19 shtator

[no_toc]

19 shtator

«Sepse, ndërsa ishim akoma pa forcë, Krishti vdiq për të paudhët në kohën e tij» (Rom. 5:6).

Krishti nuk erdhi për të thirrur të drejtët dhe as nuk vdiq për njerëzit e mirë. Ai nuk shkoi në kryq për njerëz të mirë, të respektuar apo për njerëz me sjellje të rafinuar. Ai vdiq për të paudhët.

Sigurisht që në këndvështrimin e Perëndisë tërë njerëzimi është i paudhë. Ne të gjithë kemi lindur në mëkat dhe jemi mbrujtur në paudhësi. Ne të gjithë endeshim si dele të humbura dhe secili prej nesh ka ndjekur rrugën e vet. Në sytë e pastër të Perëndisë ne jemi të korruptuar, të papastër dhe rebelë. Madje edhe përpjekjet tona më të mira për të bërë atë që është e drejtë s’janë gjë tjetër veçse si një rrobe e ndotur.

Problemi është se shumica e njerëzve nuk dëshirojnë ta pranojnë që janë të paudhë. Por duke e krahasuar veten me elementët kriminelë të shoqërisë, ata mendojnë se janë krejt të përshtatshëm për të shkuar në qiell. Ata i ngjajnë asaj gruas së shquar të klasës së lartë, e cila krenohej për pjesëmarrjen sociale dhe kontributet e bamirësisë. Kur një komshi i krishterë i dëshmoi për Krishtin, ajo tha që nuk ndiente ndonjë nevojë për të qenë e shpëtuar; veprat e mira që ajo bënte ishin të mjaftueshme. Ajo i kujtoi atij që ishte anëtare në një kishë dhe që vinte nga një prejardhje e largët «e krishterë». I krishteri mori një copë letër, shkroi në të fjalët E PAUDHË me shkronja të mëdha, pastaj iu kthye asaj dhe e pyeti: «Jini dakord nëse e kap këtë me karficë mbi bluzën tënde?» Kur pa fjalët E PAUDHË, ajo u tërbua. «Po sigurisht që s’jam dakord», tha ajo. «Nuk lejoj askënd të më thotë që jam e paudhë». Pastaj ai i shpjegoi se duke mos pranuar gjendjen e saj mëkatare, të humbur dhe të pashpresë, ajo e kishte larguar veten nga çdo përfitim i veprës shpëtuese të Krishtit. Nëse nuk do të pranonte që ishte e paudhë, atëherë Krishti nuk vdiq për të. Nëse nuk ishte e humbur, atëherë ajo nuk mund të shpëtohej. Nëse ishte e shëndoshë, atëherë ajo nuk kishte nevojë për Mjekun e Madh.

Një festë e veçantë u mbajt njëherë në auditorin e madh të një qyteti. Ishte për fëmijë të verbër, të gjymtuar ose, me fjalë të tjera, me aftësi të kufizuara. Fëmijët erdhën me karroca invalidësh, me paterica dhe të kapur pas dore. Gjatë festës një polic gjeti një djalë të vogël duke qarë në shkallët e përparme të ndërtesës.

«Përse po qan», e pyeti ai me dashuri?
«Sepse ata nuk lënë të hyj brenda».
«Po përse nuk të lënë të hysh?»
Djali i vogël tha: «Sepse festa s’ka të bëjë fare me mua».

Kështu është edhe me festën e Ungjillit. Nëse s’ka të bëjë me ty, ti nuk mund të hysh. Në mënyrë që të kesh të drejtën për të hyrë, ti duhet të provosh që je mëkatar. Ti duhet të pranosh që je i paudhë. Ishte për të paudhët që Krishti vdiq. Ashtu siç ka thënë Robert Mungeri: «Kisha është e vetmja bashkësi në botë ku kërkesa e vetme për t’u anëtarësuar është padenjësia e kandidatit».

[previous][next]