17 tetor

[no_toc]

17 tetor

«Bli të vërtetën dhe mos e shit» (Fjalet e Urta 23:23).

Shpesh duhet të paguhet një çmim për të fituar të vërtetën e Perëndisë dhe ne duhet të jemi të gatshëm për të paguar këtë çmim, cilido qoftë ai. Pasi e kemi fituar të vërtetën, ne nuk duhet ta lëmë atë.

Ky varg nuk duhet të merret me një kuptim të drejtpërdrejtë aq të përpiktë që ne të blejmë Bibla dhe literaturë të krishterë, por të mos i shesim ato në çdo rrethanë. Të blesh të vërtetën këtu do të thotë të bësh sakrifica të mëdha për të arritur njohjen e parimeve hyjnore. Kjo mund të ketë parasysh armiqësimin me familjen, humbjen e punës, ndarjen nga lidhjet fetare, humbjen financiare ose madje edhe abuzimin fizik.

Të shesësh të vërtetën do të thotë ta zhvlerësosh ose ta braktisësh krejtësisht. Ne kurrë nuk duhet të dëshirojmë të bëjmë një gjë të tillë.

Në librin e tij «Kisha në shtëpi», Arnot shkruan: «Është një ligj i përgjithshëm i natyrës njerëzore se ajo që vjen me lehtësi, ikën me lehtësi. Atë që e fitojmë përmes luftës së vështirë e ruajnë dhe e rrokin mirë, qoftë kjo pasuria tonë ose besimi ynë. Ata njerëz që kanë siguruar pasuri të mëdha pa ndonjë mundim ose rraskapitje nga ana e tyre, shpesh e harxhojnë atë dhe vdesin nga varfëria. Është e rrallë që njeriu i cili e fiton pasurinë përmes përpjekjeve gjigante ta shpenzojë kot pasurinë që ka fituar. Në po këtë mënyrë, më jep atë të krishterë që ka luftuar për të shkuar te krishterimi. Nëse është përmes zjarrit dhe ujit që ai e ka arritur vendin e begatë, ai nuk do të heq dorë me lehtësi nga trashëgimia e çmuar».

Shenjtorë nga të gjitha kohërat i kanë kthyer shpinën familjes, famës dhe pasurisë me qëllim për të hyrë në derën e ngushtë dhe për të ecur në udhën e vështirë. Si apostulli Pal, ata i kanë konsideruar të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit. Si Rahabi ata kanë braktisur idhujt e paganizmit dhe e kanë pranuar Jehovain si të vetmin Perëndi të vërtetë, edhe pse kjo dukej si tradhti ndaj popullit të tyre. Si Danieli ata kanë refuzuar që ta shesin të vërtetën, edhe sikur kjo të përfshinte hedhjen në gropën e luanëve të etur për gjak.

Ne jetojmë në një kohë që fryma e martirëve është larguar shumë. Njerëzit do të parapëlqejnë të komprometojnë besimin e tyre sesa të vuajnë për shkak të tij. Zëri i profetëve mungon. Besimi është i dobët. Bindjet për të vërtetën dënohen si dogmatizëm. Me qëllim për të arritur një shfaqje të unitetit, njerëzit janë gati të sakrifikojnë doktrinat themelore. Ata e shesin të vërtetën dhe nuk e blejnë.

Por Perëndia do të ketë gjithnjë prej atyre shpirtrave të zgjedhur që e vlerësojnë aq shumë thesarin e fshehur të së vërtetës, sa janë gati të shesin gjithçka që kanë për ta blerë atë dhe pasi ta kenë blerë, ata nuk kanë asnjë dëshirë për ta shitur atë, cilido qoftë çmimi.

[previous][next]