Veprat e Apostujve 14

SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI

Ungjilli predikohet në Ikon, në Listra dhe në Derbë; suksese dhe përndjekje; kthimi në Antioki

14:1 Ndodhi që edhe në Antioki ata hynë në sinagogën Ejudenjve dhe folën në mënyrë të tillë, sa një turmë e madhe Judenjsh dhe Grekësh besuan,

14:2 Por judenjtë që nuk besuan i nxitën dhe i acaruan shpirtrat e johebrenjve kundër vëllezërve.

14:3 Ata, pra, qëndruan shumë kohë atje, duke folur lirisht në Zotin, i cili jepte dëshmi fjalës së hirit të tij, duke lejuar që me anë të duarve të tyre të bëheshin shenja dhe mrekulli.

14:4 Por popullsia e qytetit u nda: disa mbanin anën e Judenjve dhe të tjerë atë të apostujve.

14:5 Por kur u bë një orvatje nga ana e johebrenjve dhe e Judenjve me krerët e tyre për t`i keqtrajtuar apostujt dhe për t`i vrarë me gurë,

14:6 ata e morën vesh dhe ikën në qytetet e Likaonisë: në Listra, në Derbë dhe në krahinën përreth,

14:7 dhe atje vazhduan të ungjillëzonin.

14:8 Dhe në Listra ishte një njeri me këmbë të paralizuara, që rrinte gjithnjë ndenjur dhe nuk kishte ecur kurrë, sepse ishte sakat që nga barku i së ëmës.

14:9 Ky e dëgjoi duke folur Palin, i cili nguli sytë mbi të dhe pa se ai kishte besim për t`u shëruar,

14:10 dhe tha me zë të lartë: “Çohu në këmbë!“. Dhe ai hovi lart dhe nisi të ecë.

14:11 Turma, kur pa ç`kishte bërë Pali, e ngriti zërin duke thënë në gjuhën likaonike: “Perënditë zbritën ndër ne, në trajtë njeriu“.

14:12 Dhe e quanin Barnabën Jupiter, Palin Mërkur, sepse ai fliste më shumë.

14:13 Atëherë prifti i Jupiterit, që e kishte tempullin në hyrje të qytetit të tyre, solli dema me kurora pranë portave dhe donte të ofronte një flijim bashkë me turmën.

14:14 Por apostujt Barnaba dhe Pal, kur dëgjuan këtë, i grisën rrobat e tyre dhe u turrën në mes të turmës, duke thirrur e duke thënë:

14:15 “O burra, pse bëni këto gjëra? Edhe ne jemi njerëz me të njëjtën natyrë si ju, dhe po ju shpallim lajmin e mirë, që ju nga këto gjëra të kota të ktheheni te Perëndia e gjallë që ka bërë qiellin, dheun, detin dhe të gjitha gjërat që janë në ta.

14:16 Në brezat që shkuan ai la që të gjitha kombet të ndjekin rrugët e tyre;

14:17 por nuk e la veten e vet pa dëshmi, duke bërë mirë, duke na dhënë shira prej qiellit dhe stinë të frytshme dhe duke i mbushur zemrat tona me ushqim dhe gëzim“.

14:18 Duke thënë këto gjëra, mundën t`i ndalin me vështirësi turmat që të mos u bëjnë flijim.

14:19 Por në atë kohë erdhën disa Judenj nga Antiokia dhe nga Ikoni; ata, mbasi ia mbushën mendjen turmës, e gjuajtën me gurë Palin dhe, duke menduar se kishte vdekur, e tërhoqën zvarrë jashtë qytetit.

14:20 Por, kur dishepujt u mblodhën rreth tij, ai u ngrit dhe hyri në qytet; dhe të nesërmen u nis me Barnabën për në Derbë.

14:21 Dhe, mbasi ungjillëzuan atë qytet dhe bënë shumë dishepuj, u kthyen në Listra, në Ikon dhe në Antioki,

14:22 duke fuqizuar shpirtërat e dishepujve dhe duke i këshilluar që të ngulmojnë në besim, dhe duke thënë se me shumë pikëllime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë.

14:23 Dhe mbasi caktuan për ta pleqtë në çdo kishë, u lutën dhe agjëruan, i lanë në dorën e Zotit, në të cilin kishin besuar.

14:24 Dhe, mbasi e përshkuan Pisidinë, ardhën në Panfili.

14:25 Dhe, mbasi e shpallën fjalën në Pergë, zbritën në Atali.

14:26 Pastaj që andej lundruan për në Antioki, prej nga ishin rekomanduar në hir të Perëndisë për veprën që posa kishin kryer.

14:27 Si arritën atje, mblodhën kishën dhe treguan ç`gjëra të mëdha kishte kryer Perëndia me anë të tyre dhe si u kishte hapur johebrenjve derën e besimit.

14:28 Dhe qëndruan atje me dishepujt mjaft kohë.