sa të shumta janë ato; as retorika e lutjeve tona, se sa shprehëse janë ato; as gjeometria e lutjeve tona, se sa të gjata janë ato; as muzika e lutjeve tona, se sa i ëmbël mund të jetë zëri ynë; as metoda e lutjeve tona, se sa të rregullta mund të jenë ato; madje as teologjia e lutjeve tona – se sa mirë mund të jetë doktrina – ajo që Perëndia dëshiron. Fryma e zjarrtë është ajo që ka shumë vlerë (Peshkopi Hall).

Mendo për këtë. Është e rrallë që Perëndia të bëjë diçka përveçse si përgjigje ndaj lutjes. Spërxhëni pajtohet me këtë:

Lutja është pararendësi i mëshirës. Ktheju historisë së shenjtë dhe do të shikosh se ka qenë e rrallë që t’i jetë shfaqur mëshirë e madhe kësaj bota që të mos ketë qenë e lajmëruar nga përgjërimi. Lutja është gjithmonë parathënia e bekimit.

R. A. Mateus i shton dëshminë e tij kësaj të vërtete{{2}}:

Perëndia i ka kufizuar disa prej aktiviteteve të Tij në përgjigje të lutjeve të popullit të Tij. Nëse ata nuk luten, Ai nuk do të veprojë. Qielli mund të dëshirojë që të ndodhë diçka, por qielli pret dhe nxit nismën e tokës për ta dëshiruar këtë dëshirë dhe pastaj ta kërkojë dhe të lutet që ajo të ndodhë. Vullneti i Perëndisë nuk bëhet në tokë nga një plotfuqishmëri e paepur a ndonjë forcë e pamposhtur «atje tej» që shtyp ose nuk merr parasysh vullnetin e njeriut në tokë. Përkundrazi, Perëndia ka vendosur që dora e Tij të frenohet, ndërsa Ai kërkon një njeri, një ndërmjetës të lutet «U bëftë vullneti yt në tokë» në këtë apo atë situatë specifike.

Dr. Moberli e ka shprehur kështu: «Ai e urdhëron veprën e Tij të presë lutjen e njeriut».

Lutja e bën Perëndinë të bëjë gjëra që në të kundërt Ai nuk do t’i kishte bërë. Kjo është e qartë nga Jakobi 4:2; 5:16: «Ju nuk keni, sepse nuk kërkoni». «Shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt».

Kjo e shkatërron atë idenë se gjithçka që kryen lutja është se ajo na sjell në nënshtrim ndaj asaj që Perëndia do ta kishte bërë gjithsesi.

Perëndia i përgjigjet gjithmonë lutjes pikërisht në të njëjtën mënyrë që ne do t’i përgjigjeshim asaj nëse do të kishim urtësinë, dashurinë dhe fuqinë e Tij. Ndonjëherë përgjigjja është pikërisht ajo që i kemi kërkuar. Ndonjëherë Zoti thotë: «Prit». Dhe ndonjëherë Ai thotë: «Jo, kjo s’do të ishte e mirë për ty». Është e vërtetë thënia: «Perëndia nuk bën asgjë, as nuk lejon të ndodhë, veçse ajo që ti nuk do të doje vetë, nëse do të dije sa Ai fundin e gjithçkaje që Ai di».

Dikush mund të kundërshtojë: «Po për shpëtimin e të afërmve tanë? Ne lutemi për ata, por ata nuk shpëtohen». Unë besoj se kur lutem për një të pashpëtuar, Perëndia i flet atij apo asaj në disa mënyra. Ndoshta dikush i jep atij një trakt. Ose i flet për Zotin. Ndoshta ai dëgjon një program të krishterë në radio a në televizion. Ose Perëndia e shkund ndërgjegjen e tij në mënyrë misterioze. Perëndia flet, por nuk i shpëton njerëzit kundër vullnetit të tyre. Në sovranitetin e Tij Ai vendosi t’i lejonte njeriut që të kishte një vullnet në këtë çështje. Ai nuk do ta popullojë qiellin me njerëz që nuk duan të jenë atje.

Vepra e Perëndisë bëhet më shumë me lutje sesa në ndonjë mënyrë tjetër. Ne i drejtohemi R. A. Mateusit për një koment të shkëlqyer për këtë{{3}}:

Lutja është pika kyç në çdo vepër për Perëndinë. Ajo nuk është një raketë frymërore plotësuese për të lëshuar ndonjë përpjekje dashamirëse. Lutja është vepra dhe fuqia vepruese në çdo shërbesë frymërore. Ajo duhet të jetë forca qendrore. Historia frymërore e një misioni a kishe është shkruar në jetën e tyre të lutjes. Shprehja e jetës së përbashkët nuk matet me statistika, por me thellësinë e lutjes. Programi i predikimit, i mësimit, i shërbimit, i vendosjes së qëllimeve, i adoptimit të së resë, i teknikave të shekullit të njëzetë, i seminareve për administrimin e kohës dhe procedurave administrative janë të gjitha të mira, por të efektshme dhe produktive  në ekonominë e Perëndisë vetëm kur ato i nënshtrohen lutjes.

Lutja duhet të jetë një gëzim për ne. Kështu ishte për apostullin Pal. Në Filipianëve 1:4 ai tha: «Duke u lutur për ju të gjithë me gëzim». Kjo, sipas Donald English, nuk është qëndrimi mbizotërues i lutjes:

Sa ndryshe është nga shumë tekste mbi lutjen – lutja si detyre, si disiplinë, si rutinë, si rit. Pali thotë: «Më falni, por unë gëzohem kur lutem». Cili është problemi me lutjen e gëzuar? E di se ka periudha kur ajo duhet të jetë një disiplinë, një rutinë; por a nuk na është lejuar ajo ngrohtësia e Frymës ndërsa lutemi, që e bën atë të jetë një aktivitet i gëzuar?

Lutja e çon njeriun në lartësi që e bëjnë arsyen të pamend. Ajo shpesh merret me sferën e të pamundurës dhe ka sukses.

Lutja i bën retë më të zymta të tërhiqen.

Ajo ngjit shkallën që pa Jakobi,

ushtron besimin dhe dashurinë,

sjell çdo bekim nga lart.

Kur kufizojmë lutjen ne rreshtim së luftuari.

Lutja e ndrit parzmoren e të krishterit.

Dhe Satani dridhet kur sheh

të krishterin më të dobët në gjunjë (Wm. Cowper)

Dikush ka thënë: «Unë e mat suksesin tim nga numri i njerëzve për të cilët lutem dhe nga numri i njerëzve që lutem për mua».

Lutja shkon tek Ati përmes Birit (Efe. 2:18). Në Zbulesa 8:1-4 Zoti Jezus shihet si një Engjëll me një temjanicë ari. Kur lutet tona dëgjohen nga Ai, Ai i shton atyre temjan dhe i ofron në altarin e artë para fronit. Temjani është aroma e Personit dhe veprës së Tij. Kur lutjet tona shkojnë te Perëndia, të gjitha papastërtitë janë hequr dhe lutjet janë absolutisht të përsosura.

Lutja është më e rëndësishme se shërbimi. «Perëndia vendos më shumë vlerë mbi lutjen dhe përbashkësinë sesa mbi punën. Dhëndri Qiellor po kërkon një nuse dhe s’po merr me mëditje një shërbëtor» (Autor i panjohur).

Ne e nderojmë Perëndinë me madhështinë e lutjeve tona. Një lypës i kërkoi Aleksandrit të Madh një fermë për veten, pajë për vajzën e tij dhe edukim për birin e tij. Kur u qortua nga ndihmësit e tij që ia plotësoi gjithë këto kërkesa, Aleksandri u tha: «Lodhem nga këta njerëz që vijnë e më kërkojnë një monedhë të artë. Ai lypës i pacipë më trajtoi si një mbret; ai kërkoi shumë». Ne duhet të kërkojmë shumë:

Ti po vjen para një Mbreti.

Kërkesa të mëdha sill me vete.

Se dashuria dhe fuqia e tij janë të tilla

që s’mund të kërkosh më tepër se ç’duhet.

(Xhon Njuton)

Shumë shpesh lutjet tona janë të dobëta, siç sugjerohet në këtë poemë:

Nëse do të kishe jetuar kur Krishti ishte në tokë

dhe të kishe takuar Shpëtimtarin e mirë,

çfarë do t’i kishe kërkuar të bënte për ty,

nëse do të ishe plotësisht i verbër?

Fëmija u mendua dhe më pas u përgjigj,

«Mendoj se pa dyshim,

do t’i kërkoja Zotit një qen me zinxhir

që të më drejtonte çdo ditë përreth».

Sa shpesh në lutjet pa besim,

ne pranojmë me habi të turpshme,

se kemi kërkuar një qen me zinxhir

kur mund t’i kishim sytë e hapur.

(M. Calley)

Kur të shkojmë në qiell do të dëshironim që të ishim lutur më shumë.

[previous][next]
[[1]]Autor i panjohur.[[1]] [[2]]R. A. Matthews, Born for Battle, Bromley, Kent, England: STL Books, 1978, fq. 14.[[2]] [[3]]Po aty, fq. 72.[[3]]