Parimet e doktrinës së krishterë | Mësimi 8
Kryqi është simboli i madh i besimit të krishterë. Në fakt, mbi kryq vdiq Shpëtimtari ynë. Perëndia urdhëroi «predikimin e kryqit» (1 e Korintasve 1:17-18). Miliona njerëzve u është mësuar që Krishti vdiq mbi kryq për mëkatet tona. Por çfarë do të thotë kjo saktësisht? Përse ishte e domosdoshme? Çfarë realizoi? Shpesh këto pyetje lënë në një gjendje konfuzioni ata që e shpallin se janë të krishterë.
Domosdoshmëria e kryqit
Përse vdekja e Krishtit mbi kryq e bë e domosdoshme? Të shikojmë sa vijon:
- PERËNDIA ËSHTË I DREJTË DHE I SHENJTË (1 Pjetrit 1:16; Isa. 6:2-3). Asgjë e papastër s’mund të hyjë në praninë e Tij (Zbulesa 21:27).
- MËKATI DUHET TË GJYKOHET (Rom. 2:3,12). Në asnjë mënyrë Perëndia nuk mund të shfajësojë fajtorin (Eksodi 34:7; Jobi 10:14). I gjithë njerëzimi është fajtor para Perëndisë (Rom. 3:19). Mëkati kërkon dënimin kapital, d.m.th. vdekjen (Rom. 6:23).
Dënimi duhej paguar. Problemi i Perëndisë ishte, si të ishte plotësisht i drejtë e megjithatë të mund të justifikonte mëkatarin (Rom. 3:26). Si mund të bashkoheshin drejtësia dhe e vërteta e Perëndisë me mëshirën e Tij?
Parimi i zëvendësimit
Kur një person, ose një gjë, zë vendin e një tjetri gjendemi përballë një zëvendësimi. Zëvendësimi me kafshë i mëkatarit simbolizonte afrim tek Perëndia në Dhiatën e Vjetër. Qengji i pashkës u sakrifikua me vdekje si mbrojtje ndaj gjykimit të Perëndisë (Eksodi 12:3-17). Miliona sakrifica si ky ju ofruan Perëndisë, sipas asaj që Ai vetë kishte urdhëruar. Oferta të tilla bënin atë që është quajtur «shlyerje» (Lev. 5:10). Kjo do të thoshte që mëkati ishte «mbuluar» nga vdekja e një viktime të pafajshme.
Është e rëndësishme të vëresh që Gjon Pagëzori e përshëndeti publikisht Jezusin si «Qengji i Perëndisë që i heq mëkatin botës» (Gjoni 1:29). Ai shikon te Jezusi të vetmin që do të ishte viktima e vërtetë shlyese, drejt të cilit do të shiheshin të gjitha sakrificat e bëra më parë. Ai duhet të ishte i vërteti i vetëm dhe i fundit Zëvendësues. Profetët e parathanë qartë që Mesia që do të vinte do të goditej nga Perëndia për mëkatet e të tjerëve, duke marrë kështu mbi vete edhe gjykimin e tyre (Isa. 53:4-6). Qendra e predikimit të krishterë është se «Krishti vdiq për mëkatet tona, sipas shkrimeve» (1 e Korintasve 15:3).
Duhet të studiojmë me kujdes Shkrimet që flasin për këtë vdekje zëvendësuese (Rom. 5:6-8 dhe 1 Pjetrit 2:24; 3:18). Shpëtimtari zuri vendin e mëkatarit. I drejti mori vendin e të padrejtit. I pafajshmi zuri vendin e fajtorit. Vdekja e Jezusit nuk ishte vetëm një shembull moral. Fajet tona e kërkonin (Rom. 4:25) dhe kjo u bë sipas këshillës së Perëndisë (Veprat e Apostujve 2:23). Jezusi u bë viktima vullnetare; askush s’ia hoqi jetën (Gjoni 10:17-18). Dha vetveten për ne (Gal. 1:4), u bë mëkat për ne (2 e Korintasve 5:21; Gal. 3:13). Në këtë mënyrë na ka blerë Jezusi, na ka çliruar (1 Pjetrit 1:18-19; Mt. 20:28). Ai ka bërë paqen nëpërmjet gjakut të kryqit (Kolosianeve 1:20). Mëkatari është justifikuar, ose është deklaruar i drejtë, dhe është pajtuar me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Jezusit (Rom. 5:9-10).
Përsosmëria e sakrificës
Sakrifica është një fjalë e përdorur në mënyrë të përsëritur në Bibël dhe është në qendër të mesazhit të krishterë. Vdekja shlyese e Zotit Jezus mund të konsiderohet në mënyra të ndryshme.
- SAKRIFICA E GJAKUT (Heb. 9:22). Pa derdhje gjaku nuk ka falje të mëkateve.
- SAKRIFICE NJERËZORE (Heb. 9:12-14; 10:4). Vetëm një njeri mund të vdesë në vend të një njeriu tjetër për të kënaqur drejtësinë e Perëndisë.
- SAKRIFICË PA MËKAT (Heb. 4:15 dhe 1 Pjetrit 1:19; Gjoni 8:29,46). Veç i Vetmi pa mëkat mund të vdesë për mëkatet e të tjerëve.
- SAKRIFICE HYJNORE (Heb. 1:1-3; Kolosianeve 2:8-9 dhe 2 e Korintasve 5:19). Ai i ka pastruar mëkatet tona. Askush, përveç Perëndisë, s’mund ta bëjë këtë (Isa. 43:25).
- SAKRIFICE DASHURIE (Efesianeve 5:25; Zbulesa 1:5). Kryqi është shprehja themelore e dashurisë së Perëndisë për njerëzit mëkatar.
- SAKRIFICE E MJAFTUESHME (1 Gjonit 2:2; Heb. 10:14). Ai ka kënaqur plotësisht dhe përfundimisht gjithçka që drejtësia e përsosur e Perëndisë e kërkonte.
Vepra e përmbushur
Zoti Jezus i tha Atit: «pasi kam përmbushur veprën që Ti më dhe ta bëja» (Gjoni 17:4). Thirrja e Tij finale mbi kryq ishte «U përmbush!» (Gjoni 19:30). Cila ishte vepra e madhe që kishte çuar deri në fund? «Sepse Biri i njeriut ka ardhur për të kërkuar dhe shpëtuar të humburin» (Luka 19:10). «Ati ka dërguar Birin për të qenë Shpëtimtari i botës» (1 Gjonit 4:14). Misioni i Tij ishte që të shpëtonte «popullin e Tij nga mëkatet e tyre» (Mt. 1:21). Të reflektojmë mbi atë se si Jezusi kompletoi deri në fund veprën të cilën kishte ardhur ta kryente.
- Ka plotësuar të gjitha gjërat prej të cilave ne nuk mund të ishin të justifikuar nëpërmjet ligjit të Moisiut (Rom. 8:3-4).
- Ka plotësuar gjithçka që ligji e kërkonte nga ne (Veprat e Apostujve 13:39).
- Na ka liruar nga çdo dënim (Rom. 8:1).
- Drejtësia dhe shenjtëria e Tij janë të kënaqura (Psalmi 85:10).
- Vepra e Tij është e mjaftueshme për të shpëtuar të gjithë mëkatarët (1 Gjonit 2:2; Gjoni 1:29; 12:32). Por nuk mund ta bëjë n.q.s. ata nuk shkojnë tek Ai (Mt. 23:37).
- Ai ka «ofruar një sakrificë të vetme për mëkatet dhe përgjithmonë» (Heb. 10:12). Askush nuk duhet t’i shtojë as gjënë më të vogël veprës së Tij të përmbushur mbi kryq. Ajo është baza e vetme dhe e mjaftueshme për të na liruar nga mëkatet tona.
Prova e aprovimit
Predikimi i kishës primitive ishte që Perëndia e kishte ngjallur Jezusin nga të vdekurit. Dhe pikërisht në bazë të kësaj njerëzit u thirrën që të besonin tek Ai (Veprat e Apostujve 2:24,32; 3:15,26; 10:40).
- U ringjall sipas Shkrimeve (1 e Korintasve 15:4), duke plotësuar në këtë mënyrë profecitë e parathëna rreth 1000 vjet më parë (Psa. 16:10; Veprat e Apostujve 13:35-37).
- U ringjall sipas asaj që Ai vetë e kishte thënë (Mt. 12:39-40; 16:21; Luka 18:31-33). Specifikoi ditën ekzakte të ringjalljes së Tij (Mt. 27:63).
- U ringjall megjithëse ishte një ushtar Romak që bënte roje tek varri. Ishin bërë të gjitha sforcimet për të penguar që të ndodhte një ringjalljeje e rremë (Mt. 27:63-66). E panë shumë dëshmitarë (1 e Korintasve 15:5-8).
- U ringjall nga fuqia e Perëndisë dhe provoi në mënyrë bindëse që gjithçka që kishte thënë dhe bërë ishte plotësisht e aprovuar nga Perëndia (Rom. 1:3-4; Efesianeve 1:19-20).
- U ringjall sepse ringjallja e Tij ishte thelbësore për justifikimin tonë (Rom. 4:25).
Madhështia e veprës së Tij nuk e heq nevojën e një përgjigjeje nga ana e njeriut. Të gjithë njerëzit nuk janë të shpëtuar automatikisht, gjithsecili prej tyre duhet që personalisht të vendosi të pranojë ose jo veprën e përmbushur nga Krishti.
Pyetje – Mësimi 8
Domethënia e kryqit
[wpfilebase tag=file id=19/]TABELA E PËRMBAJTJES
