Një nga argumentet më të zakonshme që përdorin evolucionistët kundër studiuesve krijimbesues është refreni i vjetër që krijimbesuesit janë «kundër» shkencës ose «anti- shkencorë». Megjithatë, po këta kritikë nuk arrijnë t’i përgjigjen një pyetjeje të rëndësishme. Ken Ham shpjegon:
Kohët e fundit një reporter i një reviste laike më intervistoi për një artikull mbi çështjen e krijimit dhe evolucionit. Një nga pyetjet e para që më bëri ishte: «Si reagoni ndaj atyre që thonë se ju krijimbesuesit jeni kundër shkencës?»
Sikurse përgjigjem në raste të tilla, e pyeta: «Çfarë nënkuptoni ju me shkencë?» Ai më vështroi dhe tha: «Pyetje me vend – atëherë si e përkufizoni ju shkencën?»
Kjo është një pyetje që shumë nuk e konsiderojnë kur merren me çështjen përballë evolucionit. Fjala shkencë në rrënjën e vet ka kuptimin «njohuri». Shkencëtarët mund të kryejnë vëzhgime të përsëritshme e të vërtetueshme rreth botës së tashme dhe të fitojnë njohuri për të tashmen – kjo njohuri ka ndërtuar teknologjinë që i vendos njerëzit në hapësirë.
Gjithashtu shkencëtarët përpiqen të fitojnë njohuri për të kaluarën – për origjinën tonë. Por kjo njohuri ndryshon shumë nga njohuria për të tashmen. Ajo duhet të përfshijë supozime rreth asaj se si filloi gjithësia dhe jeta – kur atje nuk ndodhej asnjë njeri për të parë kur kjo ndodhte. Fosilet, formacionet shkëmbore, metodat e datimit, të gjitha këto kërkojnë që vëzhguesi të interpretojë të dhënat dhe ky interpretim filtrohet gjithmonë përmes besimeve mbi të kaluarën.
Ekziston një dallim i madh midis shkencës vëzhguese (ose operative) – se çfarë ne mund të vëzhgojmë në të tashmen – dhe shkencës së origjinës – që janë interpretime mbi të kaluarën pa asnjë vëzhgim të drejtpërdrejtë. Krijimbesuesit nuk janë kundër shkencës, por ata duan që njerëzit të kuptojnë se çfarë do të thotë fjala shkencë.
Burimi: Përgjigje nga Zanafilla