18 maj

[no_toc]

18 maj | çdo ditë me radhë

«…ai foli pa u menduar me buzët e tij» (Psa. 106:33).

Kur populli i Izraelit murmurit për mungesën e ujit në Kadesh, Perëndia i tha Moisiut që do të dilte ujë nga shkëmbi, nëse ai do t’i fliste atij [shkëmbit]. Por tani Moisiut i kishte ardhur në majë të hundës nga populli, kështu që i sulmoi ata gojarisht, duke thënë: «Tani dëgjoni, o rebelë; a duhet të nxjerrim ujë për ju nga ky shkëmb?» Më pas ai e goditi shkëmbin me bastunin e tij dy herë. Me zërin e acaruar dhe veprimin e pabindur, ai e paraqiti keq Perëndinë para popullit. Rezultati ishte se ai e humbi privilegjin që t’i drejtonte bijtë e Izraelit për të hyrë në tokën e premtuar (Num. 20:1-13).

Është e lehtë për dikë që ka një zell të flaktë që të jetë i papërmbajtur me besimtarë të tjerë. Ai është aq shumë i disiplinuar, ndërsa ata kanë nevojë gjithnjë për kujdes të vazhdueshëm. Ai është aq shumë i informuar dhe ata janë aq në padije.

Por ajo që ai duhet të mësojë është se ata janë akoma njerëz të dashur të Perëndisë dhe që Zoti nuk do të lejojë asnjë abuzim gojor kundër tyre. Është një gjë që të shpallësh Fjalën e Perëndisë me një fuqi të tillë që njerëzit binden dhe thyhen. Por është një gjë krejt tjetër që t’i qortosh ashpër ata si një shprehje e acarimit personal. Kjo do ta largonte dikë nga shpërblimet më të mira të Perëndisë.

Kur burrat e famshëm të Davidit janë renditur në 2 Samuelit 23, është vetëm një emër që spikat për mungesën e tij. Ai është emri i Joabit, komandantit të Davidit. Po përse mungon emri i tij? Është sugjeruar se arsyeja është që Joabi përdori shpatën me disa nga miqtë e Davidit. Nëse është kështu, ky incident [ngjarje] mbart shumë paralajmërime për ne kur tundohemi që të përdorim gjuhët tona si një shpatë mbi popullin e Perëndisë.

Kur Jakobi dhe Gjoni, bijtë e bubullimës, donin që të bënin të zbriste zjarr nga qielli mbi samaritanët, Jezusi iu tha: «Ju nuk e dini nga cili frymë jeni» (Luka 9:55). Sa i goditur është ky qortim për ne kur flasim pa u menduar me buzët tona për ata që i përkasin Atij jo vetëm për shkak të krijimit (siç ishin samaritanët), por edhe me anë të shpengimit.