18 shtator
«A nuk u shëruan që të dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët» (Luka 17:17).
Zoti Jezus shëroi dhjetë lebrozë, por vetëm njëri u kthye për ta falënderuar dhe ky ishte një samaritan i përbuzur.
Një nga përvojat e çmuara në jetë është që të ndeshim mosmirënjohje, sepse kështu mund të bëjmë të njohur sadopak brengën e Perëndisë. Kur japim bujarisht dhe nuk marrim aq shumë si falënderim, ne kemi një vlerësim më të madh të Atij që dha Birin e Tij të dashur për një botë mosmirënjohëse. Kur e japim veten duke u shërbyer pa u lodhur të tjerëve, ne bashkohemi në shoqërinë e Atij që zuri vendin e një skllavi për një racë mosmirënjohëse.
Mosmirënjohja është një nga tiparet dalluese të njeriut të rënë në mëkat. Pali na kujton që kur bota pagane e njohu Perëndinë, nuk e përlëvdoi as e falënderoi si Perëndi (Rom. 1:21). Një misionar në Brazil zbuloi dy fise që nuk kishin asnjë fjalë për të thënë «Faleminderit». Nëse atyre do të tregohej mirësi, ata do të thonin: «Kjo është ajo që më duhej», ose «Kjo do të më jetë e dobishme». Një misionar tjetër që punonte në Afrikë zbuloi që ata të cilëve u shërbente nuk shprehnin mirënjohje, sepse ata po i jepnin mundësinë për të marrë meritë nga Perëndia. Është misionari ai që duhet të jetë mirënjohës, mendonin ata, sepse ai ishte duke marrë favor përmes mirësisë që po iu tregonte atyre.
Mosmirënjohja përshkon tërë shoqërinë njerëzore. Një program radioje që quhet: «Qendra për punë në transmetim» arriti të gjente vende pune për 2500 njerëz. Prezantuesi raportoi më vonë që vetëm dhjetë veta gjetën kohën për ta falënderuar.
Një mësuese e përkushtuar kishte punuar shumë në pesëdhjetë klasa. Kur ishte tetëdhjetë vjeç, ajo mori një letër nga njëri prej ish-studentëve të saj, duke i treguar se sa e vlerësonte ndihmën e saj. Ajo kishte dhënë mësim për pesëdhjetë vjet dhe kjo ishte e vetmja letër vlerësimi që ajo kishte marrë ndonjëherë.
Ne thamë që është diçka e mirë për ne që të përjetojmë mosmirënjohje, sepse ajo na jep sadopak një reflektim të asaj që Zoti përjeton vazhdimisht. Një arsye tjetër se përse mosmirënjohja është një përvojë e çmuar është që ajo na lë përshtypje mbi rëndësinë e të qenit falënderues. Shumë shpesh kërkesat që i drejtojmë Perëndisë peshojnë më shumë se falënderimet tona. Në shumë raste ne mendojmë se Zoti e ka për detyrë të na bekojë. Dhe shpesh ne dështojmë të shprehim vlerësimin tonë ndaj njëri-tjetrit për mikpritje, për porosi, për transport, për furnizime, për vepra të panumërta mirësie. Ne faktikisht i presim këto favore pothuaj sikur t’i meritonim.
Studimi i dhjetë lebrozëve duhet të jetë një kujtim i vazhdueshëm për ne që, ndërkohë që shumë veta kanë arsye të shumta për të falënderuar, të paktë janë ata që kanë një zemër për ta vlerësuar. A do të jemi edhe ne midis atyre pak vetave?