MË PAK MUND TË JETË MË MIRË

Mësimi 56 | Shërbesa e Krishterë

Theksimi mbi madhësinë në shoqërinë tonë është kaq i fortë dhe kaq bindës, që është pothuaj e papërfytyrueshme të mendosh se më pak ka mundësi të jetë më mirë. Kisha është gllabëruar plotësisht nga sindroma e suksesit të botës, e cila matet me shifra. Por cilat janë faktet në lidhje me numrat? Filozofia që madhësia është e bukur dhe se është qëllimi hyjnor jo vetëm që mungon në Bibël, por është në kundërshtim me Shkrimin.

  1. Grupi i madh i njerëzve humbi në përmbytjen e Noeut; vetëm tetë njerëz shpëtuan.
  2. Ushtria e Gedeonit u reduktua nga 32.000 në 300 që fitorja t’i atribuohej vetëm fuqisë hyjnore.
  3. Jezusi zgjodhi dymbëdhjetë dishepuj, jo dymbëdhjetë mijë.
  4. Ideja sarkastike e Volterit se Perëndia është në anën e batalioneve të mëdha përfaqëson mençurinë e kësaj bote, në këtë rast, mençurinë e një njeriu të pafe.
  5. Theksi në Shkrim është mbi cilësinë më tepër se mbi numrat.
  6. Gjatë epokave Perëndia ka punuar në mënyrë karakteristike përmes një pakice.

Pjesa më e madhe e kishave të krishtera gjatë shekujve kanë qenë të vogla [në numër] dhe kjo vazhdon të jetë e vërtetë në mbarë botën.

Sa më e madhe të jetë kisha, aq më e vështirë është për udhëheqjen që të drejtojë një shërbesë baritore personale dhe të efektshme me tërë kongregacionin.

Sa më e madhe të jetë kisha, aq më e vështirë është për besimtarët që të njohin njëri-tjetrin, që të ndajnë gëzimet dhe hidhërimet, që të gëzojnë jetën në trup. Është thënë mirë se një kishë që është një grumbull të huajsh, apo më mirë, të njohurish, ajo nuk është një kishë e vërtetë në kuptimin më të thellë të termit.

Sa më e madhe të jetë kisha, aq më e madhe do të jetë përqindja e shenjtorëve që nuk kanë një mundësi për të ushtruar dhuntitë e tyre.

Nëse madhësia bëhet qëllimi, aq më i madh është presioni për të zbutur mesazhin e ungjillit, kërkesat e ashpra të dishepullimit të krishterë, standardet e larta të shenjtërisë si dhe thënie të tjera të forta të Jezusit.

Është e përfytyrueshme se kishat e mëdha plotësojnë kotësinë e njeriut dhe se ato ekzistojnë më tepër për udhëheqjen se për kongregacionin.

Është më e lehtë për kishat e vogla që të mblidhen fshehurazi në kohë përndjekjeje dhe shtypjeje.

Lutja e përbashkët është një nga fatkeqësitë e para në kishat e mëdha.

Pasi kemi thënë të gjithë këtë, nuk ka asnjë virtyt në një kishë të vogël nëse madhësia e saj e vogël është si rezultat i mungesës së ungjillëzimit, apatisë apo i ndonjë dështimi tjetër. Kishat e vogla duhet të jenë kisha që rriten. Por në vend që të bëhen mega-kisha, ato duhet të ngrehin kisha të reja. Kur një kishë arrin një madhësi të caktuar, udhëheqja duhet të mendojë për fillimin e një pune të re.

Cilat janë argumentet që sillen zakonisht për kisha të mëdha? Është e mundshme që të kesh lehtësi më të mira.

  • Mund të ketë një larmi të gjerë të shërbesave.
  • Më shumë njerëz do të thotë më shumë para për veprën e Zotit.
  • Ka një pranim kulturor më i mirë.
  • Ka më shumë mundësi për fëmijët dhe të rinjtë që të jenë me moshatarët e tyre.
  • Një kishë e madhe do të thotë mundësi më të mira për të pasur një arritje misionare më të madhe.
  • Kjo siguron një cilësi më të mirë mësimi.

Disa nga këto argumente mund të kenë një sasi të vërtete; disa nuk janë fare të vërteta medoemos; dhe asnjë prej tyre nuk mund të mbështetet nga Fjala e Perëndisë.

Më lejoni të thërras në provën e dëshmitarit një grup të përbërë nga drejtues të krishterë të respektuar të cilët kanë folur për këtë temë:

Në fillim është Vans Havneri (Vance Havner), një predikues i mprehtë dhe i qartë nga jugu. Ai shkruan:

Kisha ka lëvizur nga katakombet e Koloseut në theksimin e saj mbi madhësinë. Ne vëmë në skenë shfaqje vigane dhe mbledhje gjigante. Ne hipim në platformë njerëz të famshëm dhe huazojmë nga Cezari për të përmirësuar banderolën e Krishtit. Ne jemi çmendur pas madhësisë….

Në fakt, ne kemi nevojë për një rrallim dhe jo një trashim. Mësova shumë kohë më parë se të rritësh grurë dhe pambuk duhet që të rrallohet. Ne e reduktuam sasinë që të përmirësonim cilësinë. Gedeonit iu desh që të rrallonte trupat e tij dhe një procedurë e ngjashme mund të ndihmojë sot ushtrinë e Perëndisë. Jezusi e rralloi turmën e Tij, siç na tregohet në kapitullin e gjashtë të Gjonit dhe me siguri ka pasur edhe shumë raste të tjera. Sot pakica e përndjekur është bërë shumica e kërkuar.

Kjo është Epoka e Gofusit, e dredhisë, e fjalëve mashtruese, e tekave, e marifeteve, e [mendësisë] «tani e sheh dhe tani s’e sheh». Gjithçka bëhet me pasqyra. Gjithçka matet me «sa e madhe?» dhe «sa e zhurmshme?». Gjithçka duhet të jetë e stërmadhe, gjigante, kolosale, jashtëzakonisht e madhe. Që kur ilaçet e reja janë «ilaçe çudi»—ti i pi ato dhe çuditesh se çfarë do të ndodhë më pas. Në një kohë si kjo është e vështirë që të ngjallësh te njerëzit një interesim për bindjen dhe besnikërinë e lashtë dhe të qartë. Madje edhe të krishterët duhet të zbaviten në kishë. Drita e së Vërtetës shihet, por nuk jetohet dhe duke qenë dëgjues dhe jo zbatues, njerëzit janë verbuar nga tepria e dritës. Drita e tepërt të verbon po aq sa edhe kur nuk ka mjaft dritë.

Në librin e tij «Që tani e tutje», Ralf Shallisi (Ralph Shallis) na këshillon:

Zgjidh një kishë që është besnike ndaj Shkrimit dhe që është edhe plot me Frymën e Shenjtë; domethënë, një grup ku Jezusi është me të vërtetë i pranishëm. Nuk ka rëndësi nëse është e vogël apo e varfër. Nëse Krishti është atje, ti je më i pasur se të gjitha bankat e botës të bashkuara. Veç kësaj, në një kishë të vogël do të gjesh një qëllim për të qenë i gjallë; do të jesh një anëtar i çmuar dhe i rëndësishëm i familjes; do të kesh mundësinë për të bërë një kontribut të vërtetë. Nëse, nga ana tjetër, je në një kishë shumë të madhe, ka shumë mundësi që do të fundosesh në një masë anonime—që është shumë keq për shëndetin tënd frymëror. Ti bëhesh përtac dhe i padobishëm, ose thjesht i acaruar.

Francis Shaferi (Francis Schaeffer) shton dëshminë e tij me këto fjalë të mprehta:

Ashtu si nuk ka njerëz të vegjël në sytë e Perëndisë, po kështu nuk ka vende të vogla…. Në asnjë vend tjetër nuk janë zënë të krishterët në sindromën e madhësisë së shekullit të njëzetë më shumë se në Amerikë. Madhësia do të tregojë sukses. Nëse jam i shenjtëruar do të ketë medoemos një shumicë njerëzish, dollarësh etj. Nuk është kështu. Perëndia jo vetëm që nuk thotë se madhësia dhe fuqia frymërore shkojnë bashkë, por Ai madje e kthen këtë mbrapsht (sidomos në mësimet e Jezusit) dhe na thotë që të jemi qëllimisht të kujdesshëm për të mos zgjedhur një vend tepër të madh. Ne të gjithë priremi të theksojmë veprat e mëdha dhe vendet e mëdha, por ky theksim është i gjithi nga mishi. Të mendosh në terma të tilla do të thotë thjesht të kthehesh sërish në atë Unin e lashtë të pandryshuar dhe egoist. Ky qëndrim, i marrë nga bota, është për të krishterin më i rrezikshëm se praktikat apo dëfrimet e mishit. Është mishi.

Xhejms S. Stjuarti (James S. Steward) pranon. Ai shkruan:

Strategjia e Perëndisë nuk mbështetet te shifrat. Ne numërojmë kokë. Perëndia nuk e bën. Perëndia numëron zemra. Ne flasim për zgjerimin e mbretërisë, si të prodhojmë më shumë dishepuj: Perëndia synon të intensifikoj mbretërinë dhe të prodhojë dishepuj më të mirë. Ne flasim për «kishën e lartë», «kishën e ulët»,»kishën e gjerë», por ajo që Perëndia dëshiron të shohë është «kisha e thellë». «Mos më jepni batalionet e mëdha kishtare», thirri Xhon Uesli, «më jepni njëqind burra që nuk i druhen asgjëje veç mëkatit dhe që nuk duan gjë tjetër veç Perëndisë dhe unë do të shkund portat e ferrit!» Ku e mësoi Xhon Uesli këtë qëndrim? Me siguri nga mjeshtri i tij mbretëror Jezus […] i cili e bëri të qartë njëherë e mirë strategjinë hyjnore të fushatës së Tij botërore. Kjo strategji do të thotë: se Krishti do të parapëlqejë të punojë një ditë me një pakicë të varfër prej pesë përqind e përbërë nga shpirtra të vendosur, sesa me një shumicë të madhe prej 95 përqind e përbërë nga njerëz të pabindur dhe të paqëndrueshëm në besnikërinë e tyre.

Në komentarin e tij mbi librin e Gjyqtarëve, Samuel Ridauti (Samuel Ridout) thotë:

Ekziston te të gjithë ne një dëshirë e fshehtë për shifra. Përse kjo dëshira për statistika, për shifra të konvertimeve, për shifra të «anëtarëve» nëse njeriu nuk e ka idenë se fuqia qëndron në shifra? Përkundrazi, a nuk është i mbushur Shkrimi me ilustrime që tregojnë krejt të kundërtën? Shumë shpesh shifrat janë bërë shkaku për atë krenarinë që vjen përpara shkatërrimit. Kur u rrit numri i dishepujve, filluan murmuritjet. Qoftë larg mendimi se ne i refuzojmë shifrat për shkakun e tyre. Sigurisht, ne duhet të gëzohemi për të gjithë ata që marrim bekime, por syri ynë nuk duhet të jetë mbi këta të gjithë, por mbi Zotin.

Kjo është e vërtetë veçanërisht në kohë rënie, kur Perëndia ka ngritur një mbetje besnike për të vërtetën e Tij. Numrat […] vetëm sa do ta rëndojnë dëshminë. Shumë herë më mirë ajo kompania e vogël, e provuar dhe e sprovuar nga vetë Perëndia, sesa ai trupi i madh dhe i respektueshëm që fiton respekt në sytë e botës me numrat që ka.

E. Stenli Xhounsi (E. Stanley Jones) tha: «E urrej përleshjen për shifra, që çon në egoizëm kolektiv».

Përfundimisht, Çarls Bingu (Charles Bing) jep këtë koment lakonik: «Masat në klasa prodhojnë fishekzjarrë dhe hi».

Kur një ndër grupet më të mëdha protestante organizoi një fushatë për anëtarë, adoptuan sloganin: «Një milion më shumë në ’84». Një shërbyes u mbështet te një tjetër kur u shpall dhe u pëshpërit titulli çorientues: «Nëse kemi edhe një milion më shumë si këta që kemi tani, morëm fund». Është shumë mirë të dëshirosh numra për lavdinë e Perëndisë. Por është e gabuar të mbështetesh tek ato për forcë. Është gabim të mburresh me to. Është gabim të ulësh standardet për t’i pasur ato. Sikurse sugjeroi Vans Havneri (Vance Havner), është gabim të fitosh banderola dhe të ngresh kuotat në vend që të njohësh Perëndinë. Më mirë të kesh asamble të vogla dhe frymërore që rriten sesa asamble të mëdha, të ngathëta dhe joparimore.

[previous][next]