Dëshiroj të tërheq vëmendjen te fakti se koha tonë është një kohë ku filozofia sunduese është pragmatizmi…. Pragmatizëm do të thotë se nëse funksionon, është e vërtetë. Nëse ka sukses, është e mirë. Dhe prova e çdo praktike, e çdo parimi, e çdo të vërtete, e çdo të ashtuquajturi mësim, është a funksionojnë ato? A funksionojnë ato? Tani – sipas pragmatizmit, dështimet më të mëdha të kohërave kanë qenë disa nga njerëzit që Perëndia i ka nderuar më shumë.
Për shembull, ndonëse Noeu ishte një ndërtues i fuqishëm dhe i mirë anijeje, puna e tij kryesore nuk ishte ndërtimi i anijeve, ishte predikimi. Ai ishte një dështim i tmerrshëm si një predikues. Gruaja dhe tre bijtë e tij bashkë me gratë e tyre ishin gjithçka që ai kishte. Shtatë të kthyer në besim për 120 vjet, ti këtë nuk do ta quaje veçanërisht të efektshme. Shumica e bordeve të misioneve do t’u kishin kërkuar misionarëve të tërhiqeshin shumë kohë më parë.
Dhe më pas arrijmë te një person shumë i njohur, Zoti Jezus Krisht, i cili ishte një dështim sipas të gjitha standardeve. Ai nuk arriti kurrë të organizonte një kishë apo denominacion. Ai nuk ishte në gjendje të ndërtonte një shkollë. Ai nuk arriti të ngrinte një bord misioni. Ai nuk pati kurrë një libër të shtypur. Ai nuk ishte kurrë në gjendje të kishte ndonjë nga kriteret apo instrumentet e ndryshme të cilat ne i konsiderojmë shumë të dobishme. Nuk po tregohem aspak sarkastik, ato janë të dobishme. Dhe Zoti ynë predikoi për tre vjet, shëroi mijëra njerëz, ushqeu mijëra njerëz, e megjithatë kur gjithçka mbaroi ishin 120 […] 500 të cilëve mund t’u zbulonte Veten pas ringjalljes së Tij. Dhe ditën kur Ai u mor, një njeri tha: “Nëse të gjithë të tjerët të braktisin, unë jam i gatshëm të vdes për ty”. Ai e vështroi këtë njërin dhe i tha: “Pjetër, ti nuk e njeh zemrën tënde. Ti do të më mohosh tri herë para se të këndojë gjeli këtë mëngjes”. Pra, të gjithë njerëzit e braktisën Atë dhe ia mbathën. Sipas çdo standardi të brezit tonë apo të ndonjë brezi, Zoti ynë ishte një dështim i rrallë.
Atëherë ngrihet pyetja për këtë, cili është standardi i suksesit dhe sipas të cilit ne duhet të gjykojmë jetën dhe shërbesën tonë? Dhe pyetja që duhet t’i bësh vetes: “A është Perëndia një qëllim përfundimtar, apo a është ai një mjet?” Brezi ynë është i përgatitur të nderojë zgjedhje të suksesshme. Për aq kohë që dikush mund t’i kryejë gjërat apo ta mbarojë punën, atëherë brezi ynë është i përgatitur t’i thotë të lumtë.