Pavarësisht për ditën, lindja virgjërore e Krishtit në këtë botë si një foshnjë ishte një ngjarje e një shtrirjeje të jashtëzakonshme që Pali shpalli: “misteri … është i madh …” (1 Tim. 3:16)! Krijuesi i gjithçkaje (Gjoni 1:3) hyri në krijimin e Tij si një nga krijesat e tij, duke ditur gjithçka që do të vuante në duart e po atyre rebelëve të cilët Ai i kishte sjellë në ekzistencë përmes Adamit dhe Evës. Urrejtja, keqkuptimi, akuzat e rreme, sharjet, refuzimi, talljet dhe përfundimisht, fshikullimat dhe kryqëzimi që Ai do të duronte nga ata të cilët i detyroheshin Atij vetë ekzistencën e tyre, ishin parathënë shumë kohë më parë nga profetët hebrenj nën frymëzimin e Tij.
Nëna e Tij, Maria, nuk ishte “e fejuara e Frymës së Shenjtë”, sikurse thotë katolicizmi romak. Ajo ishte e fejuara e Jozefit dhe jo e një poligamisti. “Zoti i lavdisë” (1 e Korintasve 2:8) e përuli Veten për të jetuar si një foshnjë, si një fëmijë, si një burrë dhe përfundimisht “deri në vdekje të kryqit” (Filipianeve 2:5-8). Si fëmijë, ai iu nënshtrua “prindërve” të tij. Kur Maria ose Jozefi i kërkuan Jezusit kur ishte djalë që të bënte ndonjë punë, Ai nuk iu përgjigj: “Kë mendoni se jeni duke urdhëruar? Unë jam Perëndi!” Ai shpejt dhe përulësisht do t’i bindej kërkesës së tyre.
Jozefi nuk ishte ati i Tij, megjithatë Jezusi kur ishte fëmijë jetoi një jetë aq normale sa madje Maria, e cila fillimisht kishte menduar shumë në zemrën e saj (Luka 2:51), e bëri zakon kur fliste për Jezusin që t’i referohej Jozefit si “yt atë” (Luka 2:48). Sigurisht që Jozefi ishe kreu i familjes dhe Jezusi kur ishte fëmijë iu bind atij.
Ai që krijoi gjithësinë nga hiçi dhe që njihte çdo grimcë – që nga thellësitë më të thella të çdo atomi deri në skutat më të errëta të kozmosit – e kufizoi Veten në një jetë të përulur në një shtëpi të vogël dhe një punishte druri në Nazaret. Atje, duke qenë nxënës i ri për Jozefin, Ai “mësoi” si t’i japë formë drurit me vegla të thjeshta dhe u bë i njohur si “i biri i marangozit” (Mat. 13:55). Mjeshtëria dhe krijueshmëria e Tij do të kenë qenë fantastike. Për këto ditë të hershme nuk na është treguar asgjë, përveç vizitës së Tij në tempull në moshën dymbëdhjetë vjeçare (Luka 2:41-52), ku Ai i mahniti rabinjtë dhe i kujtoi Marisë dhe Jozefit që Ati i Tij i vërtetë e kishte dërguar në këtë botë për një qëllim të veçantë.
Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju. –Gjoni 20:21
Ishte dashuria e pakufishme përtej imagjinatës sonë që e bëri Zotin tonë të lërë lavdinë dhe fuqinë që me të drejtë i ishte njohur që nga përjetësia si Perëndia Bir, për t’u bërë njeri me qëllim që të blinte një nuse me gjakun e Tij. Ai “erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur” (Luka 19:10). Kur e pranoi këtë mision nga Ati i Tij (“Ati im më ka dërguar” – Gjoni 3:17; 10:36; 20:21; Heb. 1:6), Zoti ynë e dinte shumë mirë që mishërimi nuk do të ishte i përkohshëm por i përjetshëm. Ai u bë përgjithnjë si një prej nesh por pa mëkat.
Mbi fronin e Davidit në Jeruzalem, si Mesia i premtuar i Izraelit, Ai “do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë” (Luka 1:33). Ai mbetet “Krishti Jezus njeri” (1 Tim. 5:2), ndërmjetësi i vetëm midis Perëndisë dhe njeriut, “Jezu Krishti i njëjtë dje, sot e përjetë” (Heb. 13:8). Për tërë përjetësinë Ai do të mbartë shenjat e Kalvarit, dhe froni i qiellit do të jetë përgjithmonë “froni i Perëndisë dhe i Qengjit” (Zbulesa 22:1).
Si mund ta dinte ndokush se kush Ai ishte në të vërtetë, përderisa lavdia e Tij ishte e mbuluar me mishin njerëzor? Çdo besimtar i vërtetë atë ditë, që kishte përbashkësi me Perëndinë, që e njihte Fjalën dhe që priste Mesian, do ta kishte njohur Atë. Danieli 9 dhe Nehemia 2 ua bënë të qartë të gjithë atyre që ishin të gatshëm për të lexuar dhe kuptuar që ajo ishte koha e profetizuar për ardhjen e Mesias. Ana, profetesha, dhe Simeoni, një Jude i devotshëm që priste Mesian, që të dy e njohën Atë menjëherë, madje edhe si foshnjë (Luka 2:25-38).
Ndonëse mund të kishte ndonjë justifikim për të mos e njohur Atë si fëmijë, nuk kishte asnjë justifikim për të mos e njohur Atë pas fillimit të shërbesës së Tij. Vetëm mrekullitë që Ai kreu ishin të mjaftueshme për të vërtetuar që Ai ishte Mesia. Dhe Ai duhet të ketë qenë një person tepër i veçantë. Madje dhe ushtarët e dërguar nga farisenjtë për ta arrestuar Atë e pranuan: “Asnjeri nuk ka folur kurrë si ai” (Gjoni 7:46)!
Kush mund të mos e kishte kuptuar që këtu “Perëndia [i shfaqur] në mish” (1 Tim. 3:16)? Pothuaj të gjithë! Ishin të paktë ata që e njohën dhe e admiruan ngjashmërinë prej Perëndie të Jezusit nga Nazareti. Në vend të kësaj, ligësia e tyre e lindur e përçmoi pastërtinë e Tij. Për shumicën e njerëzve, përmbushje kjo e profecisë (Psa. 35:19; 64:9; 119:161), Krishti tha me trishtim: “Më kanë urryer pa shkak” (Gjoni 15:25). Duket e pabesueshme!
Gjon Pagëzori kuptoi që Jezusi ishte i pamëkatë: “Mua më duhet të pagëzohem prej teje dhe ti po vjen tek unë?” (Mat. 3:14). Megjithatë më vonë, edhe ai dyshoi (Luka 7:19), pavarësisht nga të gjitha provat që Perëndia i kishte dhënë atij (Gjoni 1:33, 34). Apostulli Gjon ishte midis atyre pak vetave që e njohën Atë: “Ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë … Atë që ishte nga fillimi, atë që dëgjuam, atë që pamë me sytë tanë, atë që vështruam dhe që duart tona e prekën lidhur me Fjalën e jetës, dhe jeta u shfaq …” (Gjoni 1:14 dhe 1 Gjonit 1:1, 2).
Tragjikisht, “ndonëse kishte bërë shumë shenja para tyre, ata nuk besonin në të” (Gjoni 12:37). Farisenjtë e dinin që mrekullitë e Tij ishin të vërteta, që Ai e kishte ringjallur Llazarin pas katër ditësh nga varri; por ata vazhdonin të justifikonin veten duke vendosur për ta vrarë Atë dhe Llazarin për të mbajtur pozitën e tyre të udhëheqjes. Nuk është për t’u çuditur që Perëndia ka thënë: “Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme” (Jer. 179).
Demonët e njohën Atë gjatë shërbesës së Tij, edhe pse ata mund të mos e kenë njohur se kush Ai ishte si një foshnjë: “Unë e di kush je: I Shenjti i Perëndisë” (Mat. 8:29; Mar. 1:24). Jezusi nuk i dëboi demonët në emrin e Atit por me anë të autoritetit të Tij, dhe ata iu bindën (Mat. 8:28-32; Mar. 1:25; Luka 4:35).
Universi, të cilin Ai si Fjala e përjetshme e kishte sjellë në ekzistencë, e njihte dhe iu bind zërit të Tij. Ai qetësoi stuhitë thjesht me një fjalë (Mar. 4:39). Megjithatë edhe pas kësaj dishepujt e Tij nuk e dinin se kush ishte Ai. Ata kishin frikë dhe “i thoshnin njëri-tjetrit: ‘Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era edhe deti” (Mar. 4:41)?
Jezusi tha: “Kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar” (Gjoni 17:3). Kjo nuk do të thotë që çdo i afërm që e kishte njohur Atë që fëmijë e deri sa ishte rritur në Nazaret, pra, që këta kishin jetën e përjetshme. Kjo do të thotë ta njohësh Atë në frymë dhe në të vërtetë – në mënyrën që ne duhet të adhurojmë Perëndinë (Gjoni 4:24). Nuk mjafton që dikush të thotë fjalët me buzë (“Të dua, Zot … Të adhuroj”) por ta njohësh dhe ta duash Atë në zemër sikurse Ai është në të vërtetë.
Edhe pse Jezusi është Perëndi, dhe Maria është nëna e Jezusit, kjo nuk e bën atë “nënën e Perëndisë”, sikurse mëson katolicizmi. Dhe ajo as nuk mbeti virgjëreshë. Lindja e “djalit të saj të parëlindur” (Mat. 1:25) në Betlehem nuk ishte lindja e Krishtit si Perëndi por e trupit të Tij njerëzor, shpirtit dhe frymës – “bërë gati për mua një trup” (Heb. 10:5). Ajo ishte nëna e nderuar e Krishtit Jezus njeri. Por ajo nuk ishte nëna e Birit të përjetshëm të Perëndisë, i cili krijoi universin, që është një me Atin dhe që “ u bë mish dhe banoi ndër ne” (Gjoni 1:14).
Krishti ka ekzistuar si Biri i Perëndisë shumë kohë përpara mishërimit (Psa. 2:12; Fjalet e Urta 30:4; Isa. 9:6; Dan. 3:25 etj.). Ai që nga përjetësia ka qenë duke mbretëruar bashkë me Atin mbi fronin e Tij si Biri i Perëndisë: “Për të Birin thotë: ‘Froni yt, O Perëndi është në shekuj të shekujve; skeptri i mbretërisë sate është skeptër drejtësie” (Heb. 1:8).
Maria pati nderin e vetëm për të qenë mjeti përmes së cilës Biri i Perëndisë u bë njeri – por ajo nuk ishte nëna e të Amshuarit që kishte krijuar universin. Ajo nuk ishte nëna e Birit të Perëndisë, “origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë” (Mikea 5:2). Ta quash Marian “nënën e Perëndisë”, sikurse mëson doktrina zyrtare e kishës katolike, është blasfemia më e keqe e mundshme.
Pali thotë një të vërtetë të madhe kur thotë: “Ai … u duk ndër engjëj”. Ata dëshmuan shpalosjen e këtij misteri. Neve nuk na janë treguar mendimet e engjëjve ose nëse a u ishte thënë atyre më parë për mishërimin, por lindja e Krishtit në botë si njeri duhet të ketë qenë një mister edhe për “shumicën e ushtrisë qiellore” që lavdëroi Perëndinë në lindjen e Krishtit (Luka 2:13).
A mund të jetë ky po Ai që ata e kanë adhuruar si Fjalën e përjetshme, si Krijuesin e gjithçkaje – dhe këtu Ai ishte një foshnjë e paaftë në krahët e Marias që po i jepte qumësht?! A është e mundur kjo? Po, kemi urdhërin: “Kur ta shjerë të Parëlindurin në botë … ‘Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Perëndisë’” (Heb. 1:6). Çfarë ndodhi të mistershme atë ditë kur lindi Jezusi!
Këtë ngjarje të rëndësishme dhe mahnitëse në historinë e gjithësisë Pali e quajti jo vetëm një mister të madh – por misteri: “Dhe s’ka asnjë dyshim se misteri i hyjnisë është i madh: Perëndia u shfaq në mish, u shfajësua në Frymë, u duk ndër engjëj, u predikua ndër johebrenj, u besua në botë, u ngrit në lavdi” (1 Tim. 3:16). Misteri i hyjnisë u zbulua në mishërimin e Jezu Krishtit!
Invading this rebellious planet from heaven itself came the only perfectly godly man who would ever live. Tërë pjesa tjetër e njerëzve janë mëkatarë. Përjetësisht, ata në qiell do të jenë mëkatarë – të shpëtuar me anë të hirit. Po, “të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë” – përveç një njeriu. Është një mister i madh se si dikush i cili është plotësisht njeri, siç është Krishti, të mund të jetojë ndonjëherë pa mëkatuar. Megjithatë, Shkrimi na siguron: Ai “nuk bëri asnjë mëkat” (1 Pjetrit 2:22); “që nuk njihte mëkat” (2 e Korintasve 5:21); dhe “në të nuk ka mëkat” (1 Gjonit 3:5).
Dhe vërtetë, ishte e pamundur që Krishti të mëkatonte. Ai u përball me çdo tundim, por Atij kurrë nuk iu desh të luftonte për t’u ruajtur se mos binte në tundim. Mëkati nuk kishte asnjë tërheqje për Të: “Po vjen princi i kësaj bote [d.m.th. Satani] dhe ai nuk ka asgjë në mua” (Gjoni 14:30). Nuk kishte asgjë në “të Shenjtin e Perëndisë” (Luka 4:34) që të joshej nga mëkati.
Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese. –Marku 16:15
Ai na ka “lënë një shembull, që [ne] të ecim pas gjurmës së tij” (1 Pjetrit 2:21). Por si mund të ndjekim ne gjurmët që çojnë në kryq? Nëse duam të jemi të perëndishëm, Ai që i vetëm është i perëndishëm duhet të jetojë në ne: “Unë vuaj për ju djemtë e mi, që unë i lind përsëri, derisa të formohet Krishti në ju!” (Gal. 4:19). Por si mund të banojë Ai brenda mëkatarëve? Kjo është një pjesë tjetër e “misterit të hyjnisë”.
Gjendej vetëm një mënyrë se si njerëzimi mund të shpengohej nga dënimi i vdekjes së përjetshme. Që Perëndia i Shenjtë dhe i drejtë të falë drejtësisht mëkatarët, dënimi i plotë për mëkatin duhet të paguhet (Rom. 3:9-28). Një njeri i pamëkatë, që nuk e meriton vdekjen, duhet të vdesë për pjesën tjetër të njerëzimit: “Në fakt, ashtu si nga mosbindja e një njeriu të vetëm të shumtët u bënë mëkatarë, ashtu edhe nga bindja e një të vetmi të shumtët do të bëhen të drejtë” (Rom. 5:19).
Megjithëse Biri i përjetshëm i Perëndisë, nëpërmjet lindjes virgjërore, u bë plotësisht njeri, Ai mbeti plotësisht Perëndi. Si njeri i pamëkatë, Ai me të drejtë mund të vdiste për mëkatarët. Dhe vetëm si Perëndi i pakufi Ai mund të paguante dënimin e plotë për mëkatet e tërë njerëzimit. Madje dhe si fetus brenda Marias, Ai nuk ndaloi së qenë Ai i cili tha: “Unë jam Zoti, nuk ndryshoj” (Mal. 3:6). Kjo është pjesa më e vështirë e misterit. Ne nuk mund ta kuptojmë atë, por e besojmë sepse Perëndia e thotë – gjithashtu kuptojmë që nuk kishte mënyrë tjetër.
Si Perëndi dhe njeri në një person, Krishti mori ngarkesën e plotë të zemërimit të Perëndisë për mëkatin për tërë njerëzimin. “Paga e mëkatit është vdekja” (Rom. 6:23). Ai provoi “vdekjen për të gjithë njerëzit” (Heb. 2:9). Kjo me patjetër përfshinte “vdekjen e dytë”, të cilën të gjithë ata që refuzojnë të besojnë në Atë që vdiq për ta do të pësojnë për tërë përjetësinë në liqenin e zjarrit (Zbulesa 20:11-15).
Megjithatë, kalvinizmi mëson që Krishti vdiq vetëm për një pjesë të zgjedhur të cilën Perëndia e paracaktoi për në qiell. Ky mësim thotë që Perëndia e do të gjithë botën – por jo me të njëjtën “dashuri shpenguese” për të gjithë: ata të cilët janë paracaktuar për mundim të përjetshëm duhen me një dashuri më të pakët, por duhen prapëseprapë, sepse Perëndia i bekon ata në këtë jetë me dritën e diellit dhe, me shi etj. Kjo është arsyeja që librit ia vumë titullin: Çfarë dashurie është kjo? Nuk është asnjë lloj dashurie të dështosh të shpëtosh dikë që mund të shpëtohet. Kalvinizmi thotë se Perëndia mund të shpëtojë këdo nëse Ai do e dëshironte këtë, por nuk e bën. Kjo nuk është dashuri.
Pjesa paralele në Dhiatën e Vjetër për: “Të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë” (Rom. 3:23) është: “Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet …” (Isa. 53:6). Isaia shton: “dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve”. Paudhësia e të gjithë atyre që “enden si dele” [d.m.th., që kanë mëkatuar] u vendos mbi Krishtin në kryq.
Krishti tha që “ashtu si Moisiu e ngrit lart gjarprin në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart Biri i njeriut, që kushdo që beson në të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:14, 15). Gjarpërinj helmues u dërguan nga Perëndia si ndëshkim për mëkatin e Izraelit. Ata që kafshoheshin shkonin drejt vdekjes. Ilaçi i Perëndisë ishte: “Bëj një gjarpër flakërues dhe vëre mbi një shtizë; kështu [jo një pjesë e atyre që po shkonin drejt vdekjes, por] çdo njeri që do të kafshohet prej tij dhe do ta shikojë, ka për të jetuar. Ndodhte që, kur një gjarpër kafshonte dikë, në rast se ky shikonte gjarprin prej bronzi, ai vazhdonte të jetonte” (Num. 21:5-9 – theksimi është shtuar].
Krishti tha se ashtu sikurse të gjithë ata që ishin kafshuar dhe shikonin me besim gjarprin prej bronzi dhe si rrjedhim jetonin, po kështu të gjitha ata që kanë mëkatuar mund të vështrojnë me besim “Qengjin e Perëndisë [mbi kryq] që heq mëkatin e botës” (Gjoni 1:29), dhe të marrin jetën e përjetshme si një dhuratë falas falë hirit të Perëndisë. Ky është lajmi i mirë i ungjillit. Ne duhet ta shpallim atë kudo.
Çfarë dite ishte ajo ditë kur Krishti lindi nga një virgjëreshë në Betlehem! Dhe çfarë dite është kur Ai vjen për të jetuar përjetësisht në zemrat e atyre që besojnë në Të! Kjo është fitorja e perëndishmërisë që çdo i krishterë duhet të jetë duke përjetuar – megjithatë shumë nuk i njohin të gjitha këto gjëra që janë të tyret në Krishtin. Le të jetojmë jetë të perëndishme dhe t’ua shpallim lajmin e mirë të gjithëve. THEB