Një paqe si një shkëmb

«Fryti i Frymës është […] paqja…» (Gal. 5:22).


Kur shfajësohemi me anë të besimit, ne kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezus Krishtit, Zotit tonë (Rom. 5:1). Kjo do të thotë se armiqësia midis nesh dhe Perëndisë ka marrë fund, meqenëse Krishti ka luftuar me sukses shkakun e asaj armiqësie – mëkatet tona.

Gjithashtu ne kemi paqe të ndërgjegjes, duke ditur që vepra ka përfunduar, që Krishti ka paguar dënimin e mëkateve tona dhe që Perëndia i ka harruar ato.

Por më pas Fryma e Shenjtë dëshiron që ne të gëzojmë edhe paqen e Perëndisë në zemrat tona. Kjo është gjakftohtësia dhe qetësia që vijnë duke ditur që kohët tona janë në duart e Perëndisë dhe se asgjë nuk mund të na ndodhë pa vullnetin e Tij lejues.

Kështu që ne mund të jemi të qetë kur na shpohet goma e makinës në një autostradë të ngarkuar. Ne s’kemi pse të humbasim vetëpërmbajtjen kur trafiku i ngarkuar na bën që të humbasim avionin. Paqe do të thotë të qëndrosh gjakftohtë përballë një aksidenti me makinë. Ose kur vaji merr flakë në vatrën e sobës.

Ky fryt i Frymës e aftëson një Pjetër që të flejë top në burg, një Stefan që të lutet për sulmuesit e tij vrastar, një Pal që të ngushëllojë të tjerët gjatë mbytjes së anijes.

Kur avioni fluturon në mes të një turbullimi ajror dhe hidhet andej-këtej si një pupël në mes të një stuhie, kur maja e krahut përkulet katër metra, kur shumica e pasagjerëve është duke ulëritur ndërsa avioni anohet, bie, ngrihet dhe ulet, paqja e aftëson një besimtar që të ulë kokën, t’ia besojë Perëndisë shpirtin e tij dhe të lavdërojë Perëndinë për rezultatin, cilido qoftë ai.

Ose për ta ndryshuar ilustrimin, Fryma e Perëndisë mund të na japë paqe kur ulemi në zyrën e doktorit dhe e dëgjojmë të na thotë: «Më vjen keq të ta them, por është sëmundje e keqe» . Ai mund të na aftësojë të përgjigjemi: «Unë jam gati, doktor. Jam i shpëtuar me anë të hirit të Perëndisë dhe për mua kjo do të thotë «ta lëmë trupin dhe të shkojmë e të banojmë bashkë me Zotin»».

Dhe kështu me fjalët e himnit të bukur të Bikerstithit, ne mund të kemi «Paqe, paqe të përsosur, në këtë botë të errët të mëkatit […] me presionin e mizërisë së detyrave […] me dhimbjet që na rrethojnë […] me njerëzit e dashur që janë larg […] me gjithë të ardhmen të panjohur», sepse «ne e njohim Jezusin dhe Ai është i ulur mbi fron».

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *