Abdia

Profecia e Abdias është e përveçme në karakterin e përmbajtjes së saj. Ai është një libër i dënimit të shfrenuar, të paqetësuar nga ndonjë ide dhembshurie apo shprese.Frederick A. Tatford

I. Vendi unik në Kanun

“Vegimi i Abdias” (1:1) është libri më i shkurtër i DhV dhe i treti më i shkurtër në të gjithë Biblën. Ai ka vetëm një temë: shkatërrimin e pasardhësve të vëllait binjak të Jakobit, Esaut. Përgjatë historisë edomitët kanë luftuar vazhdimisht kundër Izraelit dhe kanë shfaqur përçmimin e tyre për popullin e zgjedhur.

II. Autorësia

Ka dymbëdhjetë njerëz në DhV që e kanë emrin Abdia (shërbëtor i Zotit), por askush nuk mund të identifikohet me këtë profet në ndonjë ngjashmëri. Aktualisht nuk dimë absolutisht asgjë rreth shkrimtarit të librit përtej asaj që është zbuluar me anë të fjalëve të tij.

III. Data

Meqë nuk dimë asgjë rreth autorit, data duhet të përcaktohet nga konsiderata të brendshme.

Përgjithësisht liberalët dhe shumë konservativë parapëlqejnë një datë të vonët, menjëherë pas vitit 586 para K., kohë kur u shkatërrua Jerusalemi. Ndërsa ngjashmëritë me Jeremian, Vajtimet, Psalmin 137 dhe një pjesë të fjalorit [1] hedhin idenë e një date më të vonët. Fakti se shkatërrimi i plotë i qytetit dhe tempullit nuk përmenden, mbase shkon më mirë me një datë më të hershme.

Sugjerimi i një date të hershme është gjatë mbretërimit të Joramit (848-841 para K.) apo të Ashazit (731-715 para K.). Jo shumë veta e mbështesin periudhën e fundit, por ata që e mbështesin e lidhin argumentin e tyre me 2 i Kronikave 28:17, ku flitet për edomitët që sulmojnë Jerusalemin dhe marrjen e burgosurve.

Nëse data e hershme është e saktë, Abdia është i pari nga profetët që shkruan [nga Isaia te Malakia] dhe një bashkëkohës me Eliseun. Përveç faktit se libri nuk hedh idenë e shkatërrimit të plotë të 586-ës para K., Abdia v. 12-14 duket se është një paralajmërim për edomitët, që të mos përsëritin atë që kishin bërë në të shkuarën. Nëse Jerusalemi ishte në hi, një paralajmërim i tillë do të ishte i pakuptimtë.

Një i krishterë që beson në Bibël mund të mbajë cilëndo nga këto tri pikëpamje, pa kompromentuar një paraqitje të lartë të frymëzimit. Megjithatë, një datë rreth vitit 840 para K. duket më e volitshme.

IV. Sfondi dhe tema

Profecia është kundër edomitëve, që ishin pasardhës të Esaut dhe armiq të hidhur të popullit të Izraelit. Ata përshkruhen për ngazëllimin e tyre për rënien e Jerusalemit. Methju Henri parafytyron emocionet e forta që formojnë sfondin e profecisë së shkurtër të Abdias:

Disa kanë vëzhguar me të drejtë se nuk mund të ishte gjë tjetër veçse një tundim i madh për popullin e Izraelit kur e shikonin veten, që ishin bijtë e Jakobit të dashur, në vështirësi, ndërsa edomitët, fara e Esaut të urryer, jo vetëm që begatoheshin, por triumfonin mbi ta në vështirësitë e tyre; dhe për këtë Perëndia u jep atyre një të ardhme të shkatërrimit të Edomit, që do të ishte i plotë dhe përfundimtar dhe një rrjedhje e lumtur që doli nga ndreqja e Izraelit [2].

Siç e vumë në dukje, studiuesit e Biblës nuk kanë rënë në një mendje për sa i përket referimit ndaj shkatërrimit të Jerusalemit. A ishte ky nga Nebukadnetsari apo i referohet një rënieje më të hershme të qytetit?

DhR Edomi njihet si Idumeja. Të shkatërruar ekonomikisht nga arabët dhe më vonë të pushtuar nga romakët, edomitët u zhdukën nga faqet e historisë rreth vitit 70 pas K.

PARAQITJE E PËRGJITHSHME

I. KRENARIA E EDOMIT DUHET TË ULET (v. 1-4)
II. SHKATËRRIMI I EDOMIT (v. 5-9)
A. Plotësia e plaçkitjes (v. 5,6)
B. Tradhtia nga aleatët e Edomit (v. 7)
C. Shkatërrimi i udhëheqësve të Edomit (v. 8,9)
III. ARSYET PËR RËNIEN E EDOMIT (v. 10-14)
IV. GJYKIMI I EDOMIT ËSHTË SHPAGUES (v. 15,16)
V. PËRTËRITJA E IZRAELIT DHE E JUDËS DHE ZHDUKJA E EDOMIT (v. 17-21)





Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. (Hyrje) Siç është fjala hebraike e përkthyer mërgimtarë në v. 20. ↵ Kthehu mbrapa
  2. (Hyrje) Matthew Henry, “Obadiah”, Matthew Henry’s Commentary on the Whole Bible, IV:1271. ↵ Kthehu mbrapa