KOHA E PËRDITSHME ME JEZUSIN

Mësimi 29 | Jeta e Krishterë

Koha e qetë e përditshme, që njihet edhe si koha e devocionit, është një kohë e caktuar çdo ditë ku besimtari kalon përbashkësi me Zotin përmes leximit të Biblës dhe lutjes. Ai ushqehet me Shkrimet duke qenë buka e nevojshme e Perëndisë dhe flet me Perëndinë e madh si miku me Mikun.

Zakonisht ajo planifikohet si gjëja e parë çdo mëngjes, duke qenë se ajo konsiderohet si koha më e mirë e ditës dhe më e mira i përket Zotit. Por nëse, për çfarëdo arsye, kjo nuk është e mundur në mëngjes, ne s’kemi pse të jemi legalistë për këtë apo ta kalojmë ditën me një ndjenjë faji. Nuk ka asnjë ligj që kjo kohë të kalohet më vonë gjatë ditës.

Nuk ka ndonjë mënyrë më të mirë për të patur kohën e qetë. Secili duhet të vendosë vetë se cila është metoda më e mirë për të. Megjithatë, sugjerimet e mëposhtme mund të jenë ndihmëse.

Si çdo zakon tjetër, sa herë që e kalon këtë kohë ai forcohet dhe sa herë që ju mungoni ai dobësohet.

Do të ishte më mirë të keni një kohë dhe vend të caktuar, që të jemi sa më tepër të lirë nga shpërqendrimet. Nëse gjatë përbashkësisë tuaj iu vjen në mend diçka që keni për të bërë atë ditë, shkruajeni atë në një copë letër dhe pastaj vazhdoni me Fjalën.

Fillo me lutje, duke i kërkuar Zotit të të flasë përmes Fjalës, qoftë në përkushtim, udhëzim, ngushëllim, ndreqje apo drejtim.

Kufizohu me një pjesë të shkurtër nga Bibla. Është më mirë të lexosh pesë vargje dhe të nxjerrësh diçka prej tyre, sesa të lexosh një kapitull dhe të mos mbash mend asgjë. Shumë shpesh besimtarët përpiqen të bëjnë goxha tepër, shkurajohen dhe e ndërpresin kohën e qetë.

Pasi ta kesh lexuar pjesën e asaj dite, bëji vetes pyetjet e mëposhtme:

  • A ka diçka rreth Zotit Jezus në këtë pjesë?
  • A ka ndonjë urdhërim që unë t’i bindem?
  • A ka ndonjë mëkat që duhet të rrëfej/shmang?
  • A ka ndonjë premtim që duhet ta marr?
  • A ka ndonjë varg a pjesë të vështirë që nuk e kuptoj dhe që më duhet të kërkoj një përgjigje? (Rrëfim! Unë personalisht e kam të vështirë të gëzoj diçka që nuk e kuptoj).
  • A ka diçka që mund ta kthej në lavdërim dhe adhurim?
  • A ka diçka për të cilën më kujtohet që të lutem?
  • A ka ndonjë varg që duhet ta mësoj përmendsh?
  • A ka ndonjë bekim frymëror për të cilin duhet të jem mirënjohës?

Disa e shohin të dobishme të mbajnë shënim mendimet e tyre në një bllok.

Pasi ta kesh studiuar pjesën me kujdes, mos ngurro t’i referohesh një komentari të mirë për të vështirësive apo për dritë të re mbi vargjet.

Ka edhe mënyra të tjera për të kaluar një kohë të qetë.

Një është të përdorësh Dritë e përditshme në rrugën e përditshme. Familja Bagster që e hartoi atë shkroi:

Është një libër me pjesë të zgjedhura nga Bibla, me lexime për çdo ditë të vitit, një për mëngjesin dhe një për mbrëmjen. Një titull në fillim të faqes cakton temën. Pastaj nga pjesë të tjera të Shkrimeve të Shenjta, fjalët e çmuara të Perëndisë thuren bashkë për të patur një ndriçim të mëtejshëm për atë varg.

Mrekullisht, pjesët e zgjedhura […] i janë përshtatur saktësisht nevojave të të krishterëve në çdo rrethanë të vështirë. Qindra mijëra të krishterë kudo në botë, deri në skajet më të largëta, po lexojnë çdo ditë të njëjtën faqe me mesazhin e saj ngushëllues dhe ndihmues.

Familja Bagster u lut seriozisht për çdo varg para se ta përfshinte.

Një libër devocioni tjetër dhe i shkëlqyer është Lexime për mëngjesin dhe mbrëmjen nga C. H. Spërxhëni. Komentet e tij mbi një varg të vetëm biblik janë udhëzuese, interesante dhe ndonjëherë argëtuese. Ai zbulon të vërteta që ndoshta ne nuk do t’i kuptonim kurrë me mënyrat tona.

Ka shumë libra të tjerë, broshura dhe kalendarë me lexime për çdo ditë. Këto janë ndihmuese për fillestarët dhe të këndshme për shenjtorët e pjekur. Disa sugjerojnë lexime që të shoqërojnë me Biblën brenda një viti.

Sigurohu që ta mbyllësh kohën tënde të qetë me lutje, duke e falënderuar Zotin për atë që ke mësuar dhe duke i kërkuar forcë që t’i bindesh.

Përpiqu të ndash me të tjerët gjatë ditës përsiatjet e tua. Kjo i fikson mësimet më thellë në mendjen tënde dhe i lejon të tjerët të ndajnë bekimet me ty (Mal. 3:16). Stefan Olfordi thotë se koha e përkushtimit me Perëndinë «është absolutisht jetësore për një jetë të vazhduar frymërore, të efektshme dhe me dashuri». Mendo për këtë!