14 dhjetor

[no_toc]

14 dhjetor

«E kam krijuar për lavdinë time, që e kam formuar dhe bërë gjithashtu» (Isa. 43:7).

Një nga tragjeditë më të mëdha të ekzistencës sonë është të shohësh burra dhe gra që jetojnë jetë të harxhuara kot. Njeriu, mbi të gjitha, u bë sipas shëmbëllimit dhe ngjasimit të Perëndisë. Ai ishte përcaktuar për një fron, jo për një stol bari. Ai u krijua të jetë një përfaqësues për Perëndinë, jo një skllav i mëkatit. Si përgjigje ndaj pyetjes, «Cili është qëllimi kryesor i njeriut?», katekizmi i shkurtër na kujton se «Qëllimi kryesor i njeriut është të lavdërojë Perëndinë dhe ta gëzojë atë përgjithmonë». Nëse e humbim këtë, ne humbim gjithçka.

J. H. Xhoueti (Jowett) qan ndërsa kupton që drejtimi i kaq shumë njerëzve gjatë viteve «nuk është aq shumë kalimi i një njeriu si kalimi për një amebë». Ai brengoset kur sheh njerëz që janë zhytur aq poshtë, sa nuk janë gjë tjetër veçse «nëpunës të vegjël në sipërmarrje të përkohshme». Ai e vëren me patos epitafin e atij që kishte «lindur një njeri dhe që vdiq një bakall».

F. W. H. Mejërsi (Myers) ia ngul sytë njerëzimit dhe shkruan:

Vetëm si shpirtra i shoh njerëzit tani,
të lidhur që duhet të fitojnë, skllevër që duhet të jenë mbretër;
shpresën e tyre të vetme dëgjoj unë me habi;
mjerisht të kënaqur me hijen e gjërave vetëm.

Kur Uoçmën Ni (Watchman Nee) ishte një djalë i ri, ai prekej kur shihte «dhuntinë krijuese të njeriut që shkapërderdhej për një punëdhënës koprrac…. Në një nga dyqanet e rrugës me llak të qytetit të vjetër, një zejtar anonim tashmë kishte harxhuar gjashtë vjet për tre kanate druri të fortë për një ndarëse me katër kanate, duke gdhendur relieve lulesh në drurin natyral, e bardhë në sfond të sipërfaqes së zezë me llak. Për këtë ai paguhej tetëdhjetë cent në ditë, “shi, shkëlqim, pushime ose revolucion”, siç do ta thoshte pronari i dyqanit, plus oriz dhe perime dhe një dërrasë ku mund të flinte. Pasi të kishte fituar aftësitë për këtë punë, ai mund të bënte vetëm dy kanate të tilla para se sytë dhe nervat ta linin dhe ai të hidhej jashtë me lypësit».

Tragjedia e jetës sot është që njerëzit dështojnë për të vlerësuar thirrjen të lartë të tyre. Ata ecin në këtë jetë duke përqafuar vartësin. Ata zvarriten në vend që të fluturojnë. Siç ka thënë dikush, ata janë duke kërkuar me grabujë në një grumbull balte dhe nuk e vënë re engjëllin sipër tyre që është duke u ofruar një kurorë. Jeta e tyre harxhohet që të kenë një jetesë në vend që të kenë një jetë.

Sot shumë shqetësohen mbi dëmin e burimeve natyrore, por ata nuk mendojnë kurrë për humbjen më të madhe të burimeve njerëzore. Shumë bëjnë fushata për të shpëtuar speciet në rrezik të zogjve, kafshëve dhe peshqve, por ata mund t’i shohin njerëzit që e harxhojnë kot jetën e tyre dhe nuk preken. Një jetë njerëzore është shumë herë më e vlefshme se e tërë bota. Ta prishësh kot këtë jetë është tragjedia e pashprehshme. Një grua tha: «Jam shtatëdhjetë vjeç dhe nuk kam bërë asgjë me jetën time». Çfarë tjetër mund të jetë më tragjike se kjo?

[previous][next]