THEB Mars 2010
Ungjilli i Avatarit
Filmat janë mjeti më popullor i sotëm për ndikimin e kulturave në shkallë mbarëbotërore. Ata kanë qenë të efektshëm në këtë drejtim për pjesën më të madhe të shekullit. Ata janë dhe kanë qenë gjithmonë makina mësimi.
Edhe pse shumica e njerëzve i konsiderojnë ata thjesht si zbavitje apo një mënyrë argëtimi, prapëseprapë ata mësojnë gjithmonë diçka. Ky fakt m’u bë jashtëzakonisht i qartë në ditët e mia para se të bëhesha i krishterë, kur isha në Iran si një skenarist për një xhirim të Hollivudit. Ishte koha pak para përmbysjes së Shahut më 1979. Revolucioni ishte ndezur, në fakt, nga klerikë myslimanë që i kishin urdhëruar ndjekësit e tyre për t’ua vënë flakën kinemave (të mbushura me njerëz). Ishte një protestë kundër mësimeve dhe ndikimit të kulturës perëndimore që gjendeshin në filma, veçanërisht shfaqjes së imoralitetit dhe sjelljes së degjeneruar. Me reagime dhe pasoja më pak ekstreme, asnjë vend nuk duket se nuk preket nga ndikimi i filmave, pavarësisht se ku udhëton dikush këto ditë.
Kjo është me siguri e vërtetë për një nga filmat më të shtrenjtë deri më sot, për prodhimin prej çerek miliard dollarësh të Avatarit, që tashmë ka nxjerrë 2 miliard dollarë. Asnjë film deri më sot nuk krahasohet me vlerën e tij tërheqëse të xhirimit në krijimin e një bote fantastike me karaktere të krijuara me kompjuter, që bashkëveprojnë dhe përshtaten vaj me aktorë fizikë dhe me botën që njohim. Besueshmëria është cilësia «e skajshme» e çdo filmi të çdo lloji dhe Avatari i bën të gjithë t’i besojnë, veç kritikëve të filmave – pak prej të cilëve do të ankoheshin se ky prodhim i jashtëzakonshëm nuk u ka dhënë vlerën e parave të paguara.
Objektivi im për shkrimin e këtij artikulli nuk është që të ankohem për xhirimin e filmit (Unë pagova çmimin e pasdites, e qytetarit të moshuar, kështu që vështirë se jam mashtruar), por më tepër të jap pikëpamjen time për teologjinë e përçuar në filmin Avatar. Neve te THEB na janë bërë pyetje nga prindër të shqetësuar që nuk janë të sigurt nëse do të jetë e përshtatshme për adoleshentët e tyre për ta parë dhe duan të dinë se si ta diskutojnë me ta përmbajtjen e filmit. Teologjia e Avatarit është shqetësimi im parësor.
Së pari, nuk duhet të jetë e çuditshme që besimet e shumicës së njerëzve nuk merren nga mësimet e takimit të fëmijëve apo ato të kishës, por më tepër ide fetare që ata mbledhin nga një larmi e gjerë burimesh ndërsa ecin në këtë jetë.
Para se të lindja përsëri dhe të bëhesha një i krishterë biblik, për shembull, kisha marrë një pjesë të madhe me udhëzime fetare, duke u rritur katolik, të cilave u shtova lloj-lloj idesh frymërore të kundërta, nga rimishërimi te mohimi i ferrit e deri te shpëtimi universal i të gjithëve. Kam patur biseda me ata që pohojnë se e pranojnë Biblën si burimin e tyre të vetëm të besimit dhe të praktikës, megjithatë pranojnë edhe ide që kanë mbledhur nga Oprah Uinfri (Oprah Winfrey) apo nga ndonjë prej të ftuarve të saj nga kulti Epoka e Re (New Age). Njerëzimi, në përgjithësi, duket se është një magnet për të gjitha llojet e besimeve për Perëndinë dhe kjo duhet të përfshijë jo vetëm fetarët, por edhe agnostikët dhe ateistët po ashtu.
Filmat mësojnë shpesh teologji. Disa i kanë ndikuar tepër dy brezat tanë të kaluar në lidhje me karakterin dhe cilësitë e Perëndisë dhe ndoshta asnjë nuk e ka bërë këtë më shumë se seria e filmave Luftërat e Yjeve, që filloi vonë më vitet 1970. Kjo seri e promovoi hyjninë supreme si një «Forcë» energjie jopersonale, amorale, që mund të merrej dhe të përdorej për qëllimin e dikujt përmes teknikave mendore. «Forca qoftë me ty» u interpretua madje edhe nga disa të krishterë të sinqertë (por sinqerisht të gabuar) si Jezusi duke qenë «Forca» e vërtetë. Një promovim i tillë i atribuon Jezusit karakteristika që e shtrembërojnë dhe e poshtërojnë karakterin e Tij sikurse na paraqitet në Shkrimin e Shenjtë – duke rezultuar në një «tjetër Jezus». Luftërat e Yjeve ambalazhoi besime dhe praktika të hinduizmit në një sagë fantashkencë të teknologjisë së lartë. Obi Uan ishte një magjistar; Joda ishte një praktikuese e jogës nga pamja dhe praktika dhe kjo seri filmash jashtëzakonisht e suksesshme e shtyu misticizmin lindor në mendjet e të rinjve perëndimorë. Avatari bën të njëjtën gjë për shamanizmin.
Shamanizmi është feja e natyrës dhe e frymërave dhe është më e përhapura nga të gjitha fetë në botë. Ai gjendet midis çdo grupi indigjen kudo në tokë dhe besimet e teknikat e tij janë të njëjta kudo që gjendet. Kjo për shkak të faktit se shamanizmi është një praktikë që vjen nga fusha e frymërave, ku vetë frymërat nuk janë të kufizuara nga vendndodhjet gjeografike të largëta. Termi shaman vjen nga populli Tungus i Siberisë dhe parapëlqehet nga antropologët mbi «magjistar i fisit», «mjek popullor magjistar», «shtrigan», «magjistar» etj. Sipas autoritetit të shquar, Majkëll Harner, një antropolog dhe shaman, «një shaman hyn në një gjendje të ndryshuar të ndërgjegjes me vullnet për të marrë njohuri, fuqi dhe për të ndihmuar njerëz të tjerë. Shamani ka të paktën një, dhe zakonisht më shumë, “frymëra” në shërbimin e tij personal. Për të kryer punën e tij, shamani mbështetet mbi fuqi të veçanta, personale që sigurohen zakonisht nga frymërat e tij mbrojtëse dhe ndihmëse».
Avatari është një platformë madhështore për të predikuar shamanizmin. Subjekti nuk është as unik, as i ndërlikuar. Një planet hënor i largët i quajtur Pandora është kolonizuar nga një korporatë që është duke gërmuar për një metal që ka një vlerë të madhe për tokën, që ka qenë duke u shkatërruar nga shpërdorimi i burimeve të veta natyrore. Megjithëkëtë, ndërmarrja është penguar nga një fis humanoidësh indigjenë të quajtur Na’vi, fshati dhe toka e të cilëve mbulojnë pjesën qendrore të metalit të çmuar. Përpjekjet diplomatike për ta bindur fisin Na’vi që të shpërngulen gjetkë kanë përfunduar me dështime, kryesisht për shkak të fesë së shamanizmit që ka fisi Na’vi. Ata adhurojnë Eivan, një perëndeshë të ngjashme me atë që grekët e quajtën Gaia ose Nëna Tokë. Eiva del se është një forcë hyjnore, jopersonale që është përgjegjëse për ruajtjen e ekuilibrit të të gjithë jetës. Çdo gjë në Pandora lidhet me Eivan, në mënyrë mistike dhe biologjike. Aspekti biologjik thekson natyrën kritike të ruajtjes së sistemit fizik dhe ekologjik të planetit për mbijetesë të ardhshme. Për të demonstruar lidhjen e të gjitha formave të jetës, frymërat e kafshëve që vriten për ushqim ose për vetëmbrojtje trajtohen nga fisi Na’vi qoftë me falënderim ose duke kërkuar falje.
Asgjë e këtij lloji nuk gjendet midis njerëzve. Sipërmarrja e punimeve minerale mbrohet nga ushtarë mercenarë të cilët po pajisen për ta larguar fisin Na’vi nëse ata refuzojnë përfundimisht për ta liruar tokën e tyre.
Heroi i filmit është një ish-detar paraplegjik (Jake Sully), i cili i mëson zakonet e fisit Na’vi duke përdorur një trup hibrid Na’vi-njeri, një krijim i një bio-teknologjie jashtëzakonisht të përparuar. Ai quhet një avatar. Xhejku, në trupin e tij avatar, pranohet nga fisi Na’vi për shkak të disa shenjave fillestare se ai është i miratuar për një qëllim nga Eiva dhe nga frymërat.
Regjisori dhe autori Xhejms Kameruni (James Cameron) e bën mjaft të qartë prirjen e tij teologjike (dhe ekologjike) në pothuaj çdo imazh të filmit. Titulli i filmit dhe imazhi i një Na’vi janë marrë nga perëndia hinduiste Krishna, një avatar i rimishëruar me lëkurë blu i perëndisë Vishnu. Hinduizmi mëson se gjatë gjithë historisë shfaqen avatarë [mishërim i hyjnisë] në forma njerëzore dhe/ose të kafshëve për të restauruar balancën e së mirës dhe së keqes. Theksimi nëpër pemë i filmit është krejt në përputhje me shamanizmin. Pema-shtëpi e stërmadhe që strehonte klanin Na’vi dhe që shkatërrohet nga sulmi i njerëzve është përfaqësuese e Eivas duke siguruar për klanin Na’vi përmes «Nënës» natyrë. Pema e Shpirtrave lumineshente, që siguron komunikim të drejtpërdrejtë me Eivan, është gjithashtu një qendër fuqie që mund t’i transferojë shpirtrat në trupa të tjerë. Në shamanizmin tradicional, pema është një medium universal komunikimi për ato kultura që të lidhen me shamanë të vdekur, me stërgjyshër dhe me vetë frymërat.
Kameruni i ka shtuar shamanizmit anas shtrembërimin e tij duke bërë që fisi Na’vi të komunikojë me Eivan, frymërat dhe kafshët përmes fibrave optike në bishtalecat e endur. [Humanoidët] Na’vi i futin fijet në vende të ngjashme që gjenden te kafshët dhe bimët. Edhe pse në kundërshtim me praktikën aktuale të shamanizmit, kjo pasqyron domosdoshmërinë e «përjetimit» të një perëndie që nuk mund të «njihet» përmes arsyes, intelektit apo shkencës. Kjo edhe zgjidh një problem për regjisorin Kamerun. Në atë që ishte pa dyshim një vendim që kishte të bënte me shitjen e biletave, ai e shmang metodën që përdoret zakonisht nga shamanët për të kontaktuar frymërat, që është thithja ose pirja e drogave halucinogjene. Nëse ata të fisit Na’vi «do të merrnin drogë», atëherë kjo do ta kishte hequr Avatarin nga klasifikimi PG-13, duke eliminuar çdo grup-moshë që priret ta shikojë një film të tillë shumë, shumë herë, përveç që është edhe një konsumator kryesor i mallrave që kanë lidhje me Avatarin.
Në shamanizmin e vërtetë, nuk ka asnjë «lidhje» fizike apo lidhje biologjike të drejtpërdrejtë me frymërat. Frymërat janë qenie jofizike. Përveç drogave që merren për të shkaktuar një gjendje të ndryshuar të ndërgjegjes, lidhja me frymërat është një proces mendor. Mirëpo devijimi i Kamerunit nga shamanizmi i vërtetë të çon përfundimisht drejt besimit tek Eiva. Dr. Grejs Agustine (Grace Augustine), femra shkencëtare në film, shpall se çdo i ashtuquajtur fenomen frymëror që ajo ka vëzhguar në Pandora mund të shpjegohet biologjikisht. Mirëpo, në fund, Dr. Grejs pëson një shndërrim. Ndërsa dergjet duke vdekur nën Pemën e Shpirtrave, fjalët e saj të fundit janë ato të një materialisti që e lejon «përvojën» e saj për të shkelur «shkencën» e saj teksa shpall besimin e saj në perëndeshën pananteiste të fisit Na’vi: «Eiva – unë e shoh atë. Ajo është reale!». Greis u bë çfarë C. S. Ljuis e ka përshkruar si vepra ideale e Satanit – një «magjistar materialist». Ajo iu nënshtrua një perëndie «Forcë» pa pranuar realitetin e frymërave personale mbrapa një qenie të tillë, d.m.th., demonë. Xhejku, nga ana tjetër, edhe pse fillimisht e pati neveri atë që e quajti «përqafim me pemët» nga ana e fisit Na’vi, ia beson plotësisht veten mënyrës së tyre «natyrale» të jetesës dhe nënës së tyre perëndeshë Eiva.
Mbasi lexova me dhjetëra e dhjetëra komente nga të rinj të dashuruar me teologjinë e Avatarit, është e qartë se ungjilli i tij i rremë po gjen tokë pjellore në mbarë botën ndërsa i paraqet dhe i tërheq milionat e amatorëve të kinemasë drejt shamanizmit.
Xhejms Kameruni ka paraqitur atë që Bibla e quan «doktrinë të demonëve», që përhapet nga Satani, ati i gënjeshtrave, dhe që mësohet drejtpërdrejt nga demonët. Besimet pagane të Kamerunit janë diametralisht të kundërta me atë që mëson Bibla. Veç kësaj, pikëpamja e tij idealiste e pastërtisë së natyrës e një fisi indigjen si Na’vi është propagandë e pastër (shih intervistën time me një ish-shaman Yanamamo në THEB 11/03). Besimi se natyralizmi prodhon një jetë harmonie, frytëzimi dhe paqeje është një gënjeshtër që mësohet nga shumë antropologë dhe që, njëkohësisht, kundërshtohet nga përvoja e çdo shoqërie shamanike kudo ku mund të gjenden. Si mund të jem kaq i sigurt? Çdo grup indigjen përbëhet nga njerëz, të cilët, si të gjithë njerëzit kudo, janë mëkatarë. Kjo e keqe e lindur, për më tepër, përzihet nga frymëra gënjeshtare që kanë si qëllim t’i mashtrojnë dhe shkatërrojnë njerëzit që e vendosin veten nën skllavërinë e tyre. Asnjë antropolog nuk ka prodhuar deri më sot një fis që të jetë një përjashtim nga kjo gjendje shkatërruese.
Dhe Fryma e thotë shkoqur se në kohët e fundit disa do ta mohojnë besimin, duke u vënë veshin frymëve gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve. 1 Timoteut 4:1
Kameruni ka të drejtën e vet të predikojë ungjillin shamanik të Avatarit. Të krishterët, nga ana tjetër, duhet të informohen se me çfarë po ushqehen bashkë me kokoshkat tepër të shtrenjta. Është një mungesë e përgjithshme e mprehtësisë dalluese midis tyre që është shpesh acaruese dhe frymërisht tradhtare për brezin e ardhshëm të besimtarëve. Pjesa acaruese ka të bëjë me ato raste kur besimtarë deklarues përpiqen ta lexojnë krishterimin nëpër filmat e famshëm që janë krejtësisht kundër Krishtit. Kjo ndodhi me Luftërat e Yjeve, me serinë Heri Poter (Harry Potter) dhe shumë të tjerë për t’u shkruar. Është një rezultat i pashmangshëm se do të shohim të njëjtën gjë për Avatarin. [Revista] «Krishterimi Sot», për shembull, shpesh i hap rrugën mashtrimeve më të famshme në botë duke i vajosur si të krishtera. Në blogun që ajo mbështet dhe që u drejtohet grave dhe titullohet Her●meneutics (në mënyrë ironike një lojë me fjalën që nxit interpretimin e saktë të Biblës), një studente femër nga «Seminari Princeton» shkruan kryeartikullin, duke sugjeruar se karakteri i Grejsit (i përmendur më lart) mund të ketë qenë «karakteri i krishterë i Avatarit» dhe më pas shton një kufizim, «Epo, e krishterkë (ang. Christian-ish), sidoqoftë».
E krishterkë?! Xhejms Kameruni do të tmerrohej nga ky sugjerim; unë jam i zemëruar. E vetmja përfshirje e diçkaje «të krishterë» në tërë filmin është emri i një vargmali pluskues («Aleluja») dhe përmendja e emrit të Zotit, që është përdorur si një fjalë mallkimi. Kjo është edhe një paradoks për një tregim të vendosur mbi një mijë vjet në të ardhmen, siç duket shumë larg misionarëve me përmbajtje fetare që supozohet se «dëmtonin pastërtinë» e mizorëve fisnikë. Ndonëse është e qartë se krishterimi është zhdukur në mjedisin e ardhshëm të filmit, në mënyrë ironike Perëndia i tij [krishterimit] vazhdon të jetë në psikikën dhe në buzët gojëndyrë të karaktereve në film.
«Krishterimi Sot», «Lëvizja e Kishës Emergjente», plani global P.E.A.C.E. i Rik Uorenit dhe ata midis disa misioneve dhe organizatave parakishtare (d.m.th., ata që ndjekin drejtimin dhe mësimet e C. Peter Wagner) kanë një dobësi për t’u përpjekur të gjejnë grimca të varrosura të Krishtit në një kulturë ose ta përshtatin krishterimin me kulturën dhe anasjelltas. Shumë janë pranë shenjtërimit dhe shpengimit të paganizmit në një shoqëri, ose të paktën të përpiqen të harmonizohen dhe të punojnë me të gjitha fetë. Kjo është e gjitha tagji për sinkretizmin dhe ekumenizmin. Ata janë duke kontribuar për fenë e Antikrishtit. A. W. Tozeri e qortoi një përpjekje të tillë duke treguar se Moisiu nuk hyri në një panel diskutimi me izraelitët për të gjetur ndonjë meritë frymërore për viçin e artë, as Elia nuk pati shkëmbime të mendimeve ndërtuese me profetët e Baalit dhe as Jezusi nuk kërkoi një takim që të binte në një mendje me farisenjtë. Veç kësaj, promovimi i një «përqafimi grupi» midis feve kontradiktore me qëllimin për të zgjidhur problemet e botës është një mashtrim i madh në rastin më të mirë. Isaia, duke folur për Perëndinë Jehova, e bën absolutisht të qartë pikëpamjen e Tij: «Përmbahuni ligjit dhe dëshmisë! Në rast se një popull nuk flet në këtë mënyrë, kjo do të thotë se ai nuk ka dritë» (Isa. 8:20).
Gjithashtu paralajmërimet në Fjalën e Perëndisë janë të qarta se po ndodh një luftë e madhe frymërore kudo përreth nesh, që ne jemi në ditët e apostazisë së shfrenuar brenda kishës dhe që po përballemi në botë me një anti-krishterim në rritje. Atëherë, çfarë duhet të bëjë një besimtar? Ne duhet të ndjekim me zell programin mbrojtës dhe parandalues të Zotit, thelbi i të cilit gjendet në Psalmi 1: «Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit, por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e ZOTIT, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij. Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi». Por, sigurisht, ka më shumë: lutja dhe përbashkësia, për shembull. Ne duhet t’i vëmë në lëvizje qerret herë pas here – për mbrojtje frymërore, për këshilla, inkurajim dhe t’i shërbejmë njëri-tjetrit. Nëse këto gjëra bëhen praktika jonë e disiplinuar e jetës, edhe pse apostazia e than mjedisin frymëror përreth nesh, ne dhe familjet tona do të jemi gjithsesi të frytshëm në Zotin. THEB