10 prill

[no_toc]

10 prill | çdo ditë me radhë

«…ju nuk keni nevojë që ndokush t’ju mësojë» (1 Gjonit 2:27).

Në shikim të parë ky varg përbën një problem. Nëse nuk kemi nevojë për ndokënd që të na mësojë, atëherë përse Zoti i ringjallur dha mësues për të ndërtuar shenjtorët për veprën e shërbimit (Efesianeve 4:11, 12)?

Për të kuptuar domethënien e Gjonit, na ndihmon të dimë sfondin e letrës së tij. Në kohën që ai shkroi, kishën po e pllakosnin mësues të rremë të njohur si gnostikë. Këta heretikë kishin rrëfyer dikur se ishin besimtarë të sinqertë në Zotin Jezus dhe kishin qenë në përbashkësinë e asambleve lokale. Por më pas ata ishin larguar për të përhapur pikëpamjet e tyre të gabuara mbi njerëzimin dhe hyjninë e Krishtit.

Ata pohuan se kishin njohuri më të lartë, nga vjen edhe emri gnostik, nga fjala greke «gnosis» – «të dish». Ndoshta ata i thanë diçka të tillë të krishterëve: «Ajo që ju keni është mirë, por ne kemi të vërtetë shtesë. Ne mund t’ju çojmë përtej mësimeve të thjeshta dhe t’ju futim drejt mistereve të reja dhe më të thella. Për të qenë të rritur dhe të realizuar, ju keni nevojë për mësimet tona».

Por Gjoni i paralajmëron të krishterët se e gjithë kjo është një rreng. Ata nuk kanë nevojë për asnjë nga këta mashtrues që t’i mësojnë ata. Ata kanë Frymën e Shenjtë. Ata kanë Fjalën e së Vërtetës. Ata kanë mësues të caktuar nga Perëndia. Fryma e Shenjtë i aftëson ata që të dallojnë midis së vërtetës dhe gabimit. Besimi i krishterë u është transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë (Juda 3) dhe çdo gjë që pretendon të jetë një shtesë e saj është mashtruese. Mësues të krishterë janë të nevojshëm për të shpjeguar dhe zbatuar Shkrimin, por ata nuk duhet ta kalojnë kurrë limitin duke shkuar përtej Shkrimit.

Gjoni do të ishte i fundit që do të mohonte nevojën për mësues për Kishën. Ai vetë ishte një mësues i shkëlqyer. Por ai do të ishte i pari që do të këmbëngulte se Fryma e Shenjtë është autoriteti përfundimtar dhe se Ai i drejton njerëzit e Tij në çdo të vërtetë përmes faqeve të Shkrimit të Shenjtë. Çdo mësim duhet të testohet me Biblën. Nëse ai [mësimi] pretendon të jetë shtesë e Biblës, nëse ai pohon autoritet të barabartë me Biblën ose nëse ai nuk përputhet me Biblën, atëherë duhet që të refuzohet.