PARIMET E DOKTRINËS SE KRISHTERË | MËSIMI 4
«ÇFARË ËSHTË NJERIU QË TA MBASH MEND?», pyeste psalmisti (Psa. 8:4). Trupat tanë vijnë nga pluhuri dhe në pluhur do të kthehen (Zanafilla 3:19). Çfarë jemi ne? Përse jemi të rëndësishëm? Cili është qëllimi i ekzistencës sonë? Përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve do të influencojë thellësisht në mënyrën tonë të të shikuarit të gjërave dhe në mënyrën tonë të të jetuarit.
Zanafilla e njeriut
Shumë kanë pohuar që njeriu është thjesht një ndër shumë nga format e jetës që lindën në univers rastësisht. Ata thonë që njeriu nuk është gjë tjetër veçse një «kafshë fisnike», «kulmi i evolucionit»; ka një jetë kalimtare, që nuk ka ndonjë domethënie të veçantë që të zgjasë në kohë. Shumë njerëz, duke treguar që e aprovojnë këtë teori, jetojnë thjeshtë si kafshë, duke kapur në mënyrë egoiste të gjitha kënaqësitë që janë në dispozicion, duke jetuar në dëshpërim dhe duke pritur që të zhduken në hiç. Ndërsa disa të tjerë zotërojnë një koncept të përzier për jetën, sipas së cilës ajo është një lloj rrote kozmike që rrotullohet vazhdimisht. Këta pohojnë që jeta gjithmonë ka ekzistuar në një farë lloji. Njeriu shfaqet, vdes, gllabërohet nga shorti i «hiçit» dhe pastaj «rimishërohet» në ndonjë formë tjetër jete. Nuk jepet as këtu ndonjë shpjegim që të tregojë ndonjë gjë në këtë drejtim, asnjë referim për një Perëndi personal. Ballafaqo këto dy sisteme besimesh. Cili rezulton më i logjikshëm?
Besimi në zanafillën e rastësishme 1. Në fillim nuk ekzistonte asgjë. Materia, ose energjia, erdhi në dritë pa arsye, duke formuar më pas sisteme planetare të plota plotësisht rastësisht. | Besimi në Krijuesin Suprem 1. Perëndia ka krijuar gjithësinë, duke përfshirë edhe tokën, njeriun, kafshët tokësorë dhe ato ujore, zogjtë dhe krijesat e tjera (Zanafilla 1:1 – Zanafilla 2:25; Gjoni 1:3; Kolosianeve 1:16; Heb. 11:3). |
Bibla thotë: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën…Perëndia krijoi njeriun» (Zanafilla 1:1,27). «Ai na ka bërë dhe jo ne vete» (Psa. 100:3). Perëndia na njihte përpara se të lindnim (Psa. 139:13-16). Përse na ka krijuar? Për kënaqësinë e tij (Kolosianeve 1:16; Zbulesa 4:11). Ai ishte poçari dhe ne argjila (Rom. 9:20-21). Cili është pra qëllimi ynë mbi tokë? Jemi krijuar për të lavdëruar Perëndinë (Rom. 1:21; Psa. 86:9,12; Mt. 5:16). Megjithëkëtë, njeriu ka refuzuar që të adhurojë dhe t’i shërbejë Krijuesit të tij (Rom. 1:25); në fakt ka dëshiruar të jetojë për veten e tij.
Natyra e njeriut
Njeriu është krijuar sipas shëmbëllimit dhe në ngjasim me Perëndinë (Zanafilla 1:26; 5:1; 9:6). Domethënia është «hije» ose «ngjashmëri». Meqë Perëndia është shpirt, ngjashmëria nuk është fizike por shpirtërore (Efesianeve 4:24; Kolosianeve 3:10). Ky është aspekti kryesor i të qenies unike të njeriut. Njeriu është i formuar nga një pjesë materiale i quajtur trup, për shumë pikëpamje, i ngjajnë trupave të krijesa të tjera për funksionet e tyre jetësore. Megjithatë, ai është vetëm «tenda» ose «shtëpia tokësore» në të cilin ai jeton (2 e Korintasve 5:1-4 dhe 2 Pjetrit 1:13-14). Në mënyrën më domethënëse, njeriu ka një frymë dhe një shpirt, duke formuar së bashku me trupin qenien e tij të trefishtë (1 Thes. 5:23). Është e vështirë ta dallosh frymën nga shpirti (Heb. 4:12). Trupi ka një kontakt të ndjeshëm me atë që e rrethon; prandaj detyra e tij është që të jetë i vetëdijshëm për botën e jashtme. Shpirti është qendra e emocioneve, e arsyes dhe e vullnetit (Psa. 13:2; 42:5). Është qendra e vetëndërgjegjes. Fryma ka të bëjë me aftësinë tonë për të njohur Perëndinë dhe gjërat që i përkasin sferës shpirtërore. Është selia e ndërgjegjes së Perëndisë (Rom. 8:16). Edhe ai që nuk e njeh Perëndinë e ka frymën (Jakobit 2:26).
Pjesa intime e njeriut shpesh quhet «zemër» (Ligji i Perterire 29:4; Psa. 40:8,10,12; Fjalet e Urta 14:10; Isa. 44:18); dëshirat, perceptimet dhe sjelljet e brendshme konsiderohen që vijnë nga ky burim i vetëm. Ndërgjegjja, siç e dimë të gjithë, është e ndjeshme ndaj asaj që është e drejtë ose e gabuar, drejt së mirës ose së keqes (Rom. 2:15; Heb. 5:14). Ajo i flet vetëdijes sonë për detyrën ose për përgjegjësitë, siç i flet edhe vetëdijes sonë morale. Në fakt shpesh themi, «lëre të të udhëheqë ndërgjegjja jote». Pa dyshim është gjë e urtë të dëgjosh gjithmonë ndërgjegjen tënde, megjithëse e dobët dhe shumë e ndjeshme (1 e Korintasve 8:10). Megjithatë, një ndërgjegje mund të jetë e mirë (Veprat e Apostujve 23:1 dhe 1 Tim. 1:5,19; Heb. 13:18) ose e keqe (1 Tim. 4:2; Heb. 10:22), e pastër (1 Tim. 3:9 dhe 2 Tim. 1:3) ose e përdhosur (Titit 1:15). Ajo duhet të mbahet e pastër (Veprat e Apostujve 24:16).
Zgjedhja e njeriut
Të vendosh për diçka, të nxjerrësh në lojë zgjedhjet e tua, veçanërisht në fushën morale dhe në atë shpirtërore, është detyra më e rëndësishme e ndërgjegjes së njeriut. Këto vendime mund të influencojnë fatin tonë të përjetshëm. Perëndia shumë qartë ia ka dhënë njeriut të drejtën të zgjedhë dhe e ka bërë bazë për vendimet e drejta (Ligji i Perterire 30:15,19; Jozueuue 24:15; Zbulesa 20:12-13). Njeriut i pëlqen të zgjedhë, por nuk i pëlqen të paguajë pasojat e zgjedhjeve të gabuara. Ai akuzon Perëndinë, mënyrë për të ulur përgjegjësitë e tij, duke vazhduar duke bërë zgjedhje të këqija. Disa sisteme fetare mësojnë që njeriu është një robot moral i projektuar nga Perëndia, i cili vendos gjithçka, duke mos formuar asnjë rast real për të zgjedhur. Nuk ka arsye për një mësim të tillë; Perëndia thërret njeriun të zgjedhë dhe thotë n.q.s. ata largohen nga Ai janë pa justifikim (Rom. 1:20).
Rënia e njeriut
Njerëz reflektues, gjatë mijëra vjetëve, kanë pasur mundësi që të kuptojnë që në diçka njeriu ka gabuar. Edhe disa lloje kafshësh tregojnë aftësinë për të jetuar në harmoni dhe bashkëpunim me individët e llojit të tyre. Por përse njeriu vret, urren, sillet në mënyrë brutale, i lë të tjerët të vuajnë urie dhe të vdesin? Përse egoizmi dhe sjellja e keqe janë kaq të dukshme edhe tek fëmijët e vegjël, pa ja mësuar ndokush? Përse është e domosdoshme t’i mësosh fëmijëve të bëjnë mirë, ndërsa nuk është e nevojshme t’i mësosh ata të bëjnë keq? Mbi këtë argument janë dhënë teori mbi ambientin, mbi zakonet e prindërve, mbi presionet psikologjike, mbi sistemin social-politik. E megjithatë, askush nuk ka qenë në gjendje të mbështesë këto pohime me prova ose të ndryshojë me sukses natyrën e njeriut duke përdorur këto teori.
Shkrimi na thotë se çfarë ka ndodhur. Qeniet e para njerëzore kishin kushtet ambientale ideale, por bënë zgjedhjen e gabuar që t’i mos i bindeshin Perëndisë (Zanafilla 3). Në këtë pikë hyri mëkati në botë (Rom. 5:12-19) dhe me të një zinxhir me pasoja shkatërrimtare. Gjykimi u bë imediat sepse njeriu ishte qartësisht fajtor (Zanafilla 3:16-24). Buroi humbja e kushteve të përkryera të ambientit dhe siguria e vdekjes fizike, e dhimbjes dhe e vështirësive për njeriun dhe pasardhësit e tij, nga ai moment deri më sot. E gjitha kjo është quajtur «rënia e njeriut». Pasojat e kësaj rënie janë përshkruar në mënyrë të detajuar tek Zanafilla 6:5; 8:21; Psa. 12:1-3; Rom. 3:10-23, dhe në pjesë të tjera. Efektet e atij veprimi janë të dukshme edhe sot në natyrën e njeriut. Mëkati ka errësuar zgjuarsinë e tij shpirtërore (Efesianeve 4:18 dhe 1 e Korintasve 2:14), duke i dhënë një zemër mashtruese (Jeremia 17:9) duke ndotur në të njëjtën mënyrë mishin dhe shpirtin (Efesianeve 2:3). Bibla ia atribuon të gjitha konfliktet njerëzore, dhimbjet dhe të këqijat, vetëm një burimi – mëkatit – dhe thotë që ai ka depërtuar në natyrën e vetë njeriut. Ajo pohon që mëkati ka influencuar në të gjithë krijimin, në kuptimin fizik, tek ferrat në krijimin botanik dhe tek dhuna në botën e kafshëve.
Përgjegjësia e njeriut
Njeriu është përgjegjës përpara një Perëndie të dashur dhe të kujdesshëm. Perëndia e ka në konsideratë të lartë njeriun (Mt. 10:31) dhe e mban të denjë për sakrificën më të madhe (Gjoni 3:16). Ky interesim, plot dashuri vërehet edhe tek sjellja e Jezusit, ndërsa qante për një qytet që e kishte refuzuar (Luka 19:41); Ai donte ta shpëtonte, por banorët nuk donin (Luka 13:34).
Njeriu nuk është i pavarur dhe padron i vetvetes (autonom), megjithëse shpesh mendon dhe vepron sikur të ishte i tillë. U krijua nga dora e një Krijuesi dhe Mbrojtësi nga i cili varet edhe për frymëmarrjen (Isa. 42:5). Njeriu do ta takojë një ditë Krijuesin e tij dhe t’i japë llogari për veprimet e tij (Rom. 14:12; Heb. 9:27). Ekzistojnë dy alternativa, të përshkruara tek Gjoni 3:36 dhe tek 1 Gjonit 5:12. Njeriu duhet të zgjedhë.
Pyetje – Mësimi 4
Është e rëndësishme të njohim natyrën tonë si njerëz: nga vijmë, përse ekzistojmë dhe cili është shkaku
i problemeve tona.
1.Origjina e njeriut (zgjidh një frazë)
a. duhet të kërkohet në evoluimin e formave elementare të jetës
b. është një mister që nuk mund ta kuptojmë
c. është në dorën krijuese të Perëndisë
d. bën pjesë në një cikël të ekzistencës që nuk ka një fillim
2.Ne ekzistojmë (zgjidh një mundësi)
a. për të përmbushur fatin tonë personal
b. për të rritur potencialin tonë
c. për ta shijuar jetën në mënyrën më të mirë që mundemi
d. në mënyrë unike për të lavdëruar Perëndinë
3.Cili është funksioni ose aktiviteti i pjesëve të poshtëshënuara të njeriut:
a. trupi:
b. fryma:
c. shpirti:
4.Sipas jush, çfarë domethënie ka ngjashmëria e përmendur tek Zanafilla 1:26? Në çfarë mënyre jemi sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë?
5.Duke parë botën që të rrethon, çfarë prove kap për të mbështetur mësimin që jep Bibla sipas së cilit njeriu është mëkatar nga natyra dhe nga zgjedhja?
6.Zgjedhja e lirë e njeriut ose mundësia e tij për të zgjedhur:
a. është një iluzion sepse qëllimet e Perëndisë do ta mundin
b. është e kufizuar deri në atë pikë që ai nuk është me të vërtetë përgjegjës
c. i jep mundësi njeriut të zgjedhë që të dojë dhe t’i bindet Perëndisë
d. është bërë e pamundur nga rrethanat e vështira
7.Shkruaj me fjalët e tua Psalmin 139:14-16.
8.Në çfarë mënyre vargjet e mëposhtme tregojnë që Perëndia i ka dhënë njeriut të drejtën të zgjedhë dhe e ka bërë bazë për vendimet e drejta (LiP. 30:15,19; Jozue 24:15; Zbu. 20:12-13)?
9.Çfarë mendon ti? Shprehu shkurt, me fjalët e tua, kush është sipas teje përgjegjësia jote para Perëndisë. Nëçfarë mënyre Perëndia mund të kënaqet dhe të marrë lavdi nëpërmjet jetës tënde?
10.Çfarë mendojnë të tjerët? Tako të paktën tre vetë gjatë kësaj jave dhe bëji atyre pyetjet e mëposhtme:
(1) Nga ka ardhur njeriu?
(2) Për çfarë qëllimi ekziston njeriu?
(3) Cili është, sipas jush, qëllimi kryesor i jetës?
