A. Përballja e parë (5:1-7:6)
5:1 Te 3:18 Perëndia i kishte thënë Moisiut të merrte pleqtë kur të dilte para faraonit. Ndërkohë, Zoti kishte caktuar Aaronin si zëdhënësin e Moisiut (Eksodi 4:14-16). Kështu Moisiu dhe Aaroni shkuan në vend të pleqve. Mesazhi i Zotit ishte i pakthyeshëm: «Lëre popullin tim të shkojë».
5:2-14 Kur Moisiu dhe Aaroni i dhanë ultimatumin e tyre të parë faraonit, ai i paditi ata për shpërqendrim të popullit nga puna e tij. Gjithashtu, ai ndryshoi ngarkesën e punës së tyre duke ngulur këmbë që tani e tutje ata ta mblidhnin vetë kashtën për të bërë tulla, por duhej të prodhonin të njëjtën sasi sa më parë. Faraoni po krijonte një situatë të pamundur për judenjtë, duke na kujtuar sjelljen naziste ndaj judenjve në kampet e përqendrimit. Ata duhej të shkonin në të gjithë vendin e Egjiptit, për të mbledhur kallamishte në vend të kashtës. Teksti hebraik tregon përbuzjen me anë të së cilës trajtohen këta njerëz të shtypur. Kolli (Cole) tregon se kallamishtja është një zëvendësim i mjerë i kashtës meqë është e fortë dhe e paqëndrueshme{{1}}.
5:15-23 Deri në atë kohë kashta sigurohej për izraelitët. Ajo përdorej për të përforcuar tullat dhe që të mos ngjiteshin në kallëpet në të cilat bëheshin. Kur mbikëqyrësit judenj i rrihnin, ata i protestonin faraonit, por nuk merrej asgjë parasysh. Atëherë ata u qanë te Moisiu dhe Aaroni dhe Moisiu më pas fajësoi Zotin. Kundërshtimi brenda radhëve të popullit të Perëndisë është disa herë më i vështirë të durohet sesa përndjekja nga jashtë.
6:1-12 Zoti plot hir iu përgjigj të folurës së rrëmbyer duke e siguruar si fillim se faraoni do t’i lërë izraelitët të shkojnë, sepse do të detyrohet nga dora e fuqishme e Perëndisë. Pastaj ai e kujton Moisiun se Ai u është zbuluar etërve si El-Shadai [El-Shaddai] apo Perëndia i plotfuqishëm, jo kryesisht si Jehovai (NKJV «Zot»), emri vetjak i Perëndisë që ruan besëlidhjen. Ideja këtu duket se është se Ai tashmë do ta zbulojë Veten si Zoti në një mënyrë të re – pra, në fuqi të re, duke çliruar popullin e Tij. Ai kishte bërë një besëlidhje dhe do ta përmbushte atë duke çliruar izraelitët nga Egjipti dhe duke i çuar në Tokën e Premtuar. Vini re tetë përdorimet e formës «Do të» në vargjet 6-8. Emri «Jehovah» (po «Zot») është përdorur më parë, por tani merr një domethënie të re. Vini re njëzet e pesë format vetore [duke përfshirë këtu përemrat vetorë, pronorë dhe vetat e foljes që nga vargu 1-8] të përdorura nga Perëndia në këto vargje, duke theksuar se çfarë ka bërë Ai, çfarë po bën dhe çfarë do të bëjë. Moisiu duket se e ka humbur fillin, duke u marrë akoma me paaftësinë e tij. Pas një sigurimi të mëtejshëm, Ai iu bind fjalës së Zotit (kapitulli 7). «I parrethprerë në buzë» në vargun 12 dhe 30 do të thotë e folur duke u çapitur. Moisiu nuk e quante veten një folës të madh.
6:13-30 Gjenealogjitë në vargjet 14-25 kufizohen me Rubenin, Simeonin dhe Levin, tre bijtë e parë të Jakobit. Autori nuk donte të jepte një gjenealogji të plotë, por vetëm të nxirrte gjenealogjinë e Moisiut dhe Aaronit. Kështu ai shumë shpejt kalon Rubenin dhe Simeonin për të mbërritur te fisi priftëror.
7:1-5 Në fund të kapitullit 6 Moisiu çuditet se pse faraoni i fuqishëm do të dëgjonte një folës të mjerë si ai. Përgjigjja e Zotit ishte se Moisiu qëndronte para faraonit si përfaqësuesi i Perëndisë. Moisiu fliste me Aaronin dhe Aaroni i përcillte mesazhin faraonit. Faraoni nuk do t’ua vinte veshin, por Perëndia prapëseprapë do ta çlironte popullin e Tij!
7:6 Moisiu ishte tetëdhjetë vjeç dhe Aaroni tetëdhjetë e tre kur filloi shërbesa e tyre e çlirimit. Edhe sot ata që mund të quhen «të moshuar», Perëndia mund t’i përdorë për lavdinë e Tij.
B. Përballja e dytë (7:7-13)
Faraoni u paralajmërua për problemet që do të vinin. Kur Aaroni hodhi bastunin e tij dhe u bë gjarpër, të diturit dhe yshtësit ishin të aftë të kryenin mrekullinë me anë të fuqisë djallëzore. Mësojmë nga 2 Timoteut 3:8 se magjistarët e Egjiptit ishin Janesi dhe Jambresi. Ata kundërshtuan Moisiun duke e imituar atë dhe Aaronin, por bastuni i Aaronit i përpiu bastunët e tyre. Perëndia e ngurtësoi zemrën e faraonit, jo arbitrarisht, por si përgjigje e kryeneçësisë së tij. Tani ishte koha për plagën e parë.
[[1]] (12:11-20) Cole, Exodus, f. 108. [[1]]