A. Ligjërata e Elihut drejtuar tre miqve të Jobit (kapitulli 32)
32:1-6 Këtu mbaron bashkëbisedimi i Jobit dhe i tre miqve të tij. Normalisht, ashtu siç vumë re më sipër, ishte radha e Zofarit të fliste, por për disa arsye ai nuk vendosi ta bënte një gjë të tillë. Një i ri, që quhej Elih, biri i Barakelit, buzitit, kishte dëgjuar debatin e nxehur midis Jobit dhe tre kritikëve të tij. Shumë studiues biblikë e shohin atë si një simbol të Krishtit, Ndërmjetësuesit tonë. Ai duket si ura e përsosur midis analizës së situatës prej miqve të Jobit dhe zgjedhjes së Jehovahut. Me pak fjalë, ai është një ndërmjetës midis njerëzve dhe Perëndisë, një ndërmjetës për të përgatitur shfaqjen e Zotit në skenë. Komentues të tjerë japin pikëpamje më pak të mira për të, duke e parë atë si një shpërthyes të ri mendjemadh! Sido që të jetë, Elihu (emri i tij do të thotë Perëndia im është Ai) u zemërua me Jobin ngaqë e quante veten e tij të drejtë më tepër se Perëndia. Ai ishte zemëruar gjithashtu me tre miqtë e tij, ngaqë nuk i ishin përgjigjur Jobit ashtu siç duhej. Në vargjet e mëposhtme ai përmbledh njëzet e nëntë kapitujt e diskutimeve. 32:7-22 Për respekt ndaj moshës së tyre ai kishte ndenjur i heshtur dhe kishte ndjekur me vëmendje fjalët e tyre, por tani nuk mund ta mbante veten. Ai thotë se nuk janë detyrimisht të mëdhenjtë që kanë diturinë dhe se Perëndia mund t’i japë njohje një të riu si ai. Ai fajëson kritikët e Jobit për mosparaqitje të argumenteve bindëse. Për shkak të dështimit të tyre ai shtyhet nga përbrenda të flasë dhe nuk do ta bëjë një gjë të tillë duke treguar anësi apo miklime.B. Ligjërata e Elihut drejtuar Jobit (kapitulli 33)
33:1-7 Elihu, duke përdorur fjalën “tani pra [të lutem]” tërheq vëmendjen e Jobit, sepse do të flasë fjalë të sinqerta e të vërteta. Jobi kishte dëshiruar rastin të hakmerrej vetë para Perëndisë. Tashmë Elihu, edhe pse një njeri i formuar nga argjili si ai, po vepron si zëdhënësi i Jobit përpara Perëndisë dhe Jobi mund të mbrohet, nëse dëshiron, pa frikë nga zemërimi hyjnor. 33:8-18 Elihu e qorton Jobin për mënyrën sipas së cilës ai kishte rrëfyer pafajësi absolute dhe kishte fajësuar Perëndinë për trajtim të padrejtë. Perëndia është më i madh se njeriu dhe nuk jep llogari për asnjë nga marrëveshjet e Tij me njeriun. Megjithatë, Perëndia u flet njerëzve me anë të ëndrrave dhe vegimeve gjatë natës për t’i paralajmëruar kundër së keqes e kryelartësisë dhe për t’i shpëtuar nga vdekja e dhunshme. 33:19-30 Zoti flet gjithashtu përmes dhembjes dhe sëmundjes serioze, kur ushqimet më të shijshme duken të pangrënshme. Në rast se … një engjëll, një interpretues shpjegon udhën e drejtë të Perëndisë (dhe nëse vuajtësi përgjigjet me besim), Perëndia do ta shpëtojë atë që të mos zbresë në gropë në bazë të një çmimi. Elihu nuk e shpjegon se çfarë nënkupton me termin shpengim, por ne e përligjim nëse e lidhim këtë me Atë që “e dha veten si çmim për të gjithë” (1 Tim. 2:6). Kur një njeri i përgjigjet zërit të Zotit, thotë Elihu, atëherë ai përtërihet në shëndetin fizik dhe mirëqenien frymërore. Është ai që rrëfen mëkatin e tij që është shpenguar nga vdekja frymërore dhe/ose fizike. 33:31-33Në qoftë se … Jobi kishte për të thënë diçka, ai duhej ta bënte një gjë të tillë. Përndryshe ai duhej të vazhdonte të dëgjonte me kujdes, të heshte ndërsa Elihu i mësonte diturinë.C. Ligjërata e dytë e Elihut drejtuar tre miqve të Jobit (kapitulli 34)
34:1-15Elihu u kërkon më pas tre miqve të tij të provonin fjalët e tij sikur të shijonin ushqimet. Ai citon kërkesën e Jobit se Perëndia ishte i padrejtë, duke shkaktuar që një njeri i drejtë si ai të vuante dhe se nuk ia vlente të ishe i perëndishëm për t’i pëlqyer Perëndisë. Ai më pas ngul këmbë se Perëndia nuk është kurrë fajtor për padrejtësi. Në qoftë se Perëndia duhet të tërhiqej, krijesat e Tij do të shkatërroheshin njëkohësisht. 34:16-30 Nëse nuk është e udhës t’i thuash një mbreti apo një fisniku se janë të këqij apo të pavlerë, sa më tepër e paimagjinueshme është të dënojmë Sovranin e gjithësisë që është plotësisht i paanshëm! Asnjë paudhësi nuk mund të fshihet para Perëndisë; Ai rrëzon të keqen dhe çliron të shtypurin. 34:31-37 Në pamje të parë duke iu drejtuar Jobit, Elihu e këshillon më pas të rrëfejë dhe të braktisë mëkatin e tij dhe të reshtë së kërkuari Perëndisë që të bëjë atë çfarë do ai. Jobi kishte folur me padituri duke thënë të keqen, duke nxjerrë rebelim, mëkat dhe një mori fjalësh kundër Perëndisë.D. Ligjërata e dytë e Elihut drejtuar Jobit (kapitujt 35-37)
35:1-8Elihu më pas e qorton Jobin sepse thoshte se vepronte me më tepër drejtësi sesa Perëndia dhe se thoshte se drejtësia nuk shpërblehet. Mëkati i njeriut nuk e dëmton Perëndinë Sovran, as drejtësia e tij nuk i sjell dobi Perëndisë. 35:9-16 Shtypësit krenarë ngrejnë zërin kur janë me probleme, por nuk pranojnë Perëndinë që u ka dhënë dituri mbi atë të kafshëve dhe zogjve; prandaj lutjet e tyre nuk marrin përgjigje. Edhe pse nuk e shikojmë Atë, Perëndia na shikon ne dhe ne duhet t’i besojmë Atij e jo të jemi arrogantë. 36:1-12 Në fjalimin e katërt të Elihut ai rrëfen se përshkruan të vërtetat e thella për të mbrojtur drejtësinë e Perëndisë dhe për të shpjeguar vuajtjen. Zoti është tejet i drejtë në mënyrën se si sillet me të pabesin e të shtypurin, po ashtu si me të drejtin (v. 7-9), qofshin ata mbretër … në fron apo të burgosur të lidhur me zinxhirë. Nëse të drejtëve … u është rritur mendja, Ai ua hap veshët dhe i nxit të largohen nga e keqja. Në rast se ata e dëgjojnë dhe nënshtrohen, Ai i bën të begatohen. Në rast se nuk e dëgjojnë, do të vdesin nga shpata dhe pa e njohur Perëndinë. 36:13-21 Nëse Jobi do të ishte i nënshtruar dhe i penduar, Zoti do ta kishte çliruar nga kafshimi i fatkeqësisë, por ngaqë e shpallte veten me kokëfortësi të drejtë, ai po vuante të njëjtin gjykim si ai i njeriut të keq. Elihu e paralajmëron se nëse do të vazhdojë kështu, ai do të vuajë një fat nga i cili nuk mund ta çlirojë një shumë e madhe parash (vargu 18 është një paralajmërim i duhur për mëkatarët e çdo epoke). 36:22-33 Ngaqë Perëndia është i gjithëditshëm, Jobi duhej ta admironte Atë. Madhështia e Tij shihet në kontrollin e Tij mbi shiun, retë, shungullimën dhe bubullimën. Ne nuk mund të kuptojmë plotësisht madhështinë e marrëveshjeve të Tij parashikuese, por dimë se i japin hir popullit të Tij. Andrea ka shkruar vite më parë: E njëjta stuhi që nga një anë dërgohet mbi fusha për ndëshkim e shkatërrim është caktuar në të njëjtën kohë nga ana tjetër për t’i bekuar me bollëk dhe për t’i bërë frytdhënëse. Kështu, edhe gjykimet më të ashpra të Perëndisë duhet të konsiderohen si një burim nga i cili del hiri hyjnor [31]. 37:1-13 Elihu vazhdon të rrëmojë në fusha të ndryshme të natyrës për të treguar diturinë, fuqinë, madhështinë dhe shkëlqimin e artë të Perëndisë. Përshkrimet e tij të natyrës, të stuhisë me shirat e saj të rrebeshta, apo furtuna, bora, shirat e lehta, të ftohtit … erërat e … veriut, retë e dendura me lagështirë apo rrezet dritëplota të diellit janë klasike. 37:14-23 Elihu e mbyll ligjëratën e tij me një thirrje të drejtpërdrejtë: “Dëgjo këtë, o Job, ndalu dhe merr parasysh mrekullitë e Perëndisë!”. Ai vazhdon të sfidojë njohjen e Jobit rreth natyrës: si rrinë pezull retë në ajër dhe pse bën ngrohtë kur rreh era e jugut. Këto çojnë në pyetjet e ngjashme rreth natyrës, edhe pse më sfiduese, që Vetë Krijuesi do t’i bëjë Jobit në pjesën tjetër kryesore të librit. Një fuqi e tillë e madhërishme shkon përtej imagjinatës sonë të dobët. Është më mirë të kesh frikë Zotin dhe t’i nënshtrohesh disiplinës së Tij dhe jo të jesh si Jobi që e kritikonte Atë si jo të drejtë. 37:24 Vargu i fundit i Elihut është një mësim për Jobin, një përfundim i saktë i tërë problemit. Rreshti i parë i vargut 24 është i lehtë për t’u kuptuar; pjesa e dytë është e vështirë sipas versionit NKJ (dhe versione të tjera). Frensis Endërseni (Francis Andersen) e përkthen rreshtin e dytë ndryshe, duke e marrë fjalën negative në strukturën e saj në hebraisht më tepër si një pohim sesa si një mohim: Prandaj njerëzit e kanë frikë; me siguri tërë të mençurit në zemër e kanë frikë Atë! [32].[previous][next]