THEB Janar 2010

Kozmosi, Krijuesi dhe fati njerëzor (Pjesa 1)


THEB Janar 2010

Kozmosi, Krijuesi dhe fati njerëzor (Pjesa 1)

THEB Janar 2010

Pavarësisht nga të gjitha dështimet tona për të sjellë paqe dhe mirëdashje mbi Tokë, Amerika të paktën mund të mburret për programin e saj hapësinor tepër të lavdëruar. Astronautët tanë kanë ecur në hënë. Astronautët tanë kanë studiuar horizontet më të largëta të universit me teleskopë dhe kanë zbuluar shumë prej mistereve të tyre. Por prit. Le të përballemi me disa realitete.

«Kozmosi, Krijuesi dhe fati njerëzor», libri im më i ri, fillon me një shikim të shkurtër të pafundësisë së universit. Edhe sikur ne të ndërtonim anije kozmike që të udhëtonin me shpejtësinë e dritës, do të duheshin 100.000 vjet për të kaluar Rrugën e Qumështit, galaktikën tonë relativisht të vogël, dhe miliarda vjet për të arritur trilionët e galaktikave përtej. Këto fakte tregojnë se sa e pamend është ëndrra e njeriut për «eksplorimin e hapësirës». Sa herë që hip në një avion pasagjerësh dhe vështroj kabinën e pilotëve me tërë atë panel jashtëzakonisht të ndërlikuar instrumentesh, unë mendoj për dallëndyshen e Arktikut. Ky zog shumëzohet në tundrën e veriut të largët, më pas fluturon për tetë muaj përgjatë mijëra miljesh përmes oqeanit të parrugë për të arritur pikëmbërritjen e tij afër buzës së akujve notues të Antarktikës, vetëm për t’u kthyer në tokën e tij të shumëzimit. Ajo do të përshkojë mbi njëzet mijë milje gjatë jetës së saj. Paneli i saj i kontrollit është në trurin e saj të vogël dhe sistemi i drejtimit është instinkt, një aftësi që asnjë proces evolucionar nuk mund ta zhvillojë dhe asnjë njeri nuk mund ta shpjegojë.

Ateizmi, në bashkëpunim me darvinizmin, është lëvizja jopolitike me rritjen më të madhe në botë sot. Ai është arma parësore e Satanit në luftën e tij me Perëndinë. Ateisti kryesues në botë, Riçard Daukinsi, ish-profesor në «Universiteti i Oksfordit», është zëdhënësi me zërin më të lartë për ateizmin. Librat e tij shfaqen rregullisht në listën e librave më të shitur të gazetës Nju Jork Tajms. Pasi u bind për darvinizmin në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, ai u kthye nga një anglikan formal në një ateist të zjarrtë. Ai ka shpallur se «Një besim në Perëndinë është jo vetëm i trashë, por i lig».

Po ky transformim ndodhi në jetën e Çarls Templetonit (Charles Templeton). Ai ishte dikur partneri predikues i Billi Grahëmit. Darvinizmi e bëri atë një ateist. Në librin e tij, «Lamtumirë Perëndi», ai tregon kur i shkruan Billit:

Billi, thjesht është e pamundur që të vazhdoj të besoj, për shembull, të dhënat biblike për krijimin. Bota nuk u krijua gjatë një periudhe ditësh, disa mijë vjet më parë; ajo ka evoluar gjatë miliona vjetëve. Nuk është një çështje e spekulimit; është një fakt t provueshëm.

Templetoni e kishte gabim dhe kjo me pasoja tragjike. Darvinizmi vazhdon edhe sot që t’i bëjë ateistë turmat. Shumë autorë kanë argumentuar të dy anët e debatit krijim kundrejt teorisë së evolucionit. Është, në fakt, teizmi përballë ateizmit, Perëndia përballë Satanit. Ky konflikt i lashtë do të përballet së shpejti me përfundimin e tij dramatik. Pikërisht për këtë flet libri «Kozmosi, Krijuesi dhe fati njerëzor».

Ne mburremi për qytetet e mëdha që kemi ndërtuar dhe i regjistrojmë rekordet shumë të lavdëruara atletike: sa shpejt mund të vrapojmë, sa lart ose larg mund të kërcejmë etj. Siç e pamë me dallëndyshen arktike, insektet dhe kafshët na i kalojnë në çdo arritje të shkathët fizike. Megjithëkëtë, është për t’u habitur se pothuaj askush në secilën anë të këtij debati nuk e përmend ndonjëherë faktorin e vetëm kyç që e ndan njeriun nga të gjitha krijesat më të ulëta: aftësia e njeriut për të formuar ide konceptesh dhe për t’i shprehur ato me fjalë dhe në muzikë dhe art! Ne jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, Krijuesit tonë dhe të dashurit të shpirtrave tanë. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për çdo krijesë të gjallë tjetër.

Ky fakt i thjeshtë tregon kotësinë e kërkimit në botë për fosile për të gjetur një «hallkë munguese» midis njeriut dhe krijesave më të ulëta të çdo lloji. Është po aq e kotë të kërkosh ADN-në e njeriut dhe kafshëve për një hallkë munguese. As struktura skeletore, as ADN-ja nuk kanë të bëjnë fare me atë se kush është në të vërtetë personi. ADN-ja e një shimpanzeje është 96 përqind si ajo e njerëzve. Kjo nuk tregon ndonjë lidhje evolucionare midis njeriut dhe shimpanzeve siç sugjeron Francis Collins, një i krishterë deklarues që u caktua kohët e fundit si kreu i «Instituti Kombëtar për Shëndetin». Edhe sikur të zbuloheshin skeletet e plota dhe ADN-ja e Albert Ajnshtajnit, Çarls Dikensit dhe Ludvig van Betovenit, a do të mbanin ato çelësin e aftësive gjeniale të këtyre burrave? Sigurisht që jo! Personi i vërtetë është një qenie jofizike që jeton brenda trupit fizik. Ky fakt është i padiskutueshëm.

Sa për trurin tënd, ai nuk i krijon mendimet e tua. Ju jeni mendimtari që do të jetoni pafundësisht mbasi trupi të dergjet i kalbur në varr. Shpirtrat dhe frymërat nuk i nënshtrohen ligjeve të fizikës dhe të kimisë që qeverisin trupat tanë. Këto fakte mbartin pasoja serioze për secilin prej nesh. Çfarë i ndodh shpirtit dhe frymës mbas vdekjes? Hebrenjve 9:27 shpall: «Është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi». Ju mund të qeshni gjatë rrugës për ne ferr, por nuk mund të qeshni daljen prej andej.

Prapëseprapë, rebelimi kundër Perëndisë që filloi Adami ka ecur përpara që atëherë me determinizëm. Nuk mund të mohohet se qëllimi kryesor i përpjekjeve shkencore të sotme është të vërtetojë se Perëndia nuk ekziston.

Qëllimi i kërkimeve hapësinore, për shembull, është të gjejë tregues uji që mund të tregojnë se si jeta mund të ketë patur zanafillën e saj diku jashtë tokës dhe më pas evoluoi. Sigurisht, qëllimi është të tregojë se njeriu nuk është një krijim unik, por që ka qenie të ngjashme inteligjente të shpërndara kudo nëpër univers – dhe kështu nuk kemi nevojë për një «perëndi» për të na shpjeguar ndonjë gjë. Spekulime të tilla marrin arratinë përballë ligjit të biogjenezës, që pohon se jeta vjen vetëm nga jeta.

Ateistët duan ta shmangin pyetjen e origjinës. Ata flasin për një shpërthim të papritur energjie që njëri kritik e quajti «Shpërthimi i Madh» (Big Bang), por ata nuk mund të na thonë se çfarë është energjia, ku ose pse po fshihej ose përse e shfaqi veten papritur në një shpërthim kozmik. Ata as nuk mund të shpjegojnë se si mund të vijë jeta nga një univers që kishte përjetuar temperatura më të nxehta se pjesa e brendshme e yjeve më të nxehtë. Ata nuk mund të na thonë se çfarë është jeta ose se si mund t’u përçohet lëndëve kimike të pajeta që përmban trupi. A nuk është e pandershme të flasim për evolucionin pa u ballafaquar para se gjithash me disa pyetje themelore?

Çfarë fshihet mbrapa kërkimit të zellshëm për fosile në mbarë globin? Çfarë tjetër veçse për të gjetur ndonjë zinxhir evolucionar nga mikrobet te njeriu që do ta eliminonte Perëndinë? Po kështu është edhe me kërkimin rraskapitës përmes gjenomit njerëzor – të gjendet një lidhje evolucionare nga krijesat më të ulëta te njeriu. Tashmë e kemi vërtetuar se njeriu është më shumë se trupi i tij fizik, por ky fakt shmanget nga ateistët, sepse të drejton te Perëndia.

Ateistët janë materialistë. Për ata nuk ekziston asgjë përveç lëndës. Sipas tyre, njeriu nuk është asgjë më shumë se trupi i tij fizik. Teza materialiste përgënjeshtrohet lehtë. Mendimet nuk janë fizike dhe po ashtu idetë. Fjalorët dhe enciklopeditë janë të mbushura me fjalë për të cilat nuk ka asnjë përshkrim fizik. Cila është ngjyra e etikës? Çfarë erë ka [fjala] i jashtëzakonshëm? Sa peshon [mendimi] i mrekullueshëm? Materializmi është një filozofi jo vetëm e trashë, por edhe e keqe. Cili është ndërtimi i «e trashë», tingulli i «e keqe» ose shija e «filozofi» etj.?

E vërteta nuk mund të shmanget dhe përballja me ndershmëri e saj nuk mund të shtyhet! Dy herë deklarohet në Bibël: «I pamendi ka thënë në zemër të tij: ‘Nuk ka Perëndi’» (Psa. 14:1; 53:1). Ateizmi është feja e të pamendëve.

Tregohet historia e një burri duke predikuar në «Qoshen e Folësve» në Parkun Hajd në Londër, Angli, i cili në predikimin e tij tha se cilido që nuk besonte në Perëndinë ishte një budalla. Një burrë nga turma e dëgjuesve bërtiti me të madhe: «Unë jam një ateist. Nëse nuk mund ta vërtetosh që unë jam një budalla, do ta botoj këtë në gazeta dhe ne do të të përzëmë nga qyteti!»

– Ju vërtet nuk besoni në Perëndinë?
– Natyrisht që jo! Kam qenë duke e luftuar Perëndinë gjatë tërë jetës sime!
– Më thuaj, iu përgjigj predikuesi, nëse dikush që e kalon jetën e tij duke luftuar kundër dikujt që nuk ekziston nuk është një budalla, atëherë kush është?

Nga poetë, artistë dhe autorë është përpjekur të jepen paraqitje të skenës së llahtarshme të njeriut duke qëndruar para fronit të Perëndisë, por imagjinata tonë mund të na ngatërrojë. Gjyqi i Krishtit (ang. The Judgement Seat of Christ) është vendi ku i krishteri merr shpërblime ose pëson humbje për «gjëra[t] që ka bërë me anë të trupit» (2 Kor. 5:10). Në atë ngjarje mbresëlënëse ne të gjithë [besimtarët] do të jemi përballë Krishtit, «sytë [e të cilit i] ngjanin një flake zjarri» (Zbu. 1:14; 2:18).

Nga ana tjetër, ata që e kanë refuzuar Krishtin dhe kanë qeshur me ofertën e shpëtimit nga Perëndia do të qëndrojnë para Fronit të Madh të Bardhë (ang. The Great White Throne) dhe do të përballen me Atë që rri ulur atje, nga fytyra e të cilit «[do të] ik dheu dhe qielli» (Zbu. 20:11). Ata që e kanë përqeshur ofertën e faljes nga Perëndia do të mundohen përjetësisht me kujtimin e vazhdueshëm e të bezdisshëm të mendimeve, fjalëve dhe veprave të tyre të këqija, bashkë me ndërgjegjësimin se e gjithë kjo nuk kishte përse të ndodhte. Ishte pikërisht refuzimi nga ana e tyre i faljes që u ofroi Perëndia përmes Jezusit që vulosi fatin e tyre. Më në fund do të bëhet e qartë ajo që Davidi rrëfeu para Perëndisë: «Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu» (Psa. 51:4). Kur na pushton brejtja e ndërgjegjes dhe ne pendohemi për çdo mëkat që kemi kryer, nuk duhet të harrojmë të përfshijnë pohimin e shkurtër të Davidit që ishte në thelb të rrëfimit të tij. Çdo mëkat është rebelim kundër Perëndisë.

Për jobesimtarin, flakët e ferrit janë mundimi përvëlues i ndërgjegjes së dikujt të dhënë nga Perëndia që Salomoni e përshkruan aq gjallërisht:

Sepse unë thirra dhe ju nuk keni dashur, shtriva dorën time dhe askush prej jush nuk i kushtoi vëmendje, përkundrazi hodhët poshtë të gjitha këshillat e mia dhe nuk pranuat ndreqjen time, edhe unë do të qesh me fatkeqësinë tuaj, do të tallem kur të vijë ajo që ju druani […] si një furtunë, dhe fatkeqësia juaj të vijë si një stuhi, kur t`ju mbulojnë fatkeqësia dhe ankthi.
Atëherë ata do të më thërrasin mua, por unë nuk do të përgjigjem; do të më kërkojnë me kujdes, por nuk do të më gjejnë. Sepse kanë urryer dijen dhe nuk kanë zgjedhur frikën e Zotit, nuk kanë dashur të pranojnë këshillën time dhe kanë përbuzur të gjitha qortimet e mia. Prandaj do të hanë frytin e sjelljes së tyre dhe do të ngopen me këshillat e tyre. (Fja. 1:24-31).

Derisa ne, edhe si të krishterë, të kuptojmë seriozitetin e asaj që mund të heqim nga mendja si thuajse të padenja për t’u përmendur, as nuk kemi filluar të pendohemi. Çdo mëkat, sado i vogël në dukje, duhet të pranohet si vjedhje e madhe dhe tradhti kundër Perëndisë. Vjedhje e madhe? Ne i kemi vjedhur Perëndisë, në masë të vogël ose të madhe, nga jeta që Ai na besoi, një jetë për t’u jetuar për lavdinë e Tij, por, në vend të kësaj, ne kemi jetuar për vetveten. Tradhti? Në zemrat tona ne kemi filluar një kryengritje kundër Zotit të universit.

Vetëm kur e shohim mëkatin në këtë dritë, ne kemi filluar të pendohemi. Shumica e himneve të vjetër të besimit pasqyronin seriozitetin solemn me të cilin adhuruesit duhet të hyjnë në praninë e shenjtë të Perëndisë. Fatkeqësisht, këto këngë dikur të pëlqyera janë lënë mënjanë për t’u hapur rrugën «muzikës bashkëkohore» të sotme, me tekste që e ulin Perëndinë nga Zot i universit – një Perëndi madhështia e të cilit na bën të biem përmbys me respekt të shenjtë – në një shok.

Në shumë të ashtuquajtura kisha ungjillore të sotme ka pa frikë për Perëndinë, që Salomoni tha se ishte «zanafilla e diturisë» (Psa. 111:10; Fja. 1:7; 9:10). Vajtimi i Zotit ndërsa qau për Izraelin duhet të jetë me siguri klithma e Tij ndërsa e sheh kishën sot: «Në bir nderon atin e tij dhe një shërbëtor zotin e tij. Nëse unë, pra, jami ati, ku është nderi im? Dhe nëse jam zot, ku ma kanë frikën?, iu thotë Zoti i ushtrive juve, priftërinjve, që përbuzni emrin tim dhe megjithatë thoni: ‘Si e kam përbuzur emrin tënd?’» (Mal. 1:6).

Unë i flas zemrës time. Sa prej nesh jetojnë sikur me të vërtetë besojmë se koha është e shkurtër dhe se Jezusi mund të vijë në çdo çast? Ne duhet të ndalojmë dhe ta peshojmë këtë pyetje shumë seriozisht. Ne kemi nevojë për një përtëritje të zemrës, një ndërgjegjësim të freskët për natyrën mahnitëse dhe që meriton respekt të Perëndisë. Unë shpesh i them Zotit se dridhem kur mendoj për qëndrimin para Atij. E di që jam i shpenguar dhe i sigurt në dashurinë e Tij, por kur mendoj se sa i madh është Ai dhe se çfarë hiçi i mjerueshëm jam unë, duket e tepër të guxoj t’i them: «Të dua, Zot».

Shkrimi flet me seriozitet solemn dhe të tmerrshëm për ata që e refuzojnë Perëndinë si Krijuesin dhe Shpëtimtarin. Jo, ne nuk evoluam. Kjo teori ishte një nga gënjeshtrat më të shkathëta të Satanit. Me një goditje të vetme ai e poshtëroi njeriun në një kafshë dhe në të njëjtën kohë i shkoi pas qejfit krenarisë së tij duke e bërë atë të besojë se ai mund të kuptonte si kishte ardhur në ekzistencë pa Perëndinë dhe kështu të ngelej i lirë nga përgjegjësia para çdo autoriteti më të lartë se vetja. Çfarë mashtrimi i madh për të shtruar rrugën e gjerë që çon në shkatërrim!

Si mund t’i hedhë dikush këto të vërteta jetike në një libër që përfshin diskutime shkencore rreth origjinës së njeriut dhe qëllimit të ekzistencës së tij? Pikërisht kjo është përpjekur të bëhet në librin «Kozmosi, Krijuesi dhe fati njerëzor»* me qëllimin për t’i zgjuar lexuesit ndaj mrekullisë së dashurisë së Perëndisë dhe fatin e lavdishëm. Ai ka planifikuar për ata që do t’ia hapin zemrën e tyre Atij. Sa të vërteta janë fjalët e himnit «Sa i madh je Ti»:

O Zoti im, kur mendoj i mahnitur
i marr me mend gjithë punët e dorës Sate.
Yjet në qiell shkrep’timat e fuqishme,
fuqia Jot’ shfaqet kudo n’gjithësi.
………………..
Dhe kur shëtis në pyje e lëndina
dhe zogjtë dëgjoj me këngët e tyre në pemë.
Kur shikoj poshtë nga maj’ e malit të lartë,
rrëketë dëgjoj, puhizë në faqe ndiej.
………………..
Dhe kur mendoj se Birin s’e kurseu
e dërgoi t’vdesë, mezi mund ta kuptoj,
që gjithë mëkatin n’kryq Ai ma mori
derdh’ gjak e vdiq të më çliroj plot’sisht.
………………..
Kur Krishti vjen me thirrje brohorit’se
të më marrë në shtëpi, sa gëzim do të ndiej at’ ditë.
Do të adhuroj me zemër të përmalluar
dhe të shpall, Zoti im sa i madh je Ti!
………………..
Shpirti im këndon, O Zot Shpëtuesi im
sa i madh je Ti! Sa i madh je Ti!

THEB

Kozmosi, Krijuesi dhe fati njerëzor, Pj. 1
Kozmosi, Krijuesi dhe fati njerëzor, Pj. 1
THEB Janar 2010 - Kozmosi, Krijuesi dhe fati njerezor (Pjesa 1).pdf
Versioni: THEB Janar 2010
393.0 KiB
761 shkarkime
Hollësi