12 shkurt | çdo ditë me radhë
«…as mbi këtë mal, as në Jerusalem» (Gjoni 4:21).
Për samaritanët, qendra e adhurimit ishte në malin Gerizim. Për judenjtë, Jerusalemi ishte vendi mbi tokë ku Perëndia kishte vendosur Emrin e Tij. Por Jezusi i lajmëroi gruas nga Samaria një rend të ri: «…vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetë, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati».
Nuk ka më një vend të vetëm mbi tokë të përcaktuar për adhurim. Në përndarjen tonë kohore, një Person i Shenjtë e ka zënë vendin e një vendi të shenjtë. Tani Zoti Jezus Krisht është qendra e mbledhjes së popullit të Tij. Fjalët e Jakobit kanë gjetur përmbushjen e tyre: «…tek ai do të bëhet mbledhja e popujve» (Zanafilla 49:10, Versioni i Autorizuar).
Ne mblidhemi tek Ai. Neve nuk na tërheq bashkë një godinë e shenjtëruar me dritare me xham me ngjyrë dhe muzikë organoje. Ne nuk mblidhemi te një njeri, pavarësisht se sa i talentuar (sa dhunti ka) apo orator është. Zoti Jezus është magneti hyjnor.
Vendi mbi tokë nuk është i rëndësishëm; ne mund të takohemi në një godinë, një shtëpi, një fushë apo një shpellë. Në adhurimin e vërtetë, ne hyjmë me besim në shenjtëroren qiellore. Atje është Perëndia Atë. Atje është Zoti Jezus. Atje janë engjëjt me veshje festive. Atje janë shenjtorët e periudhës së Dhiatës së Vjetër. Atje janë edhe shenjtorët e epokës së Kishës që kanë vdekur. Dhe në mes të një shoqërie të tillë madhështore ne jemi të privilegjuar të derdhim zemrat tona në adhurim para Perëndisë përmes Zotit Jezus në fuqinë e Frymës së Shenjtë. Pra, edhe pse trupat tanë janë ende në tokë, në frymë ne shkojmë «lart, shumë lart botës së pakënaqur që lufton poshtë».
A i kundërshton kjo fjalët e Shpëtimtarit: «Kudo që dy a tre janë bashkuar (mbledhur) në emrin tim, unë jam në mes të tyre» (Mt. 18:20)? Jo, edhe kjo është e vërtetë. Ai është i pranishëm në një mënyrë të veçantë kur njerëzit e Tij mblidhen bashkë në Emrin e Tij. Ai i merr lutjet dhe lavdërimet tona dhe i paraqet ato para Atit. Çfarë privilegji ta kemi Zotin Jezus në mesin tonë.