Joeli

Joeli… ishte mbase i pari nga të ashtuquajturit profetë të vegjël; kështu ky libër siguron një shikim të dobishëm të historisë së profecisë, në mënyrë të veçantë jep një skicë të kohëve të fundit, gjë e cila mbështetet besnikërisht nga tërë shkrimet e tjera [të Biblës]. Perëndia filloi një punë të re me shkrimin e librit të Joelit: përgatitjen e racës njerëzore për fundin e kësaj epoke të përkohshme dhe jep një skelet të planit të Tij të plotë. Profetët e mëvonshëm, përfshirë edhe Zotin tonë, vetëm e plotësuan këtë skicë, por, duke pasur parasysh natyrën hyjnore të Shkrimit të vërtetë, nuk është parë kurrë e nevojshme të shmangemi nga kjo, zbulimi fillestar.Montague S. Mills

I. Vendi unik në Kanun

Profecia e Joelit është e shkurtër, por me siguri nuk i mungon bukuria apo interesi. Profeti përdor shumë mjete letrare për të prodhuar stilin e tij të gjallë: aliteracionin, metaforat, krahasimet, sinonimet e paralelizmat e kundërta (shikoni hyrjen te Psalmet për një shtjellim të paralelizmave). Graham Skroxhi (W. Graham Scroggie) e lavdëron ndikimin letrar të Joelit si vijon:

Stili është elegant, i qartë dhe të lë mbresa dhe i duhet dhënë një vend i lartë në letërsinë hebraike [1].

Një element më pak i zakontë e Librit të Joelit është plaga e karkalecave (kapitulli 1). A duhen marrë ata fjalë për fjalë, apo është një simbolikë e armiqve pushtues? Mbase të dyja. Ndonjëherë gjatë jetës së profetit, dhe për datën është diskutuar shumë, një plagë e përhapur gjithandej e karkalecave pushtoi Judën dhe shkretoi plotësisht vendin. Kjo dukuri natyrore është simbol i gjallë i pushtimit të ardhshëm të trupave dhe Ditës së madhe dhe të tmerrshme të Zotit.

Një element i tretë i dukshëm i profecisë është parashikimi i derdhjes së Frymës së Perëndisë në tërë njerëzit (Joeli 2:28-32) dhe mrekullive që do të pasonin. Meqë Pjetri e citon këtë pjesë në predikimin e tij te Veprat e Apostujve 2, Joeli është njohur, gjithashtu, si “profeti i Rrëshajëve”.

II. Autorësia

Joeli prezantohet si biri i Pethuelit. Përveç kësaj nuk dihet shumë për të. Emri i tij do të thotë Jehovahu është Perëndi. Ai është quajtur Gjon Pagëzori i DhV.

III. Data

Nga Joeli nuk përmendet asnjë mbret dhe ka pak aluzione kronologjike në profecinë e tij të shkurtër, të cilat mund ta ndihmojnë librin që të zërë vendin e tij në periudhën e duhur kohore. Janë paraqitur data midis shekullit XI deri te V para K. Pozicioni i Joelit në “Librin e të Dymbëdhjetëve”, ashtu siç i quajnë judenjtë Profetët e Vegjël, tregon se tradita judaike e konsideronte Joelin si një libër të hershëm. Stili i tij përkon më fort me periudhën e hershme klasike, sesa me epokën pas mërgimit të Hagait, Zakarias dhe Malakias. Fakti që nuk përmendet asnjë mbret mund të jetë për shkak se libri është shkruar kur kryeprifti Jehojada ishte mëkëmbësi i mbretit (në fëmijërinë e Joasit, që mbretëroi midis viteve 835-796 para K.). Gjithashtu, armiqtë e Judës janë fenikasit dhe filistenjtë (3:4), po ashtu dhe egjiptianët dhe edomitët (Joeli 3:19), jo armiqtë e saj të fundit, sirët, asirianët dhe babilonasit.

IV. Sfondi dhe tema

Nëse e pranojmë datën e hershme, Joeli i foli kombit të Judës nga mbretërimi i Joasit deri në atë të Ashazit. Kjo e vë atë te profetët më të hershëm.

Shprehja kyçe e librit është “Dita e Zotit”, gjetur pesë herë (Joeli 1:15; 2:1,11,31; 3:14).

Ka një shkëputje të dukshme apo pikë kthimi në libër te Joeli 2:18. Deri në këtë varg Joeli flet për shkretimin që do të bjerë mbi Judë. Nga ky varg e tutje Perëndia flet për çlirimin që do t’i sjellë kombit.

PARAQITJE E PËRGJITHSHME

I. PËRSHKRIMI I PLAGËS SË KARKALECAVE (kapitulli 1)
A. Ashpërsia e tyre e paparë (1:1-4)
B. Pasoja e tyre mbi:
1. Të dehurit (1:5-7)
2. Priftërinjtë (1:8-10, 13-16)
3. Bujqit (1:11, 12, 17, 18)
4. Profetin Joel (1:19, 20)
II. PËRSHKRIMI I PUSHTIMIT ARMIK (2:1-11)
III. THIRRJA HYJNORE DREJTUAR JUDËS PËR PENDIM (2:12-14)
IV. SHPALLJA E NJË FESTE (2:15-17)
V. PREMTIMI I ÇLIRIMIT HYJNOR (2:18-3:21)
A. Begatia materiale (2:18, 19, 21-27)
B. Shkatërrimi i armikut (2:20)
C. Përhapja e Frymës së Perëndisë (2:28, 29)
D. Shenjat që do të pararendin Ardhjen e Dytë të Krishtit (2:30-32)
E. Gjykimi i kombeve pagane (3:1-16a)
F. Përtëritja dhe bekimet e ardhshme të judenjve (3:16b-21)




Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. (Hyrje) W. Graham Scroggie, Know Your Bible, vëll. 1, f. 155. ↵ Kthehu mbrapa