Vdekja e një pape

Maj 2005
[no_toc]

THEB Maj 2005

Vdekja e një pape

Maj 2005

Derdhja mbarëbotërore e pikëllimit e kohëve të fundit rreth vdekjes së Papa Gjon Palit II ishte e paparë. Vajtuesit radhiteshin nga përkrahësit e tij më të përulur e deri tek udhëheqësit më të fuqishëm politikë dhe fetarë të ditëve tona, përfshirë këtu Presidentin e Francës Zhak Shirak dhe Kryeministrin anglez Toni Bler. Zhvarcenegeri, Guvernatori i Kalifornisë, e quajti Papën “një fener të virtytit, të forcës dhe të mirësisë”. Ish-presidenti Klinton e quajti atë “një njeri të Perëndisë”, ndërsa ish-presidenti Bush tha se “besnikëria e tij ndaj së drejtës për të zgjedhur dhe lirisë … i dha njerëzve një spirancë të vërtetë”.

Presidenti i Rusisë Putin e nderoi Gjon Palin për “trashëgiminë shpirtërore dhe politike”. Presidenti Bush e quajti atë “një nga udhëheqësit e mëdhenj moralë të historisë”. Billi Grahëm e quajti atë “ndoshta zëri me ndikim më të madh për moralin dhe paqen në botë gjatë 100 vjetëve të fundit”. Sidoqoftë Papa e quajti Arafatin “shkëlqesia juaj”, kur, në fakt, ai është një nga terroristët më të këqij dhe një nga vrasësit në masë të kohëve moderne, e megjithatë [Papa] asnjëherë nuk e qortoi atë për masakrat e tij të qindra e mijëra njerëzve të pafajshëm rreth botës. Dhe as nuk u pasqyrua “udhëheqja morale” e Papës në jetën e shumë admiruesve të tij. Kronika e Hjustonit shkruajti që “italianët, të cilët qëndruan në rresht me orë të tëra për t’i dhënë lamtumirën Atit të tyre të Shenjtë, kanë penguar shtatzaninë duke pasur kështu përqindjen më të ulët të lindjeve në botë”. Gjatë vizitës së tij në Kaliforni në shtator të vitit 1987 shenja e famshme në faqe të kodrës Hollivud [Hollywood] u ndryshua në “Holywood” [d.m.th. “dru i shenjtë”] kur, në fakt, Hollivudi nuk ka treguar kurrë ndonjë shenjë trishtimi dhe mund të jetë çdo gjë tjetër, por jo i shenjtë.

Në qershor të vitit 2004 Xhorxh W. Bush shkoi në Vatikan për ta kujtuar Gjon Palin II që vlerat e tyre morale ishin të njëjta dhe për të siguruar mbështjetjen e 65 milionë katolikëve në Amerikë në zgjedhjet e ardhshme. Presidenti i Koresë së Jugut Roh Moo-Hyun e quajti Papën “një apostull të paqes”. Kryeministri i Zelandës së Re Helena Klark urdhëroi ngritjen e flamujve në gjysmë shtizë për “një nga figurat vërtet me ndikim të madh të shekullit të 20-të”.

Lëvdata të tilla të gjithanshme ngritën pyetje serioze mbi pretendimin e Papës se është “Vikari [Zëvendësi] i Krishtit”. Mbi të gjitha, Krishti ishte dhe ende është “i përçmuar dhe i hedhur poshtë” (Isa. 53:3). Ai u tha dishepujve të Tij se nëse ata do të ishin besnikë ndaj Tij, edhe ata do të merrnin të njëjtin trajtim nga bota: “Nëse bota ju urren, ta dini se më ka urryer mua … shërbëtori nuk është më i madh se i zoti. Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju …” (Gjoni 15:18-20).

Gjon Pali II ia tejkaloi shumicës së politikanëve duke marrë anën e të gjithëve. Gjatë vizitës së tij të vitit 1987 në Los Anxhelos ai i tha rabinit Harvi Fillds nga Tempulli i Bulevardit të Uilshairit dhe ish-rabinit Alfred Uolf se ne të gjithë i shërbejmë “të njëjtit Perëndi … pavarësisht se çfarë feje [kemi]”. Por, nga ana tjetër, në Amerikën Latine në shtator të vitit 1996, ai i paralajmëroi katolikët kundër protestantëve dhe iu bëri thirrje atyre që kishin braktisur kishën të ktheheshin. Në emër të “ekumenizmit” [“unitetit të kishës”], ai shpalli se uniteti i plotë nuk mund të arrihej derisa të gjitha fetë t’i jenë nënshtruar Romës!

Në vitin 2000 Papa u takua me Presidentin e Izraelit, vizitoi Murin e Vajtimit, ku ai vendosi një lutje, dhe i siguroi izraelitët se “Kisha katolike … është thellësisht e trishtuar nga urrejtja, nga keqtrajtimet dhe veprimet e antisemitizmit … nga të krishterët …”. Sidoqoftë ai vetëm sa u shfajësua për çfarë “të krishterët” kanë bërë dhe nuk e pranoi kurrë të vërtetën: që ishte vetë Kisha [katolike] dhe papët e saj që i kishin detyruar katolikët për të përndjekur judenjtë.

Eli Vizel, një i mbetur gjallë nga holokausti, i tha [televizionit] CNN se Gjon Pali II “do të ketë një vend shumë të rëndësishëm në historinë e Izraelit…”. Kryeministri izraelit Ariel Sharon (dhe udhëheqës hebrenj në mbarë botën) e quajtën Papën “një njeri të paqes dhe mik të Izraelit …”. Madje edhe kryeredaktori i Raportit Botëror të Lajmeve të Sh.B.A.-së, Mortimer B. Cukerman, që zakonisht është shumë i mprehtë, e lavdëroi Papën për “njohjen e shtetit të Izraelit”, duke mos pasur parasysh faktin që ai kishte qenë papë për 16 vjet përpara se ai ta pranonte këtë në vitin 1994, pra, 46 vjet mbas rilindjes së Izraelit si një komb – dhe pikërisht mbasi i dha OÇP-së [Organizatës për Çlirimin e Palestinës] një zyrë të qëndrueshme në Vatikan.

Edhe udhëheqësit myslimanë e lëvduan Papën. Imami Yahya Hendi, kapelan mysliman në Universitetin e Xhorxhtaunit, tha se islami (që, në fakt, kërkon asgjësimin e Izraelit) kishte humbur një mik të madh. Vazhdimisht (siç ishte rasti i deklaratës së tij të shkruar në Jubileun e Vitit 2000 etj.), Gjon Pali II nuk e ka pranuar sovranitetin e Izraelit mbi Jerusalemin. Më shumë se dhjetë herë (në Vatikan dhe në pallatin papnor në kështjellën Gandolfo) ai e ka pritur ngrohtësisht Arafatin, armikun më të egër të Izraelit, e ka vizituar Arafatin në pallatin e tij në Ramallah dhe e ka përkrahur atë dhe OÇP-në kundër Izraelit.

Sigurisht që të lavdërosh të vdekurin dhe të mos vësh re të metat është e zakonshme nëpër funerale, por edhe udhëheqësit ungjillorë u bashkuan me refrenin “gjithë lëvdimi për Papën”. Ata pak që treguan të vërtetën u dënuan nga të tjerët. Për shkak se iu përgjigj pyetjes së një dëgjuesi përsa i përket faktit nëse Papa ishte apo jo në qiell, prezantuesi i një cikli radiofonik Marti Minto ishte pushuar nga puna në stacionin e radios FJALA të Pitsburgut, një anëtare e Transmetimeve Salem (shiko Rrini zgjuar). E megjithatë, e vërteta është se vetë Papa nuk e dinte nëse do të shkonte në qiell dhe nuk mund t’u jepte asnjë siguri të tjerëve – një fakt ky shumë tronditës për kreun e kishës më të madhe në botë, i cili pretendoi të ishte vikari i Krishtit mbi tokë!

Gjon Kardinal O’Konori shpalli: “Mësimi i kishës është se unë nuk e di … cila do të jetë e ardhmja ime. Unë mund të shpresoj, të lutem, të bëj më të mirën time, për përsëri nuk e di. Papa Gjon Pali II nuk e di plotësisht nëse ai do të shkojë në qiell, dhe as Nënë Tereza e Kalkutës …”. Kardinali Gjon Krol, udhëheqësi shpirtëror i më shumë se një milion katolikëve të Filadelfias, pranoi se shqetësimi i tij vetjak më i madh ishte mbi “të shkuarit në qiell”. Kardinali Rajcinger (tani Papa Benedikti XVI), i cili kryesoi Kongregacionin për Doktrinën e Besimit, rojtar i bindjeve të pranuara të katolicizmit (komiteti i kardinalëve ose inkuizicioni) dhe pasues i Gjon Palit II, shpreh të njëjtën pasiguri mbi shpëtimin – siç edhe është i detyruar ta besojë.

Ashtu si Papa, kisha që ai drejtoi hedh poshtë me vendosmëri premtimin e Krishtit për “jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16) për të gjithë ata që besojnë në Të, që ata kanë “kaluar nga vdekja në jetë” (Gjoni 5:24) dhe që “nuk do të humbasin kurrë” (Gjoni 10:28). Priftëria e saj ofron mesha dhe lutje të panumërta te Maria dhe shenjtorët e preferuar (me mijëra mund të thuhen për papën e vdekur), përkrah pelegrinazhet nëpër vende të shenjta dhe ngre mënyra të tjera për të fituar po ato favore që të shkurtojë vuajtjet në purgator, një fakt ky që e shqetësoi Martin Luterin dhe nxiti Reformimin.

Në një libër tepër të vlerësuar nga 250 udhëheqës ungjillorë Papa shkroi: “Pagëzimi dhe mesha … krijojnë në njeriun farën e jetës së përjetshme”. Duke mos pranuar mjaftueshmërinë e sakrificës së Krishtit dhe thirrjen e Tij ngadhënjimtare: “U krye!” (Gjoni 19:30), aktet e Vatikanit II fillojnë kështu: “Eshtë nëpërmjet liturgjisë, sidomos në sakrificën hyjnore të meshës ‘që vepra e shpengimit tonë është [ende duke u] përfunduar’”. Roma mallkon cilindo që guxon të rrëfejë sigurinë e plotë të një shpëtimi të përfunduar, të cilën Bibla e premton vazhdimisht (1 Gjonit 5:13).

Përpara vdekjes së tij “teleevangjelisti” kryesor i katolicizmit, Kryepeshkopi Fulton J. Shin (të cilin Gjon Pali II e quajti “një bir besnik të kishës” dhe të cilin Billi Grahëm e lëvdoi si “komunikatorin më të madh” të shekullit të fundit), shpresonte se “Virgjëresha” [Mari] do t’i uronte atij mirëseardhjen në qiell për shkak të më shumë se 40 pelegrinazheve të tij nëpër vendet e saj të shenjta në Lourdes dhe Fatima. Papa Gjon Pali II ishte gjithashtu i përkushtuar tërësisht ndaj Marisë, sidomos “Shënmërisë [sonë] të Fatimës”, shfaqjet e së cilës kanë shpallur se “Të gjitha fetë janë të njëjta … shumë shpirtra humbasin sepse nuk kanë askënd që të bëjë sakrificë për ta”, një mohim ky i qartë i mjaftueshmërisë së sakrificës së Krishtit për mëkatet tona. Letra e tij apostolike e 16 tetorit të vitit 2002, mbyllet me këto fjalë:

E besoj këtë letër apostolike në duart e përzemërta të Virgjëreshës Mari, duke u gjunjëzuar në frymë para imazhit të saj në faltoren madhështore të ndërtuar për të nga lumturia e tij Bartolo Longo, apostulli i Rozarit. Vullnetarisht i bëj të miat fjalët prekëse me të cilat ai përfundoi lutjen e tij të mirënjohur drejtuar Mbretëreshës së Rozarit të Shenjtë: “O Rozar i Bekuar i Marisë, zinxhir i ëmbël që na bashkon me Perëndinë … kullë e shpëtimit kundër goditjeve të Ferrit, port i sigurt në lundërthyerjen tonë të gjithanshme, ne kurrë nuk do t’ju braktisim juve. Ju do të jeni ngushëllimi ynë në orën e vdekjes: jotja është puthja jonë e fundit ndërsa jeta largohet. Dhe fjala e fundit nga buzët tona do të jetë emri yt i ëmbël, o Mbretëreshë e Rozarit të Pompeit, o Nënë shumë e dashur, o Strehë e Mëkatarëve, o Ngushëlluese Sovrane e të Pikëlluarve …

Duke u çuar me ngut në spital, pasi kishte marrë dy plumba gjatë një përpjekjeje për ta vrarë në 13 maj të vitit 1981, Papa rënkonte në polonisht: “Madona, Madona …!”. Ai shpesh përsëriti fjalët: “Fitore … do të ketë … nëpërmjet Marisë”. Ai ia atribuoi “Zonjës sonë të Fatimës” shpëtimin e jetës së tij në atë rast në Romë dhe nga një prift spanjoll që i drejtoi bajonetën në vitin 1982 ndërsa po vizitonte Fatimën, në Portugali, për ta falënderuar atë për çlirimin nga vdekja. Por “Maria” e tij e preferuar ishte “Virgjëresha e Zezë” e Jasna Gorës në Poloni – kur ishte vetë Billi Grahëm ai që i mirëpriti pelegrinët mbas predikimit që bëri në katedralen e Vojtilës ndërsa Vojtila ishte caktuar papë në Romë. Në një shtesë bërë në shkurt të vitit 1980 në Testamentin dhe Dëshirën e tij të Fundit në 6 mars, 1979, Gjon Pali II ia besoi “atë çast vendimtar [të vdekjes] Nënës së Krishtit dhe të Kishës [dhe] të shpresës sime …. Në jetë dhe në vdekje, totus tuus nëpërmjet së Pamëkatshmes”. E qëndisur brenda gjithë mantelit të tij ishte shprehja Totus tuus sum Maria, “Mari, jam i gjithi i yti”.

Rozaria, për të cilën ai u bëri thirrje katolikëve që të luteshin vazhdimisht si mënyra për [të pasur] paqe botërore, ofron një ungjill të rremë shpëtimi nëpërmjet Marisë. Një “shfaqje” në Fatima që mëtonte të ishte “Zonja jonë e Rozarit” shpalli: “Thuaj Rozarin çdo ditë, … lutu shumë dhe ofro sakrifica për mëkatarët [sakrifica e Krishtit nuk ishte e mjaftueshme] …. Vetëm unë do të jem në gjendje të të ndihmoj ty …. Në fund, Zemra ime e Pamëkat do të triumfojë”. Rozari përfundon kështu:

LAVDI, MBRETERESHE E SHENJTE, Nënë e Mëshirës, jeta jonë, ëmbëlsia dhe shpresa jonë! Ty të thërrasim, ne fëmijët e shkretë e të syrgjynosur të Evës; ty ta dërgojmë psherëtimën, vajtimin dhe qarjen tonë në këtë luginë lotësh. Kthe, pra, drejt nesh sytë e tu të mëshirës, o mbrojtëse zemërbardhë, dhe mbas këtij mërgimit tonë, na trego frytin e bekuar të barkut tënd, Jezusin. O e mëshirshmja, o e përzemërta, o e ëmbla Virgjëresha Mari!

Megjithatë, është e qartë që Maria nuk mbeti virgjëreshë mbas lindjes së Jezusit, “djalit të saj të parëlindur” (Mat. 1:25), por kishte bij dhe bija me burrin e saj, Jozefin (Mat. 12:46, 47; 13:55, 56; Mar. 3:31; Luka 8:19, 20; Gjoni 2:12; Veprat e Apostujve 1:14) – dhe që ajo nuk ishte një kanal i veçantë bekimi nga Ai për të tjerët (Mat. 12:46-50; Mar. 3:33-35; Luka 8:19-21; 11:27,28). Nuk ekziston asnjë fakt biblik për askënd që t’i jetë lutur ndonjëherë Marisë apo për ndërmjetësimin e saj te Krishti për shpëtimin e ndonjërit.

Midis “15 Premtimeve [të famshme] të Marisë” të katolicizmit romak, kemi: “Shpirti që lihet në kujdesin tim me anë të recitimit të Rozarit, nuk do të humbasë …. Unë do të çliroj nga purgatori ata që do t’i jenë përkushtuar Rozarit. Ata që janë besnikë për të recituar Rozarin do të … marrin pjesë në meritat e Shenjtorëve në Parajsë … në çastin e vdekjes”. Për të ardhur vërtet keq, por qindra miliona katolikë romakë kanë qenë duke u larguar nga besimi vetëm në Krishtin për shpëtim për t’i besuar Marisë dhe Rozarit, ashtu si bëri edhe Papa Gjon Pali II! Ata nuk do ta marrin shpëtimin nga Krishti për aq kohë sa do të vazhdojnë t’i besojnë Marisë apo ndonjë “shenjtori” tjetër për shpëtim.

Te “Lutja e Atit të Shenjtë për Vitin e Marisë” Gjon Pali II i kërkoi Marisë të bëjë atë që vetëm Perëndia mund ta bëjë: të ngushëllojë, të drejtojë, të forcojë dhe të mbrojë “gjithë njerëzimin …”. Lutja e tij u mbyll [me fjalët]: “Na mbështet, o Virgjëresha Mari, në udhëtimin tonë të besimit dhe siguro për ne hirin e shpëtimit të përjetshëm”. Besimi në Shpëtimtarin e vetëm, Zotin Jezus Krisht, nuk pranohet dhe mungon dukshëm në një lutje të tillë!

Gjon Pali II iu referua shpesh “shpëtimit të shpirtrave përmes Marisë së Pamëkatshme”. Duke u bërë thirrje të gjithë të krishterëve për ta pranuar Marinë si nënën e tyre, Papa deklaroi se fjalët e Krishtit mbi kryq drejtuar Gjonit: “Ja nëna jote!” (Gjoni 19:27), zbuluan “kuptimin e vërtetë të adhurimit të Marisë …”. Duke pohuar se “Maria është shtegu që të çon te Krishti”, Papa u bëri thirrje të gjithë krishterëve “t’i jepnin vend [Marisë] në jetët e tyre të përditshme, të pranonin rolin e saj providencial në shtegun e shpëtimit”. Ai e mbajti gjithmonë shpatullorin (një praktikë që filloi kur “Zonja jonë e malit Karmel” iu shfaq shenjt Simon Stokut në vitin 1251 m.K. dhe ishte konfirmuar nga papët pasues si Papa Gjoni XXII në vitin 1322), duke e vendosur besimin në premtimin e shkruar mbi të që “kushdo që vdes duke e mbajtur këtë Shpatullore nuk do të vuajë zjarrin e përjetshëm”. Eshtë arsyetim i pakundërshtueshëm që kushdo, i cili me besim të qartë e ka besuar Krishtin për shpëtimin që Ai siguron, do ta konsiderojë jo vetëm të panevojshme, por një neveri të mbajë një copë të tillë lecke.

Duke pasur parasysh këto fakte të mirënjohura, lavdërimi i grumbulluar për Papën në vdekjen e tij nga udhëheqës ungjillorë është i pakuptueshëm! Eshtë për t’u habitur, por Billi Grahëm e lëvdoi Gjon Palin II për “besimin e tij të fortë katolik”. Një numër gjithnjë e në rritje ungjillorësh janë duke u bashkuar me Kolsonin, Pekërin, Billi Grahëmin dhe të tjerë duke i pranuar të krishterë si ne katolikët romakë, të cilët kanë përqafuar këtë ungjill të rremë. Mark Ostriqëri, president i Specialiteteve për të Rinjtë, e quajti vdekjen e Papës “një pikë kyçe në histori ku neve na jepet mundësia për t’i përqafuar [katolikët si] fëmijë të Perëndisë bashkë me ne”. Kjo i ngjan dështimit për të mos ngritur sinjale me drita dhe shenja paralajmërimi për automobilistët që udhëtojnë gjatë një autostrade në të cilën ka ndodhur një shembje e asfaltit dhe t’ua bësh atyre me dorë ndërsa ata shkojnë drejt vdekjes së tyre!

Riçard N. Ostling, një korrespondent fetar afatgjatë, e quajti Gjon Palin II “ndoshta papa më popullor midis protestantëve ungjillorë të Amerikës …”. Den Betseri, pastor i Asamblesë së Parë të Perëndisë të Fort Mejërsit, tha me entuziazëm: “Kam qenë për një kohë të gjatë një admirues i Papës. Jeta e tij e lutjes është një shembull për të gjithë ne. Ai ka jetuar një jetë të perëndishme …. Vdekja e tij do të lërë një zbrazëti të madhe në mbretërinë e Perëndisë”. Pet Robertsoni tha se “udhëheqësi fetar më i dashur i epokës sonë [ka kaluar] nga kjo jetë në shpërblimin e përjetshëm të tij shumë të merituar”.

Ashtu si Billi Grahëmi, Riçard Lendi, president i Komisionit për Lirinë Fetare dhe Etike të baptistëve jugorë, theksoi se çdo mospajtim që protestantët mund të kenë pasur “me Gjon Palin II është [i parëndësishëm] krahasuar me themelet e besimit”. Lendi e lavdëroi Papën për “mbrojtjen [e tij] të patundur të besimit të krishterë tradicional …”. Por, në fakt, Gjon Pali II në më tepër se një rast mblodhi së bashku për t’u lutur magjistarët e fiseve, spiritistë, animistë, hinduistë, budistë, myslimanë dhe udhëheqës të tjerë të feve botërore, shpalli se ata ishin të gjithë “duke iu lutur të njëjtit Perëndi”, dhe i cilësoi lutjet e tyre sikur ato prodhonin “energji shpirtërore të thella” që do të krijojnë një “atmosferë të re për paqe”.

Ne nuk guxojmë të bëjmë shaka me fatin e përjetshëm të shpirtrave. Pjetri, të cilin në mënyrë të gabuar Roma e pretendon se ishte papa i parë, shpalli se “nuk ka asnjë emër tjetër [përveç Jezu Krishtit] … me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Veprat e Apostujve 4:12). As Maria, as Buda, askush tjetër përveç Krishti! Por Gjon Pali II i besoi Marisë për shpëtim dhe mbrojtje dhe e mësoi tufën e tij të bënte të njëjtën gjë. Ne tregojmë keqardhje për të dhe të tjerët për këtë gabim.

Eshtë tepër vonë të lutemi për shpirtin e papës së vdekur – por ne i jemi borxhli Zotit tonë dhe gjithë njerëzimit që jeton ende që t’u shpallim atyre lajmin e mirë: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij” (Gjoni 3:16, 17). THEB