Mësimi 12 | Dishepullimi i krishterë | 2 KORINTASVE 5:9-21
Askush nuk ka shikim të përkryer, por disa kanë një shikim të dobët deri në atë pikë që iu duhet të mbajnë syze. Nëse janë si unë ata shkojnë shpeshherë tek okulisti për të bërë kontroll.
Tani jam ulur në dhomën e kontrollit. Hyn doktori, merr një dritë dhe më thotë: «Tani, z. MekDonald, zëre syrin e djathtë dhe lexo rreshtin e sipërm në tabelë».
«Për kë tabelë e ke fjalën, doktor?»
«A, po, ky është një rast serioz. Do të na duhet të rritim zmadhimin për ty».
Dhe ndërkaq ai rrotullon para meje një pajisje të zezë me dy vende për sytë dhe më kërkon të shoh nga vrima e duhur. Ndërsa unë bëj këtë, ai rrotullon një mekanizëm që lëviz lente të ndryshme dhe më pyet: «Çfarë sheh tani?»
Gjithçka që më vjen në mendje është vargu nga Bibla: «Po shoh njerëz si pemë që ecin», me kuptimin që: «Është më mirë, por akoma e mjegullt».
Më pas, ndërsa ai vërtit lentet, më pyet: «A është kjo më mirë se kjo tjetra?» Pas pak disa rreshta të tabelës bëhen të qarta dhe ai është i kënaqur që me lentet e reja unë do të kem shikim normal.
Është po ashtu e vërtetë që askush nuk ka shikim frymëror të përkryer. Kur mëkati hyri në botë ai ndikoi shikimin frymëror të njeriut dhe ne të gjithë kemi nevojë për lente ndreqëse. Në 2 Korintasve 5:9-21 gjenden shtatë lente të tilla ndreqëse të cilat ne duhet t’i mbajmë gjatë gjithë kohës nëse duam t’i shohim gjërat ashtu siç i sheh Perëndia.
FAKTET E FERRIT (5:11a)
E para është fakti i ferrit. Pali thotë: «Duke e njohur frikën e Zotit, ne bindim njerëzit». Tani e di që frika këtu do të thotë frikë e përzier me nderim dhe që ishte ai respekti i shenjtë për Perëndinë, ajo frika për t’i pëlqyer Atij që i bëri apostujt t’i bindin njerëzit sesa ndershmëria në këtë shërbesë. Por do të doja ta shikoja këtë varg ndryshe. Do të doja ta shikoja sikur të ketë kuptimin që dijenia për llahtarinë dhe tmerrin e ferrit e bëri Palin t’i bindte njerëzit për t’i besuar Krishtit që të shpëtoheshin nga ai vend i mundimeve. Kështu që në strukturën tonë frymërore ne duhet të kemi një lente ndreqëse me të cilën shohim zjarrin flakërues të ferrit. Kjo do të na kujtojë vazhdimisht që tërë njerëzit e pashpëtuar, qofshin të afërm, miq, komshinj, pra, gjithë jobesimtarët janë në rrezik të vazhdueshëm për të patur këtë fat të tmerrshëm. Kjo do të na mbushë me një ndjenjë urgjente për të ndarë lajmin e mirë të shpëtimit me ata që takohemi. Kjo do të na shtyjë t’i përdorim burimet tona për përhapjen e ungjillit.
Ferri është fakt. Zoti Jezus foli më shumë për ferrin sesa për qiellin. Po aq sa është e sigurt që ekziston qielli, po ashtu ekziston edhe ferri. Ai është fati i përjetshëm për gjithë jobesimtarët. Ai është një vend mundimesh të vetëdijshme. Në ferr nuk ka as dritë as dashuri. Është dëshpërim i përhershëm. Sa më shumë në dijeni të këtij tmerri të jemi, aq më shumë ne do t’i bindim njerëzit t’i shmangen atij nëpërmjet besimit në Krishtin.
DASHURIA E KRISHTIT (5:14-15)
Lentja e dytë është dashuria për Krishtin – jo dashuria jonë për Të, por dashuria e Tij për ne. Nëse kemi këtë lente në syzet tona, ne do të shohim një kryq të gjakosur dhe mbi atë kryq do të shohim Birin e Perëndisë duke vdekur për mëkatet tona, duke paguar atë çmim që ne duhet të paguanim. Nëse Ai do të ishte thjesht njeri, ne duhet të ishim përgjithmonë mirënjohës karshi Tij, por sa më shumë duhet të jemi kështu kur kuptojmë që Ai është Zoti i jetës dhe i lavdisë, Krijuesi dhe Mbajtësi i gjithësisë.
Kjo dashuri e tillë na shtrëngon. Vepra e Tij mbi kryq përmban një logjikë të pashmangshme në lidhje me këtë. Nëse Ai vdiq për ne, kjo do të thotë që ne të gjithë ishim të vdekur në faje dhe në mëkate. Ai s’do ta kishte bërë këtë nëse ne do të ishim të gjallë dhe në rregull frymërisht. Por nuk mbaron këtu. Ai nuk vdiq për ne që ne të vazhdojmë të jetojmë një jetë mëkatare, egoiste dhe të pakuptim. Por Ai vdiq për ne me qëllim që, që sot e tutje, ne të mund të jetojmë për Të. «E denjë është kjo dashuri të marrë, gjithë jetën shpirtin zemrën krejt» (Isak Uats). Ky konkluzion është i pashmangshëm.
VLERA DHE PËRJETËSIA E NJË SHPIRTI (5:16)
«Prandaj tash e tutje ne nuk njohim më askënd sipas mishit; po, edhe sikur ta kemi njohur Krishtin sipas mishit, nuk e njohim më ashtu». Kur shpëtohemi ne i shohim njerëzit në një mënyrë tjetër. Më parë ne interesoheshim për pamjen e tyre fizike, për personalitetin e tyre apo madje edhe për sasinë e pasurisë së tyre.
Por tani gjërat ndryshojnë. Hiri na mëson t’i shohim ata si shpirtra të vyera për të cilët Krishti vdiq. Ata ne i shohim si adhurues të fuqishëm të Qengjit të Perëndisë për tërë përjetësinë. Ne kuptojmë se edhe njeriu më i thjeshtë dhe më i dobët vlen më tepër se gjithë ari, argjendi dhe diamantet e botës. Në Kalvar Zoti Jezus vendosi një vlerë për secilin – vlerën e vetë gjakut të Tij.
Një poet i panjohur ka shkruar:
Vetëm si shpirtra i shoh njerëzit tani,
të lidhur që duhet të fitojnë, skllevër që duhet të jenë mbretër;
shpresën e tyre të vetme dëgjoj unë me habi;
mjerisht të kënaqur me hijen e gjërave vetëm.
Pastaj me nxitim dëshira e paduruar,
dridhet në mua si një bori.
O, të shpëtoj këta, të humb për t’i shpëtuar
të vdes për jetën e tyre, të bëhem fli.
Kur në syzet tona ne kemi këtë lente ndreqëse, ne kuptojmë se njerëzit janë ata që janë të rëndësishëm. Ne nuk mund t’i kalojmë jetët tona duke grumbulluar gjëra. Ne duhet të jetojmë për njerëzit – për mirëqenien e tyre të përjetshme.
QËLLIMI I KRIJIMIT TONË (5:17)
Në vargun 17 Pali thotë: «Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re». Nëse ne jemi krijesa të reja, pjesë të një krijimi të ri, kjo ngre këtë pyetje të pashmangshme: «Cili është qëllimi i krijimit tonë? A jemi ne këtu për t’u pasuruar? Për t’i bërë vetes një emër në këtë botë? Për të mbledhur zotërime materiale? Për të notuar në luksin e shtëpive dhe kopshteve më të mira? Për të pirë kupën e qejfeve? Për t’u marrë me çikërrima? Mos duhet të mbarojnë të gjitha planet tona me vdekjen? A s’kemi ne një të ardhme më të lartë, sesa të ndërtojmë fole mbi një pemë që është shënuar për t’u shkatërruar?
Përgjigjja, sigurisht, është që ne jemi këtu për të lavdëruar Perëndinë dhe për të përfaqësuar Zotin Jezus këtu në tokë. Ne jemi këtu si kripë për tokën dhe si dritë për botën. Ne jemi thirrur për të treguar mrekullitë e Atij që na thirri nga terri në dritën e Tij të mrekullueshme. Si ambasadorë të Tij ne duhet t’u bëjmë thirrje burrave dhe grave të pajtohen me Perëndinë. Gjithçka tjetër është veçse hutim. Gjithçka tjetër është e pavend.
URDHËRIMI I QARTË I KRISHTIT (5:18)
Zoti na ka besuar shërbimin e pajtimit. Kjo do të thotë se Ai na ka dërguar për t’iu treguar burrave dhe grave se si ata mund të pajtohen me Perëndinë. Vepra e Krishtit mbi kryq ka siguruar rrugën e vetme me anë të së cilës ata mund të kenë një marrëdhënie të vërtetë me Perëndinë. Por ata duhet ta dëgjojnë mesazhin dhe ta pranojnë atë. E vetmja mënyrë që ata mund ta dëgjojnë është që ne t’ua tregojmë atë. Ne jemi përgjegjës për të shkuar.
Në ushtri, kur një komandant shpreh një dëshirë ose kur bën një ftesë, pritet që nga vartësit e tij këto të interpretohen si urdhra. Kur mbreti David shprehu dëshirën për të pirë ujë nga një pus në Betlehem, trimat e tij e konsideruan këtë si një urdhër, megjithëse pusi ndodhej në zonën e armikut (2 Sam. 23:15-17). Kapiteni ynë na ka dhënë Mandatin e Madh: «Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese». Kjo është më tepër se një kërkesë apo sugjerim. Ky është një urdhër i prerë. Nuk është dhënë për t’u diskutuar apo konsideruar, por për t’iu bindur. Secili prej nesh duhet të përballet me mundësinë që kur të takojmë Shpëtimtarin, Ai do të na pyesë: «Çfarë ke bërë me Mandatin e Madh?»
PËRGJEGJËSIA E TË PATURIT TË PËRGJIGJES (5:20)
Nuk e teprojmë nëse themi se të krishterët kanë përgjigjen për problemet e botës. Mëkati është shkaku themelor i problemeve të njerëzimit. Askush përveç Krishtit nuk është marrë me mëkatin në mënyrë efektive. Asgjë tjetër veçse vepra e Tij atje mbi kryq është ajo që i ka dhënë njeriut çlirimin nga dënimi dhe fuqia e mëkatit. Krishti është përgjigjja!
Është diçka solemne të kesh përgjigjen dhe të mos u tregosh të tjerëve për Të. Do të jetë njëlloj sikur të kesh kurën për kancerin dhe të mos e nxjerrësh në shitje. Ose sikur të shikosh një shtëpi ku ka rënë zjarri dhe të mos arrish t’i biesh ndonjë alarmi apo të përpiqesh të shpëtosh banorët.
Në kohën e Eliseut ishin katër lebrozë zorrëbosh të cilët papandehur u gjendën përpara një sasie të madhe ushqimi. Në fillim ata hëngrën me babëzi pa menduar për të tjerët. Më pas i breu ndërgjegjja. Ata ishin duke ua fshehur këtë lajm të mirë njerëzve të qytetit aty afër. Kështu që ata i çuan fjalë qytetit që atje kishte shumë ushqim për të për t’i dhënë fund zisë. Njerëzit rendën atje dhe kështu i shpëtuan vdekjes nga uria.
Në njëfarë kuptimi ne jemi të gjithë lebrozë, të autorizuar për t’iu treguar të tjerëve ku të gjejnë ushqim. Nuk do të donim të kishim mundësinë që njerëzit e pashpëtuar të na thonë në përjetësi: «Përse nuk më the?» Si ambasadorë për Krishtin ne s’mund t’ia lejojmë vetes që të jemi fajtorë për gjakun e të afërmve tanë.
GJYQI I KRISHTIT (5:10)
Me lenten e fundit ndreqëse ne shohim një gjykim. Zoti Jezus është Gjykatësi. Secili prej nesh qëndron para vendit të gjykatësit. Ne nuk jemi duke u gjykuar për mëkatet tona; ato u gjykuan në kryqin e Kalvarit dhe dënimi është paguar plotësisht. Ky është një gjykim ku shërbesa jonë për Zotin do të vlerësohet dhe do të shpërblehet. I ngjan më tepër një ekspozite kombëtare sesa një gjyqi krimesh.
Çdo gjë e bërë për lavdinë e Perëndisë, për bekimin e popullit të Tij dhe për shpëtimin e mëkatarëve do të shpërblehet. Çdo gjë e bërë për motive të papastra a egoiste do të shkojë në zjarr. Do të ketë shpërblime të veçanta për durimin, për jetesën e shenjtë, për udhëheqjen besnike, për fitimin e shpirtrave, për qëndrueshmërinë ndaj tundimeve dhe për të shfaqurit me dashuri të Krishtit.
Ne duhet të jetojmë çdo ditë duke patur parasysh të vërtetën e gjyqit të shpejtë të Krishtit që po vjen. Kjo gjë nuk do të na tmerrojë, por do të na frymëzojë që të kuptojmë se edhe çastet kanë vlerë për përjetësinë.
[previous][next]