Parimet e doktrinës së krishterë | Mësimi 6
«POR NJERIU VDES DHE HUMBET ÇDO FORCË; i vdekshmi jep shpirt dhe … ku është ai?» (Jobi 14:10). Personat që reflektojnë të cilëve nuk i shpëton fluksi i vazhdueshëm i funeraleve e kuptojnë me lehtësi që koha mbi tokë është e kufizuar. Disa ndalojnë për të shqyrtuar ndonjë shpresë, për ta për të jetuar përtej harkut të shkurtër të kohës të kësaj jete. Disa të tjerë, kërkojnë të injorojnë vdekjen dhe jetojnë sikur kjo nuk do të vinte kurrë. Natyrisht, të injorosh diçka nuk do ta ndryshojë kurrë realitetin, por do të evitojë thjesht tmerrin për ta menduar. Herët ose vonë pjesa më e madhe e të gjallëve mendon mbi pyetjen, «Çfarë ndodh pas vdekjes?» Teoritë e tyre mund të rreshtohen në nën pika të ndryshme:
- MOS-EKZISTENCA. Shpesh, kjo emërtohet me termin «asgjësim». «Kur vdes, vdes», dhe qenia jote asgjësohet.
- RITRUPËZIMI. Një person që ka vdekur mund të kthehet mbi tokë në forma të ndryshme jete ose në trupin e një personi tjetër. Me sa mund të parashikohet, kjo do të kërkonte një fuqi mbinatyrore të ndonjë lloji.
- KOMUNIKIMI I SHPIRTRAVE. I vdekuri jeton në një botë misterioze shpirtrash dhe mund të përpiqet të mbajë lidhje me ata që jetojnë mbi tokë.
- ËSHTË E PAMUNDUR TA DISH. Gjendja jonë, pas vdekjes, është përtej njohjes njerëzore. Nuk dihet n.q.s. ekziston ose jo jeta mbas vdekjes. Duhet të presim dhe të shikojmë se çfarë ndodh dhe, në rast se ka jetë mbas vdekjes, të shpresojmë tek fati ose në jetën tonë të harxhuar mirë.
Asnjëra nga këto teori nuk shkon me atë që na mëson Bibla. Kjo i paraqet ata që kanë vdekur si qenie të ndërgjegjshme dhe të vetëdijshëm në njërin nga dy vendet e poshtë shënuara: në prani të Perëndisë (2 e Korintasve 5:8) në një gjendje të bekuar (Zbulesa 14:13), ose të ndarë nga Perëndia, në një vend me tmerr të madh (Zbulesa 20:10, 15).
Ringjallja e të vdekurve
Fjala «ringjallje» do të thotë «të qëndrosh në këmbë» ose «ngrihem». Zoti Jezus, duke ju përgjigjur atyre të kohës së Tij të cilët mohonin ringjalljen, nxori në pah që emri i Perëndisë i ishte atribuar njerëzve të mëdhenj që kishin vdekur prej kohësh. «Ai nuk është një Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve» (Luka 20:37-38). Shpallja e ringjalljes u bë themelore për predikimin apostolik (Veprat e Apostujve 1:22; 4:2; 17:18; 23:6). Apostulli Pal thotë që ishin më shumë se 500 dëshmitarë për ringjalljen e Krishtit (1 e Korintasve 15:4-8) dhe n.q.s. kjo nuk do të ishte e vërtetë, i kotë ishte besimi i tyre (1 e Korintasve 15:12-17). E vërteta e jashtëzakonshme e Shkrimit, në çdo mënyrë, është se janë dy klasa në ringjallje, të ndara me kujdes nga njëra-tjetra.
«Dhe shumë prej atyre që flenë në pluhurin e tokës do të zgjohen; disa për jetën e përjetshme, disa për në turp, për në vuajtje të përjetshme» (Dan. 12:2).
«Të gjithë … do të dalin jashtë: ata që kanë punuar mirë, do të ngjallen për të marrë jetën e përjetshme, dhe ata që kanë punuar keq, do të ngjallen për të marrë dënimin» (Gjoni 5:28-29).
«Do të jetë një ringjallje e të drejtëve dhe e të padrejtëve» (Veprat e Apostujve 24:15b).
Duke konsideruar gjykimin e Perëndisë, janë dy mundësi përpara njerëzve. Një mundësi e tmerrshme është gjykimi i përjetshëm (Heb 6:2; 9:27); tjetra është jeta e përjetshme (Gjoni 3:16) dhe për të liria nga ai gjykim dënimi (Gjoni 5:24; Rom. 8:1).
Shtrirja e përjetësisë
Është e çuditshme që fjalë të Biblës si «përjetësi», «i përjetshëm», «në shekuj të shekujve» janë mësuar sikur të kishin kufizime. Megjithatë, disa kanë parë gjuhët origjinale të Shkrimit dhe janë përpjekur të demonstrojnë që këto shprehje tregojnë një periudhë të papërcaktuar. Përdorimi i këtyre termave në Shkrim dëshmon, pikërisht, që nuk ka asnjë kufizim për zgjatjen e përjetësisë, megjithëse e përkthyer «nga epoka në epokë».
Vargjet e mëposhtme tregojnë aplikimin e termit «i përjetshëm».
- E ZBATUAR PËR PERËNDINË. «I Përjetshmi Perëndi» (Rom. 16:26), «Fryma e përjetshme» (Heb. 9:14), «lavdia e përjetshme» (1 Pjetrit 5:10), «fuqi e përjetshme» (1 Tim. 6:16), «mbretëri e përjetshme» (2 Pjetrit 1:11).
- E APLIKUAR PËR TË ARDHMEN E BESIMTARIT. «Çlirim i përjetshëm» (Heb. 9:12), «shpëtim i përjetshëm» (Heb. 5:10), «jetë e përjetshme» (Gjoni 3:15,16,36; Luka 18:30).
- E APLIKUAR PËR TË ARDHMEN E JOBESIMTARIT. «Zjarr i përjetshëm» (Mateu 18:8), «dënim i përjetshëm» (Mateu 26:46), «shkatërrim i përjetshëm» (2 Thes. 1:9).
E njëjta gjë është edhe për shprehjen «në shekuj të shekujve». Përdoret për Perëndinë dhe fronin e Tij (Zbulesa 4:9-10; 10:6; 15:7), për mbretërinë e ardhshme të besimtarëve me Zotin (Zbulesa 22:5), për tmerrin pa fund (Zbulesa 14:11; 20:10).
Besohet që shprehje të tilla, si «shkatërrim», «të humbasësh» dhe «të konsumosh», tregojnë në thelb asgjësim. Megjithatë, është e qartë që djalli është shkatërruar (Heb. 2:14), por nuk është asgjësuar (Zbulesa 20:10); besimtarët mund të konsumohen nga fjalët e të tjerëve, por nuk mund të asgjësohen nga kjo (Gal. 5:15). Djali i humbur po vdiste, megjithatë ai nuk mbarojë së ekzistuari si person (Luka 15:17). Fati i të gjithë atyre që nuk besojnë është shkatërrimi i përjetshëm (2 Thes. 1:9) dhe fakti që shkatërrimi është i përjetshëm, dëshmon që kjo nuk implikon një mbarim të ekzistencës. Është humbja e gjendjes së mirëqenies, por jo humbja e së qenies (ekzistenca).
Gjendja e të humburve
1. SI E KA PËRSHKRUAR JEZUSI. Zoti Jezus tregoi një histori, atë të të pasurit në ferr, që disa e përshkruajnë si shëmbëlltyrë (Luka 16:19-31), megjithëse Bibla nuk e përcakton si të tillë. Megjithatë, edhe sikur të ishte shëmbëlltyrë, përdorimi i gjuhës simbolike nuk anulon të vërtetën mësimdhënëse në këtë pjesë. Shpëtimtari kërkoi të mësonte diçka nëpërmjet kësaj historie dhe do të bëjmë mirë n.q.s. reflektojmë me vëmendje mbi mësimet që na jep:
a. Jeta nuk mbaronte mbas vdekjes.
b. Shpirtrat nuk ishin të pavetëdijshëm.
c. Nuk ishte shpëtimi i të gjithë njerëzve.
d. Nuk ofrohej një mundësi e dytë.
e. Nuk kishte ritrupëzim ose kthim mbi tokë.
f. Mundimi ishte pa fund dhe nuk kishte shpresë se gjërat mund të ndryshonin për ata që nuk ishin të shpëtuar.
g. Nuk kishte asnjë qëllim për pastrim, por vetëm ai i dënimit të përjetshëm.
2. SI NA E KA MËSUAR ME TEJ JEZUSI. Përshkrimet e tmerrshme të mëposhtme janë dhënë të gjitha nga Ai që deshi me një dashuri të pakufishme, dha veten e Tij për të shpëtuar njerëzit. Ai tha thjesht të vërtetën mbi ata që linin këtë botë duke e përçmuar dhe duke e refuzuar Atë.
a. Zjarr që nuk shuhet (Mateu 3:12; 18:8; Marku 9:44,48)
b. Mundim i përjetshëm (Zbulesa 14:11)
c. Terr (Mateu 22:13; 25:30)
d. Vajtim dhe kërcëllitje dhëmbësh (Mateu 13:42,50; 24:51; Luka 13:38)
e. Liqen i zjarrtë (Zbulesa 20:15)
Vërejtje për doktrinën e dënimit të përjetshëm
Janë të shumta vërejtjet e bëra kundër kësaj doktrine jopopullore.
- ËSHTË I PAPAJTUESHEM ME DASHURINË E PERËNDISË. «Siç është e vërtetë që Unë jetoj, thotë Zoti, i Përjetshmi, Unë nuk kënaqem me vdekjen e të pabesit; por dua që i pabesi të kthehet nga rruga e tij dhe të jetojë: kthehuni … nga rrugët tuaja të mbrapshta! Përse do të vdisni ju?» (Eze. 33:11). Zoti Jezus donte një qytet që e kishte hedhur poshtë Atë dhe qau për të (Luka 19:41). Ai është në fakt një Perëndi i dashur, por duke qenë i drejtë, nuk mund të shpallë të pafajshëm fajtorin që refuzon shpëtimin e Tij (Num. 14:18).
- NUK ËSHTË ARSYE E MIRË TË VRAPOSH PËR TE FRIKA. Mund të jetë e vërtetë që dashuria e Perëndisë ose dëshira për të mirën e tjetrit të jenë arsye të mira; megjithatë, frika për pasoja serioze është një masë e përbashkët parandaluese për sjelljen e keqe ose edhe për padrejtësitë e jetës së përditshme. Zoti Jezus ju drejtua pikërisht ndrojtjes ndaj Perëndisë dhe gjykimit të Tij të afërt (Mateu 10:28). Shkrimi thotë t’i ndruhesh Perëndisë është parimi i diturisë (Fjalet e Urta 9:10). Nëpërmjet Shkrimeve të Shenjta njerëzit nxiten që t’i ndruhen Perëndisë, në kuptimin e vërtetë të fjalës (1 Pjetrit 2:17; Zbulesa 14:7; 15:4).
- ËSHTË E PADREJTË NGA ANA E PERËNDISË TË JETË KAQ I EGËR. Njerëzit të cilët kanë gjetur një mënyrë që t’i shmangen një Perëndie që i do dhe që i janë përgjigjur kësaj dashurie me një refuzim, duke nxjerrë justifikime ose duke e shtyrë vendimin e tyre, nuk duhet të mrekullohen n.q.s. marrin një drejtësi të sigurt nga ana e një shenjtërie të fyer. «Mos u mashtroni: Perëndia nuk mund të vihet në lojë; sepse atë që njeriu do ketë mbjellë, atë do të korrë» (Gal. 6:7). Të fyesh dashurinë e pafund dhe durimin e pafund të një Perëndie të pafund kërkon një dënim të pafund.
Gjendja e të çliruarve
Gjendja finale e të drejtit është në kontrast me atë që folëm më sipër. «Prania jote më mbush me gëzim, dhe më sjell kënaqësi përgjithmonë» (Psalmi 16:11). «Që tani, të lumtë ata që vdesin në shërbim të Zotit» (Zbulesa 14:13). Besimtari pret «qytetin që ka themele të vërteta i të cilit arkitekt dhe konstruktor është Perëndia» (Heb. 11:10). Ky vend është më i miri se çdo tjetër e botës. Tani do të shikojmë kushtet e përjetshme të besimtarit dhe banesa e tij e përhershme:
- ME KRISHTIN. «Unë po shkoj t’ju përgatit një vend … që atje ku të jem unë të jeni edhe ju» (Gjoni 14:3; 17:24). «Të largohesh nga trupi» do të thotë «të banosh me Zotin» (2 e Korintasve 5:8).
- NË NJË TRUP TË TRANSFORMUAR. Do t’i ngjajë atij të Jezusit (Filipianeve 3:21) dhe do të jetë kështu i pakorruptueshëm (1 e Korintasve 15:35-44). Ringjallja për ata tek Krishti do të ndodhë me ardhjen e dytë të Krishtit (1 Thes. 4:15-17).
- NË NJË VEND KU «S’KA ME». Nuk është me vdekja, s’ka trishtim, s’ka vajtim, s’ka dhimbje dhe gjithçka që e bën jetën të vështirë dhe të palumtur nuk do të jetë më (Zbulesa 21:4).
- NË NJË VEND ME BUKURI TË PAFUND. «Qyteti ishte me arë të pastër, i ngjashëm me xhamin e pastër» (Zbulesa 21:18-21). Është i zbukuruar me gurë të çmuar të çdo lloji.
- NË NJË VEND KU NUK DO TË GJENDET ASGJË E PAPASTËR OSE NDOTESE (Zbulesa 21:27).
Vendi i të shenjtëve shpesh quhet «Jerusalemi i Ri». Ne e quajmë «qiell». Çifutët e quanin «parajsë». Sido që ta quajmë, ai duhet të jetë objekti i dëshirës së çdo besimtari. Në fakt Pali thoshte: «të vdesësh është fitim» (Filipianeve 1:21). Ç’fjalë të mrekullueshme ishin ato që Zoti Jezus ia drejtoi hajdutit mbi kryq i cili ishte penduar për mëkatet e tij dhe kishte besuar tek Ai: «Sot ti do të jesh me mua në parajsë» (Luka 23:43). Dëshiron edhe ti të jesh atje me Të një ditë?
[wpfilebase tag=file id=10/]Pyetje – Mësimi 6
«Nëse një njeri vdes, do të jetojë ai përsëri?» Kjo pyetje e bërë nga njëri prej antikëve, është akoma me rëndësi të madhe edhe sot. Çfarë ndodh pas vdekjes?
1. Bibla i paraqet ata që kanë vdekur si qenie të vetëdijshme dhe të ndërgjegjshme, në njërin prej dy vendeve. Cilët janë këto dy vende (2 Korintasve5:8; Zbulesa 20:10,15)?
2. Bibla thotë që të gjithë ata që vdesin do të ringjallen nga të vdekurit. Përshkruaj dy fatet e ndryshme të njerëzimit (Danieli 12:2; Gjoni 5:28-29; Veprat 24:15b).
3. Shkruaj me fjalët e tua vargjet e mëposhtme: Gjoni 3:16; 2 Thesalonikasve 1:8-9.
4. Sa zgjat përjetësia? Mund ta përshkruash me një shembull?
5. Jezusi tregoi për një njeri që shkoi në ferr (Luka 16:19-31). Sipas kësaj pjese, cilat nga frazat e mëposhtme është e vërtetë (zgjidh një)?
a. Një person mbaron thjesht së ekzistuari kur vdes
b. Një person i vdekur jeton një gjendje të pavetëdijshme ose «gjumë të shpirtit»
c. Ferri është një vend i mundimeve të vetëdijshme, pa fund
d. Të gjithë njerëzit do të shpëtohen
e. Nëse një njeri shkon në ferr, do të ketë një mundësi të dytë për t’u shpëtuar
6. Cilat nga shprehjet e mëposhtme nuk u përdor Jezusi për të përshkruar ferrin (zgjidh një)?
a. Zjarr i pashuar b. Vuajtje e përjetshme
c. Errësirë d. Vuajtje dhe kërcëllitje dhëmbësh
e. Një vend i një pastrimi të përkohshëm f. Liqen i zjarrtë
7. Përgjigju vërejtjeve të mëposhtme.
a. Doktrina e ferrit është e papajtueshme me dashurinë e Perëndisë.
b. Ky mësim na çon te frika.
c. Nuk është e drejtë nga ana e Perëndisë që të jetë kaq i egër.
8. Bibla e përshkruan të ardhmen e besimtarit në qiell si (zgjidh një mundësi):
a. Të jesh gjithmonë me Krishtin
b. Ekzistenca në një trup të transformuar
c. Të mos jesh më në trishtim dhe në dhimbje
d. Të jesh në një vend ku nuk ka papastërti dhe ndotje
e. Gjithçka që u tha më lart
f. Frazat «a» dhe «c»
9. Çfarë mendon? Në eksperiencën tënde shpirtërore ke arritur ndonjë herë në pikën në të cilën me siguri e dije se do të shkoje në qiell sikur të vdisje atë natë? Shpjegoje.
10. Çfarë mendojnë të tjerët? Tako të paktën tre persona gjatë kësaj jave dhe bëji atyre këto pyetje:
(1) Sipas jush, çfarë ndodh me një njeri kur vdes?
(2) Çfarë i thonë atij shprehjet «parajsë» dhe «ferr»?
(3) Nëse do të bënit pyetje mbi përtej vdekjes dhe do të merrnit përgjigje të besueshme, çfarë do të kërkonit?
