A. Njerëz të ditur vijnë për të adhuruar Mbretin (2:1-12)
2:1-2 Është e lehtë të ngatërrohesh në lidhje me kronologjinë e ngjarjeve rreth lindjes së Krishtit. Ndërsa vargu 1 mund të duket se tregon që Herodi u përpoq ta vriste Jezusin gjatë qëndrimit të Marisë e të Jozefit në grazhdin në Bethlehem, dëshmitë e ndërthurura të çojnë te një kohë një apo dy vjet më vonë. Te vargu 11, Mateu thotë se dijetarët e panë Jezusin në një shtëpi. Edhe urdhëri i Herodit për t’i ekzekutuar të gjithë meshkujt nën dy vjeç (v 16) është një tregues i fragmentit të një periudhe të papërcaktuar kohore nga lindja mbretërore. Herodi, i Madhi, ishte një pasardhës i Esaut e si rrjedhojë një armik tradicional i judenjve. Ai ishte një i kthyer në judaizëm, por kthimi i tij ndoshta ishte i motivuar politikisht. Ishte aty nga fundi i mbretërimit të tij kur disa dijetarë nga lindja arritën. Kërkonin Mbretin e Judenjve. Këta njerëz mund të kenë qenë priftërinj paganë, ritualet e të cilëve përqëndroheshin rreth elementeve të natyrës. Nga njohja dhe fuqia e tyre parathënëse, ata shpesh zgjidheshin si këshilltarë të mbretërve. Ne nuk e dimë se ku jetuan ata në lindje, sa veta ishin dhe se sa zgjati udhëtimi i tyre. Ishte ylli në Lindje që në një farë mënyre i kishte bërë ata të vetëdijshëm për lindjen e një Mbreti, të cilin kishin ardhur për ta adhuruar. Ka mundësi që ata të kenë qenë në dijeni të profecive të DhV në lidhje me mbërritjen e Mesias. Ndoshta ata njihnin parathënien e Balaamit se një Yll do të dilte nga Jakobi (Numrat 24:17) dhe e lidhën këtë me profecinë e shtatëdhjetë javëve që paratha kohën e ardhjes së parë të Krishtit (Danieli 9:24-25). Por ka më shumë mundësi që dija atyre t’u jetë komunikuar në mënyrë të mbinatyrshme. Për të shpjeguar yllin janë ofruar shpjegime të ndryshme shkencore. Për shembull disa thonë se ai ka qenë një bashkim planetesh. Por kursi i këtij ylli ishte tepër i parregullt. Ai shkoi përpara dijetarëve, duke i udhëhequr ata nga Jeruzalemi deri te shtëpia ku po jetonte Jezusi. Atëherë ai u ndal. Në fakt, ishte aq e pazakonshme që ai të shpjegohej vetëm si një mrekulli. 2:3 Mbreti Herod, kur dëgjoi se kishte lindur një Foshnjë që kishte për të qenë mbret i judenjve, u shqetësua. Çdo Foshnjë e tillë ishte një kërcënim për sundimin e tij jo shumë të stabilizuar. Bashkë me të ishte shqetësuar mbarë Jeruzalemi. Qyteti, që duhej ta kishte marrë lajmin me gëzim, trazohej nga çdo gjë që mund të çrregullonte gjendjen ekzistuese apo të shkaktonte pakënaqësinë e qeveritarëve të urryer romakë. 2:4-6 Herodi mblodhi udhëheqësit fetarë judenj për të zbuluar ku duhej të lindte Krishti. Krerët e priftërinjve ishin kryeprifti dhe bijtë e tij (dhe ndoshta anëtarë të tjerë të familjes së tij). Skribët e popullit ishin ekspertë laik në ligjin e Moisiut. Ata ruajtën e mësuan ligjin dhe shërbyen si gjyqtarë në Sinedër. Këta priftërinj dhe skrib cituan menjëherë nga Mikea 5:2 që e tregonte vendlindjen e Mbretit në Bethlehem të Judesë. Teksti i profecisë te Mikea e quan qytetin «Betlem (apo Bethlehem) Efratah.» Meqenëse në Palestinë kishte disa qytete të quajtura Bethlehem, kjo e lidh atë me qytetin e krahinës së Efratahit brenda kufinjve fisnorë të Judës. 2:7-8 Herodi i thirri fshehurazi dijetarët që të përcaktonin se kur e kishin parë yllin për herë të parë. Kjo fshehtësi tradhtoi motivin e tij sadist: atij do t’i duhej ky informacion po qe se nuk do të ishte në gjendje të përcaktonte Fëmijën e saktë. Për të mbuluar atë çfarë vërtet kishte ndër mend, ai i dërgoi dijetarët që ta gjenin dhe u kërkoi që ta njoftonin atë kur t’ia arrinin qëllimit. 2:9 Ndërsa dijetarët morën rrugën, ylli që kishin parë në lindje u rishfaq. Kjo tregon se ylli nuk i kishte udhëhequr ata gjatë gjithë rrugës nga lindja, por tani i udhëhoqi ata për te shtëpia ku ndodhej Fëmija. 2:10 Në një mënyrë të veçantë është përmendur që dijetarët, kur e panë yllin, u gëzuan me gëzim shumë të madh. Këta johebrenj e kërkuan Krishtin me ngulm; Herodi bëri plane ta vriste; priftërinjtë dhe skribët qenë moskokëçarës (deri atëherë); njerëzit e Jeruzalemit u shqetësuan. Këto qëndrime ishin shenja të mënyrës se si do të pritej Mesia. 2:11 Mbasi hynë në shtëpi, dijetarët panë Fëmijën me Marian, nënën e tij. Ata ranë përmbys dhe e adhuruan, duke ofruar dhurata të kushtueshme me ar, temjan dhe mirrë. Vini re se ata panë Jezusin me nënën e Tij. Në përgjithësi, në fillim do të përmendej nëna, pastaj fëmija e saj, por ky Fëmijë është unik dhe duhet t’i jepet vendi i parë (shih gjithashtu v 13, 14, 20, 21). Këta dijetarë adhuruan Jezusin, jo Marinë apo Jozefin. Jozefi as nuk përmendet në këtë tregim. Shpejt ai do të zhduket krejt nga letra ungjillore. Është Jezusi Ai që meriton lavdërimin dhe adhurimin tonë, dhe nuk është as Maria e as Jozefi. Thesaret që ata sollën flisnin faqe të tëra. Ari është një simbol i hyjnisë dhe i lavdisë. Ai flet për përsosmërinë vezulluese të Personit të Tij hyjnor. Temjani është një pomadë ose parfum. Ai sugjeron kundërmimin e jetës së përsosmërisë pa mëkat. Mirra është një bar i hidhur. Ajo paralajmëron vuajtjet që Ai do të hiqte duke mbartur mëkatet e botës. Sjellja e dhuratave nga johebrenjtë të sjell ndër mend gjuhën te Isaia 60:6. Isaia paratha se johebrenjtë do të shkonin te Mesia me dhurata, por përmendi vetëm ar dhe temjan: «…duke sjellë ar dhe temjan dhe do të shpallin lëvdimet e Zotit.» Pse nuk ishte mirra? Sepse Isaia po fliste për ardhjen e dytë të Krishtit, ardhjen e Tij në fuqi dhe në lavdi të madhe. Atëherë s’do të ketë më mirrë sepse Ai nuk do të vuajë atëherë. Te Mateu mirra përfshihet sepse parasysh është ardhja e Tij e parë. Te Mateu ne kemi vuajtjet e Krishtit, ndërsa në këtë pasazh të Isaias kemi lavditë që do të ndjekin. 2:12 Perëndia i udhëzoi dijetarët në ëndërr që të mos ktheheshin te Herodi dhe kështu, duke u bindur, ata u kthyen në shtëpitë e tyre nga një rrugë tjetër. Kush takon Krishtin me një zemër të sinqertë, kur kthehet nuk merr kurrë më të njëjtën rrugë. Takimet e vërteta me Të shndërrojnë një jetë të tërë.B. Jozefi, Maria dhe Jezusi ikin në Egjipt (2:13-15)
2:13-14 Kërcënimi i vdekjes u var mbi Zotin tonë qëkur ishte fëmijë. Duket qartë që Ai kishte lindur për të vdekur, por vetëm në kohën e caktuar. Kushdo që ecën në vullnetin e Perëndisë është i pavdekshëm derisa vepra e tij të jetë bërë. Një engjëll i Zotit e paralajmëroi Jozefin në ëndërr që të ikte në Egjipt me familjen e tij. Herodi ishte gati të niste misionin e tij «kërko – shkatërro.» Familja u bë refugjate për shkak të zemërimit të Herodit. Ne nuk e dimë se sa gjatë qëndruan ata, por me vdekjen e Herodit, s’kishte rrezik për riatdhesimin e tyre. 2:15 Kështu një tjetër profeci e DhV u vesh me një kuptim të ri. Perëndia, me anë të profetit Hosea, kishte thënë: «E thirra birin tim nga Egjipti» (Osea 11:1). Në vendndodhjen e tij origjinale, kjo i referohej çlirimit të Izraelit nga Egjipti në kohën e eksodit, por shprehja lejon një kuptim të dyfishtë: historia e Mesias do të shkonte paralelisht pranë asaj të Izraelit. Profecia ishte përmbushur në jetën e Krishtit me kthimin e Tij nga Egjipti në Izrael. Kur Zoti të kthehet për të mbretëruar në drejtësi, Egjipti do të jetë njëri prej vendeve që do të marrë pjesë në bekimet e Mijëvjeçarit (Isaia 19:21-25; Zakaria 3:9-10; Psalmi 68:31). Pse do të favorizohej kështu ai komb që kishte qenë një armik tradicional i Izraelit? Mos vallë mund të jetë një shenjë e mirënjohjes hyjnore për shenjtëroren e dhënë për Zotin Jezus?C. Herodi masakron foshnjat e Bethlehemit (2:16-18)
2:16 Kur dijetarët nuk u kthyen, Herodi kuptoi se e kishin mashtruar në komplotin e tij për të përcaktuar vendndodhjen e Mbretit të ri. Me një tërbim të çmendur, ai urdhëroi të vriten të gjithë fëmijët meshkuj, që ishin në Bethlehem dhe në tërë rrethinën e tij, nën moshën dy vjeç. Vlerësimet ndryshojnë përsa i përket numrit të të vrarëve. Një shkrimtar sugjeron rreth njëzet e gjashtë. Nuk mund të kenë qenë qindra fëmijë. 2:17-18 Qarja që vijoi pas vrasjes së fëmijëve ishte një përmbushje e fjalëve të profetit Jeremia:Kështu thotë Zoti: «U dëgjua një zë në Ramah, një vajtim dhe një e qarë e hidhur: Rakela vajton bijtë e saj dhe nuk pranon të ngushëllohet për ta, sepse ata nuk janë më» (Jeremia 31:15).Në profeci, Rakela përfaqëson kombin e Izraelit. Pikëllimi i kombit përfaqëson Rakelën, që ishte varrosur në Ramah (pranë Bethlehemit, ku ndodhi kërdia). Ndërsa prindërit në zi kalonin përbri varrit të saj, ajo është përfytyruar duke qarë me ta. Në përpjekjen e tij për të eliminuar këtë Rival të ri, Herodi s’fitoi asgjë përveçse një përmendje të turpshme në analet e poshtërsisë.
D. Jozefi, Maria dhe Jezusi vendosen në Nazaret (2:19-23)
Mbas vdekjes së Herodit, një engjëll i Zotit e siguroi Jozefin se tani nuk kishte rrezik për t’u kthyer. Megjithatë, kur mbërriti në vendin e Izraelit, ai dëgjoi se Arkelau, biri i Herodit, kishte ardhur në fron në Jude pas atit të tij. Jozefi ngurronte të rrezikonte në këtë krahinë dhe kështu, mbasi që u përforcua nga Perëndia në ëndërr për frikën e tij, udhëtoi drejt veriut për në krahinën e Galilesë dhe u vendos në Nazaret. Për të katërtën herë në këtë Ungjill, Mateu na kujton se profecia ishte përmbushur. Ai nuk përmend asnjërin nga profetët me emër, por thotë se profetët kishin parathënë se Mesia do të quhej Nazareas. Asnjë varg i DhV nuk e thotë drejtpërdrejt këtë. Shumë studiues sugjerojnë se Mateu po citon nga Isaia 11:1: «Pastaj një Degëz do të dalë nga trungu i Isaias dhe një Filiz do të mbijë nga rrënjët e tij.» Fjala hebraike e përkthyer «Degëz» është netzer, por lidhja duket fare e pakët. Një shpjegim më i mundshëm është që «Nazareas» është përdorur për të përshkruar këdo që jetoi në Nazaret, një qytet i parë me përbuzje nga pjesa tjetër e popullit. Natanaeli e shprehu këtë me pyetjen proverbiale: «A mund të dalë diçka e mirë nga Nazareti?» (Gjoni 1:46). Përçmimi i grumbulluar mbi këtë qytet «të parëndësishëm» ra gjithashtu edhe mbi banorët e tij. Kështu, kur vargu 23 thotë se Ai do të quhet Nazareas, do të thotë se Ai do të trajtohet me përbuzje. Megjithëse nuk mund të gjejmë ndonjë profeci që thotë se Jezusi do të quhej Nazareas, ne mund të gjejmë një që thotë se Ai do të ishte «i përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit» (Isaia 53:3). Një tjetër thotë që Ai do të ishte një krimb e jo një njeri, i përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit (Psalmi 22:6). Kështu, ndërsa profetët nuk përdorën pikërisht ato fjalë, s’mund të mohohet që kjo ishte fryma e disa profecive. Është e mahnitshme që kur Perëndia i fuqishëm erdhi mbi tokë, Atij iu dha një nofkë turpi. Ata që e ndjekin Atë janë të privilegjuar të ndajnë turpërimin e Tij (Hebrenjve 13:13).[previous][next]