NJIH DHUNTINË TËNDE OSE DHUNTITË E TUA

Mësimi 42 | Shërbesa e krishterë

Një nga shërbesat e Frymës së Shenjtë, që ndodh në kohën e kthimit në besim, është dhënia e talenteve të veçanta frymërore, që njihen përgjithësisht si dhunti. Këto nuk janë njëlloj me talentet natyrore. Një jobesimtar mund të trashëgojë aftësi si një shpikës, një artist apo një matematikan. Këto mund të kalohen përmes gjeneve.

Dhuntitë e Frymës janë të ndryshme. Ato janë aftësi të veçanta të cilat mund t’i japë vetëm Fryma dhe të cilat Ai ua jep vetëm atyre që kanë rilindur. Shpesh ato e aftësojnë dikë të bëjë gjëra që ai nuk do të kishte qenë në gjendje t’i bënte zakonisht. Ato janë kaq të kundërta me aftësitë e tij natyrore që njerëzit arrijnë në konkluzionin se me siguri duhet të jetë Zoti që po vepron përmes Tij. Kam lexuar se C. H. Spërxhëni kishte aq shumë frikë për të predikuar në publik që shpesh ai villte gjak përpara se të dilte në katedër. Të tjerë kishin pengesa serioze me të folurit, e prapëseprapë kur flisnin ata kishin një kontroll gojor të përsosur. Kur ne i ushtrojmë dhuntitë tona njerëzit duhet të arrijnë në konkluzionin se kjo është fuqia e Perëndisë në veprim dhe jo ajo e të krishterit.

Dhuntitë janë dhënë te Romakëve 12:3-8; 1 Korintasve 12:7-11, 28 dhe Efesianëve 4:11. Mund të ketë të tjera që nuk janë përmendur në këto pjesë. Ato në Efesianëve duket se janë dhunti shërbimi të veçanta, që kanë të bëjnë kryesisht me inaugurimin e kishës së Dhiatës së Re dhe me mbjelljen e asambleve të Dhiatës së Re. Apostujt dhe profetët ishin njerëz që kishin marrë Dhiatën e Re përmes frymëzimit dhe na dhanë «besimin që u qe transmetuar shenjtorëve njëherë e përgjithmonë». Ata nuk janë më me ne në kuptimin parësor të fjalëve. Ne nuk kemi më nevojë për ata, pasi shërbesa e tyre na është ruajtur në faqet e Dhiatës së Re.

Në një kuptim dytësor e më të vogël, një apostull është dikush që dërgohet nga Zoti për të predikuar lajmin e mirë dhe për të ngritur kisha lokale. Gjithashtu, në një kuptim dytësor, një profet është dikush që shpjegon Fjalën e Perëndisë dhe që e zbaton atë për ata që e dëgjojnë.

Disa nga dhuntitë njihen si dhunti të shenjave. Gjuhët janë një shembull. Për shkak të abuzimeve me përdorimin e kësaj dhuntie, Fryma e Shenjtë na dha shtatë rregulla mbi përdorimin e gjuhëve në kishë. Ato janë:

  1. Mos ndaloni së foluri në gjuhëra (1 Kor. 14:39).
  2. Nëse dikush flet në gjuhëra, duhet të ketë një interpretues (1 Kor. 14:13, 27-28).
  3. Jo më shumë se tre veta mund të flasin në gjuhëra në secilin takim (1 Kor. 14:27).
  4. Ata duhet të flasin njëri pas tjetrit (1 Kor. 14:27).
  5. Ajo që ata thonë duhet të jetë për ndërtim (1 Kor. 14:26).
  6. Gratë duhet të heshtin në takimet e asamblesë të cilat drejtohen nga burrat (1 Kor. 14:34).
  7. Të gjitha duhen bërë siç ka hije dhe me rregullsi (1 Kor. 14:40).

Kushdo ka të paktën një dhunti. Disa besimtarë kanë më shumë. Siç u përmend, dhuntitë jepen automatikisht kur dikush e pranon Krishtin. Është e padobishme që të lutesh për ndonjë dhunti të veçantë.

Kur Pali tha: «Kërkoni me zell dhuntitë më të mira», ai nuk po i fliste një individi, por kishës në Korint. Fjala «ju» (e nënkuptuar) është shumës, jo njëjës. Kjo nuk është e qartë në anglisht. Një kishë mund të kuptojë se i mungon dikush me një dhunti të caktuar. Në këtë rast, shenjtorët duhet të luten që Zoti do të dërgojë dikë për ta plotësuar këtë nevojë.

Dhuntitë janë dhënë për dobinë e përbashkët (1 Kor. 12:7) dhe jo për lartësim apo ndërtim vetjak. Ato u ndahen gjithsecilit veç e veç siç i pëlqen Frymës së Shenjtë, domethënë, në mënyrë sovrane (1 Kor. 12:11). Nuk duhet të ketë ndjenja epërsie apo inferioriteti (1 Kor. 12:27). Zoti nuk caktoi që të gjithë të kenë të njëjtën dhunti – ka harmoni në larmi, ashtu si në gjymtyrët e trupit (1 Kor. 12:29-30).

Dhuntitë duhet të ushtrohen me dashuri (1 Kor. 13). Dashuria mendon për të tjerët, jo për vetveten. Të flasësh në një gjuhë të huaj në një takim pa përkthim do të thotë të mos mendosh për të tjerët. Profetizimi është më mirë se gjuhët pa interpretim, pasi njerëzit e kuptojnë se çfarë thuhet.

Si mund ta dijë dikush se cila është dhuntia që ka? Së pari, ai duhet ta bëjë këtë një çështje lutjeje me zell. Ai duhet të studiojë dhuntitë. Më pas ai duhet të angazhohet në shumë shërbesa në fushën e këtyre dhuntive. Disa do t’i duken të rënda. Të tjerat do të japin «efektshmëri maksimale me lodhje minimale» (Bill Gothard). Të krishterët dallues mund të konfirmojnë udhëheqjen që ke marrë duke të treguar se ku ndodhet dhuntia jote.

Ne duhet t’i ushtrojmë dhuntitë tona me tërë forcën që na jep Perëndia dhe në të njëjtën kohë ta falënderojmë Zotin për ata njerëz me dhunti të ndryshme.

«Asnjë dhunti e njeriut nuk është tepër e madhe për parimet e Perëndisë» (Alfred Mace). Një predikues mund të mendojë se është tepër i talentuar frymërisht që të qëndrojë me përbashkësi të vogla të cilat përpiqen të ecin me bindje ndaj Fjalës së Perëndisë. Ai ndihet i thirrur të shkojë në një megakishë që komprometon doktrinën me shifra të mëdha. Do të ishte e urtë për të që të kapej fort pas parimeve hyjnore dhe ta lërë Zotin të vendosë se sa i madh do të jetë auditori i tij.

[previous][next]