Shtojca G | Manuali i Dishepullit
Pranohet sot në qarqe shekullare se gjëja më shpërthyese në botë nuk janë armët bërthamore, por boja e printerit.
Përse? Sepse pak prej saj, kur i shtohet alfabetit, mund të ndezë ide që do të lëvizin mendjet e njerëzve me një forcë pafundësisht më të madhe dhe më të zgjatur se shakullina që vjen nga çlirimi i ndarjes së një atomi. Boja e printerit sjell të mirën ose të keqen, por evidenca në anën pozitive ia kalon asaj negative. Sepse kur dikush me vizionin e fatit më të lartë të njeriut e hedh bojën në letër, nxirrja e saj mban dritën e botës.
Dr. Oswald Smith shkruan:
Për më shumë se 30 vjet ka qenë duke konsideruar me lutje këtë problem: «Si mund të ungjillëzojmë botën brenda harkut kohor të një brezi?» Shumë kohë më parë isha i bindur se nuk mund të dërgonim kurrë mjaft misionarë. Por duhet të ketë një mënyrë për këtë. Pasi kam udhëtuar dhe studiuar në 53 vende, kam arritur në përfundimin se e vetmja mënyrë se si ne do të mund të përmbushim Mandatin e Madh është përmes përdorimit sistematik të faqes së shtypur. Vetëm në këtë mënyrë ne do të mund të hyjmë në çdo shtëpi dhe do të arrijmë çdo individ me mesazhin e ungjillit. Bota po shkollohet me hapa të shpejtë. Një milion lexues të rinj çdo javë na ofrojnë një mundësi të artë për ungjillëzim përmes literaturës. Dëshmitarët e Jehovait janë syhapur, duke kërkuar që të përhapin kudo mesazhin e tyre me anë të literaturës. Kisha e krishterë nuk është zgjuar ende. Shpejt do të jetë tepër vonë. Tani është ora.
Avantazhet e shfrytëzimit të faqes së shtypur për ungjillin janë mahnitëse.
- Fjala e shkruar nuk njeh frikë – ajo nuk dridhet para fytyrës së askujt. Ajo i shpall të njëjtin mesazh të pasurit dhe të varfrit, mbretit dhe njeriut të thjeshtë.
- Ajo nuk humb kurrë toruan; nuk e kthen kurrë fjalën me zemërim.
- Ajo nuk i vë re përqeshjet, talljet dhe fyerjet.
- Ajo nuk lodhet kurrë, por punon 24 orë në ditë, edhe kur flemë dhe pushojmë.
- Ajo nuk shkurajohet kurrë, por e thotë tregimin e saj pa pushim.
- Ajo do t’i flasë një njeriu me po aq gatishmëri sa edhe turmave dhe do t’u flasë turmave me po aq dëshirë sa edhe një njeriu të vetëm.
- Ajo e zë dikë pikërisht në gjendjen e duhur shpirtërore kur personi është i hapur, sepse ajo flet vetëm kur personi zgjedh që të dëgjojë.
- Ajo mund të merret, të lexohet dhe të studiohet fshehurazi.
- Ajo siguron vëmendje të plotë në orët e qeta.
- Ajo flet pa ndonjë theks të huaj.
- Fjala e shkruar është më e qëndrueshme se zëri njerëzor.
- Ajo nuk bën kurrë kompromis, nuk e ndryshon kurrë mesazhin e saj.
- Ajo vazhdon të flasë dhe ta bëjë të qartë mesazhin edhe pasi fjalët e dëgjueshme të jenë harruar dhe të kenë humbur.
- Ajo vlerësohet shumë nga banorët e çdo vendi.
- Ajo është e imunizuar nga çdo sëmundje.
Trakti më i vogël mund të jetë guri në hobenë e Davidit. Në duart e Krishtit ai mund të rrëzojë shpirtin e një gjiganti (Robert Murray M’Cheyne).
Librat mund të predikojnë kur autori nuk mundet, kur autori nuk ka mundësi, kur autori nuk guxon, po dhe për më tepër, kur autori nuk është (Thomas Brooks).
Asnjë agjenci nuk mund të depërtojë kaq thellë, të dëshmojë kaq me guxim, të qëndrojë kaq me këmbëngulje dhe të ndikojë në mënyrë kaq të papërballueshme sa faqja e shtypur (Samuel Zwemer).
Ndonëse besojmë se literatura ka një potencial kaq të pamasë në përhapjen e së vërtetës, ne nuk duhet të supozojmë se ajo është metoda e vetme apo madje edhe metoda më e mirë. Ndonëse ajo është një ndihmë e mrekullueshme për misionarin që të përhapë punën e tij, ajo nuk do të zërë kurrë vendin e vetë misionarit.
Le të jemi të sinqertë dhe të pranojmë kufizimet e literaturës.
1. Ajo supozon se njerëzit mund të lexojnë. Por ka ende me miliona njerëz që nuk mund të lexojnë. Këta njerëz duhet të arrihen me ndonjë mënyrë tjetër.
2. Literatura nuk nuk u jep gjithnjë përgjigje pyetjeve që mund të ngrihen në mendjen e dikujt. Kjo mund të kryhet në mënyrë më të efektshme nëpërmjet bashkëbisedimin.
3. Zoti dërgoi dishepuj të cilët duhet të ishin shembuj të gjallë të së vërtetës. Nuk ka asnjë argument aq të efektshëm sa një jetë e shenjtë.
4. Gjithë puna ungjillore nuk duhet të kufizohet me shpëtimit, por duhet të vazhdohet me themelimin e të kthyerve në të vërtetën dhe në formimin e asambleve lokale. Literatura mund t’i mësojë besimtarët e rinj rreth kishës lokale, por faktori njerëzor misionari ose predikuesi ose mësuesi) do të jetë pashmangshmërisht i domosdoshëm që t’i drejtojë ata në të vërtetën.
Dawson Trotman, ish-president i Lundërtarëve, do të thoshte: Përgjigjja është njeriu, jo materialet. Ndoshta problemi më i madh sot është se ne përpiqemi që të hedhim në formë të shtypur atë që duhet të transmetohet nga buza në vesh dhe nga zemra në zemër. Materialet janë mjetet. Mjetet në vetvete janë të padobishme. Nëse do të ishte një i ri në fillim të studimeve për mjekësi i cili do të kishte të gjitha instrumentet e nevojshme për një operim të rëndësishëm dhe do të ishte edhe një doktor i vjetër i cili do të kishte vetëm një bisturi dhe një gjilpërë të thjeshtë, të zakonshme dhe të shtrembër si edhe ca pe, do ta lija veten për kirurgji në duart e doktorit të vjetër, sesa në duart e atij djali me të gjitha instrumentet që kishte, apo jo? Nuk janë vetëm mjetet; është njeriu i cili i ka mjetet në duart e tij.
[previous]