16 gusht

[no_toc]

16 gusht

«Kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq» (1 Tim. 6:8).

Pak të krishterë i marrin seriozisht këto fjalë, mirëpo ato janë po aq Fjala e Perëndisë sa Gjoni 3:16. Ato na thonë që të jemi të kënaqur me ushqim dhe veshje. Ajo fjalë «veshje» [mbulim] përfshin edhe një çati mbi kokët tona, si edhe rroba për të veshur. Me fjalë të tjera, ne duhet të jemi të kënaqur me nevojat bazë minimale dhe ta vendosim gjithçka mbi këtë për veprën e Zotit.

Njeriu që është i kënaqur ka diçka që paraja nuk mund ta blejë. E. Stenli Xhounsi (E. Stanley Jones) tha: «Çdo gjë i përket njeriut që nuk dëshiron asgjë. Duke mos patur asgjë, ai i zotëron të gjitha gjërat në jetë, duke përfshirë vetë jetën…. Ai është i pasur në pakicën e dëshirave të tij sesa në bollëkun e zotërimeve të tij».

Disa vjet më parë kur Rudjard Kipling foli para një grupi që diplomohej nga «Universiteti MekGill» (McGill University), ai i paralajmëroi studentët kundër vendosjes së një çmimi të lartë mbi pasuritë materiale. Ai tha: «Një ditë ju do të takohemi me dikë që nuk kujdeset fare për këto gjëra dhe atëherë do të kuptoni se sa të varfër jeni».

«Gjendja më e lumtur e një të krishteri në tokë duket se është që ai të ketë pak dëshira. Nëse dikush e ka Krishtin në zemër, qiellin para syve dhe vetëm aq bekime të përkohshme që janë të nevojshme për të kaluar i sigurt gjatë jetës, atëherë dhimbja dhe hidhërimi nuk kanë vend se ku të qëllojnë; një njeri i tillë ka pak për të humbur» (William C. Burns).

Kjo frymë e të qenit i kënaqur duket se i ka karakterizuar shumë nga gjigantët e Perëndisë. David Livingstoni tha: «Kam vendosur që të mos e vlerësoj asgjë që zotëroj, përveç kur ka të bëjë me Mbretërinë e Perëndisë». Uoçmën Ni (Watchman Nee) shkroi: «Nuk dua asgjë për vetveten; dua gjithçka për Zotin». Dhe Hadsën Tejlëri tha se ai e gëzonte «luksin e zotërimit të pak gjërave për të cilat të shqetësohej».

Për disa, ideja e të qenit i kënaqur do të thotë mungesë shtyse dhe ambicie. Ata e përfytyrojnë njeriun e kënaqur si një dembel ose një qyfyrexhi. Por kjo nuk është kënaqje e perëndishme. I krishteri i kënaqur ka mjaft shtysa dhe ambicie, por ato drejtohen drejt gjërave frymërore dhe jo atyre materiale. Në vend që të jetë një qyfyrexhi, ai punon që mund t’ju japë atyre që janë në nevojë. Me fjalët e Xhim Eliotit, njeriu i kënaqur është ai për të cilin Perëndia e ka «zgjidhur tensionin grushteve të shtrënguara».