MOS BËJ PAZAR ME PERËNDINË

Mësimi 8 | Dishepullimi i krishterë | MATEU 20:1-16

Kushdo që e lexon këtë shëmbëlltyrë për herë të parë mund të falet nëse mendon se është bërë një gabim i rëndë gjyqësor. Shumë habiten se si diçka kaq e padrejtë në dukje mund të jetë në Bibël. Le ta rishikojmë historinë për ta kuptuar përsenë.

Pronarit të një vreshti i duheshin disa vjelës rrushi, kështu që shkoi në sheshin e qytetit herët në mëngjes (le të themi në 6 të mëngjesit) dhe gjeti disa burra të cilët ranë në ujdi të punonim atë ditë për një denar. Kjo ishte paga e pranueshme në atë kohë.

Në orën 9 të mëngjesit pronari pajtoi në punë disa burra të tjerë duke u thënë se do t’iu jepte atyre aq sa ishte e drejtë. Përsëri në mesditë dhe në orën 3 pasdite ai dërgoi më tepër burra në vreshtin e vet, duke u premtuar që do të ishte i drejtë me ta. Kur doli në orën 5 pasdite dhe gjeti disa burra të tjerë të papunë, i pyeti përse kishin ndenjur gjithë ditën pa bërë asgjë. Ata e siguruan atë që nuk ishin përtacë. Ata donin të punonin, por askush nuk i kishte marrë me mëditje. Kështu që i dërgoi në vresht dhe po ashtu u premtoi që do të merrnin aq sa ishte e drejtë».

Në orën 6 pasdite ai e udhëzoi nëpunësin që t’u jepte burrave pagën, ku secili do të merrte pagën e plotë ditore. Ata duhej të paguheshin në mënyrë të kundërt, domethënë, ata që ishin pajtuar në punë të fundit u paguan të parët dhe ata që ishin pajtuar në punë të parët u paguan të fundit.

Kjo do të thoshte se ata të orës 6 të mëngjesit panë që ata të orës 5 pasdite morën të njëjtën pagë me ta dhe reagimi i tyre ishte i parashikueshëm. Ata thanë: «Hej, kjo nuk është e drejtë. Ne punuam dymbëdhjetë orë në vapën e ditës dhe këta burra që punuan vetëm një orë po marrin të njëjtën pagë si ne. Çfarë lloj pune është kjo?»

Sinqerisht, kjo nuk duket e drejtë, apo jo? Atëherë, cili është shpjegimi?

Së pari, duhet të kuptojmë që kjo shëmbëlltyrë është vazhdim i asaj që kemi në kapitullin e mëparshëm. Vini re që vargu 1 fillon me: «Mbretëria e qiejve i ngjan, pra, një zot shtëpie…». Fjala «pra» është një fjalë lidhëse (një lidhëz), që lidh të dy kapitujt. Në fakt, shëmbëlltyra është shpjegim i vargut të fundit të kapitullit 19: «Por shumë të parë do të jenë të fundit dhe shumë të fundit do të jenë të parët». Vini re që shëmbëlltyra mbaron me fjalë të ngjashme: «Kështu të fundit do të jenë të parët dhe të parët të fundit» (20:16).

Le të kthehemi tani te kapitulli 19, vargu 16, ku Jezusi u takua me një të pasur i cili donte që të bënte diçka për të trashëguar jetën e përjetshme. Jezusi e sprovoi atë në dy çështje. Së pari, ai i dha atij mundësinë që ta njihte Zotin, jo thjesht si një mësues të mirë, por si Perëndi. Së dyti, Ai përdori ligjin si një përpjekje që tek ai të lindte bindja për mëkat. Burri dështoi në të dy provat dhe u largua i trishtuar. Ai nuk ishte gati të braktiste gjithçka dhe të ndiqte Jezusin.

Duke patur parasysh këtë prapaskenë, Pjetri i kujtoi Zotit si ai dhe dishepujt e tjerë e kishin bërë atë që i pasuri kishte dështuar të bënte. Ata vërtet kishin braktisur gjithçka për të ndjekur Atë. Më pas Pjetri bëri këtë pyetje kritike: «Çfarë do të fitojmë nga kjo?»

Zoti e siguroi atë për një shpërblim të madh në këtë jetë dhe në atë tjetrën, por pastaj, në fakt, shtoi: «Por ki kujdes me këtë lloj qëndrimi pazarllëku, Pjetër. Nëse bën pazar me Perëndinë, do të marrësh atë për të cilën bëre pazar, por mund të jesh i fundit kur të jepen shpërblimet. Në shërbesën tënde mos pyet: “Çfarë ka për mua?” Ma lër Mua këtë. Unë do t’ju trajtoj me drejtësi».

Pastaj Zoti shtoi shëmbëlltyrën e mëditësve për të ilustruar atë që sapo kishte thënë. Ata burra që ishin pajtuar në punë të parët kishin bërë pazar me të zotin e vreshtit. Ata morën pikërisht atë për të cilën kishin bërë ujdi dhe u paguan të fundit. Gjithë të tjerët shkuan të punonin pa ndonjë marrëveshje për pagën, duke u mbështetur kështu vetëm mbi të zotin e vreshtit për t’i trajtuar me drejtësi. Ata morën më shumë se ç’meritonin.

Kur ata të orës 6 të mëngjesit u ankuan se kishin marrë në mënyrë të pandershme, zotëria i dha njërit prej tyre një mësim mbi dallimin midis drejtësisë dhe hirit. Ata kishin rënë në ujdi për një denar në ditë dhe kështu morën pikërisht atë për të cilën kishin rënë në ujdi. Kjo është drejtësi! Të tjerët i kishin besuar atij të bënte atë që ishte e drejtë dhe morën më shumë nga sa meritonin. Ky është hir!

Hiri është më i mirë se drejtësia, si në shpëtim ashtu edhe në shërbim. Për sa i përket shpëtimit, nëse do të merrnim drejtësi, ne të gjithë do të humbnim përjetësisht. Siç ka thënë Mark Tuen: «Nëse qielli do të mund të fitohej nga merita, qeni yt do të hynte dhe ti do të ngeleshe jashtë». Në shërbesën për Zotin, nëse do të merrnim drejtësi, ne të gjithë do të dështonim, sepse jemi shërbëtorë të padobishëm. Kur i besojmë Zotit në ato fusha, zbulojmë që Ai jep jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë.

Kjo i ngjan një vajze të cilën i ati e çoi në atë vend të ëndërruar që njihet si dyqani i ëmbëlsirave. Ajo vuri re një qyp gjigant plot me sheqerkat e saj të preferuara dhe i kërkoi të atit nëse mund t’i blinte disa.

«Sigurisht», iu përgjigj ai, «zgjate dorën dhe merr një grusht».

«Jo, babi, zgjate dorën ti dhe merr një grusht».

«Po përse do që ta bëj unë?»

«Sepse dora tënde është më e madhe se e imja».

Ja, pra. Dora e Perëndisë është më e madhe se e jona. Thjesht besoji Atij të bëjë çfarë është e drejtë dhe Ai do të tejkalojë shpresat tona më të dashura. Zgjidh hirin.

Duhet të vihet re bujaria e zotërisë. Ai tha: «Unë dua t’i jap këtij të fundit aq sa ty» (v. 14 b). Mendoje këtë në këtë mënyrë. Ai e dinte që këta burra nuk ishin përtacë. Ata donin punë, por nuk kishin mundur të gjenin. Gjithashtu ai e dinte se ata kishin familje që kishin nevojë për të ngrënë. Kështu që i pagoi për orët që kishin punuar, por katër grupeve të fundit iu dha para shtesë për të blerë ushqime.

Edhe Zoti ynë është kështu. Ai udhëhiqet nga nevoja dhe jo nga lakmia. Ata të orës 6 të mëngjesit u udhëhoqën nga lakmia dhe jo nga nevoja. Gjithçka për të cilën ata kujdeseshin ishte vetvetja. Ata na kujtojnë Ernestin, një fëmijë që ishte jashtëzakonisht i mirë në lojën me rruzuj xhami. Ai ishte në gjendje t’i mposhte të gjithë djemtë e lagjes dhe kishte një thes plot me rruzujt e fituar.

Njëherë kur një predikues vizitoi shtëpinë e tij, ai vuri re aftësinë e Ernestit dhe tha:

«E luan vërtet shumë mirë lojën me rruzuj xhami, apo jo?»

«Po, zotëri, është e vërtetë».

«A lutesh ndonjëherë për këto lojëra, Ernest?»

«Sigurisht që lutem, zotëri».

«Si lutesh?»

«Lutem që të fitoj».

«A lutesh ndonjëherë që të fitojnë shokët?»

«Jo, zotëri. Nuk lutem kurrë kështu».

«Po përse?»

«Sepse unë dua të fitoj. Unë dua t’i kem të gjithë rruzujt».

«Ernest, a iu flet shokëve për Zotin».

«Po, zotëri, iu flas, por ata nuk janë fare të interesuar».

«S’mund të them se ia vë fajin atyre, Ernest. Zoti që iu paraqet atyre do që t’i kesh ti të gjithë rruzujt dhe Ai nuk do që ata të kenë ndonjë. Provo të lutesh që ata do të fitojnë herë pas here. Ky është krishterimi i vërtetë».

F. E. Marsh nxori në pah që «shumë prej nesh i ngjajnë goxha atij djali. Për sa kohë që fitojmë, është në rregull; por nëse dështojmë, kjo është e keqe. Nëse po jetojmë dhe punojmë për hirin e Krishtit, duhet të kujtojmë që pikërisht parimi i parë është mohimi i vetvetes»{{1}}.

Duke u kthyer te shëmbëlltyra, shohim zotërinë që paraqet çështjen e tij: «A nuk më lejohet të bëj me timen ç’të dua?» Dhe përgjigjja është: «Sigurisht që po». Paraja ishte e tij dhe mund të bënte çfarë të donte me të. Kjo na flet për sovranitetin e Perëndisë. Ai mund të bëjë çfarëdo që i pëlqen dhe ajo që Ai pëlqen është gjithmonë e drejtë, e paanshme, e dashur dhe e mirë.

Problemi nuk qëndronte te zotëria, por tek ata të orës 6 të mëngjesit. Sipas tij, ata ishin ziliqarë, sepse ai ishte i mirë. Ata nuk donin që t’ia besonin veten e tyre hirit të tij dhe as nuk donin që të tjerët ta merrnin atë hir.

Kohët nuk kanë ndryshuar. Edhe për sa i përket shpëtimit, njerëzit nuk duan të jenë pranues të favorit të pamerituar të Perëndisë dhe as nuk duan të shohin Atë që t’iu tregojë hir të tjerëve. Ata janë larguar nga mirësia e Tij duke parapëlqyer më kot ta fitojnë apo ta meritojnë atë, sesa ta pranojnë si një dhuratë falas.

«Kështu të fundit do të jenë të parët dhe të parët të fundit»{{2}}. Nëse ata dishepuj, që jetuan në ditët e para të epokës së krishterë, do të kenë pranuar një qëndrim pazarllëku ndaj Zotit, ata mund të jenë të fundit për sa i përket shpërblimeve. Nga ana tjetër, ata që jetojnë në ditët e fundit të kësaj epoke mund të jenë të parët që do të shpërblehen nëse i shërbejnë Zotit pa u përpjekur të bien në ujdi me Të.

Do të jetë e lehtë për ne që jetojmë 2.000 vjet pas ardhjes së Krishtit për të menduar se të gjitha shpërblimet më të mira janë fituar tashmë. Kjo shëmbëlltyrë na mëson që nuk është medoemos kështu, sidomos nëse i shërbejmë Zotit pa ndonjë mendim fitimi vetjak.

Nëse ju ende mendoni që ankesa e atyre të orës së 6 të mëngjesit ishte me vend sepse kishin punuar shumë më tepër, shikojeni këtë kështu. Ata duhet të ishin mirënjohës që kishin privilegjin të punonim për një pronar aq madhështor. Ai mendoi më tepër për punonjësit e tij sesa për përfitimin e tij. Nuk ka shumë të tillë sot.

Por ndoshta e gjithë kjo është hamendje. A ndodh që ne të bëjmë pazar me Perëndinë sot? Apo ishte thjesht një rast i izoluar në jetën e Pjetrit?

Konsideroni pikat që vijojnë:

  • Zot, do të të ndjek Ty, por më parë më lejo të martohem.
  • Do të ta dorëzoj jetën time Ty nëse më lejon të ndjek këtë karrierë.
  • Do të bëj gjithçka, Zot, me kusht që të mos më dërgosh në fushën e misionit.
  • Merre jetën time, Zot – domethënë, kur të dal në pension.

Të gjitha këto «porëra» dhe «nësera», të gjithë këto kushte, janë një formë e të bërit pazar me Perëndinë. Ruhuni nga ato. Nëse vazhdon në këtë drejtim, mund të marrësh atë për të cilën ke rënë në ujdi, kur Perëndia ka diçka tepër më të mirë për ty.

F. B. Mejëri (F. B. Meyer) kishte të drejtë kur tha:

Ne duhet të kujdesemi që të mos prapsemi prej asgjëje. Nuk duhet të ketë asnjë rezervë të brendshme kudo në qenien tonë. Fryma, shpirti dhe trupi duhet t’i dorëzohen lirisht Bujkut të madh. Ne që jemi arë e lëruar për Perëndinë nuk duhet të bëjmë pazar me plorin{{3}} e Tij dhe të mos i fshehim asnjë akër veprimeve të Frymës së Tij{{4}}.
[previous][next]


[[1]]Marsh F. E., Fully Furnished, Glasgow, Scotland: Pickering & Inglis, n.d., fq. 305.[[1]] [[2]]Pjesa e fundit e vargut 16, KJV («sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur») është lënë jashtë në shumë versione.[[2]] [[3]]Pjesë e hekurt në trajtë trekëndëshe me një anë të mprehtë, që vihet në majë të përdhecit të parmendës a të plugut dhe shërben për të çarë dheun (shih 1 Sam. 13:20; Isa. 2:4; Joe. 3:10; Mik. 4:3). (Shënim nga përkthyesi).[[3]] [[4]]Meyer, F. B., The Heavenlies, Westchester, IL,: Good News Publishers, fq. 50.[[4]]