Një brez në mëshirë të fatit (Pjesa 2)

THEB Maj 2012
[no_toc]

THEB Maj 2012

Një brez në mëshirë të fatit (Pjesa 2)

THEB Maj 2012

Dhe për këtë lutem që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo dallim, që të dalloni gjërat më të mira dhe të mund të jeni të pastër dhe panjollë për ditën e Krishtit, të mbushur me fryte drejtësie që arrihen me anë të Jezu Krishtit, për lavdi e për lëvdim të Perëndisë. –Filipianeve 1:9-11

Lutja e Apostullit Pal për besimtarët në Filipi është gjithashtu një lutje për të gjithë besimtarët kudo në të gjitha kohërat. Veç kësaj, është një lutje që të gjithë prindërit besimtarë duhet ta kenë për fëmijët e tyre, veçanërisht ata drejt të njëzetave e deri herët në të tridhjetat që e njohin Zotin. Përse ata në veçanti? Sepse ka një sërë arsyesh, edhe pse e falënderoj Zotin për përjashtimet personale. Ajo grup-moshë është mjaft e cenueshme ndaj ndikimeve armiqësore të bashkëmoshatarëve të tyre. Jetët e tyre janë edhe të rrethuara nga hutimet praktike: shkolla, vendi i punës, jeta sociale ose mungesa e saj, zgjedhjet për karrierë, konsideratat për martesë etj., të cilat i devijojnë ata nga gjëja e duhur që i mbështet ata ndërsa përballen me çështjet kalimtare të jetës.

Lutja e Palit për kolosianët shpaloset mbi ndërhyrjen e tij për filipianët:

Prandaj edhe ne, nga dita që e dëgjuam këtë, nuk pushojmë të lutemi për ju dhe të kërkojmë që të mbusheni me njohjen e vullnetit të tij me çdo urtësi dhe mençuri frymërore, që të ecni në mënyrë të denjë për Zotin, që t’i pëlqeni atij në çdo gjë, duke sjellë fryt në çdo vepër të mirë dhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë, duke u forcuar me çdo fuqi, pas pushtetit të lavdisë së tij, për çdo ngulm e durim, me gëzim. (Kolosianeve 1:9-11).

Vini re se ai donte që ata të “mbusheshin me njohjen” e vullnetit të Perëndisë, “me çdo urtësi dhe mençuri frymërore […] që t’i pëlqeni[n] [Zotit dhe] duke sjellë fryt në çdo vepër të mirë”. Megjithëkëtë kjo lutje do të ishte me shumë fjalë boshe, veçse ata për të cilët ai lutet dëshirojnë të kenë një ecje të denjë për Zotin dhe që i pëlqen Atij. Lajmi i mirë është që shumë të rinj besimtarë sot e kanë këtë dëshirë dhe zell. Lajmi jo aq i mirë është që janë të paktë ata që duket se i bëjnë përpjekjet e domosdoshme për t’u rritur në njohjen e Perëndisë. Përsëri, mund të jetë për shkak të hutimeve, por cilido qoftë rasti, kjo do të ketë pasoja shqetësuese.

Pa “rritjen në njohjen e Perëndisë”, që nxirret nga leximi i Fjalës së Tij dhe zbatimi i asaj që thotë ajo, ecja e një besimtari do të jetë “godit dhe humbit” për t’i pëlqyer Zotit dhe do të jetë kryesisht e pafrytshme lidhur me vepra të mira. Veç kësaj, ai nuk do të “teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo dallim”, duke kuptuar që ai nuk do të ketë asnjë bazë për mprehtësi dalluese biblike.

Pa mprehtësi dalluese biblike, ky brez i ardhshëm është “në mëshirë të fatit” – duke shkuar drejt një bregu shkëmbor dhe në pritje të një lundërthyerje. Ndërsa kam patur mundësinë të flas me të rinj nëpër SHBA dhe përreth botës, shumë prej të cilëve duket se janë të mirinformuar biblikisht, kam mësuar që ata janë kryesisht në padijeni për lëvizjet, praktikat dhe mësimet e rreme, sikurse edhe për mësuesit e rremë të cilët i gabojnë turmat e të krishterëve sot. Nuk e kam atë ndjenjën për ata që të jenë si “bijtë e Isakarit, që i kuptonin kohërat dhe dinin kështu çfarë duhet të bënte Izraeli” (1 i Kronikave 12:32). Duket se ata nuk i vënë veshin paralajmërimeve të shumta në Shkrimin lidhur me shumicën e joshjes dhe mashtrimit frymëror (Mateu 24:4; Marku 13:21-23 dhe 2 e Korintasve 2:3-4; Galatasve 3:1; Kolosianeve 2:4,8 dhe 2 Thesalonikasve 2:3 dhe 1 Timoteut 4:1 dhe 2 Timoteut 2:26; 3:1-2; 3:6; 4:3-5 dhe 1 Gjonit 2:26 etj.). Ata duket se i kanë lënë në harresë nxitjet e Gjonit dhe Pjetrit dhe Judës lidhur me ata të cilët mund t’i mashtrojnë. Ata e kanë harruar thirrjen e Palit drejtuar pleqve efesianë:

Në fakt unë e di se, pas largimit tim, do të hyjnë midis jush ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursejnë tufën, edhe vetë midis jush do të dalin njerëz që do të flasin gjëra të çoroditura që të tërheqin pas vetes dishepujt. Prandaj rrini zgjuar, dhe mbani mend se për tre vjet me radhë, ditë e natë, nuk pushova kurrë të paralajmëroj secilin me lot. (Veprat e Apostujve 20:29-31)

Kur e tërë këshilla e Fjalës së Perëndisë nuk futet në zemër dhe nuk vihet në praktikë, kemi një bazë të pakët për rritje frymërore. Shpesh rezultati është një besim me bazë përvojën, i bazuar mbi ndjenjat subjektive më tepër se mbi Fjalën objektive të së Vërtetës. Një gjendje e tillë prodhon një besim të cekët, në mos të rremë, dhe e eliminon krejt mprehtësinë dalluese biblike. Një njeri i tillë nuk mund të jetë si bereasit (Veprat 17:11), të cilët Luka i lavdëroi pasi ata e dëgjuan Apostullin Pal dhe më pas i hetuan Shkrimet për të parë nëse gjërat që ai u mësoi ishin të vërteta. Varësia mbi një besim me bazë përvojën është depërtuese midis të krishterëve, qofshin ata pentakostalë, karizmatikë apo ungjillorë konservatorë. Këtu kemi vetëm katër ndikime që kanë si bazë përvojën, joshje madhore për brezin e ardhshëm: Lëvizja e Kishës Emergjente, Shtëpia Ndërkombëtare e Lutjes, psikologjia e krishterë dhe Krishterimi Progresiv.

Lëvizja e Kishës Emergjente (ECM) nuk ka një organizatë apo udhëheqje zyrtare, edhe pse disa nga ithtarët e saj kanë “dalë” (ang. emerged) si drejtues dhe zëdhënës të njohur. Ajo është një përpjekje për të tërhequr brezin post-modern për Jezusin përmes një krishterimi të rimodeluar. Drejtuesit e ECM-së besojnë se krishterimi i sotëm është shtrembëruar nga një krishterim kulturor. Kjo “rishpikje” ishte fillimisht një përgjigje kundër dredhive të marketingut të lëvizjes së rritjes së kishës, që i hapi rrugën asaj që u bë e njohur si kishat miqësore ndaj kërkuesit (ang. seeker-friendly). Këto kisha shtuan përbërës të orientuar nga konsumatori për të tërhequr drejt kishës “ata që nuk shkonin në kishë” (ang. unchurched): predikime pozitive të shkurtra, muzikë bashkëkohore e stilit dyzet më të mirat, produksione dramatike, […] dhe lojëra video dhe adhurim i stilit rok për të rinjtë. Megjithëkëtë, kjo metodë nuk i plotësoi dëshirat e atyre të rinjve, të cilët ishin duke kërkuar një përvojë më të thellë frymërore. Në vend që t’i drejtoheshin Biblës, drejtuesit e ECM-së iu kthyen asaj që ata e quajtën “krishterim i qëmoçëm” ose “autentik”.

Edhe pse ECM-ja pretendoi se ishin kthyer në traditat e kishës së hershme, ata nuk u kthyen më mbrapa se te ritualet, elementet dhe praktikat e kishave katolike dhe ortodokse. Ndjeshmëria e imazheve, qirinjve dhe temjanit, bashkë me ritualet, tërhoqën një numër të madh të rinjsh ungjillorë. Madje dhe përbashkësi të qëndrueshme biblike po shihnin rininë e tyre duke u rimorkiuar mbrapa kishave emergjente për të përjetuar “krishterimin autentik”. Zilet, aromat dhe shëmbëlltyrat u bënë një joshje e fortë. Altarët, ikonat fetare dhe madje Stacionet e Kryqit e kanë gjetur rrugën brenda dhomave të të rinjve dhe bodrumeve të kishave ungjillore. Kjo tërheqje për eksperimentalen u hapi dyert praktikave dhe mësimeve të tjera jobiblike, veçanërisht lutjes soditëse (ang. contemplative prayer) dhe teknikave të okultit të të ashtuquajturve Etërve të Shkretëtirës dhe të mistikëve të tjerë katolikë.

Angazhimi i Lëvizjes së Kishës Emergjente ndaj eksperimentales në kundërshtim me Fjalën objektive të Perëndisë i hapi rrugën refuzimit të doktrinës së shëndoshë (2 Timoteut 4:3-4). Midis mësimeve të saj të shumta të rreme janë këto: Jezusi nuk është rruga ekskluzive për te Perëndia; “e vërtetë” mund të gjendet në të gjitha fetë e botës; një ungjill social që i zë vendin ungjillit biblik; një program “restauro tokën” theksohet mbi të përjetshmen; dhe, të përzier me të gjitha këto, ne gjejmë universalizmin, idhujtarinë vizuale dhe një minim agresiv të Shkrimeve (shih THEB, 9/07, 2/08, 3/08).

Një lëvizje tjetër, Shtëpia Ndërkombëtare e Lutjes (IHOP) është zhvillimi më i fundit pentakostal/karizmatik që ka në plan të parë një tërheqje për të rinjtë. Ajo u zhvillua pas një serie të “manifestimeve të Frymës së shenjtë” të supozuara që e kanë fillesën të paktën në vitet 1940. E njohur si Shiu i Fundit/Bijtë e Manifestuar të Perëndisë (LR/MSG), kjo lëvizje u deklarua fillimisht se ishte heretike nga Asambletë e Perëndisë [denominacion pentakostal], por kjo nuk bëri shumë për të ngadalësuar rritjen e saj midis pentakostalëve dhe karizmatikëve. Besimi themelor i LR/MSG-së është se Perëndia po derdh Frymën e Tij në këto ditë të fundit dhe po ngre Profetë dhe Apostuj për të drejtuar një ushtri besimtarësh të mbushur me Frymë, veçanërisht të rinj, të cilët janë fuqizuar për të kryer shenja dhe mrekulli dhe të cilët duhet të marrin dominim mbi tokën para se Jezusi të mund të kthehet. Doktrina dominioniste ka qenë pjesë e të ashtuquajturave rizgjime të Frymës së Shenjtë që prej manifestimeve Vineyard në Aeroportin e Torontos e deri te Rizgjimi Brownsville dhe te aventurat e Todd Bentley/Lakeland, Florida – ku të gjitha tërhoqën miliona njerëz përreth botës për të marrë pjesë në shenja dhe mrekulli të falsifikuara. Ky theksim mbi shenja dhe mrekulli frymërore ka vazhduar në IHOP përmes udhëheqësit të saj, Mike Bickle dhe lidhjes së tij me drejtuesit e Ripërtëritjes Toronto dhe Redding, Shkolla Bethel e Kalifornisë e Shërbesës së Mbinatyrshme.

Drejtuesit e sotëm të IHOP-it janë ndikuar tepër nga ata që njihen si Profetët e Qytetit Kansas, me të cilët Bickle kishte lidhje dhe doktrinat e metodat e të cilëve erdhën nga mësimet e Shiut të Fundit/Bijtë e Manifestuar të Perëndisë. Një metodë themelore e IHOP-it e nxjerrë nga LR/MSG-ja ëshë doktrina që udhëheqja e vajosur mund të dëgjojë direkt nga Perëndia dhe që komunikimi (njohur si rhema, që thuhet se është fjala e folur) ia zë vendin Fjalës së shkruar të Perëndisë si autoriteti ndaj së cilës të gjithë duhet t’i nënshtroheshin. Në të kaluarën, kjo doktrinë kontrolluese (e quajtur “të qenit bari” [ang. “shepherding”]) çoi në abuzime të ngjashme me ato të kulteve ndaj ndjekësve të LR/MSG-së dhe raportohet se është ende në fuqi, sipas prindërve të shqetësuar të studentëve të IHOP-it. Ndjekësit e IHOP-it e mbrojnë lëvizjen duke pohuar që prindërve të tyre u mungon pjekuria frymërore për të kuptuar atë që është duke ndodhur.

Edhe pse IHOP-i vendos një theksim mbi lutjen, “teknika e lutjes” e tyre i afrohet okultit, veçanërisht atyre praktikave që ndjekin metoda soditëse mistike.

Edhe pse ndikimi i IHOP-it ka qenë duke ndikuar shumë të rinj që kanë një sfond pentakostal ose karizmatik, kemi një joshje tjetër “me bazë përvojën” që do të ndikojë një numër të pallogaritshëm besimtarësh të rinj të cilët janë rritur në kisha ungjillore konservatore. Vlerësimi Princeton që ka një prestigj të lartë, në sondazhin e tij të kolegjeve dhe universiteteve të SHBA-së, raportoi se zgjedhja e dytë më e përhapur për karrierë midis studentëve është psikologjia. Është e njëjtë për kolegjet e krishterë, ku kemi një fokus në ndjekjen e diplomave për këshillimin psikologjik. Nëse kjo prirje qëndron, brezi tjetër i të krishterëve ungjillorë do të mbushet me individë të cilët do të kenë rënë në grackën e një pseudo-shkence që është shumë herë më shkatërruese për besimin e tyre se shkenca e rreme e evolucionit. Fakti që psikoterapia nuk është dhe nuk mund të jetë shkencë është dokumentuar mirë nga burime të shumta shekullare dhe në artikujt dhe librat e ofruara nga THEB. Një arsye e thjeshtë që ajo nuk mund të jetë shkencore është për shkak të natyrës së saj subjektive dhe eksperimentale: ajo gjendet qartë jashtë metodologjisë që kërkon shkenca e vërtetë.

Nga një perspektivë biblike, këshillimi psikologjik jo vetëm mohon mjaftueshmërinë e Shkrimit, por konceptet e saj themelore për “veten” dhe dogma e saj kryesore e mirësisë së lindur të njerëzimit janë diametralisht të kundërta me të vërtetën biblike rreth natyrës mëkatare të njeriut. Ky fakt e bën tërheqjen e së ashtuquajturës psikologji e krishterë të gabueshme në rastin më të mirë dhe të një fryme të antikrishtit në rastin më të keq. Veç kësaj, nuk ka asnjë metodë të këshillimit psikologjik që të trajtojë ose të merret me (ose që mund të merret me) çështjen e mëkatit. Megjithëkëtë, kjo nuk i ka ndaluar pothuajse të gjitha universitetet dhe kolegjet e deklaruara të krishtera që të promovojnë programe të psikoterapisë me qëllim për të tërhequr më shumë studentë të krishterë.

Edhe pse shumica e shkollave të krishtera të arsimit të lartë mësojnë një formë të zhvillimit evolucionar, qoftë teiste apo ateiste, ka prapëseprapë një sërë individësh dhe organizatash të shkëlqyera që i kanë informuar të krishterët rreth pseudoshkencës së evolucionit darvinist. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për informimin e krishterimit ungjillor dhe të rinjve të saj në veçanti për pseudoshkencën më tinëzare të psikoterapisë. Të paktë janë ata që po e trajtojnë këtë parodi, ndonëse dy organizata ungjillore me ndikim shumë të madh, Fokus në Familje dhe Shoqata Amerikane e Këshilluesve të Krishterë, i kanë hapur rrugën përpjekjeve të integrimit të Biblës me psikologjinë. Tragjikisht, kjo joshje madhore e brezit të ardhshëm të ungjillorëve është një zhvillim anti-biblik që ka zënë rrënjë dhe po lulëzon në kishën ungjillore.

Një zhvillim tjetër brenda botës së krishterë në SHBA që ka larguar të rinj ungjillorë nga e vërteta biblike është një fenomen që ka lidhje me ndryshimin politik të vendit tonë. Më shumë se tri dekada më parë, krishterimi ungjillor ishte një platformë dhe bazë votimi për Shumicën Morale dhe Të Djathtën e Krishterë. Pavarësisht nga problemet e saj të qenësishme, prapëseprapë ungjillorët shpresonin të ndryshonin shoqërinë përmes kandidatëve të tyre konservatorë politikë. Sot, ka ndodhur një zhvendosje drastike nga e djathta politike tek e majta. Edhe pse jo aq e plotësuar, ky ndryshim është prapëseprapë i dukshëm, veçanërisht midis të rinjve të cilët deklarojnë se janë të krishterë. Shumë u janë bashkuar radhëve të të Krishterëve Progresivë, që njihen edhe si E Majta e Krishterë (CL).

Një tërheqje parësore e së Majtës së Krishterë është theksimi që i bën plotësimit të nevojave të të varfërve dhe ndreqja e gjendjeve që dalin nga padrejtësitë sociale. Edhe pse zelli për të tilla gjëra është i admirueshëm, në praktikë dhe në mësimet e CL-së, largimi nga Shkrimi është mjaft rrënjësor. Ndonëse është e qartë që Bibla i trajton të tilla gjëra, ato nuk duhet të theksohen kurrë mbi shpëtimin e shpirtrave përmes predikimit të ungjillit. Ndryshimi është shumë shpesh një nevojë e përkohshme në kurriz të jetës së përjetshme me Krishtin. Shumica e mësimeve të drejtuesve të CL-së (Jim Wallis, Shane Claiborne, Tony Campolo, ron Sider, midis të tjerëve) janë në mospajtim me Shkrimin pothuaj në çdo kthesë, që prej teologjisë së çlirimit e deri te “prania e Krishtit” brenda të varfërve (për shkak të gjendjes së tyre) e deri te një ungjill social i presupozuar mbi shpëtim-me-vepra. Përsëri, kemi një brez që nuk është themeluar në Fjalën e Perëndisë dhe kjo mungesë e mprehtësisë dalluese biblike e ka bërë të cenueshëm ndaj në dukje veprave të mira dhe një motivimi të nxitur nga emocionet. Akoma më domethënës është se kemi një brez që është duke u mashtruar nga një lëvizje që i ka shtrembëruar Shkrimet për të përmbushur programin e saj të përqendruar te njeriu.

Shembujt më lart janë veçse maja e disa ajsbergëve që kërcënojnë besimin dhe frytëzimin e brezit të ardhshëm. Shpresa jonë është që ju të kuptoni që duhet ta futim në zemër paralajmërimin e Apostullit Gjon: “Ju shkrova këto gjëra për ata që kërkojnë t’ju gënjejnë” (1 Gjonit 2:26). Lutja jonë dhe thirrja drejtuar Zotit është që Thirrja e Bereasve dhe shërbesa, përbashkësi dhe bashkëbesimtarë të tjerë të një mendjeje do të bëjmë, me hirin dhe aftësimin e Perëndisë, gjithçka që mund të bëjmë për të arritur dhe për të ndihmuar me pajimin biblik të të rinjve ungjillorë dhe për t’i inkurajuar të rriten në njohjen e Perëndisë dhe në çdo dallim, ndërsa presim Shpresën tonë të Lume, kthimin e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë. THEB